Edhe sa kohë do të duhet të presë Kosova që ta tejkalojë brezin e komandantëve që nuk ditën të ngihen, dhe ende shpresojnë se do të ketë edhe ndonjë copë mishi që ka mbetur pa u gllabëruar
Tash, për me i largu shpirtat e ligj, që e kanë rrethu shpijën, ku i ka le djali a vajza..., u gëzue... sigurisht ka gjujt me armë për m’i largu, sepse ata largohen dhe frigohen prej shpisë. Kështu që është e mirë kjo të studiohet e analizohet.
Çka do të duhej të thoshim kur dëgjojmë këso argumentimesh në Kuvend, tek flitet për shkarkimin e zëvendëskryeministrit Dardan Gashi, për shkak se është xhiruar duke gjuajtur me armë zjarri në një aheng ode? Kurrgjë më tepër pos që qytetarët jemi bërë vetë për një psikanalizë kolektive, e cila do të duhej të zbulonte nëse vërtet jemi gjenetikisht mazohistë që lejojmë të na e dhunojnë trurin njerëz të këtillë, që në fund marrin vendime në emrin tonë.
Dështimi i shkarkimit të Gashit, për shkak se as opozita nuk votoi në favor, vetëm tregon se sa poshtë ka ra katundi. Prej kohësh jemi nisur në një udhë pa udhë, të udhëhequr nga njerëz që më së paku ia duan të mirën kësaj Kosove. Se po ta kishin dashur me të vërtetë, kurrë nuk ishin marrë me politikë, si amatorë e improvizues që janë.
Zi e mâ zi
“Nuk u japim llogari ambasadorëve” qe deklarata e javës që doli nga goja e Haradinajt, kur iu tërhoq vërejtja, për kush e di të satën herë, se Kosova do të ketë pasoja të rënda po qe se nuk hiqet dorë nga ideja e shfuqizimit të Speciales.
Me gjithë arrogancën enorme, e cila i ka shpërthyer mbi sipërfaqe që nga çasti kur është emëruar kryeministër, Haradinaj ka zgjedhur të sillet sipas maksimës së tij “m’u ka tekë”. Për shkak se atij iu ka tekë të bëjë e të flasë krejt çka i bie ndërmend, e që atij ia siguron fuqinë për të vendosur edhe për rrogën e vet, edhe për faljen e borxheve, edhe për lidhjen e kontratës, me gjasë të dëmshme, për TC “Kosova e Re”, e edhe për futjen në borxh deri në fyt për shpronësimin në Shipitullë..., nuk çan kokë për atë fotografinë e madhe që e bën e tërë Kosova.
Nuk çan kokë kur i thonë fqinjët malazezë se ata nuk e kanë ndërmend të ndërrojnë mendjen sa i përket demarkacionit. Ai del e deklaron: LDK-ja e ka fshehur ligjin në sirtar për një vit e gjysmë, e edhe tash nuk merret dhe nuk e voton ligjin, thuajse LDK-ja është e vetmja parti që e bën Kuvendin e Kosovës. Fakti është se Komisioni që e ka formuar ky pasi u zgjodh kryeministër nëpërmjet sekserit zëvendëskryeministër, ka dalë me një konstatim për falsifikimin e hartave që janë përdorur në procesin e demarkacionit. Nuk dihet nëse Prokuroria është duke u marrë me këto akuza, ndërkohë që ligji që duhet të ratifikohet në Kuvend ka mbetur i pandryshuar.
Pra, situata është kjo: është projektligji i vjetër dhe dy raporte përcjellëse. Kryesia e Kuvendit duhet ta fusë në rend dite që të votohet në plenare. E meqë sponsor i ligjit është Qeveria, kush pra duhet të bëjë urgjencë që ai të dalë në votim? Qeveria natyrisht. Pra, pse nuk reagon, posaçërisht duke e marrë parasysh se në Kryesi të Kuvendit e ka shumicën dhe mund ta kalojë në rend dite pa problem. Për shkak se nuk e ka idenë si të dalë nga rruga qorre, në të cilën është futur. Sepse mbase kryeministri ka besuar se me arrogancën e vet do t’i bindë malazezët të tërhiqen.
Malazezët e kanë bërë të qartë se për ta kjo çështje ka mbaruar që kur Kuvendi i tyre e ka votuar, dhe që kur Mali i Zi ka hyrë në NATO. Gjithashtu, e kanë bërë të qartë se nuk u intereson të përfshihen në deklarata të përbashkëta që do t’i hapnin derë ndonjë arbitrazhi eventual për ndonjë copëz të Marrëveshjes, që do të mundë të konsiderohej kontestuese. Me gjasë, Kryesia e Kuvendit nuk do të merret me këtë çështje deri pas vizitës së kryeministrit malazias në Prishtinë, në javën e parë të shkurtit. Ndërkohë, do të vazhdojnë të na e përsërisin se liberalizimi i vizave do të ndodhë brenda 90 ditësh. Problemi është se nuk e dimë kur nis numërimi i këtij afati.
Porosi personale
Arroganca e Haradinajt e mbërrin kreshendon posa të përmendet Specialja. Pareshtur përsërit se ka qenë kundër Speciales, dhe se ajo duhet të zhbëhet, edhe pse ligji i ratifikuar nga Kuvendi e ka marrë fuqinë e një obligimi ndërkombëtar, që nuk mund të zhbëhet veç pse dikujt iu ka tekë.
Pasoja e parë dhe e drejtpërdrejtë e kësaj qasjeje është mohimi i dy vizave për Haradinajn, dhe kjo nga dy shtetet që kanë bërë më së shumti që të çlirohemi e të pavarësohemi. Së pari, amerikanët nuk ia mundësuan të shkonte në Lutjet e Mëngjesit, e rrugës t’i realizonte ca vizita të tjera, e tash edhe britanikët nuk ia mundësojnë që të shkojë në Samitin e kryeministrave të rajonit.
Për Haradinajn është porosi e qartë se nuk e ka përkrahjen e tyre, përderisa zgjedh arrogancën e jo argumentin për ta kundërshtuar një ide a propozim. Për Kosovën është lajm i keq që udhëhiqet nga njerëz që u mohohen vizat, jo për shkak se i mbrojnë parimet, por për shkak se duan ta imponojnë qejfin e tyre, pa e pasur parasysh interesin e përgjithshëm. Njëkohësisht është edhe lajmi i mirë, për shkak se pas gjithë këtyre vjetëve që shoqëria civile kishte kërkuar që të mos përkraheshin politikanët që e sollën Kosovën në këtë gjendje, përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë filluar të ngopen me ta.
Po qe se do të kishin vepruar kështu që nga Pavarësia, me siguri se punët do t’i kishim shumë, shumë më ndryshe. Për të mirë, kuptohet.
Tre liderët institucionalë janë ata që e kanë nisur dhe janë duke e shtyrë përpara shfuqizimin e Speciales. Ajo që do t’u dhembte më së shumti do të ishte izolimi i tyre personal: që askush të mos i ftonte askund, e të mbeteshin të ngujuar në Kosovë, së bashku me popullin pacient për psikanalizë. Rrugës, po e njëjta ndalesë do të duhej të vlente edhe për të gjithë të tjerët që i bëjnë Qeverinë “kineze” të Kosovës, dhe Kuvendin më patetik që kemi pasur ndonjëherë – ndoshta atëherë do të nisnin të vetëdijesoheshin për kushtet në të cilat jeton shteti dhe për gjendjen në të cilën e kanë katandisur.
Shpirtat e ligj
Si do të bëhej pastrimi i shpirtave të ligj në Kosovë me ndonjë metodë tjetër që nuk është ajo që u përshkrua në hyrje të kësaj kolumneje.
Edhe sa kohë do të duhet të presë Kosova që ta tejkalojë brezin e komandantëve që nuk ditën të ngihen, dhe ende shpresojnë se do të ketë edhe ndonjë copë mishi që ka mbetur pa u gllabëruar.
Specialja, po qe se nuk shfuqizohet, do të mundë të ishte njëra alternativë, duke shpresuar se ajo nuk do të jetë replikë pompoze e UNMIK-ut dhe EULEX-it. Do të kujtojmë se sa shpresat i kishte nxitur EULEX-i kur kishte ardhur me premtime se do ta bënte këtë vend oazë të sundimit të ligjit. Për disa muaj do të shkojë, duke e lënë Kosovën pjesë të një sistemi rajonal, ku krimi i organizuar lulëzon dhe ku thuajse asnjë send nuk funksionon si duhet.
Sa u përket partive politike, nuk duket se na premtojnë ndonjë ndryshim substancial, përderisa në to vendosin njerëz që janë gjatë në politikë, e që njëlloj janë treguar dështakë në vitet e pasluftës. E aq më pak një parti, e cila në kulmin e fitores zgjedhore, ndahet në dysh në formën më bizare të mundshme: me qitjen e të palarave në publik, duke mos ditur sinqerisht nëse janë sajesa apo të vërteta.
Për ta bërë punën edhe më të komplikuar, nuk ndihmon asnjë grimë fakti se Kosova vuan për shkak të sistemit gjyqësor të keq. Vuan për shkak se ka miratuar ligje, që mund t’i zgjasin procedurat gjyqësore deri në parashkrim, ashtu që askush të mos e marrë dënimin e merituar po qe se gjyqi do ta gjente fajtor. Vuan për shkak se ka gjykatës që nuk i kuptojnë ligjet, dhe vuan për shkak se prokurorët më parë e suspendojnë një prokuror që i heton kolegët prokurorë sesa që e kryejnë punën e tyre.
Kush do ta kishte menduar se dhjetë vjet pavarësie do të na çonin në një udhë pa udhë, ku për çdo ditë e zëmë veten duke e përsëritur se kemi merituar më mirë. Ku për çdo ditë ankohemi nëpër kafe se sa keq i kemi punët. Ku mahnitemi me protestat e qindra mijëra njerëzve në Bullgari e Rumani, që protestojnë kundër qeverive të korruptuara. Ku presim që me një akt magjie, krejt gjërat do të ndryshojnë.
Fajin kryesor e bartim ne, sepse ende i besojmë legjendës së shpirtave të ligj, por jo edhe traditës së fjalës që duhet nderuar. Besa na është shndërruar në rrenë.