Kosova mirëmbajti trendin pozitiv të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor edhe në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit 2019. Të shumta dhe të shpeshta ishin vlerësimet se këto zgjedhje ishin më të mirorganizuarat ndonjëherë dhe si të tilla duhet të jenë shembull, si për vendin po ashtu edhe për rajonin.
Fakti që dita e zgjedhjeve nuk u përshkua me ndonjë parregullsi serioze është dëshmi mbi pjekurinë institucionale të përgjegjësve për organizimin e tyre. Njëkohësisht, kjo paraqet nivel të ngjashëm të pjekurisë së partive politike për t’i respektuar gjykimin dhe vlerësimin demokratik që buron nga secili qytetar me të drejtë vote. Por kjo më së shumti është shprehje e vetëdijesimit kolektiv të qytetarëve të Republikës së Kosovës mbi peshën e votës dhe rëndësinë e zhvillimit të një procesi zgjedhor që garanton vlerën e saj.
Megjithatë, mbarëvajtja e procesit nuk e bën atë imun nga kritikat për të. Një proces mund të zhvillohet me sukses të pashembullt, por kjo nuk do të thotë se ai në vete është pa të meta. Këto zgjedhje janë dëshmia më e mirë e kësaj teze. Sado që në kulmin e performancës më të mirë të regjistruar ndonjëherë, procesi zgjedhor përsëri është pre e kritikave. Një nga to, për të shumtën herë me radhë, vazhdon të jetë skema e papërshtatshme e votimit nga jashtë.
Interesimi i qytetarëve jo rezidentë të Republikës së Kosovës për të votuar sa vjen e shtohet. Në këto zgjedhje ky interesim u numërizua në mbi 42 mijë aplikacione për regjistrim për të votuar, 35 mijë prej të cilave u aprovuan nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Këto shifra paraqesin numër rekord.
Ndonëse qytetarë me të drejtë të barabartë kushtetuese për votë, ata për asnjë moment nuk trajtohen të tillë përgjatë procesit të ushtrimit të kësaj të drejte.
Në secilat palë zgjedhje, votuesit nga jashtë ballafaqohen, ndër të tjerash, me afate të kufizuara dhe procedura aplikimi, regjistrimi dhe votimi jo gjithmonë të thjeshta, targetim të dobët nga fushatat informuese, kosto financiare, si dhe me përjashtim nga e drejta për t’i njoftuar dhe për t’i vlerësuar alternativat qeverisëse, para se të vendosin për të zgjedhurit e tyre.
Në radhë të parë, ata ballafaqohen me një procedurë e cila është e kufizuar në kohë dhe e kushtëzuar nga qasja në pajisje teknologjike.
Së dyti, votimi paraqet kosto të drejtpërdrejtë financiare për faktin se pakoja me materialet votuese duhet t’i nënshtrohet shërbimit postar jashtë vendit. Ky shërbim parimisht është më i kushtueshëm se ai brenda vendit. Janë të shpeshta rastet edhe kur votuesit nga jashtë, si rezultat i devotshmërisë për të ushtruar të drejtën e tyre, përdorin shërbime postare private të cilat janë shumëfish më të shtrenjta se ato publike.
Së treti, mënyra e votimit lë shumë hapësirë që të shkelet parimi kushtetues i fshehtësisë së votës, parim ky i cili është thelbësor në sigurimin e integritetit zgjedhor. Nuk ka asnjë mekanizëm që mbron votuesit në fjalë nga presioni që ka për qëllim shtrembërimin e vullnetit të lirë.
Së fundi, shumica e këtyre votuesve detyrohen të votojnë pa qenë të informuar mbi alternativat qeverisëse. Kjo për shkak të afatit shumë të shkurtër ndërmjet ditës së fillimit të pranimit të fletëvotimeve nga jashtë dhe ditës së fundit të pranimit të tyre.
Si rezultat, votuesit nga jashtë arsyeshëm shpesh parapëlqejnë të dorëzojnë fletëvotimet në afatin më të hershëm, duke sakrifikuar kështu informimin mbi alternativat qeverisëse të cilat prezantohen vetëm gjatë fushatës zgjedhore.
Fushata zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme filloi plot një javë (25 shtator) pas datës së fillimit të dërgimit të pakove nga jashtë (19 shtator), gjë e cila sipas kohëzgjatjes standarde të shërbimeve postare e bën të pamundur që fletëvotimet e nisura vetëm një ditë pas hapjes së fushatës zgjedhore të arrijnë me kohë në adresën e KQZ-së. Çdo abonim për shërbim më të shpejtë postar është barrë financiare e shtuar për shfrytëzimin e një të drejte, ushtrimi i së cilës në radhë të parë nuk do të duhej të kushtonte as edhe një qindarkë.
Si rezultat, numri i votave të vlefshme bie drastikisht. Në zgjedhjet e kaluara parlamentare (2017), nga afërsisht 20 mijë aplikacione për regjistrim, prej të cilave 15 mijë të aprovuara nga KQZ-ja, vetëm 5 mijë sosh u përkthyen në vota të vlefshme. Ngjashëm ndodhi edhe në zgjedhjet e fundit (2019). Nga gjithsej 42 mijë aplikacione për regjistrim, prej të cilave 35 mijë ishin të aprovuara nga KQZ-ja, vetëm 13 mijë u numëruan si të vlefshme.
Këto shifra janë thirrje të qarta për ndërhyrje reformuese në procesin zgjedhor. Nuk ka se si të mos nënvizohet lidhshmëria ndërmjet numrit të ulët të votave të vlefshme nga jashtë dhe procesit të votimit për qytetarët jashtë vendit. Kësisoj, korniza ligjore që rregullon këtë lloj të votimit paraqet pengesë për votuesit përkatës, si dhe për më tepër nuk ofron kushte të përshtatshme për ushtrimin e lirë të së drejtës së tyre.
Sikur këto të mos mjaftonin, këta votues lehtë janë pre e interpretimeve të ngurta ligjore, të cilat ua mohojnë të drejtën për votë. Kështu ndodhi në këto zgjedhje. Rreth 4.500 pako të dërguara nga jashtë, të cilat minimalisht bartnin mbi 4.500 fletëvotime, nuk u pranuan nga KQZ-ja me arsyetimin se arritën me vonesë. Shumica e këtyre pakove dëshmohen të jenë nisur në ditët e para të fillimit të pranimit të fletëvotimeve nga jashtë. Prandaj, vonesat e tyre nuk mund të gjykohen si pasojë e neglizhencës së votuesve, por është kushtëzuar nga afati i kufizuar kohor për dërgim dhe pranim, dhe nga faktorë të jashtëm për të cilët votuesit nuk mund të mbahen përgjegjës.
Vendimi i KQZ-së, i bazuar në interpretim të ngurtë të kornizës ligjore sipas së cilës dita e fundit e pranimit të pakove nga jashtë është një ditë para ditës së votimit të rregullt, përbën cenim të të drejtave zgjedhore të garantuara me nenin 45 të Kushtetutës. Si i tillë ai gjithashtu është në kundërshtim me parimin e barazisë së votës, e cila nënkupton jo vetëm të drejtën për të votuar, por edhe të drejtën e peshës së barabartë të votës së gjithsecilit qytetar.
Prandaj, edhe kësaj radhe mbetet e njëjtë thirrja për reformim në procesin zgjedhor, përkatësisht në procesin e votimit nga jashtë vendit. Qytetarëve tanë, përpos mundësisë së votimit me postë, duhet patjetër t’u ofrohet mundësia e votimit në qendrat dhe degët më të afërta të shërbimeve diplomatike të Republikës së Kosovës. Kjo reformë do t’ia lehtësonte procesin e votimit bashkatdhetarëve tanë, do t’i përfshinte edhe më shumë në vendimmarrje dhe në të njëjtën kohë do t’i trajtonte ata si të barabartë sipas parimeve kombëtare dhe kushtetuese.
(Autori është hulumtues në Grupin për Studime Juridike dhe Politike. Ky editorial është shkruar në kuadër të projektit “Promovimi i transparencës së financimit të partive politike në Kosovë: theks i veçantë mbi Reformën Zgjedhore në Kosovë”, implementuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe financuar nga National Endowment for Democracy – NED).