Mbi deputetët që shiten, çmimet, favoret, intrigat, talljen me votuesit, kandidatët e pazarit.
Në vitin 2005 oligarku serb Bogolub Kariqi paralajmëroi mundësinë që partia e tij PSS para zgjedhjeve parlamentare në Serbi të themelonte një grup parlamentar. Atëbotë PSS-ja nuk ishte fare e pranishme në Parlamentin serb, ajo ishte themeluar në vitin 2004, ndërsa zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të mbaheshin në vitin 2007. Si ishte e mundur që një oligark pa qenë fare i përfaqësuar në Parlament të themelojë grup parlamentar? Shumë lehtë: me para. Pas paralajmërimit të Kariqit në Kuvendin e Serbisë u themelua një grup parlamentar i përbërë nga deputetë të partive të ndryshme. Disa nga deputetët as që e mohonin se kush qëndronte pas tyre, madje me krenari tregonin se gëzojnë mbështetjen e Kariqit. Kësisoj, një oligark që s'ishte i përfaqësuar në Skupshtinën serbe, i cili s'kishte marrë pjesë kurrë në zgjedhje parlamentare, u bë me grup parlamentar. Më vonë, Kariqi madje tha se kishte mjaft fuqi në Parlamentin serb, saqë mund të rrëzonte edhe qeverinë.
«Kemi numër të mjaftueshëm të deputetëve në Kuvendin Popullor të Serbisë për t'i shprehur mosbesim qeverisë. Deputetët që i ka zgjedhur populli në Parlament kanë obligim të ruajnë interesin e popullit dhe shtetit. Ata njerëz të ndershëm nuk do të lejojnë vendosjen e doganës dhe të flamurit të Shqipërisë së Madhe në Prokuple dhe Rashkë. Besoj se në Parlament ka njerëz me moral të lartë. Një pjesë e tyre është lajmëruar te PSS-ja me synimin që të plotësojnë dëshirën e popullit dhe të mos lejojnë të manipulohet me ta, por të jenë në funksion të mbrojtjes së interesave nacionale dhe shtetërore dhe të pengojnë shkatërrimin e ekonomisë nacionale dhe hapjen e rrugëve atyre, të cilët Serbinë e shikojnë si bankë personale. Ata njerëz të ndershëm që sot kundërshtojnë copëtimin e Serbisë janë trima të vërtetë».
Në fakt nuk bëhej fjalë as për trima, as për njerëz me moral të lartë: deputetët që shiteshin si patate në pazar duhej të funksiononin si kërcënim kundër pushtetit dhe sidomos drejtësisë, e cila e kishte vënë në shënjestër Bogolub Kariqin për shkak të aferave korruptuese. Kur drejtësia filloi të veprojë, Kariqi iku në Moskë. (Ndërkohë ai është kthyer në Serbi dhe është bërë aleat i pushtetit). Kur Kariqi kishte arritur në vitin 2005 të themelojë grupin parlamentar, në Kuvendin e Serbisë kishte deputetë që thoshin se krimi i organizuar dhe korrupsioni tani kishin arritur kulmin në instancën më të lartë përfaqësuese të popullit. Një deputet kishte deklaruar në foltoren e Kuvendit të Serbisë: «Ditën e dytë të Pashkëve, në këtë festë të krishterë, Bogolub Kariqi erdhi te unë. (...) Më ofroi më shumë para se ç'vlen pasuria ime e tërë. Ndonëse unë jam i zoti i shtëpisë, me të cilin jetojnë dy djemtë e mi të martuar, ende s'kemi mundësi të jetojmë në shtëpi të ndara, sepse s'mund ta rregullojmë këtë punë. Fytyra ime është shumë më e shtrenjtë se paratë e pista të Bogolub Kariqit».
17 vjet pas rënies së regjimit të Slobodan Milosheviqit Serbia mbetet një demokraci e pakonsoliduar, ku me vite të tëra janë shitur e blerë deputetë, ku partitë që janë përbetuar se nuk bëjnë koalicione me parti kundërshtare janë bashkuar gjoja për interesa të vendit. Për shumicën e deputetëve që i kishte blerë Kariqi më 2005 nuk flet askush sot më në Serbi, shumica kanë përfunduar në bërllokun politik. Argumenti që përdorin deputetët që shiten është se ata janë përfaqësues të popullit, pastaj të partive. Kjo është gjysma e së vërtetës: pa parti politike dhe pa programet e tyre kandidatët individualë vështirë do të arrinin të hynin në Parlament.
Kosova e vitit 2017 i ngjan shumë «demokracisë së Beogradit» të vitit 2005. Dallimet janë të vogla. Atëherë në Serbi një oligark blinte deputetë si delet në pazar, ndërsa sivjet në Kosovë «kumanirat» milionerë duan ta «blejnë» një oligark me shpurën e tij, së paku. Më shumë se me para do të donin ta blinin Behgjet Pacollin me ndonjë post, me premtimin se «do të bëjmë ministër të Jashtëm» ose «do të bëjmë president nëse Hashim Thaçin e zë ndonjë taksirat penal». Duke qenë një personalitet labil politik, i etur për pak famë në fund të karrierës me plot kundërthënie e skandale, shefi i Mabetexit edhe mund t'i bashkohet firmave politike PDK, AAK, Nisma, falë të cilave edhe ka hyrë në politikë. Para disa javësh ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, tha se njerëzit e Pacollit i kanë ofruar 1 milion euro për vendim në favor të tij. Pacolli u kundërpërgjigj me brohoritjen e zakonshme se do ta hedhë në gjyq Hasanin. Mbetet që drejtësia të thotë fjalën e vet për këtë çështje, nëse e thotë ndonjëherë, por evidente është se sa herë që Pacolli lodron nëpër torishten politike të Kosovës, vazhdimisht përmenden milionat.
Në vitin 2014, kur Isa Mustafa u ul në prehrin e Kadri Veselit dhe të Hashim Thaçit, është spekuluar mjaft se në këtë aleancë mund të kenë luajtur rol edhe paratë. Dëshmi për këtë nuk janë parë kurrë, por një gjë mund të thuhet me siguri: bashkimi i atyre që politikisht dhe moralisht nuk i bashkon asgjë, nuk është bërë vetëm për motive fisnike. Në ditët, javët dhe muajt e ardhshëm do të ketë shumë përpjekje nga Klani Pronto dhe hyzmeqari i tij Ramush Haradinaj për të «tërhequr» deputetë nga kampet e tjera politike. Folja «tërheqje» nënkupton gjithçka në skenën politike të Kosovës. Shitje, blerje, favore, intriga, tallje me votuesin, sms. Por, paraja e pistë nuk mund ta pezullojë përherë vullnetin e popullit, as të deformojë votën e tij.