Bosnja e Hercegovina ka njerëz me të cilët mund të lavdërohet. Dhe atë në nivel botëror. Nedim Sladiq, meteorolog amator 23 vjeç, është emri i dytë për parashikimin e motit në vendin tonë. Në BeH, obligimet tona që varen nga kushtet atmosferike i përcaktojmë sipas parashikimeve të Nedim Sladiqit. Ndërsa me meteorologji ka nisur të merret si djalosh 9 vjeç.
“Më kujtohet që babai më solli një far enciklopedie që ishte klasifikim i reve sipas niveleve, meqë ka re në më shumë rende, të lartë, të mesëm dhe të ulët dhe bazuar në këtë, unë kam mësuar rendet e reve. Gjëja e parë që kam arritur ta mësoj. Në një rast shkova në pushim vjetor në Dubrovnik, vitin e largët 2004, dhe kur pashë se po zhvillohen retë tregova vetëm se shiu do të bjerë pas 40 minutash. E thashë pak më me zë këtë, njerëzit u kthyen dhe thoshin ky flet jerm. Nuk kaluan as 50 minuta, dhe veç i pashë njerëzit si vrapojnë prapa dhe të nesërmen gjithçka nisi me atë fjalinë: Nedim a do të ketë shi edhe sot?”, ka thënë Nedim Sladiq, meteorolog amator.
Nedimi vazhdoi tutje. Para së gjithash të mësoj dhe punoj. Donte të bëhej meteorolog. Në bisedë me kolegët më të vjetër kupton se në BeH nuk ka studime për meteorologji. Dëgjon këshillat e tyre dhe regjistrohet në Fakultetin e Teknologjisë Informative, dega për inxhinieri softuerike dhe harduerike. Dhe merr këshilla që të gjitha njohuritë e tjera t’i arrijë duke u lidhur me meteorologët botërorë dhe me këmbim të njohurive.
“Kam nisur të shkruaj parashikimin e motit më 2013, dhe duhej rreth dy vjet deri sa këtë punë timen nuk e vërejtën gazetarët. Kjo ka nisur në dhjetor 2015, tash do të bëhen pesë vjet dhe në fakt nisi me parashikimin se mjegulla do të ngrihet mbi Luginën e Sarajevës më 2015, përkatësisht në fillim të vitit 2016. Me këtë në fakt nisi cikli im që shpresoj se do të vazhdohet edhe në vitet e ardhshme”, është shprehur ai.
Nedimi ka kryer Universitetin Internacional në Sarajevë, drejtimin për inxhinieri softuerike, ka diplomuar në fushën e përpunimit të shënimeve statistikore dhe analizën e shënimeve. Sladiqi tani është pranuar në një tjetër universitet botëror në fushën e meteorologjisë, Universiteti i Redingut në Britaninë e madhe. Ka shkruar edhe punimin e tij të parë shkencor.
“Me 23 vjet, në korrik 2020, kam shkruar punimin shkencor me profesor doktorin Vlado Siridonus, nga Universiteti në Vjenë dhe profesorin Mlagjan Çuliq nga Universiteti në Beograd. Kemi kryer një punim që është botuar në bazën më të madhe të punimeve shkencore në Springer dhe ky punim yni u gjet në shoqëri me artikujt që janë në kuadër të organizatës meteorologjik koreane. Kemi marrë recensione pozitive sa i përket precizitetit të modelit. Çfarë bën ai model, detekton stuhitë në interval afatshkurtër kohor, ashtu që me kohë të mund të parandalohen dëmet materiale”, ka thënë Sladiq.
Lana Pudar është notuese e talentuar nga Mostari. Ka rrëzuar tri herë rekordin shtetëror në not, ndërsa është vetëm 15 vjeçe.
“Në të ardhmen dua të përfaqësoj Bosnjën dhe Hercegovinën në garat e mëdha, pres kohë më të mira. Kur të vijë koha, dua që përmes notit të arrijë deri tek ajo që të mund të regjistrohem në ndonjë universitet të mirë botëror dhe kështu të vazhdoj shkollimin tim dhe karrierën”, ka thënë notuesja Lana Pudar.
Që të realizoj gjithë atë që ka arritur në nëntë vjetët e marrjes me not, Lana thotë se i duhej shumë angazhim, punë dhe sakrifica. Me not merret prej moshës 5-vjeçe.
“Kam nisur krejt rastësisht. Prindërit më kanë regjistruar që të mësoj notin, trajnerët kanë vërejtur talentin tim dhe më kaluan në klub dhe kështu nisi karriera ime notuese”, ka thënë ajo.
Thotë se punon në kushte të vështira. Nuk e di se cila është e ardhmja e këtij sporti në BeH, sepse nuk investohet sa duhet. Gjithçka është reduktuar në mundin e saj dhe të trajnerit.
“Nuk kemi kushte të mira, as bazën olimpike, vështirë do të jetë të vazhdohet këtu, vetëm me ndihmën financiare të stërvitem jashtë vendit”, ka deklaruar Pudar.
Duke folur për sukseset e deritashme të Lana Pudar, trajnerja e saj thekson se që prej fillimit përpiqet t’i mbjellë shprehinë e punës, në mënyrë që talentin e madh që ka të mund ta realizojë në kuptimin e plotë. Pret ndihmën e shtetit.
“Këto përgatitje vërtet kushtojnë shumë. Por nëse duam të realizojmë synimet, ne duhet ta bëjmë këtë. A do të gjejmë mjete vetë apo këtë do ta bëjnë prindërit e Lanës. Shpresojmë se nuk do të jetë ashtu, sepse ato institucione duhet t’i përcjellin talentet e tilla, sepse nëse Lana duhet të mendojë se a do të ketë mjete financiare, kjo e shpërqendron nga trajnimi, dhe kjo nuk na duhet”, ka thënë trajnerja, Alena Qemaloviq .
“Çka na vjen posaçërisht mirë është të shihnim se si mostarasit dhe ata që janë shpërndarë nëpër botë janë krenarë për diçka që bashkëqytetarja jonë ka arritur, një fëmijë vetëm 14 vjeç. Lirisht mund të them që është kjo diçka me të cilën njerëzit identifikohen dhe më vjen mirë që Mostari është lajm për diçka pozitive”, ka thënë Damir Xheba, pronar i klubit.
Shkolla Elektroteknike në Tuzllë ka nxënës që me vetëm 16 vjet e mendojnë se si të shfrytëzojnë teknologjinë dhe të krijojnë më shumë mundësi për të rinjtë që vijnë. Duke u udhëhequr nga kjo ide, Elma Bajriq, Emina Manxhukiq dhe Ena Imamoviq janë lajmëruar me tri projekte në ngjarjen e sivjetme “Meet and Code“, që disa vjetët e fundit po mbahet në më shumë se 20 vende të Evropës. Prej tri projekteve të lajmëruara, dy janë përzgjedhur për realizim. Elma Bajriq thotë se kurrë nuk duhet hequr dorë.
“Jemi lajmëruar në konkurs që u shpall nga organizata botërore që do të thotë se jemi regjistruar për garë që t’i mësojmë të rinjtë në përmirësim të degëve të caktuara të teknikës. Konkretisht për këtë projekt kemi zgjedhur dizajnin grafik dhe platformën arduino në të cilën kemi menduar se të rinjtë mund të përparojnë më së shumti”, ka thënë Elma Bajriq, nxënëse e shkollës Elektroteknike në Tuzllë.
Edhe vetë të vetëdijshme se dija e arritur përmes aplikimit të planit dhe programit mësimor në këtë shkollë nuk do të mjaftojë për ambiviet e tyre, kanë vendosur që përmes këtij, por edhe me projekte tjera, vetë t’i thellojnë njohuritë e veta. Thonë se mentalitetin tonë duhet ndryshuar. Të rinjtë duhet të punojnë në veten e tyre.
“Ne prej rinisë së hershme jemi mësuar që të mos kemi të ardhme këtu, të ndërtojmë jashtë BeH-së. Mendoj që ne të rinjtë jemi nxitës të ndryshimeve, ndërsa shoqëria duhet të na përcjellë. E dimë atë fjalën e urtë që thotë se të rinjve u mbetet bota dhe nuk ka të ardhme nëse të rinjtë ikin”, ka thënë ajo.
Elma vëren se të rinjtë janë çdo herë më shumë të interesuar për dizajnin grafik dhe se kjo është çdo herë e më e popullarizuar. Kanë vendosur ta kalojnë dijen që kanë, te të rinjtë që duan të shkojnë në këtë drejtim.
“Jam e lumtur që jam e rrethuar me njerëz të tillë që në fakt janë shembull për të rinj të tjerë, sepse në fakt në BeH mund të arrihet sukses. Kemi shokë dhe shoqe që i kanë realizuar brendet e veta prej hobive që kanë dhe kanë arritur të përparojnë në teknikë, kulturë dhe shkencë dhe në të vërtetë përpiqen që të përmirësojnë situatën në BeH ashtu si dinë”, ka shtuar ajo.
Nedim, Lana dhe Elma, mbani mend këta emra. Ata sa kanë filluar dhe qysh tani kanë arritur mirënjohje botërore. Me mësim, punë dhe sakrificë kanë arritur rezultate. Megjithatë, ata presin përkrahje më të madhe nga BeH. Thonë se shkollimin do ta vazhdojnë jashtë BeH-së. A do të kthehen prapa, do të varet nga kushtet në BeH. Dëshirë kanë që jetën ta vazhdojnë këtu.