OpEd

Thellohet dallimi mes Kosovës dhe Serbisë në “rrugëtimin përkatës evropian”

Serbia këtë javë, pas një kohe shumë të gjatë, do të hapë një “closter” (bllok kapitujsh) në negociatat e anëtarësimit me BE-në. Komisioni Evropian ka vlerësuar se “është siguruar një balancë e përgjithshme mes progresit në sundimin e ligjit, normalizimit të raporteve me Kosovën dhe procesit negociator. E për Kosovën a ka thënë diçka BE-ja? Do të pyeste dikush. Po, ka thënë dhe do të thotë. Ka thënë dhe do të thotë edhe kësaj jave se “e kupton rëndësinë që ka për qytetarët e Kosovës liberalizimi i vizave!!!!”

Serbia vazhdon të përfitojë nga dialogu me Kosovën pa pasur nevojë që të bëjë asnjë lëshim apo kompromis. Me kalimin e kohës është zbutur edhe presioni që të bëjë hapa drejt njohjes së Kosovës. U pa kjo në një konferencë shtypi në Bruksel, kur në prani të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke ndërhyrë përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, e kritikoi Kosovën për moszbatimin e Marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Madje duke aluduar se këtu nuk duhet të respektohet as Kushtetuta e Kosovës. Sjellja e Borrellit u pa si e vendosur, por edhe si diçka që nuk e bën ai shpesh, sidomos jo kur takohet me udhëheqës nga shtetet e tjera. I anashkaloi vërejtjet e kryeministrit të Kosovës se 2/3 e marrëveshjeve nuk janë zbatuar nga Serbia, duke e veçuar si “të rëndësishme” pikërisht atë për krijimin e Asociacionit.

Ndonëse mund të dallojë në stil, edhe në të kaluarën ka qenë kundërshtar i qartë dhe publik i pavarësisë së Kosovës. Borrell nuk dallon nga paraardhësit e tij kur është fjala për dhënie të dritës së gjelbër Serbisë për të hapur kapitujt. E përparimi në normalizimin e raporteve me Kosovën, krahas sundimit të ligjit ku hyn edhe bashkëpunimi me gjykatat ndërkombëtare, janë kushte jo vetëm për kapitullin e 35-të, ku është përfshirë normalizimi, por në përgjithësi për tërë procesin negociues me BE-në. Këtë nga shërbimi i veprimit të jashtëm i BE-së dhe nga Komisioni Evropian e kanë bërë që kur ka nisur dialogu. Falë vlerësimeve të tilla për “sjellje konstruktive” në dialog, Serbia ka fituar statusin e kandidatit, pastaj nisjen e negociatave dhe më vonë hapjen e disa kapitujve. Në anën tjetër Kosova, me përjashtim të MSA-së, nuk ka bërë asnjë hap të vetëm në procesin e integrimeve. Bile formalisht Kosova nuk është fare në këtë proces, prandaj edhe përdoret fjalia “rrugëtimi përkatës evropian” në vend të “procesit të integrimit në BE”. Kjo është edhe një dëshmi se sa të pabarabarta janë palët në dialog kur është fjala për qasjen e BE-së ndaj tyre. Njëra është shtet e tjetra palë jo. Njëra ka liberalizim vizash, status kandidati, negocion anëtarësimin, e tjetra nuk ka bërë as hapin e parë, pasi për BE-në nuk është shtet.

Për të qenë edhe më ironike situata, Kosova, gjykuar nga qëndrimet e zyrtarëve të institucioneve të BE-së, do të duhej t’i gëzohej avancimit të Serbisë në procesin e integrimeve evropiane pasi, thonë ata, “në fund të procesit do të duhej të ketë normalizuar raportet me Kosovën”. Pra, Kosova, sipas kësaj logjike, duhet këtë javë t’i gëzohet suksesit të Serbisë.

Nuk ka dyshim se për Kosovën do të ishte mirë sikur përparimi i Serbisë drejt BE-së të përcillej me ndryshimin e Serbisë. Që ajo gjatë këtij rrugëtimi të jetë më demokratike, më e gatshme për të pranuar realitetin se Kosova është shtet i pavarur, e gatshme të gjykojë kriminelët e luftës dhe të mos lejojë glorifikimin e tyre, të jetë e sinqertë në përpjekje për të zbuluar fatin e të zhdukurve, të jetë vërtet e afërt me Evropën e jo të përfitojë nga BE-ja e të jetë aleate e Rusisë dhe Kinës. Por një Serbi të tillë nuk e kemi sot.

Nga ana tjetër, procesi i negociatave të anëtarësimit me Serbinë është i shumë-ngadalshëm edhe ashtu. As hapja e këtij blloku kapitujsh nuk do ta përshpejtojë shumë. Por gjithsesi do ta rrisë dallimin mes saj dhe Kosovës, e besa edhe Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut.

Dhe kur BE-ja në këtë mënyrë e shpërblen njërën palë në dialog e tjetrën vazhdimisht e kritikon, nuk duket shumë si një ndërmjetësues i drejtë.

Pos përparimit në procesin e integrimeve në BE, Serbia nga dialogu ka përfituar edhe në aspekte të tjera. Ka arritur në fillim të parandalojë valën e njohjeve, pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë pati dhënë mendimin se shpallja e pavarësisë nuk e shkel të drejtën ndërkombëtare. Pastaj, duke shfrytëzuar pikërisht dialogun si arsyetim, me bekimin apo heshtjen e BE-së, ka siguruar disa tërheqje të njohjeve. Shumë diplomatë kanë konfirmuar se në këto fushata Serbia ka argumentuar se “përderisa zhvillohet dialogu për çështjen e Kosovës, statusi nuk është çështje e kryer”. Dhe këtu Serbia ka hasur në mirëkuptim jo vetëm nga disa vende të treta, por edhe nga vetë disa vende të Bashkimit Evropian. Ato vazhdojnë të pohojnë se vetëm një zgjidhje që është e pranueshme për të dyja palët do të jetë e pranueshme për to.

Edhe në aspektin e brendshëm të Kosovës, Serbia ka përfituar. Së pari; ka dëshmuar se shumica e dialogut është për rregullim të brendshëm të Kosovës e më pak për raporte mes dy shteteve. Së dyti; në vend të integrimit të serbëve në strukturat e Kosovës ka ndodhur integrimi i Serbisë, dhe janë dëmtuar, sulmuar dhe tashmë harruar serbët që nuk donin të ishin në linjën e Beogradit.

Pra, nga ana e Serbisë dialogu ka qenë shumë fitimprurës. Dhe Serbia në këtë dialog ka qenë konsistente, duke refuzuar që të ecë drejt njohjes së Kosovës. E Kosova nuk ka ditur të gjendet gjatë kësaj periudhe, duke e bërë dialogun më shumë çështje të brendshme sesa çështje të raporteve me Serbinë.

Dhe tash, kur vetë BE-ja pranon se “nuk sheh gatishmëri te palët për sukses”, prandaj nuk ka thirrur ndonjë takim të ri në nivelin e lartë politik, kjo nuk e pengon që Serbisë t’i jepet drita e gjelbër për avancim në procesin e negociatave të anëtarësimit.

Serbia këtë javë, pas një kohe shumë të gjatë, do të hapë një “closter” (bllok kapitujsh) në negociatat e anëtarësimit me BE-në. Komisioni Evropian ka vlerësuar se “është siguruar një balancë e përgjithshme mes progresit në sundimin e ligjit dhe normalizimit të raporteve me Kosovën në njërën anë dhe negociatave të anëtarësimit nëpër kapituj në anën tjetër”. Befason një vlerësim i tillë i Komisionit në kohën kur Serbia vazhdon të mohojë gjenocidin në Srebrenicë, glorifikon kriminelët e luftës, nuk bashkëpunon me mekanizmat e Gjykatës së Hagës, tallet me viktimat e Reçakut, ndërsa nuk është parë ndonjë progres në dialog.

Por nuk janë vetëm dialogu dhe raportet me Kosovën temë për të cilën Komisioni Evropian relativizon përgjegjësinë e Serbisë. E ka bërë këtë në raportin e fundit të progresit edhe në rastin e mohimit të gjenocidit në Srebrenicë. Në raportet e mëhershme është përmendur se në Serbi “mohimi i gjenocidit kalon pa pasoja”, ndërsa kjo fjali tash nuk figuron, sikur nuk figurojnë as disa fjali të tjera që ishin më kritike për Serbinë.

E për Kosovën a ka thënë diçka BE-ja? Do të pyeste dikush. Po, ka thënë dhe do të thotë. Ka thënë dhe do të thotë edhe kësaj jave se “e kupton rëndësinë që ka për qytetarët e Kosovës liberalizimi i vizave!!!!”.

“Faleminderit për mirëkuptim!” do të thoshin qytetarët më pro BE-së në rajon.