Via Balcanica

Mali i Zi: Nomadët digjitalë në Malin e Zi

Këtu, prapa vendbanimit Hercegova Bijela, çifti bashkëshortor Howe, Filipnja Keç dhe britaniku Xhonathan, i kanë gjetur shtëpinë dhe qetësinë e tyre. Dhe jo vetëm këtë – këtu e kanë edhe punën. Ata janë nomadë digjitalë – punojnë përmes internetit, në një shtet që nuk është vendlindja e tyre. Programim, videolojëra, marketing digjital, kriptovaluta, e-tregtia, dizajni grafik, inteligjenca artificiale... janë vetëm disa prej fushave që mbulohen nga nomadët digjitalë.

Keç dhe Xhonatan janë bllogerë turistikë...

“Kemi nisur të udhëtojmë në mbarë botën më 2013. Kemi filluar nga Azia, Amerika Jugore, kur kemi vendosur të bëjmë storie nga udhëtimet tona – si mund të bëhesh vullnetar, si mund të udhëtosh lirë prej një destinacioni në tjetrin, si të vlerësosh hotelet dhe ngjashëm... Prej atëherë ne kemi ndërtuar platformën tonë në rrjetet sociale, uebfaqen tonë, me gati një milion ndjekës dhe lexues mujorë”, ka thënë Keç Howe, nomadë digjital.

Me çfarë merren ata kanë dëgjuar edhe nga organizata turistike e Herceg-Novit, andaj dhe në vitin 2017 i kanë ftuar të vijnë për vizitë në Malin e Zi. Kanë ardhur në nëntor, një muaj aspak reprezentativ për turizmin.

“Kështjella Mamula ende ishte e hapur, e vizituam, lundruam nëpër gjirin e Bokës së Kotorit, na pëlqeu. Këtë e publikuam gjithandej, dhe bëmë një artikull në uebfaqe, dhe pas një viti na ftuan të vijmë prapë”, ka thënë ajo.

Si vendosët që të mbeteni këtu?

“Kur erdhëm herën e parë, më 2017, jetonim në një varkë me vela, por edhe atëherë deri sa udhëtonim nëpër botë, e dinim se po kërkojmë një vend ku do të jetojmë. Gjithmonë kisha atë pamje në kokën time se do të jetojë në ndonjë kodër, se do të kem shikim nga deti, se do të jem afër një bjeshke. Jam rritur në bjeshkë dhe e dua. Kur kemi ardhur këtu herën e parë, unë nuk kisha parë kurrë një harmoni aq të përkryer, deti, kodra, bjeshka, të gjitha së bashku”, ka thënë Xhonatan Howe.

Malin e Zi atëherë e paraqitën si një prej destinacioneve më të mira turistike në botë.

Edhe pse kanë vizituar 143 vende, e pranuan ftesën e sërishme nga Herceg-Novi që të vijnë dhe të provojnë bukurinë e verës në bregdetin malazez. Keç ishte e lumturuar me kthimin dhe kënaqësitë që kishte në gushtin e vitit 2018, ndërsa që të dy u kënaqën edhe me regatën e varkave të vitit 2019.

Megjithatë, vendimi për mbetur në Herceg-Novi u ndikua nga një ngjarje e papritur dhe aspak e këndshme.

“Ndodhi që unë kisha një aksident në Pakistan, isha në karrocë invalidësh, dhe bashkëshorti kujdesej për mua. Deri atëherë nuk e dinim që Mali i Zi kishte institutin më të mirë për terapi fizikale në Igallo. Kjo më ndihmoi që të ec pas një muaji dhe bashkëshorti im nisi të kërkoj shtëpi për të banuar. Kjo ishte arsyeja pse mbetëm në Malin e Zi”, është shprehur Keç.

“Para se të vijmë këtu ishim në Vietnam, Kolumbi, Peru, Kostarikë, dhe mjaft kohë kemi kaluar në Indi. Ne përfundimisht kërkonim diç më evropiane, kërkonim një vend për t’u vendosur. Sa u përket vendeve të tjera në Evropë, që kanë kushte të mira për nomadët digjitalë, këto janë Gjeorgjia, Kroacia... por Mali i Zi në njëfarë mënyre është vend i ri, të them se nuk është vend që është ngopur me këtë ende. Mendoj që në fakt kjo ishte koha e duhur që të bartemi dhe të nisim të jetojmë këtu. Ky nuk është fillimi i turizmit këtu, por është fillimi i fazës së re të turizmit dhe zhvillimit të tij”, ka thënë Xhonatan.

Sot janë krejt të sigurt që Mali i Zi është vend i përkryer për nomadët digjitalë.

“Së pari, këtu ka një hapje të madhe kur bëhet fjalë për turizmin, është shumë lehtë të arrihet prej vendeve të tjera evropiane, për fillim për një periudhë 90-ditore. Po ashtu është relativisht lirë kur krahasohet me pjesën tjetër të Evropës, posaçërisht me BE-në, dhe vendet sikur që janë Mbretëria e Bashkuar, SHBA-ja, Australia, dhe është shumë më lehtë të sigurosh jetën këtu. Po ashtu ka infrastrukturë të shkëlqyer, interneti është prej më të mirëve që kemi shfrytëzuar kudo që kemi qenë në botë. Dhe një gjë me rëndësi është mënyra e jetës, ushqimi, klima, natyra, kultura që keni këtu, prej detit shkon në bjeshkë për një orë, ndonjëherë edhe më shpejt. Vërtet i keni të gjitha këtu”, ka thënë ai.

Kur thoni nomad digjital, ju mendoni për dikë që rri ulur gjithë ditën në kompjuter, por kjo nuk është krejt ashtu. Çfarë bën ti, në fakt?

“Për shembull, pesë ditë punë, dy ditë udhëtim, gjysmë dite punë, gjysmë dite hulumtim. Për këtë arsye e zgjodhëm Herceg- Novin... sepse mund të jemi në bjeshkë, të shkojmë në hajking, tri orë dhe pastaj të punojmë. Ditën pasuese mund të shkojmë për lundrim, të notojmë dhe pastaj të punojmë. Dhe një tjetër gjë me rëndësi janë aeroportet. Edhe pse nuk ka shumë fluturime drejt detinacioneve botërore, pozitat e aeroportit të Podgoricës dhe atij të Tivatit, por edhe e aeroportit në Dubrovnik, në Kroaci, që është afër, janë të tilla që shumë lehtë mund të shkosh kudo”, ka shtuar ajo.

Që nomadët digjitalë të mos largohen shpejt nga Mali i Zi dhe që të vijnë më shumë të tjerë, Keç dhe Xhonatan vlerësojnë se duhet vendosur vizën vjetore për nomadët digjitalë.

“Rregullat aktuale për viza mundësojnë vizitë në Malin e Zi deri në 90 ditë pa vizë. Për të mbetur më gjatë i vetmi opsion është paraqitja për qëndrim të përkohshëm përmes blerjes së pronës apo themelimit të kompanisë. Kjo është një vështirësi për shumë nomadë digjitalë dhe gjasat më të mëdha janë se shumica do të largohen për një destinim tjetër. Nëse Mali i Zi do të vendoste mundësinë për një vizë një vjeçare për nomadë digjitalë, atëherë ata që punojnë online dhe që në këtë mënyrë mund të financohen do të mbetnin këtu për një vit të tërë. Ky do të ishte një ndryshim inkurajues”, ka thënë Xhonatan.

“Mendoj që Mali i Zi duhet të hapet më shumë për nomadët digjitalë. Jo vetëm të joshë tregun evropian, por edhe atë amerikan, kanadez, sikur edhe nomadët digjitalë aziatikë. Keni lokacionin e shkëlqyer, më të mirin, kufijtë janë të sigurt, dhe kjo është një mundësi e shkëlqyer që duhet të shfrytëzohet”, ka shtuar Keç Howe.

Momentalisht nuk dihet se sa nomadë digjitalë janë në Malin e Zi.

“Nuk ka një mënyrë të dihet numri zyrtar, mund të jenë qindra deri në një mijë. Por në të ardhmen këtu mund të ketë kooperime, që t’i inkurajoni nomadët digjitalë që të vijnë këtu e t’iu ofroni qëndrim më të gjatë, t’i regjistroni ashtu që Qeveria të dijë se sa njerëz kanë ardhur këtu për këtë arsye”, ka thënë Xhonatan.

“Ne kemi themeluar grupin tonë të Facebookut, që ka 500 anëtarë, disa prej tyre ndoshta janë këtu, e disa ndoshta tashmë kanë shkuar diku tjetër, disa mbase planifikojnë të vijnë këtu. Para mbylljes pandemike, ne kishim takime me rreth 20, 25 që janë nomadë të vërtetë digjitalë. Edhe një gjë është me rëndësi, jo vetëm për nomadët digjitalë, por përgjithësisht për biznese, e kjo është që të keni Paypal, kjo do të ishte shumë me rëndësi që të mund të paguash gjithçka online, ekzistojnë shumë biznese që e kanë këtë problem këtu”, është shprehur Keç.

Ky çift bashkëshortor e pranon se në fillim ishin skeptik nëse do t’u përshtatej mentaliteti malazez. Pas një viti të qëndrimit, ato dyshime u zhdukën.

“Fqinjët tanë këtu janë shumë të mirë, sikur edhe vendorët. Jam njohur këtu me mikeshën time Irenën, që ka një sallon në Bijelë, dhe ajo më njoftoi me njerëz të tjerë në qytet. Ata janë vërtet të mirësjellshëm ndaj të huajve. Ne blejmë në shitoret lokale, në treg, furrë. Njerëzit janë të hapur, na ftojnë nëpër shtëpi, përgatisin specialitetet dhe gjëra të tilla...”, ka thënë ajo.

ÇFARË UA KA ËNDJA TË HANI KËTU NË MALIN E ZI?

“O zot, unë e dua saçin, me mish qengji dhe shumë patate. Para pak kohe kam provuar ato krofnet e vogla, që futen në mjaltë. Petulla? PETULLAAAA. i kam hangër edhe përpara...”, ka thënë Keç.

“Si quhet ushqimi që e bëni me patate dhe e përzieni me kajmak dhe djathë? Kaçamak? Po kaçamak. Më pëlqen ajo, keni ushqimin më të mirë organik. Ne ushqehemi këtu në një restorant, në të cilin perimet janë nga ferma e pronarit, nga Nikshiqi. Kjo është e pabesueshme”, ka thënë ai.

Keç dhe Xhonatan hapësirën e banimit e ndajnë me gjashtë mace, të cilat janë prej vendeve të ndryshme të botës, ndërsa kanë udhëtuar me to nëpër 10 a më shumë vende. Xhonatani, që me profesion është arkitekt, e ka përshtatur shtëpinë për dëshirat dhe nevojat e tyre.

Veten dhe macet, madje nuk i quajnë më as nomadë digjitalë, por imigrantë digjitalë. Derisa përshëndetemi, na bindin se do t’i ndihmojnë Malit të Zi, që këtu të vijnë sa më shumë njerëz si ata, gjë që do të sillte dobi për bizneset lokale dhe do të shtohej punësimi.

Andaj, mirë se vini në Malin e Zi!