Via Balcanica

BeH: Milo Selo

Rrëzë bjeshkës Ozren, rreth dhjetë kilometra nga Llukavci, qytet që gjendet në verilindje të Bosnjë-Hercegovinës, para katër vjetësh është krijuar ferma Milo Selo (Fshati i Dashur). Ideja e themeluesve, vëllezërve Çelikoviq, ka qenë prodhimi i ushqimit organik. Është blerë toka prej 25 hektarësh, pastaj erdhi dilema, si të jenë më ndryshe prej tjerëve.

“Kur i kemi vendosur të gjitha, e kemi kuptuar që nuk mund të prodhojmë ushqim dhe ta ushqejmë atë me pleh artificial, kemi kuptuar që na duhet t’i sigurojmë disa kafshë që do të na e sigurojnë këtë ushqim për bimët. Këto ishin dhitë. Kisha idenë që të nisim me dhi, disi gjedhet këtu janë më pak të pranishme, më pas e siguruam një tufë të racës alpine, racë franceze. Tufë prej 200 dhish që ngadalë u rimontua, erdhi deri te riprodhimi, kështu që kjo tufë ripërtërihej”, ka thënë Amra Brkiq.

Tufa prej 200 dhish ka të gjitha kushtet në fermë, prej stallës moderne me ngrohje, mjeltores e deri te materniteti. Prej prillit deri në tetor dhitë rregullisht shkojnë në kullosa.

“Vij dhe menjëherë nis mjelja, unë dhe një kolege i mjelim, kryejmë punë çka duhet deri në 9-9.30. Pastaj unë i marr dhitë dhe i kullos. Ato më shumë i duan sythat sesa barin. Ndërsa, delja është ndryshe, ajo më shumë e do barin sesa sythat. Shkon nëpër shkurre, barishte. E do barin, por më pak”, ka thënë Midhad Osmanovia, Bari.

Midhadi përveçse i ruan dhitë, ai çdo ditë i mjel ato me ndihmën e makinave për mjelje të lopëve. Thotë se është mësuar me punën e bariut dhe tufa e dëgjon atë.

“Kryesisht ato janë aty bashkë, ndodh rrallë që një grup të ndahet dhe unë duhet t’i përcjell, shembull, unë nisem e ato mbeten prapa, nuk e vërejnë që kanë mbetur, dhe unë kur nisem e shoh, logjikshëm, nëse mungojnë 20-30 dhi, unë e shoh, dhe më duhet të reagoj, të shoh se ku janë, t’i gjej dhe t’i bëj bashkë të gjitha”, ka thënë ai.

Tufa jep rreth 110 litra qumësht në ditë në periudhën vjeshtë-dimër, derisa në pranverë e verë kjo shkon deri në 180 litra në dy mjelje, në mëngjes dhe në mbrëmje.

“Ky qumësht është shfaqur, andaj dhe na është dashur ta përpunojmë. Pastaj kemi ndërtuar dhomën për përpunimin e djathit. U jemi kthyer edhe këtyre produkteve të qumështit” Amra Brkiq, Milo selo.

Ferma Milo selo sot prodhon 15 lloje djathërash, qumësht dhe prodhimet e tjera. Gjithçka bëhet pa kurrfarë aditivësh.

“Këto janë djathëra që me pjekjen e tyre fitojnë në kualitet dhe ashtu veten e mbajnë. Kështu i kemi ndarë në djathëra të freskëta, në gjysmë të forta dhe të forta. Për djathëra të freskëta duhen një ditë apo dy që ato të prodhohen, ndërsa për ato gjysmë të forta duhen rreth dy javë, ndërsa për të fortat, kualiteti i tyre i vërtetë fitohet vetëm pas 60 ditësh, sa më të vjetër që janë aq më të mirë bëhen, sa më të pjekur që janë fitojnë më shumë shije dhe kanë aromë më të mirë”, ka thënë Amra Brkiq, Milo selo

Produktet e qumështit ferma i plason në treg përmes qendrave tregtare, shitoreve të ushqimit të shëndetshëm, por edhe me dërgesa në adresa shtëpiake. Përveç prodhimit të produkteve të qumështit, ferma prodhon edhe pemë e perime të shëndetshme.

“Parimi ynë i punës është që të prodhohet ajo që është e shëndetshme dhe që është sezonale, nuk prodhojmë asgjë jashtë sezonit. Kështu te ne verës mund të gjeni domate, speca, patëllxhan, qepë, sallatë, ndërsa për prodhimin dimëror janë qepët e reja, sallata, spinaçi. Do të thotë, ajo që mund të mbahet dhe rritet gjatë periudhës së dimrit”, ka thënë, Amra Brkiq, Milo selo

Përveç shitjes së perimeve të freskëta, këtu prodhohen edhe produkte të ndryshme nga pemët dhe perimet. Sallatat, kompoti, pekmezi.

“Të gjitha ato që i prodhojmë e që nuk plasohen në treg, ne i përpunojmë. Kemi përpunime të sallatës, specave, lakrës dhe karotës, turshi klasike, mund t’i gjeni këtu në fermë nëse nuk i keni bërë vetë, kështu që lirisht lajmërohuni në fermë. Pastaj, e kemi pekmezin nga mollët. Kur e shtrydhni mollën e fitoni lëngun qind për qindësh të mollës, ai zihet një kohë dhe e fitoni masën e dendur që ne e quajmë pekmez molle. Kemi pekmez të tharbët dhe të ëmbël të mollës. Pastaj, kemi xhem prej kaçave, ekstra xhem prej kaçave dhe xhem që ka një sasi të vogël sheqeri, sepse dikush preferon më ëmbël, e kaçat janë të tharbëta”, ka thënë Brkiq.

Një nga prodhimet që ofrohet është edhe reçeli nga qurta, një bimë e ngjashme me kungullin, që në këtë rajon rritet tradicionalisht ka shumë vite.

“Qurta është ngjashëm me kungullin, e disa e quajnë edhe stambollkë. Kështu do të jetë më qartë. Ky është reçel me pak kanellë shtesë dhe është i lëngshëm, i mirë. Mund të hahet veç, po edhe të lyhet në bukë”, është shprehur Amra.

Segmenti i tretë i zhvillimit të Milo Selo-s është agro-turizmi. Bëhet fjalë për një lloj specifik të turizmit, në të cilin motivi kryesor është udhëtimi në stilin “kthimi i njeriut te natyra”.

“Këtu kemi një pushimore, ai agroturizmi, një kombinim i agrares dhe turizmit. Aty ne ua kemi mundësuar mysafirëve tanë që vinë, që krahas shatërvanëve që janë aty ku mund të uleni, mund të vijnë edhe në serat, të mbledhin perime, pemë, dhe këto t’i marrin me vete në shtëpi. Prej para pak kohe, edhe pse krejt kjo është tash e vonshme, sepse periudha 2016-2020 është e shkurtër, por prej para pak kohësh kemi edhe bletarinë. Kështu, kemi edhe prodhime të bletëve, krahas mjaltit aty është edhe propolisi, dhe të gjitha prodhimet e tjera prej bletëve”, ka thënë Brkiq.

Përveç dhive, ferma Milo selo është edhe shtëpi e gomarëve, pulave, patave dhe qenve. Po ashtu, sikur të gjithë fermerët e mirë, të punësuarit, 16 veta, këtu e pjekin edhe rakinë, punojnë punët të cilat ndihmojnë që oferta të jetë edhe më e mirë dhe më joshëse për turistët.