Zgjedhjet 2019

Abazi pretendon se u rrah nga Molliqaj, ky e mohon

Është raportuar të ketë ndodhur një sulm fizik mes Dardan Molliqajt, kandidat për deputet nga koalicioni PSD-AAK, dhe Haki Abazit nga Vetëvendosja.

Abazi thotë të jetë sulmuar nga Molliqaj, por ky i fundit, e ka mohuar.

Mefail Bajqinovi, kandidat për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, i ftuar në Interaktiv ka thënë se tash PSD-ja është pjesë e krimit. I ka krahasuar edhe me PDK-në. Ka komentuar rrahjen që u raportua të ketë ndodhur mes Dardan Molliqajt të PSD-së dhe Haki Abazit të VV-së. Ka thënë se Molliqaj e ka rrahur Abazin.

“Nuk dimë për gjendjen e tij më shumë, por mund të them se janë bërë bashkë bandat kriminale, po provojnë para 6 tetorit të sulmojnë secilin. Kemi pasë edhe rastin e Krasniqit që rrahu Milaim Zekën. E dijnë që as ‘në çka ka tre s’mujnë me dalë, se lëre më të bëhen deputetë’”, ka thënë Bajqinovci.

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar përmes një shkrimi në facebook, nga ku edhe kanë kërkuar nga KQZ-ja të largojë kandidatët për deputetë që ushtrojnë dhunë, duke aluduar tek Molliqaj.

“Banditët nuk e kanë vendin në debate televizive. Pas emisionit “Pressing” në T7, kandidati i listës së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Haki Abazi është sulmuar rëndë nga kandidati i AAK-së, D. Molliqaj dhe shoqëruesit e tij. Ky sulm banditesk i ka shkaktuar lëndime fizike z. Abazi, dhe për këtë menjëherë kemi njoftuar policinë. Bandat mafioze që kanë kapur shtetin po frikësohen prej ndryshimit që po vjen, prej entuziazmit popullor dhe prej drejtësisë që do të vendoset nga Lëvizja VETËVENDOSJE! Ata po e shfaqin nervozën e tyre duke shpifur pa u ndalur, e tash edhe duke sulmuar fizikisht. Ata tashmë e kanë traditë sulmin fizik ndaj debatuesve në emisione televizivë. Publiku nuk e meriton këtë nivel të ulët diskutimi. Kosova nuk e meriton këtë nivel të ulët përfaqësimi. Tash po e kuptojmë se sllogani i tyre propagandistik “guxim dhe dije”, po nënkupton që guximin e paskan banditët, a dijen injorantët. Presim nga policia të marrë masa ndaj tyre. I bëjmë thirrje KQZ-së të largojë nga lista këta persona që po ushtrojnë dhunë. Qëndrojmë në mbështetje të plotë të z. Haki Abazi, dhe të cilitdo aktivist që është sulmuar me dhunën e tyre verbale e fizike”, thuhet në reagimin e VV-së.

Por, Molliqaj e ka mohuar të ketë ndodhur një sulm fizik.

“Asgjë nuk ndodhi jashtë studios, përveç një debati me pak tensione që ishte vazhdimësi e debatit publik. Unë nuk i kam problem debatet televizive dhe ndjehem shumë komod t’i mbroj bindjet e mia. Nuk fshihem asnjëherë. Secilin veprim timin politik jam në gjendje ta arsyetoj deri në fund. Nuk e kam problem asnjë akuzë e sulm për veprimet e mia politike. Ankesa e vajtimet nuk mund t’i fshehin humbjet në nivel argumentesh nëpër debate televizive”, ka shkruar Molliqaj.

Ndërkaq, Abazi në një përgjigje për KosovaPress ka thënë se se është sulmuar nga Dardan Molliqaj dhe shoqëruesi i tij. Ka thënë se është sulmuar në korridor derisa ishte duke ec me Rexhep Hotin.

“Isha duke ec me Rexhep Hotin ka ardhur mbara Dardani dhe së bashku me përcjellësin e tij kanë tentuar të mi kapin duart dhe të më rrëzojnë dhe më me sulmuar, kur e kam kuptuat çka po ndodh unë jam tërhjekur dhe kam hy në studio. Redaksia nuk e din çka po ndodh. Policia është e lajmëruar për këtë rast”, tha Abazi.