Bazuar në hulumtimin tonë në BERZH, hendeku i standardeve jetësore midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, dhe atyre të Bashkimit Evropian po mbyllet gradualisht, por me trendin aktual, për mbërritjen e plotë mund të duhen 70 vjet apo më shumë. Problemi themelor është prodhimtaria e ulët
Teksa 2024-a po i afrohet fundit, është momenti i duhur për të reflektuar mbi rezultatet e vitit dhe për të bërë plane mbi të ardhmen. Qe një vit i dominuar në masë të madhe nga agjenda, pretendime e fajësime politike, siç rëndom pritet në vit parazgjedhor. Fatkeqësisht, kjo u bë në kurriz të debatit ekonomik mbi zhvillimin e vendit dhe investimet e ndërlidhura me këtë zhvillim.
I pata ndarë përshtypjet e mia të para në një opinion për KOHËN, pak pas mbërritjes në Kosovë; e besoj tani se ka kaluar kohë mjaftueshëm e gjatë për të ma lejuar elaborimin mbi disa vëzhgime fillestare. Reagim imi i parë qe admirimi për potencialin e madh të Kosovës – në aspektin e mundësive për biznes e investime, të popullsisë sipërmarrëse dhe natyrën e bukur. Me politika të mirë-projektuara qeveritare, sektor privat aktiv, investime të huaja dhe mbështetje nga partnerët kyç zhvillimorë, potenciali i këtillë mund të materializohet në një rrëfim suksesi për prosperitetin ekonomik të Kosovës në aspekt afatmesëm (5-10 vjet).
Si një vend i ri, Kosova ka ende bazë të ulët të prodhimit të brendshëm bruto dhe të shërbimeve. Për t’i arritur vendet e zhvilluara, duhet të rritet me ritëm më të lartë, gjë kjo që natyrshëm do të thotë të punojë më shumë.
Bazuar në hulumtimin tonë në BERZH, hendeku i standardeve jetësore midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, dhe atyre të Bashkimit Evropian po mbyllet gradualisht, por me trendin aktual, për mbërritjen e plotë mund të duhen 70 vjet apo më shumë. Problemi themelor është prodhimtaria e ulët, si rezultat e shumë vjetëve me nën-investime, institucione të dobëta, demografi të pafavorshme dhe me mjedis të vështirë për biznes.
Për t’i adresuar këto sfida, sipas mendimit tim, tri janë fushat kyç që duhen marrë si prioritet.
Investimet
Si vend relativisht i ri me zhvillim të shpejtë, Kosova ka nevoja të mëdha investimi në të gjithë sektorët, veçmas në infrastrukturën publike. Që biznesi lokal të lulëzojë dhe që investimet e huaja të mbërrijnë, infrastruktura është esenciale, ngase ju nevojiten rrugë e hekurudha për t’i lëvizur mallrat, si dhe furnizim i pandërprerë me rrymë dhe ujë. Që vendi të rritet më shpejt duhet të eksportoni më shumë si dhe një infrastrukturë që e përmirëson konkurrueshmërinë, prodhimin dhe e mundëson integrimin e vendit në tregje rajonale dhe evropiane. Krahas kësaj, investimi i shtuar në infrastrukturë publike do të sjellë më shumë likuiditet për ekonominë dhe do ta nxis rritjen ekonomike të vendit, të krijojë mundësi biznesi për bizneset lokale dhe të rris punësimin nëpërmjet krijimit të më shumë vendeve të punës. Megjithëkëtë, investimet në infrastrukturën publike do të jenë efektive vetëm nëse ka institucione të nevojshme për ta garantuar përzgjedhjen e projekteve të duhura, të atyre me qëndrueshmëri të lartë ekonomike dhe alokim të kujdesshëm të resurseve të kufizuara publike. Siç kam shprehur tashmë në forume të ndryshme, qeveria duhet t’i prioritizojë 5-7 projekte infrastrukturore kyç me ekipe e fokus të përkushtuar në zbatim.
Qeverisja
Kjo e përfshinë administratën publike, qeverisjen e ndërmarrjeve në pronësi publike (POEs) si dhe të projekteve infrastrukturore. Bazuar në përvojën time të gjatë të angazhimit me shumë qeveri në vende të ndryshme, besoj thellësisht se reforma në administratë publike është më e rëndësishmja dhe, njëherësh, edhe reforma më sfiduese në çdo vend në zhvillim. Për të korur sukses në projekte të mëdha infrastrukturore, është tejet e rëndësishme të fuqizohen kapacitetet institucionale për menaxhimin efektiv të këtyre projekteve (të cilat janë rëndom komplekse) dhe që të përgatiten më shumë për projekte të këtilla në të ardhmen.
Ia vlen të përmendet se POEs paraqesin hise të madhe të shpenzimeve ekonomike dhe buxhetore. Ato duhen reformuar, komercializuar apo privatizuar, gjë që në këmbim do të hapë mundësi më të mëdha për kompani lokale dhe të huaja si dhe do tërheqë investime të konsiderueshme të reja në vend. Kjo është gjëja për të cilën ne, si BERZH, e mbështetëm qeverinë në të shkuarën (amendamentimet e ligjit për POE dhe financimin) dhe jemi të gatshëm të ndihmojmë në zbatimin më të shpejt dhe më të suksesshëm të projekteve të sektorit privat.
Energjia e ripërtërishme
Energjia e ripërtërishme, besoj unë, është sektori më atraktiv për investime të mëdha të huaja në vend. Kosova ka burime të mëdha dielli dhe ere, dy burime këto të energjisë së ripërtërishme që po zhvillohen shpejt dhe me një shkallë të madhe, globalisht. Në pikëpamjen time, mënyra e vetme për ta përshpejtuar zhvillimin e energjisë së ripërtërishme në Kosovë është nëpërmjet shpejtimit të përfshirjes së sektorit privat.
Termocentralet ekzistuese janë shumë të vjetra, joefikase, të dëmshme për mjedisin dhe për shëndetin publik, krahas të qenët të pasigurta për bizneset. Kosova është me fat se përjetoi dimra të butë së fundi, por tre vjet më parë ky nuk qe rasti dhe u përball me reduktime të rrymës dhe importe të kushtueshme. Përjetuam njashtu edhe disa avari të paplanifikuara së fundi. Jo vetëm qytetarët dhe qeveria, por edhe bizneset pësuan nga ndërprerjet e energjisë elektrike. Investimet e reja në ekonomi nuk do të vijnë po qe se kjo çështje nuk zgjidhet. Një situatë e këtillë mund të ndodhë në çdo kohë, këtë dimër apo më vonë, gjë që tregon se status quoja është thjeshtë e paqëndrueshme.
Vendosja e energjisë së ripërtërishme do të ishte më e lirë se sa mbajtja e Kosovës A dhe B të paqëndrueshme dhe joefikase, do të ishte më e mirë për mjedisin dhe do të krijonte vende të reja pune e mundësi biznesi për sektorë tjerë. Që biznese të reja moderne dhe që investuesit të investojnë në vend, disponueshmëria e furnizimit me energji të ripërtërishme është konsiderata kyç, pasi që atyre u duhet të eksportojnë produkte të gjelbra me minimum apo zero përmbajtje energjie të bazuar në thëngjill. Pos projekteve të mëdha, ajo mund të zhvillohet në mijëra instalacione të vogla dhe të decentralizuara, sikurse sistemet fotovoltaike (PVs) nëpër çati për biznese e shtëpi. Kjo do ta përmirësonte theksueshëm sigurinë energjetike të Kosovës dhe qëndrueshmërinë e saj karshi tronditjeve të jashtme.
Jam i bindur se Kosova ka një të ardhme evropiane. Ajo mund, dhe do të duhej, ta përshpejtonte zhvillimin e saj duke i prioritizuar investimet në infrastrukturë, në përmirësimin e qeverisjes dhe të kapaciteteve institucionale për zbatim, sikurse edhe të lëvizë më shpejt me energjinë e ripërtërishme dhe me hapjen e mundësive për sektorin privat.
Dhe në këtë kohë festive, do të doja që Kosovës t’i dëshiroj progres dhe prosperitet. Një gjë është e sigurt, BERZH-i do të qëndrojë përkrah Kosovës në këtë shteg.
Autori është drejtor i zyrës së Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Kosovë