Ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AKR-së, Islam Pacolli, kanë vizituar minatorët e Minierës së Artanës.
Lluka dhe Pacolli, siç njofton kumtesa për media, janë pritur nga menaxhmenti dhe minatorët, të cilët u njoftuan për punën që ai dhe Pacolli kanë arritur gjatë kësaj legjislature të realizojnë për këtë Minierë dhe minatorët e saj.
Në njoftimin për media thuhet se Lluka tha se ka një bashkëpunim të ngushtë me menaxhmentin dhe minatorët dhe ka diskutuar me ta për problemet dhe mundësitë e përmirësimit të kushteve të tyre.
“Minatorët të cilët me të vërtetë kanë dhënë shumë për vendin, punojnë në kushte të vështira dhe një gjë të tillë nuk mund ta lejojmë në vazhdimësi, sepse në ato kushte në moshën e shtyrë nuk mund të vazhdohet”, tha Lluka.
Kurse Pacolli tha se sektori minerar në Kosovë ka potencial të jashtëzakonshëm për zhvillim ekonomik dhe punësim, andaj, “është obligim i Qeverisë së Kosovës dhe të gjithë mekanizmave të tjerë që të punojnë pandalshëm në implementimin e Strategjisë Minerare në Kosovë, hapjen sa më të shpejt të ‘zonave të interesit të veçantë’ dhe promovimin e këtij sektori për investime të jashtme”.