Zgjedhjet 2019

Daka: Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, sfiduese për shkak të afateve kohore

Procesi për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit do të jetë një sfidë për Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, për shkak të aftit të shkurtër kohor, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në bashkëpunim me të gjithë aktorët tjerë, nënvizoi Daka, do të mundohet të krijojnë një ambient të sigurt, të qetë për të gjithë ata që kanë të drejtë vote dhe të cilët dëshirojnë të votojnë më 6 tetor.

Procesi zgjedhor do të vëzhgohet nga një mision i Bashkimit Evropian si dhe shoqëria civile në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë: Zonja Daka, Qeveria e Kosovës tanimë ka ndarë buxhetin prej rreth 6 milionë euro për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit. Si janë duke shkuar përgatitjet rreth këtij procesi?

Valdete Daka: Ne menjëherë pas shpalljes së zgjedhjeve nga presidenti i Kosovës kemi filluar përgatitjet dhe tani jemi në zbatim të planit operacional për ditën e zgjedhjeve të datës 6 tetor. Deri më tani i kemi përfunduar të gjitha ato që janë paraparë me këtë plan operacional. Shpresoj që edhe pjesa tjetër e këtij plani të shkojë ashtu siç e kemi planifikuar. Jemi në afatet e parashikuara më këtë plan dhe deri më tani nuk i kemi shkelur këto afate, që është një kënaqësi për mua se këto janë zgjedhjet të jashtëzakonshme.

Radio Evropa e Lirë: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka të përcaktuara afatet e aktiviteteve zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme të cilat janë në një periudhë të shkurtër. Sa mund të arrihen të përmbyllen suksesshëm këto afate?

Valdete Daka: Zgjedhjet e rregullta parlamentare do të duhej të mbaheshin prej 4 deri në 6 muaj. Tani ne i kemi pasur vetëm 40 ditë, duke llogaritur edhe ditën kur janë shpallur zgjedhjet dhe kjo natyrisht kërkon që të gjitha afatet e parapara me ligj të shkurtohen. Këto afate të shkurtra janë sfidë edhe për ne edhe për të gjithë akterët e zgjedhjeve, siç janë edhe subjektet politike, sepse të gjitha afatet që kishin me qenë të gjata, tani janë të shkurtuar dhe të gjithë duhet të veprojnë në të njëjtën mënyrë. Për KQZ-në kjo është një sfidë, por me siguri se do të kalojmë.

Intervistën e plotë mund ta lexoni në Radio Evropa e Lirë.