Vetëm duke marrë parasysh nevojat sociale të njerëzve (krahas nevojave ekonomike dhe atyre mjedisore) do të jemi në gjendje që të avancojmë reforma të qëndrueshme të politikave. Kjo na kthen te modeli i propozuar i klubit të G7-s. Nëse zbatohet në mënyrë korrekte, mund të akomodojë faktorët socialë krahas atyre ekonomikë dhe mjedisorë, duke pasur sukses aty ku përpjekjet e mëparshme të ngjashme kanë dështuar
Deri në fund të vitit 2022, G7-a synon që të nisë “Klubin e hapur ndërkombëtar dhe bashkëpunues për Klimën” me qëllim të nxitjes së veprimeve të koordinuara për të arritur objektivin maksimal të ngrohjes së klimës prej 1.5 gradë Celsius të marrëveshjes së Parisit, pa lënë askënd në disavantazh konkurrues. Megjithëse me dekada kemi dëgjuar thirrje për veprim ndërkombëtar mbi klimën, ka arsye të mira për të menduar se këtë herë do të jetë ndryshe.
Klubi i klimës është ideja e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, propozimi i të cilit bazohet në katër premisa. Së pari, veprimi ndërkombëtar i klimës duhet të jetë me bazë të gjerë dhe konsistente, me të gjithë anëtarët e klubit që synojnë të njëjtat objektiva. Së dyti, vendet duhet të lejohen që t'i ndjekin këto objektiva të përbashkëta në mënyrat e tyre, për sa kohë që të gjithë e respektojnë “matjen uniforme të përmbajtjes së dyoksidit të karbonit të produkteve dhe materialeve”. Së treti, vendet në zhvillim duhet të marrin mbështetje për të arritur objektivin e përbashkët. Dhe së fundi, detyrimi për të konkurruar kundër metodave më të lira dhe më intensive të karbonit nuk duhet t'i vendosë “pionierët e politikave klimatike” në disavantazh në tregun global.
Ky propozim mund të tingëllojë si një përsëritje e politikave të së kaluarës, por e zhvendos thelbësisht fokusin në hartimin e politikave. Historikisht, e kemi parë politikën klimatike vetëm në dy dimensione: të klimës dhe të ekonomisë. Kjo ka çuar fokusin në idenë si çmimi global i karbonit, i cili ka shumë kuptim në terma strikt ekonomikë. Ndotësit lëshojnë sasi të tepërta të CO2-shit në atmosferë, sepse kostot i imponohen shoqërisë. Prandaj, zgjidhja është që të sigurohet se ndotësit do të paguajnë.
Problemi është se qytetarët shpesh i kundërshtojnë politikat e tilla, veçanërisht nëse nuk ka mekanizëm për t’i kompensuar ata që janë në disavantazh nga kostot më të larta (siç janë familjet me të ardhura të ulëta, që nuk mund të përballojnë mallrat bazë me çmime miqësore me mjedisin, ose ato që punojnë në industrinë e karbonit intensiv). Për më tepër, kostot që ndërlidhen me çmimin e karbonit nuk janë vetëm ekonomike, por edhe sociale. Edhe nëse të ardhurat nga një taksë karboni shpenzohen për të varfrit dhe të zhvendosurit, komunitetet e varura nga karburantet fosile mund të shemben dhe disa njerëz mund të ndihen sikur nuk po e formësojnë më të ardhmen e tyre.
Këto ishin disa nga mësimet e protestave franceze të jelekë-verdhëve (në vitet 2018-19), të cilat shpërthyen si kundërpërgjigje ndaj rritjes modeste të taksës për karburantin dizel. Dhe një problem i ngjashëm ka pllakosur prej kohësh debatin global të politikës klimatike. Vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme nuk duan që t'u kërkohet nga vendet e pasura dhe të industrializuara – emetuesit më të mëdhenj, historikisht – të paguajnë më shumë për energjinë që u nevojitet për zhvillim. Pranimi i këtyre degëzimeve të mundshme do ta nënkuptonte kalimin nga një botë abstrakte dydimensionale në një botë tredimensionale që është më afër realitetit në të cilin ne jetojmë.
Derisa bota dydimensionale e modeleve ekonomike mund të matet në termat e PBB-së dhe çmimeve të karbonit, bota reale kërkon metrika të ndryshme për të llogaritur kuptimin e plotë të çdo politike. Për këtë qëllim, njëri prej nesh (Snoweri) dhe Katharina Lima de Miranda kanë propozuar metrikën me akronimin SAGE: solidaritet, veprim, përfitim, mjedis.
Këtu, solidariteti i referohet shtrirjes së përfshirjes sociale dhe kohezionit, veprimi i referohet aftësisë së njerëzve për të formësuar jetën e tyre, dhe fitimi e mjedisi u referohen masave tradicionale të prodhimit ekonomik, respektivisht, qëndrueshmërisë mjedisore. Rezultati i solidaritetit rritet kur ka më shumë besim social, bujari, e kështu me radhë, ndërsa rezultati i agjencisë rritet kur njerëzit raportojnë besim më të madh në aftësinë e tyre për të arritur qëllime të vlefshme. Duke e zgjeruar hapësirën përtej rritjes së PBB-së, SAGE na lejon që t’i ribashkojmë lidhjet midis politikave ekonomike dhe mirëqenies sociale.
Si mënyrë e re për të diskutuar dhe për të vlerësuar politikat klimatike, modeli SAGE mund të na ndihmojë që të kuptojmë përse disa politika të mëparshme klimatike nuk kanë funksionuar. Për shembull, çmimi tradicional i karbonit ka dështuar shpesh në testin e solidaritetit, duke krijuar fitues dhe humbës (si ekonomikisht, ashtu edhe në aspektin social), si dhe testin e veprimit, duke i anashkaluar zërat e njerëzve në proces.
Një nga ankesat e jelekë-verdhëve, për shembull, ishte se papërballueshmëria e jetës urbane franceze detyroi shumë punëtorë të jetonin jashtë qyteteve, ku mundësitë e kufizuara të transportit publik i detyronin që të shkonin në punë me vetura. Protestuesit ndienin mungesë solidariteti dhe veprimi (sepse ata kishin pak zgjedhje se ku të jetonin ose si të udhëtonin).
Vetëm duke marrë parasysh nevojat sociale të njerëzve (krahas nevojave ekonomike dhe atyre mjedisore) do të jemi në gjendje që të avancojmë reforma të qëndrueshme të politikave. Kjo na kthen te modeli i propozuar i klubit të G7-s. Nëse zbatohet në mënyrë korrekte, mund të akomodojë faktorët socialë krahas faktorëve ekonomikë dhe mjedisorë, duke pasur sukses aty ku përpjekjet e mëparshme të ngjashme kanë dështuar.
Sipas Scholzit, Klubi i Klimës do të promovojë “bashkëpunimin midis vendeve që duan të vazhdojnë përpara me transformimin social dhe ekonomik të nevojshëm për të trajtuar ndryshimet klimatike”. Rezultati, në praktikë, do të ishte partneritet në të cilin pjesëmarrësit angazhohen për qëllime ambicioze, të mirëpërcaktuara klimatike, si dhe për masat specifike të brendshme që kërkohen për t’i jetësuar këto qëllime.
Ekipi i Scholzit pranon se vendet e pasura që kanë emetuar më shumë karbon historikisht janë në pozicion të ndryshëm nga të tjerët. U referohen “përgjegjësive dhe aftësive përkatëse të përbashkëta, por të diferencuara” – një nga parimet thelbësore të Konventës në Kuadër të Kombeve të Bashkuara mbi Ndryshimet Klimatike të vitit 1992. Klubi i Klimës vlerëson kështu kërkesat e ndryshme që një grup i përbashkët synimesh vendos për vende të ndryshme dhe se kjo kërkon “bashkëpunim intensiv për transformimin industrial dhe ndërtimin e kapaciteteve”.
Duke i trimëruar vendet që t’i formësojnë politikat e tyre klimatike në përputhje me realitetet e tyre socio-ekonomike, Klubi i Klimës është i pozicionuar mirë për të shmangur disa nga problemet që çuan në ngritjen e jelekë-verdhëve. Por për të pasur sukses, klubi duhet të jetë maksimalisht ambicioz (duke synuar objektivin e 1.5°C), maksimalisht gjithëpërfshirës dhe maksimalisht lejues në rrugët e politikave që ajo hap. Është ky fleksibilitet që do t'i ndihmojë vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim që të punojnë së bashku, të dëgjojnë perspektivat e njëri-tjetrit dhe të mësojnë prej tyre. Nëse funksionon, klubi mund të krijojë efekt mbarëbotëror, duke e ofruar shpresën më se të nevojshme që lufta kundër ndryshimit të klimës të mund të fitohet.
(Avram Alpert është bashkëpunëtor në “The New Institute” dhe pedagog në Universitetin e Princetonit. Dennis J. Snower, profesor hulumtues në Institutin për Mendimin e Ri Ekonomik dhe studiues i lartë në Shkollën e Qeverisjes “Blavatnik” në Universitetin e Oksfordit, është kryetar i Iniciativës së Zgjidhjeve Globale, kryetar Emeritus i Institutit Kiel për Ekonominë Botërore, dhe anëtar jorezident në Institutin Brookings. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).