Kjo është pamja që shumica e imagjinojnë kur dëgjojnë – Budva. Vend nga legjendat, një prej qendrave të para urbane në Adriatik, e vjetër 2 mileniume e gjysmë – deri në ditët e stome mbetet simbol i qytetit të Budvës.
“Qyteti i vjetër është simbol i Budvës dhe kjo është ajo që është trashëgimi ndërtimore, por njëkohësisht edhe ambient natyror që është formuar në kuadër të Budvës që po ashtu është simbol i Budvës, sikur që është, fjala vjen, ishulli Skol. Nuk është se arkitektura vetëm duhet të jetë simbol, ajo në fakt do të duhej që ta përmirësojë vetë ambientin natyror që na rrethon dhe të sjellë më shumë vlerë që të jetë arkitekturë e vërtetë”, ka thënë Vladan Stevoviq, arkitekt kryesor i Budvës.
Tërmeti i vitit 1979 përgjithmonë e ka ndryshuar bregdetin malazez, e me të edhe Budvën. Qyteti i vjetër, në të cilin edhe më tutje jetohet, tregtohet, luhet në skena të improvizuara, në tri dekadat e fundit u ka bërë ballë edhe disa intervenimeve ndërtimore mjaft të pavend.
“Natyrisht, ishte tërmeti, disa objekte që ishin në afërsi të Qytetit të vjetër nuk janë më, por ai edhe më tej de facto e ka ruajtur atë vijën trashëguese dhe ai është atraksioni më i madh i Budvës. Ekzistojnë aty, brenda vetë qytetit, disa intervenime që do të duhej të sanohen, sa i përket llojit të materialit që është përdorur dhe sa i përket përjashtimit të disa elementeve teknologjike sikur që janë aparatet e klimës dhe të ngjashme”, ka thënë ai.
Në bërthamën e vjetër, natyrshëm mbështetet vetëm edhe ndërtesa e hotelit Mogren.
“Hoteli Mogren i takon shekullit të kaluar, por edhe më tutje ai, në atë kuptimin e vet autorial, është më i fortë në atë shprehjen dhe karakterin që ka, se sa cilido objekt më i vonshëm, dhe para së gjithash në aspektin e vet kontekstualizimit përkatësisht të harmonizimit me të ashtuqajturën rrethinë”, ka thënë Stevoviq.
Kur largoheni vetëm 50 metra nga platoja para Qytetit të Vjetër, e shihni se si ndërtimet p0a plan në kohën e tranzicionit e kanë formësuar qytetin e ri të Budvës – sot metropolin e turizmit malazez. Rrokaqiejt e lartë banues dhe me zyrë, njëri në krah tjetrit, ndërtesat banuese, dominante, me kualitete të ulëta estetike, janë aq të ngushtuara mes vete, sa që banorët kanë harruar privatësinë, shtëpitë private për qira, që kanë zaptuar hapësirën në dëm të asaj publike…
Budva sigurisht se do të kërkojë plane të caktuara për të sanuar gjendjen. Çfarë do të thotë kjo, a do të rrënohen këto ndërtime?
“Do të jetë e domosdoshme de facto që disa analiza të bëhen, në kuptimin që ngadalë të hapet ana e prapme e linjës së detit të Budvës, dhe në atë mënyrë të përmirësohet hapësira. Kjo në fakt duhet të jetë një arkitekturë e kualitetit të lartë, bashkëkohore, krahasuar me atë që e rrethon, dhe që të mos e prishë, por as të mos e përmirësojë, po të jetë një përmbajtje shtesë dhe joshëse, ashtu që njerëzit prej jashtë të vijnë në një qytet të tillë. Një shembull i kësaj, të themi më mbresëlënës, është muzeu i Bilbaos të cilin e ka punuar Frenk Geri dhe ai në fakt ka kryer një ekspanzion të plotë të atij qyteti sa i përket njohjes në hartën botërore dhe përgjithësisht sa i përket numrit të turistëve dhe vizitueshmërisë së qytetit. Ndërsa Budva është qytet turistik dhe në atë kuptim do të duhej të udhëhiqemi me shembuj të tillë”, ka thënë Stevoviq.
As kryeqyteti i Malit të Zi, sipas mendimit të ekspertëve, me decenie nuk mund të lavdërohet me shembujt e arkitekturës që është lidhje e suksesshme e modernitetit, autenticitetit të rajonit dhe funksionalitetit. Hotel Podgorica, një kryevepër e arkitekturës moderne malazeze, e Svetlana Kana Radeviqit, është ndërtuar në vitin 1967, dhe ka arritur qysh atë kohë të bashkojë këto elemente. I ndërtuar në bregun e djathtë të lumit Moraça, me mure prej gurëve nga bregu i lumit, sikur në shtëpitë e qytezave të vjetra.
“Dhe, kjo me gjasë, sa i përket Podgoricës, është objekti i parë që është përpjekje për të vendosur një relacion me trashëgiminë historike. Hoteli në fakt del si një himerë e qytetit të vjetër dhe ka tarraca prej të cilave mund ta shikoni atë qytet. Fatkeqësisht, ne nuk kemi arritur që jashtë kufijve të Malit të Zi dhe Jugosllavisë së dikurshme të promovojmë këtë objekt si të tillë. Ai vërtet është në rangun e realizimeve superiore të arkitekturës evropiane të viteve ’60. Qysh para fundit të jetës së saj, Svetlana Kana Radeviq, ka luftuar shumë që ai hotel, pasi që ka kaluar në pronë private, të ruajë enterierin, të mbetet ashtu siç ajo e ka projektuar”, ka thënë arkitekti, Aleksandar Ashanin.
Goditjet në këtë vepër arkitektonike prej atëherë vetëm janë shtuar. Më 2004 ka pasur riparime të patolerueshme. Bazuar në planin e jashtëligjshëm urbanistik, më 2015 krejt afër hotelit është ndërtuar një rrokaqiell gjigant.
“Mendoj që kjo në njëfarë mënyre është triumf i kapitalizmit të mbrojtur nga shteti, përkatësisht neokapitalizmit mbi profesionin me mendje të shëndoshë, kulturën, dhe kjo fatkeqësisht, mbetet një gjurmë e pakujdesisë së institucioneve përgjegjëse”, ka thënë Ashanin.
Dhe këtu nuk është fundi i rrënimit të hotelit Podgorica. Ditët e fundit shtohen zërat që paralajmërojnë ndryshimin e destinimit të tij, prej një objekti hotelier në objekt afarist, pasi që tashmë është ndërruar pronari. Krahas me këtë, ka nisur edhe iniciativa që ky objekt të mbrohet si trashëgimi kulturore.
“Kjo, do të thosha, ishte vjeshta e fundit e hotel Podgoricës, në të cilën po vendoset për fatin e tij. Ai, me intervenimet për të cilat fola, ka humbur një pjesë të madhe të tipareve përkujtuese, por mendoj që ende nuk është vonë që të vihet nën mbrojtje. Nëse Drejtoria për mbrojtje të trashëgimisë kulturore edhe këtë radhë e mban qëndrimin që e kishte më 2016, mendoj se ai institucion nuk ka pse ekziston më”, ka shtuar ai.
Institucionet dhe shteti kanë qasje prej njerke ndaj trashëgimisë arkitektonike nga koha e Perandorisë Otomane, Qytetit të vjetër, që është në zemër të qytetit. Në planet e para të pasluftës të Titogradit të atëhershëm kjo trashëgimi është trajtuar si tërësisht e pavlefshme. Por, edhe më vonë kur kjo qasje deri diku ka ndryshuar me miratimin e planeve që janë hartuar prej ekspertëve dhe arkeologëve, udhëheqësia shtetërore ka konsideruar se i është lënë shumë hapësirë konservimit dhe revitalizimit.
“Disa tentime të fundit serioze që të ndalet ai trend ishin nga fundi i viteve ‘80-të dhe fillimi i viteve ’90-të kur Enti për mbrojtjen e përmendoreve të kulturës nga Sarajeva bëri një studim, bazuar në të cilin duhej të revitalizohet Qyteti i vjetër dhe kur arkitekti shumë i njohur Vukota Tupa Vukotiq, hartoi një plan shumë të mirë për revitalizikmin, por fatkeqësisht para së gjithash nuk kishte vullnet politik, por as mjete që kjo të zbatohet”, ka deklaruar Ashanin.
Dhe njëkohësisht banorët e Qytetit të vjetër me nguti kanë ndërtuar dhe mbindërtuar shtëpitë e tyre nga frika që planet e reja do ti lënë ata pa pronë.
“Nëse shëtiteni këto ditë në rrugët e Qytetit të vjetër, do të shihni se ky është një konglomerat i formave të bastardhuara të llojeve nga më të ndryshmet, prej atyre që aboslutisht nuk kanë kujdes se çka gjendet rreth tyre, deri te fisa forma përkatësisht objekte në të cilat përmes një veprimi mimikrik dhe jokritik arkitektural bëhet përpjekja që të vendoset një lidhje me traditën. A është tani e mundur që t’i jepet një pamje që ka, nuk e di, Trastevere në Romë, apo ndonjë pjesë e Selanikut që quhet Ladadika, apo Bashçarshija e Sarajevës, sinqerisht t’ju them, jam shumë skeptik, por nga ana tjetër, keni shembuj, si para pak kohe në Itali, Matera që një kohë u pat quajtur turpi i Italisë dhe që pas shpopullimit dhe një rindërtimi masiv në vitin 2019, u bë kryeqytet kulturor i Evropës, bashkë me Plovdivin, nëse nuk gaboj”, ka thënë ai.
I pyetur se cili është shembulli i arkitekturës së mirë në kryeqytet në tri dekadat e fundit, arkitekti Ashanin me keqardhje e pranon se një gjë e tillë gati se nuk ekziston.
“Ka objekte të mira në Mal të Zi, por sa i përket Podgoricës mendoj se mbi nivelin mesatar fatkeqësisht nuk kemi asgjë që nga mesi i viteve ’90-të të shekullit të kaluar. Mund të përmend galerinë e re që është ndërtuar skaj shtëpisë së rinovuar të Risto Stijoviqit, të cilën e ka projektuar kolegu Aleksa Dajoviq, para disa vjetësh dhe që është një objekt korrekt, që në njëfarë mënyre mund të shërbejë si shembull se si do të mund të veprohet tutje në nukleusin e Qytetit të vjetër. Sa i përket pjesës tjetër të qytetit, e kam shumë të zorshme që të kujtoj ndonjë objekt tjetër të mirë”, ka thënë ai.