OpEd

Vdekja sipas algoritmit

Qëndrueshmëria mund të rritet në disa mënyra, përfshirë tepricat, diversitetin e zgjidhjeve, organizimin e decentralizuar, qasjet participuese, solidaritetin dhe, ku është e përshtatshme, asistencën digjitale. Solucionet e tilla duhet të jenë lokalisht të qëndrueshme për periudha më të gjata kohore. Me fjalë të tjera, në vend të “mësimit për vdekjen në Antropocen”, siç sugjerohet nga autori Roy Scranton, ne duhet të “mësojmë që të jetojmë” në kohët tona të trazuara. Kjo është garancia më e mirë kundër zhvillimeve që mund të na çonin në baltinën morale të jetëve të shkapërderdhura njerëzore

Zyrih-Lugano, 27 nëntor – Epoka jonë gjeologjike, Antropoceni, në të cilën njerëzimi e formëson fatin e planetit, karakterizohet nga kërcënimet ekzistenciale. Disa prej tyre janë adresuar në planveprime, si ato të Synimeve të OKB-së për Zhvillim të Qëndrueshëm. Por ne duket të jemi zënë ngushtë midis të diturit se duhet të ndryshojmë sjelljen tonë dhe sjelljeve tona të ngulitura.

Në një botë të stërpopulluar, shumica pyeten “Cila është vlera e jetës njerëzore?”.

Pandemia e COVID-19 e ka ngritur këtë pyetje sërish, duke e parafrazuar atë me terma të zymtë: “Kush duhet të vdesë i pari nëse nuk ka burime të mjaftueshme për shpëtimin e akëcilit?”.

Shumë romanë fantashkencorë, si ai i Frank Schätzingut “The Tyranny of the Butterfly” (Tirania e fluturës), i rrahin shqetësimet e tilla, rëndom “duke e zgjidhur” problemin e zhvillimit të qëndrueshëm në mënyra mizore që u japin jehonë disa prej kapitujve më të errët të historisë njerëzore. Dhe realiteti nuk është shumë larg kësaj.

Është joshëse të mendohet se mund të mbështetemi në inteligjencën artificiale për të na ndihmuar që t’i zbërthejmë dilemat e tilla. Subjektet e depopullimit dhe eutanazia kompjuteristike janë vënë në diskutim, ndërsa Inteligjenca Artificiale tanimë po përdoret për të ndihmuar pacientët me COVID-19.

Por, a do të duhej të lejonim që algoritmet t’i marrin vendimet për jetë a vdekje? Kijeni parasysh problemin e famshëm me trenin. Në këtë eksperiment të kujdesshëm, nëse askush nuk bën gjë, atëherë disa persona shtypen nga treni në lëvizje. Nëse dikush e drejtonin trenin kah binari tjetër, vdesin më pak persona, por intervenimi i dikujt do t’i vrasë ata.

Është sugjeruar se problemi ka të bëjë me shpëtimin e jetëve, por në fakt ai pyet: “Nëse jo të gjithë mund të shpëtojnë, kush duhet të vdesë?”.

Megjithëkëtë, dëmet më të vogla janë prapëseprapë dëme. Kur nisim që t’i shohim si të pranueshme, gjërat shokuese janë të prira të pasojnë njëra-tjetrën, gjë kjo që mund t’i rrezikojë vetë themelet e shoqërisë tonë dhe dinjitetit njerëzor. Për shembull, nëse një automjet nuk mund të frenojë mjaftueshëm shpejt në mënyrë autonome, a do të duhej ta shkelte një grua apo një person të papunësuar?

Pyetje të ngjashme janë shtruar si pjesë e të ashtuquajturit eksperiment i Makinës Morale, i cili ka mbledhur të dhënat mbi preferencat etike rreth situatave me automjet nga pjesëmarrësit në mbarë botën, me ç’rast hulumtuesit kanë diskutuar “si këto preferenca mund t’i kontribuojnë zhvillimit global, parimeve shoqërisht të pranueshme për etikat mekanike”. Por eksperimentet e tilla nuk janë bazë e qëndrueshme për përcaktimin e politikave.

Njerëzit do të parapëlqenin një algoritëm të drejtë. Kjo, potencialisht, do të nënkuptonte marrjen e vendime rastësore. Natyrisht, nuk duam që të sugjerojmë se njerëzit duhet të vriten në mënyrë rastësore – apo fare.

Kjo do të binte ndesh me parimin themelor të dinjitetit njerëzor, edhe në rast se vdekja do të ishte pa dhembje. Në vend të kësaj, eksperimenti ynë sugjeron se nuk duhet ta pranojmë apriori kornizën e problemit me trenin. Po qe se prodhon zgjidhje të papranueshme, ne duhet të ndërmarrim përpjekje më të mëdha kolektive për të ndryshuar mjedisin. Kur bëhet fjalë për veturën, për shembull, mund të ngasim më ngadalë apo t’i pajisim veturat me frerë më të mirë dhe me teknologji tjetër sigurie.

Po kështu, çështjet e qëndrueshmërisë aktuale të shoqërisë nuk janë të paradestinuara, por shkaktohen nga mënyra jonë e të vepruarit, nga infrastruktura jonë ekonomike, koncepti ynë i mobilitetit ndërkombëtar dhe menaxhimi konvencional i zinxhirit furnizues.

Pyetja e vërtetë që duhej shtruar do të ishte pse – afro 50 vjet pas publikimit të studimit syhapës “Limits of Growth” (Kufijtë e rritjes) – ende nuk e kemi një ekonomi qarkulluese dhe të shpërndarë. Dhe pse ishim të papërgatitur për një pandemi, ngjarje kjo që ishte parashikuar gjithandej?

Të dhënat e mëdha, inteligjenca artificiale dhe teknologjitë digjitale na kanë lënë befasisht të papajisura për sfidat që tani po na vihen përballë, qofshin ato ndryshimet klimatike, pandemia COVID-19, lajmet e rreme, gjuha e urrejtjes apo edhe siguria kibernetike. Shpjegimi është i thjeshtë: Teksa tingëllon mirë “optimizimi” i botës më anë të të dhënave, optimizimi bazohet në funksionimin njëdimensional të qëllimit që e skicon ndërlikueshmërinë e botës në një indeks të vetëm. Kjo nuk është as e përshtatshme dhe as efikase dhe e neglizhon me të madhe potencialin e efekteve të parëndësishme të rrjetit. I nënvlerëson gjithashtu aftësitë njerëzore të zgjidhjes së problemeve dhe kapacitetin mbartës të botës.

Natyra, nga ana tjetër, nuk optimizon; bashkë-evoluon. Ajo performon shumë më mirë se sa shoqëria njerëzore në aspektet e qëndrueshmërisë dhe rrjeteve qarkore të furnizimit. Si ekonomia ashtu edhe shoqëria jonë mund të përfitojnë nga solucionet bio që u ngjasojnë ekosistemeve, veçanërisht atyre simbiotike.

Kjo e nënkupton riorganizimin e botës tonë të trazuar dhe ndërtimin e qëndrueshmërisë e fleksibilitetit në politikëbërje dhe bashkëpunim ndërkombëtar. Këto shenja dalluese të sistemeve të qëndrueshme janë esenciale për adoptimin në dhe rimëkëmbjen nga shokimet, katastrofat dhe krizat, si ato me të cilat përballemi sot.

Qëndrueshmëria mund të rritet në disa mënyra, përfshirë tepricat, diversitetin e zgjidhjeve, organizimin e decentralizuar, qasjet participuese, solidaritetin dhe, ku është e përshtatshme, asistencën digjitale. Solucionet e tilla duhet të jenë lokalisht të qëndrueshme për periudha më të gjata kohore. Me fjalë të tjera, në vend të “mësimit për vdekjen në Antropocen”, siç sugjerohet nga autori Roy Scranton, ne duhet të “mësojmë që të jetojmë” në kohët tona të trazuara. Kjo është garancia më e mirë kundër zhvillimeve që mund të na çonin në baltinën morale të jetëve të shkapërderdhura njerëzore.

(Dirk Helbing është profesor i Shkencave Sociale Kompjuterike në ETH të Zyrihut. Peter Seele është profesor i Etikës së Biznesit në USI të Luganos. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).