Atë që e ka përshkruar Këshilli i BE-së në konkluzionet e veta për Kosovën, është ftesë për ndryshimin e Kushtetutës për ta akomoduar kërkesën e serbëve për autonomi, e të cilën ua vulosi Thaçi në Bruksel më 2013-n. Dhe meqë tash nuk kemi asnjë vijë të kuqe, kjo do të thotë se edhe Kushtetutën do ta ndryshojmë, dhe nga shtet gjysmëfunksional, do të shndërrohemi në shtet plotësisht jofunksional. Do të bëhemi më zi se Bosnja
“Nuk do të ketë vija të kuqe, sikurse ka pasur Grupi i Kontaktit në rastin e bisedimeve të Vjenës. Do të elaborohen vetëm temat për të cilat pajtohen dy palët, si mundësi që dërgon deri te arritja e marrëveshjes përfundimtare. Nuk do të ketë marrëveshje tjetër të përkohshme. Palët nuk do të lejohet të kushtëzojnë negociatat me këtë apo atë çështje”.
Deklaratë më shokuese dhe më jobefasuese njëkohësisht zor që kemi pritur se do ta dëgjonim disa ditë pas edhe një takimi “historik” në Bruksel.
Shokuese sepse është hera e parë që Kosova u hyn negociatave edhe zyrtarisht pa e vënë asnjë kusht të vetëm, edhe pse mund t'i vërë nja një milion mbi tavolinë. Jobefasuese, për shkak se u tha nga një njeri, i cili prej kohësh, nuk befason me diletantizmin e tij politik. Për shkak se nga ai, pos deklaratave patetike se “tërë jetën kam sakrifikuar për këtë vend”, mund të dëgjosh një mori gënjeshtrash e premtimesh bosh, e ndonjëherë edhe deklarata të sinqerta që e zbulojnë të gjithë injorancën e tij.
Një Qeveri qyqare
Pra, pasi që deklaroi se nuk do të kishte vija të kuqe në negociatat superhistorike dhe superpërfundimtare, sepse “...kjo është një mundësi që ne nuk guxojmë dhe nuk mund ta humbim. Përndryshe, do të mundë të mbetemi në pozicionet e Palestinës apo të Qipros Veriore”, Thaçi u paraqit në një shfaqje të paprecedent duke “i raportuar” Qeverisë për atë që kishte biseduar në Bruksel me Vuçiqin.
Si njeri që do të duhej t'i drejtohej të gjithë Kuvendit, pra përfaqësuesve të të gjitha partive parlamentare, duke treguar për aktivitetet e veta shëtitëse, zgjodhi të shkonte e t'u fliste përfaqësuesve të koalicionit qeveritar dhe të marrë një shuplakë nga ish-kolegu partiak, ish-bashkëluftëtari, ish-bashkëkomandanti dhe katër ministrat e NISMA-s, që ia bojkotuan paraqitjen.
Madje edhe kjo paraqitje i tregoi se nuk e ka përkrahjen e të gjithëve dhe se do të duhej t'i lëshonte rrugë tjetërkujt që ta udhëheqë këtë dialog, me gjithë ekipet përcjellëse që duhen formuar për të. Porse që në fillim e bëri gabimin e madh, dhe kjo i vë në pozitë tejet të palakmueshme të gjithë ata që edhe do të donin t'i bashkoheshin në negociata -- sepse vendosi se nuk do të kishte vija të kuqe dhe për këtë as nuk e pyeti kë, e as nuk mori leje nga kush.
Për dallim nga Brukseli, kur mbi tavolinë përballë Vuçiqit e pati vetëm një laps kimik, kësaj radhe erdhi me letër dhe lexoi: “Ejani dhe bëhuni pjesë e delegacionit të Kosovës. Dhe jepni dije dhe patriotizmin tuaj në truezë të bisedimeve me argumente dhe kundërargumente”. Nuk e kam të qartë se si do ta jepte kush patriotizmin në tryezë, porse do të ketë ndonjë sistem të cilin ne ende nuk e kemi kuptuar tek funksionon.
Ajo që po shihet nga gjithë këto fizkultura që po i bën Thaçi është se vazhdon ta injorojë komentarin e Kushtetueses që ia mohon përfaqësimin në negociata pa pëlqimin e Kuvendit, përkatësisht pa autorizimin e tij. Nga ana tjetër, atë që po e bën fuqishëm është që po e dëshmon me prova se sa qyqare është kjo Qeveri me kryeministrin në krye, që obligimin e vet nuk e merr përsipër ta shtyjë përpara. Hedhja e topit nga Haradinaj te Thaçi për t'u marrë me negociata tregon për brishtësinë që ka ky koalicion. Tregon se për ta mbajtur kolltukun e kryeministrit, Haradinaj pranon që të shkelet e që autorizimet e veta t'ia marrë dikush, që nuk do të duhej. Gjithashtu tregon për frikën nga humbja e kolltukut, që mund t'i ndodhë sa hap e mbyll sytë nga PDK-ja, e cila është eksperte për t'i rrëzuar qeveritë, pjesë e së cilave është.
Kjo Qeveri është më e keqja që kemi pasur deri tash. Është jofunksionale për punët që duhet t'i kryejë dhe është më zhvatësja e buxhetit shtetëror. Krejt vendimet që i ka marrë për më pak se një vit pushtet, kanë pasur pasoja të rënda financiare, dhe kështu do të vazhdojë të jetë përderisa nuk mbahen zgjedhjet e reja.
Evropa ndërron mendje
Pasojat e negociatave që i ka bërë Thaçi, krye në vete herën e parë, me gjasë do t'i shohim së shpejti.
Asociacioni i komunave serbe, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit, të cilën e votoi Kuvendi, që nga fillimi qe dardhë me bisht. Gjuha e përdorur në të ishte e dykuptimtë dhe mund të interpretohej si ia kishte ëndja atij që e fliste për të. Porse gabimi i radhës i Kosovës erdhi me Marrëveshjen e gushtit, të cilën e nënshkroi Mustafa derisa Thaçi ishte zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm -- dhe ai dokument shkoi në Kushtetuese. Kushtetuesja e shpalli atë dokument kundërkushtetues, por jo edhe vetë Marrëveshjen e prillit, sipas së cilës formohet shtresa e tretë e pushtetit në Kosovë.
Deri para pak kohësh, e këtë e tha edhe Apostolova në maj, në Express Intervistën e KTV-së, Evropa insistonte se Zajednica do të themelohej në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Pra, i binte si njëfarë OJQ-je, për themelimin e së cilës, besoni ose jo, u deshën negociata ndërkombëtare me ndërmjetësim evropian. Që në fund nuk i binte të ishte bash OJQ, por diçka si OJQ. Si Kosova, sui generis.
Para katër ditësh Këshilli i BE-së nxori konkluzionet për Kosovën dhe në të përshëndeti nisjen e hartimit të Statutit të Zajednicës, për të cilën tha se “duhet të jetë në përputhje me marrëveshjen e gushtit të 2015-s dhe me atë të 2013-s”.
Është alarmante që nuk ka as përgjigje nga BE-ja për këtë fjali, e aq më pak reagim nga institucionet e Kosovës. Në fakt, Qeveria u përgjigj vetëm kur e pyeti gazeta dhe tha: “krejt do të bëhet sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës”. Natyrisht se do të bëhet, sidomos nëse Kushtetuta do të ndërrohet.
E këtë që e ka përshkruar Këshilli i BE-së është ftesë për ndryshimin e Kushtetutës për ta akomoduar kërkesën e serbëve për autonomi e të cilën ua vulosi Thaçi në Bruksel më 2013-n. Dhe meqë tash nuk kemi asnjë vijë të kuqe, kjo do të thotë se edhe Kushtetutën do ta ndryshojmë, dhe nga shtet gjysmëfunksional, do të shndërrohemi në shtet plotësisht jofunksional. Do të bëhemi më zi se Bosnja.
Përderisa nuk po më befasojnë as Thaçi e as Haradinaj, po më befason Evropa që nuk e mësoi mësimin nga kaosi që e krijoi bashkësia ndërkombëtare me Marrëveshjen e Daytonit dhe rrëmujën që e ka krijuar në Bosnjë-Hercegovinë. Një shtet që ka kryesi trepalëshe me drejt vetoje; ku ka një sërë kantonesh etnike dhe ku ka një shtet që nuk funksionon si duhet për shkak të vetove etnike -- është gjëja e fundit që do të duhej të replikohej.
E me këtë formulim, po hapet rruga drejt një Daytoni të dytë. Apo mbase një Daytoni më të avancuar që do ta lejonte ndarjen e veriut nga Kosova dhe bashkimin e tij me Serbinë. Kjo, nga ana tjetër, do ta shtyjë Republika Srpskan të ndahet nga Bosnja sipas të njëjtit çelës, për shkak se precedenti tashmë është vënë në vend. Dhe askush nuk do të ketë të drejtë të ankohet, përderisa një dokument zyrtar evropian të rekomandon ose ta shkelësh Kushtetutën, ose ta ndryshosh atë për t'i akomoduar kërkesat nacionaliste serbe.
* * *
Ambasadori amerikan i mbajti një sërë takimesh me liderët politikë duke ua bërë me dije se negociatat duhen vazhduar. Nuk e di nëse i ka këshilluar t'i bashkohen Thaçit, apo që ta krijojnë një ekip kredibil, që do të udhëhiqej nën mbikëqyrjen e Kuvendit. Nuk e di as nëse i ka thënë opozitës se sa më shumë që të flenë, aq më pak gjasa do të kenë të bëhen pjesë e procesit, dhe se kur të zgjohen do ta kenë vonë për t'u ankuar. Nuk e di edhe a iu ka thënë se sa i zhgënjyer është me krejt, pozitë e opozitë, që nuk janë në gjendje as ta mbajnë një seancë normale të Kuvendit, për shkak se nuk kanë kuorum.
E besoj se është goxha i zhgënjyer me krejt ata me të cilët ka punë dhe duhet t'i takojë dita me ditë. Porse ai e ka lehtë -- do t'i kalojë mandati dhe do të shkojë në shtëpi. E ne? Ne do të vazhdojmë njësoj keq, do të vazhdojmë të udhëhiqemi nga njerëz të padijshëm që do të na e humbin edhe këtë pak që na ka mbetur.
Për shkak se nuk jemi në gjendje ta rikthejmë atë solidaritet e konsensus, i cili më 1999 na e shpëtoi kokën.
E më 1999, në atë kiamet, vijat e kuqe nuk i lëvizëm.