OpEd

Viti i brishtë, i prishtë!

"Ordo ab chao" do të thoshin latinët e vjetër. Rregull nga kaosi. Rendi është një rezultat i natyrshëm i kaosit. ... Kaosi prodhon po aq lehtë rendin, sa prodhon rastësinë. Mos ngatërroni çrregullimin me kaosin, nuk janë të njëjtat. Gjithashtu, ligji i dytë i termodinamikës është drejtpërdrejt përgjegjës për një rritje të kompleksitetit

Viti 2020 ishte i ashtuquajturi vit i brishtë, pasi që muaji shkurt pati 29 ditë në kalendar. Mirëpo nga ajo që përjetuam na doli se viti 2020 përveçse ishte i brishtë na ishte po ashtu edhe një vit i prishtë, i prishur në palcë.

Ka kohë që çdo mëngjes posa e hap Facebookun dita më fillon me lajme të trishta dhe shprehje ngushëllimesh për miq e familjarë për humbjen e më të dashurve të tyre nga Covid-19.

Shtete të ndryshme të botës vazhdojnë me implementimin e masave të reja mbrojtëse kundër përhapjes së mëtejme të këtij virusi të mallkuar. Karantina, mbyllja e bizneseve të shumta, humbja e jetëve të shumta do të lënë gjurmë të thella dhe pasoja në shoqëritë tona të cilave do t’u nevojiten vite të tëra që të rimëkëmben ose ndoshta edhe kthimi në situatën para pandemisë as që do të jetë i mundshëm.

Pasi të fillojnë që vaksinat të shpërndahen dhe t’u jepen popullatës nëpër botë, gjë që për arsye logjistike sigurisht se do të zgjasë si proces 1 vit apo ndoshta edhe 2 vjet të tërë. Periudha e rimëkëmbjes do të jetë e gjatë dhe e përcjellë me kriza ekonomike e edhe me shumë të panjohura të tjera.

Shëndeti psikik i popullatave do të jetë krucial në atë se si një shoqëri e caktuar do të rimëkëmbet dhe t’i përballojë proceset shtetndërtuese paspandemike.

Sot në këtë ditë të vitit të brishtë të prishtë më 17 dhjetor unë mbusha 50 vjet.

50 vjet jetese në këtë planet, me të bukurat e saj dhe gjërat e trishta që në të shumtën e rasteve shkaktohen nga faktori njeri.

Çfarë do të mund të thosha për këtë gjysmëshekulli jetese, të cilin arrita ta jetoja deri tani? Çfarëdo që të them aq do t’i bëj universit në 13.8 miliarda vjetët e tij të ekzistencës, për 50 vjetët e mi, të cilët nuk janë as një pikë e ujit në oqean. Mirëpo, ashtu si edhe secili prej jush të cilët në këto çaste jeni duke i lexuar këta rreshta të ditarit tim deri më tani, gjatë jetës kam përjetuar dashurinë, kam përjetuar humbjet, kam përjetuar dhimbjet, kam përjetuar gëzimet, pikëllimet, kam përjetuar sukseset, kam përjetuar dështimet, kam takuar njerëz dhe kultura të shumta, kam krijuar miq, por sigurisht edhe njerëz, të cilët nuk ma mendojnë të mirën.

E kam përjetuar urrejtjen e tërbuar vetëm për arsyen se i përkisja një grupi të caktuar etnik. Kam përjetuar përbuzjen, kam përjetuar mburrjen. Kam përjetuar periudha kur materialisht kam qëndruar shumë mirë dhe stabil, por kam përjetuar edhe kohëra kur java dukej shekull e fundi i një muaji edhe shumë më i largët dhe i arritshëm. Asgjë e panjohur për asnjërin nga ju, janë përvoja të cilat na i sjell jeta dhe ato si të tilla na kalisin, mirëpo mbetet zgjedhje e jona a do të shndërrohemi në njerëz më të mirë apo thjesht do të sharrojmë dhe zhytemi në egoizmin tonë vetjak.

Kështu arrijmë edhe tek ajo pyetja fundamentale të cilën secili nga ne ia ka bërë vetes në një periudhë të caktuar të jetës. Cili është roli im në këtë botë? Sa më shumë që mundohesh që ta kuptosh rolin tënd në ketë botë, aq më shumë e kupton se e tëra çfarë do të mbahet ndërmend në lidhje me ty kur një ditë do të pushosh së ekzistuari, do të jetë e ndonjë fjalë e mirë, vepër e mirë, veprim human. E kupton se në atë rrugëtimin 13.8 miliardë vjeçar të universit, do të bëhesh pjesë e atij realiteti ta marrim një mesatare të jetëgjatësisë njerëzore prej 80 vjetësh. Në suazat e universit një individ dhe jetëgjatësia e tij janë pothuajse të pavlefshme, mirëpo interaksioni i atij individi me individët e tjerë, ndaj shoqërisë, ndaj natyrës, ndaj kafshëve me të cilat e ndajnë të njëjtin habitat, ndaj brezave që vijnë është ai kontinuiteti universal dhe ky planet, edhe pse në terme të universit, është vetëm një grimcë pluhuri, ajo prapë është krijesë e saj dhe në interaksion me grimcat e tjera pluhurore formojnë sisteme të ndërlikuara, të cilat funksionojnë në kuadër të universit, pjesë e të cilit jemi.

Në rrugëtimin tonë ta themi 80-vjeçar, kush më shkurt e kush më gjatë do të bëhemi koleksionarë të përvojave dhe ndjenjave të ndryshme, nga ato të cilat i përmenda më herët dhe tërësia e tyre do ta përbëjnë atë të cilën do ta quajmë "jeta ime" ose thjeshtë "UNË".

Kur i paramendoj përvojat jetësore të miat sikur diçka të regjistruara në një "shirit magnetik", dhe sikur të shkëpusja dromca kujtimesh nga ai shirit, do t’i kujtoja gjyshet e mia të ndjera, njërin nga gjyshërit me të cilin e kam ndarë një pjesë të njëjtë kohore në këtë rrugëtim, do ta kujtoja babanë, do ta kujtoja vëllain, do ta kujtoja dajën, pastaj tezën e shumë familjarë, miq e njerëz të njohshëm, të cilët më nuk jetojnë në mesin tonë. Por, ja ata i kam aty në "shiritin tim magnetik" jetësor përjetësisht, në një milisekondë mund t’i parafytyroj fytyrat e tyre, zërin, përvojat dhe kujtimet me ta. Po të shkoqisja dromca kujtimesh nga shiriti, do të kujtoja edhe pamje të valëve të detit dhe zhurmën e gurëve si dhe të zallit që vala do ta mblidhte pas vetes gjatë tërheqjes për në det. Do të kujtoja perëndimet aq të bukura të diellit, të cilat i kam përjetuar në pjesë të ndryshme të globit. Do të kujtoja netët me aq shumë yje në qiell, zhurmën e gjinkallave, lagiet e shumta, të cilat i kam përjetuar nga shiu, ylber të pafundmë. Zhurma bubullimash dhe ndriçime të qiellit nga vetëtimat. Do të kujtoja borën, të cilën aq shumë e donim si fëmijë, dhe lojërat e pafundme jashtë në borë deri në orët e vona të natës. Cicërima zogjsh dhe zhurma rrjedhash përroskash dhe lumenjve. Isha pjesë e të gjitha këtyre dukurive në një çast të caktuar dhe të gjitha janë pjesë e imja dhe shiritit tim magnetik jetësor.

Kujtoj zhurma njerëzish në stacione autobusësh, trenash, aeroporte apo shopping qendra. Më kujtohet zëri i atij fëmije, i cili qante në aeroplan gjatë gjithë kohës së fluturimit. Ai tani duhet të jetë bërë një djalosh 20-vjeçar.

Pasi që njëri nga hobit e mi është fotografia, për t’u kujdesur për arkivimin e të gjitha fotove digjitale duhet një mund mjaft i madh dhe një zell i veçantë. Sa herë që i shikoj fotot, të cilat i kam shkrepur, edhe ato gjithashtu përmbajnë dromcat nga ai "shiriti im magnetik" jetësor. Çaste nga përjetimet në vende të ndryshme të ngrira në formë fotografie dhe portrete fytyrash miqsh me të cilët gjithashtu ndava momente të caktuara dhe disa nga to janë ashtu të ngrira dhe të regjistruara në kohë nëpërmjet fotografisë. Kam me mijëra të tilla.

Një ditë edhe kjo pjesëz e këtij ditari mund të jetë pjesë përbërëse e "shiritit magnetik" jetësor të dikujt, do të mund ta gjejë veten në të apo thjesht do t’i përshtatet si përshkrim, ja kështu i kemi të ngjizura gjërat në përvojat tona jetësore, secili veprim yni diku, dikur do të reflektojë në një mënyrë.

Në teorinë e kaosit, "efekti flutur" është varësia e ndjeshme ndaj kushteve fillestare në të cilat një ndryshim i vogël në një gjendje të një sistemi jolinear përcaktues mund të rezultojë në ndryshime të mëdha në një gjendje të mëvonshme. Termi "efekti flutur" është i lidhur ngushtë me punën e Edward Lorenz. Ajo rrjedh nga shembulli metaforik i detajeve të një tornadoje (koha e saktë e formimit, rruga e saktë e ndërmarrë) duke u ndikuar nga shqetësime të vogla të tilla si një flutur diku në një vend të largët që përplas krahët e saj disa javë më parë. Lorenz zbuloi efektin kur vuri re se modelet e tij të motit me të dhënat fillestare të gjendjes u rrumbullakosën në një mënyrë në dukje të pandjeshme. Ai vuri në dukje se modeli i motit do të dështonte të riprodhonte rezultatet e vrapimeve me të dhënat fillestare të pabazuara të gjendjes. Një ndryshim shumë i vogël në kushtet fillestare kishte krijuar një rezultat dukshëm të ndryshëm.

"Ordo ab chao" do të thoshin latinët e vjetër. Rregull nga kaosi. Rendi është një rezultat i natyrshëm i kaosit. ... Kaosi prodhon po aq lehtë rendin, sa prodhon rastësinë. Mos ngatërroni çrregullimin me kaosin, nuk janë të njëjtat. Gjithashtu, ligji i dytë i termodinamikës është drejtpërdrejt përgjegjës për një rritje të kompleksitetit.

Në gjithë këtë kaos të shkaktuar nga kjo pandemi e mallkuar, t’i kujtojmë të gjithë ata të cilët i humbëm. "Shiriti magnetik" jetësor i të cilëve u shkëput ashtu vrullshëm dhe befasishëm. Të jemi mirënjohës për çastet, kujtimet dhe përjetimet e përbashkëta, të cilat i ndamë me ta në "shiritat tanë magnetikë" të kujtimeve. T'ua kremtojmë jetën me një lutje, një këngë të dashur të tyre, ndonjë vepër të veçantë për ta, një dolli rasti për ta dhe rikujtime të shumta të përbashkëta në jetët tona.

Për ne që ende e vazhdojmë rrugëtimin, të mundohemi që secili nga ne të lërë pas veprime sa më të mira njerëzore. Nëse përplasja e krahëve të një fluture mund të shkaktojë një tornado diku, paramendoni se çfarë mund të shkaktojnë dhe si reflektojnë në univers veprimet tona të mira!?