OpEd

Verë vendimtare për Kosovën

Komentet e mia në panelin e Universitetit të Columbias rreth temës “E ardhmja e Kosovës”, e mbajtur sot përmes “Zoom”-it

T’ia filloj duke thënë se sa e vlerësoj David Phillipsin që e bëri bashkë këtë panel. Nuk është e lehtë që t’i koordinosh pjesëmarrësit e tillë, madje edhe për një takim në distancë. Faleminderit, David!

Puna ime sot është që të provoj që çështjet t’i paraqes në një kontekst të gjerë dhe nga perspektiva e Washingtonit.

Gjëja kryesore që duhet të kuptohet është se amerikanët kanë hequr dorë prej politikës së tyre të kamotshme në Ballkan dhe në Kosovë, në veçanti.

Ajo politikë e etabluar për Ballkanin, pjesë e një përpjekjeje më të gjerë të viteve nëntëdhjetë për krijimin e “Evropës si e tërë dhe e lirë” kishte tri shtylla”.

-Mbrojtjen e popullsisë së Kosovës dhe përkrahjen për aspiratat e saj për pavarësi, ashtu si edhe përkushtimin për sovranitetin e Bosnjës.

-Përkrahjen për demokraci liberale në tërë Ballkanin.

-Zotimin për të vepruar në tandem me evropianët, posaçërisht me Gjermaninë dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Porosia ime është e thjeshtë: Gjërat kanë ndryshuar. Administrata Trump i është shmangur përgjegjësisë në të tria këto shtylla. T’i trajtoj ato, duke ia nisur nga e treta.

Nuk shoh ndonjë përpjekje të sinqertë të kësaj administrate për të bashkëpunuar me Evropën. Ajo e ka vënë dialogun Kosovë-Serbi në duart e një ambasadori amerikan në Berlin, i cili e ka ofenduar Qeverinë gjermane dhe është shprehur kundër BE-së. Diplomatët profesionistë që e njohin Ballkanin tani kanë mbetur të anashkaluar.

Washingtoni tani favorizon ndryshimet e kufijve, për t’i tejkaluar ndasitë etnike, ndonëse ato do të sinjalizonin paaftësinë për trajtimin e barabartë të të gjithë njerëzve, gjë që paraqet ideal të demokracisë liberale. Është për keqardhje që përfaqësuesi i lartë i Evropës, Borrelli, është pajtuar me këtë gjë, ashtu si edhe pararendësi i tij.

Në fund, është fare e qartë se Beogradi, e jo Sarajeva apo Prishtina, është sot partnerja e preferuar e Washingtonit.

Këto ndryshime sinjalizojnë një kthesë të madhe në politikën amerikane. Si ndodhi një gjë e tillë?

Administrata Trump është nacionaliste. Ajo bashkëndien teksa e dëgjon qeverinë dhe lobistët e Serbisë së serbët duhet t’i qeverisin serbët dhe shqiptarët duhet t’i qeverisin shqiptarët. Presidenti Trump, brenda në SHBA, po mundohet që qejfin t’ua bëjë të bardhëve dhe ta kufizojë votimin e minoriteteve. Përse atëherë të mos i dëgjojë nacionalistët etnikë të Ballkanit.

Për më tepër, republikanët janë të vetëdijshëm se serbo-amerikanët në një shtet si Ohio janë më të rëndësishëm për zgjedhje sesa shqiptaro-amerikanët në New York, shteti që edhe ashtu pritet t’u shkojë demokratëve.

Administrata Trump ka dështuar deri më tani në të gjitha nismat e saja të politikës së jashtme. Richard Grenell po mundohet që presidentit t’ia japë një lajm të mirë para 3 nëntorit. Ku ka lajm më të mirë sesa ai që vret dy arritjet e administratës Clinton: Bosnja dhe Kosova.

Rrjedhimisht, përkrahja e Qeverisë amerikane për aspiratat e Kosovës është dobësuar: kjo gjë mund të shihet fare mirë në shkurtimin e fondeve dhe kërcënimin për tërheqjen e trupave amerikane. Janë këto veprime të papërgjegjshme.

Dobësimi i përkrahjes amerikane shihet edhe në faktin se administrata nuk shqetësohet rreth ndikimit që do ta kishte shkëmbimi territorial Kosovë-Serbi mbi sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjës.

Pra, shtrohet pyetja, çfarë mund të bëhet? Këtë do t’ua lë për diskutim pjesëmarrësve të panelit. Qëndrimet e mia rreth disa prej çështjeve janë fare të njohura: E mbështes reciprocitetin midis Prishtinës dhe Beogradit, e kundërshtoj ndarjen dhe mendoj se marrëveshja midis tarifave dhe barrierave jotarifore është e arritshme.

Tri opsione tjera duhet të merren parasysh për Kosovën.

-Diversifikimi

-Zmbrapsja

-Shtyrja.
 

T’i trajtoj secilën prej tyre:

Si mundet Kosova ta diversifikojë përkrahjen e saj, përtej SHBA-së? Duke u mbështetur tek Gjermania, fillimisht dhe në rend të parë: Kosova duhet të sigurohet se kundërshtim për shkëmbimin e territoreve do ketë jo vetëm në zyrën e kancelares, por edhe në Bundestag. Berlini duhet të vazhdojë ta bëjë të qartë se nuk do t’i pranojë ndryshimet e kufijve për tejkalimin e ndasive etnike. Ky shtet duhet që ta frenojë Borrellin.

Zvicra, Mbretëria e Bashkuar dhe Ukraina janë shtete që kanë arsye për kundërshtimin e shkëmbimit territorial. Madje edhe për Spanjën, që s’e njeh Kosovën, kjo ide duhet të jetë anatemë.

Si mundet Kosova t’i zmbrapsë shkëmbimet territoriale? Çelësi qëndron tek reciprociteti.

Në të gjitha diskutimet në të ardhmen, Kosova duhet ta kërkojë mu atë që e kërkon edhe Serbia: të njëjtën gjë, të njëjtat kompetenca për një asociacion komunash shqiptare në Serbi, të njëjtin përfaqësim në Beograd për shqiptarët që Serbia ka në Prishtinë, heqje të barasvlershme të të gjitha barrierave jotarifore, në shkëmbim të heqjes së tarifave.

Dhe, mbi të gjitha, njohje reciproke dhe shkëmbim të përfaqësuesve në nivel ambasadorësh, me një zotim të qartë dhe të verifikuar për të mos e bllokuar anëtarësimin e Kosovës në OKB, ose organizata të tjera ndërkombëtare.

Është e hidhur që zmbrapsja nuk pritet të funksionojë në mënyrë të përsosur, shkaku se Amerika është duke anuar nga Beogradi. Shtyrja ka po ashtu rëndësi jetike.

Vuçiqi e ka bërë të qartë se do të presë deri pas zgjedhjeve në Serbi dhe krijimit të Qeverisë, në fund të qershorit, në rast të çfarëdo marrëveshjeje me Prishtinën. Administrata Trump më pas do të bëjë presion për shkëmbim territoresh, para vjeshtës. Rrjedhimisht, korriku dhe gushti, kur Evropa është në gjumë, do të jenë muajt vendimtarë.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për të mos lejuar krijimin e qeverisë pa zgjedhje të reja mund të shkaktojë shtyrje të mëtejme, të mirëpritura.

Nga 1 tetori Kosova do të jetë e sigurt, nëse ndarja nuk ka ndodhur deri në atë kohë.

E çfarë të thuhet rreth zgjedhjeve amerikane?

Po të isha patriot në Kosovë, nuk do të mbështetesha tek një fitore e Bidenit në nëntor, por do të shpresoja për të. Joe Biden e njeh Ballkanin shumë mirë dhe do ta kthente politikën e etabluar të mbështetjes për Kosovën dhe Bosnjën, ashtu si edhe bashkëpunimin me Evropën. Një administratë Biden do t’ua mbyllte zëshëm derën shkëmbimeve territoriale.

Nëse Trumpi e fiton një mandat të dytë, presioni zgjedhor për një marrëveshje të shpejtë do të venitet, ndonëse pres që Grenelli dhe të tjerët të mësyjnë shkëmbime territoresh, nëse jo për diçka tjetër, atëherë për t’ia bërë vetes vendin për punë të reja.

Dhe vetë presidenti do ta ndiejë veten krejtësisht të papenguar: priten veprime të paparashikueshme, jo vetëm në Ballkan.

Rrjedhimisht, muajt në vijim janë jetikë për të ardhmen e Kosovës. Shpresoj që prej panelistëve tjerë të dëgjoj se si mendojnë se mund të sigurohet shtetësia, integriteti territorial dhe sovraniteti.

(Vështrimi është botuar në Peacefare.net)