OpEd

Ta lëmë Ibrahim Rugovën të flasë vetë: «Ndarja e Kosovës është e papranueshme»

Në vijim deklaratat e Ibrahim Rugovës në mediat gjermane nga viti 1992 deri në vitin 2000.

Është botuar sot një raport i shkruar nga një diplomat gjerman në dhjetor të vitit 1991 mbi situatën në Kosovë. Aty thuhet se lideri i atëhershëm i shqiptarëve të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, nuk paskësh qenë kundër ndarjes së veriut të Kosovës me Serbinë dhe paskësh premtuar «eksterritorialitet» për kishat e manastiret serbe. Cila është e vërteta?

Së pari: çfarë është publikuar nuk është më shumë se një interpretim i bisedës së diplomatit gjerman me delegacionin e atëhershëm kosovar të prirë nga Rugova. Në raport zyrtari gjerman e citon në mënyrë indirekte Rugovën, nuk ka asnjë citat eksplicit në raport. Citimi indirekt shpesh është interpretim i asaj që thotë folësi, pa hyrë në detaje. Do të ishte me rëndësi të dihet nëse pala kosovare ka mbajtur shënime për këtë takim dhe nëse këto shënime ekzistojnë.

Së dyti: meqë kam përcjellë, lexuar e përkthyer pothuaj çdo intervistë të Rugovës në mediat gjermane që nga 26 qershori 1989 (kur është botuar intervista e tij e parë në DER SPIEGEL) dhe të gjitha mund të lexohen në librin «Veç pavarësi, asgjë më pak: Ibrahim Rugova në shtypin gjermanofon (1989-2006)», botuar nga KOHA, konsideroj se duhet lënë Ibrahim Rugovën të flasë vetë bazuar në deklaratat që i ka dhënë ai dhe jo mbështetur vetëm në interpretimet e një diplomati gjerman.

Së treti: në kohën kur është shkruar raporti i diplomatit gjerman (1991), ambasador i Republikës Federale të Gjermanisë në Beograd ka qenë Hansjörg Eiff, i cili ka shërbyer si diplomat në kryeqytetin e Jugosllavisë edhe mes viteve 1973-76. Eiff ka qenë përkrahës i ndarjes së Kosovës. Këtë qëndrim ai e ka bërë publik edhe pak muaj para shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Në një editorial të botuar në gazetën gjermane «Süddeutsche Zeitung» në vitin 2007, Eiff kundërshtonte idenë e Martti Ahtisaarit për pavarësimin e Kosovës dhe kërkonte që veriu t’i jepet Serbisë, pjesa tjetër e Kosovës të bashkohet me Shqipërinë dhe përgjegjësinë për manastiret serbe në Kosovë ta marrë Tirana. Nëntoni i tekstit të Eiff është se shqiptarët e Kosovës nuk kanë kapacitet për të mbajtur shtet. Nuk duhet shumë fantazi për të kuptuar se qëndrimet e tij për ndarjen e Kosovës në fillim të viteve 90-të dhe më vonë kanë pasur efekt në Ministrinë e Jashtme në Bonn dhe kanë reflektuar në në raporte diplomatike. Pra, burimin e raportit të diplomatit gjerman (emrin e të cilit nuk po e bëj publik) duhet kërkuar edhe te qëndrimet e Hansjörg Eiffit.

Së katërti: po sjell në vijim deklaratat e dr. Rugovës, ku ai kundërshton ashpër ndarjen e Kosovës.

«Der Spiegel», 8 qershor 1992

SPIEGEL: Në qarqet intelektuale serbe po mendohet për propozimin për ndarjen e Kosovës mes serbëve dhe shqiptarëve.

Rugova: Edhe në rast të tillë sërish një milion shqiptarë do të jetonin jashtë vendit amë. Përveç kësaj serbët me këtë «ndarje» kërkojnë jo vetëm Prishtinën, por edhe ato territore, të cilat janë të pasura me pasuri nëntokësore. Neve do të na mbesnin territoret pa vlerë. Këtë lojë nuk e luajmë. I pranueshëm do të ishte një protektorat kalimtar i OKB-së. Është çmenduri që këtu pakica serbe me tetë për qind t’i mbajë me dhunë nën kontroll dy milionë shqiptarë.

«Tageszeitung», Berlin, 26 janar 1998

«TAZ»: Opozita serbe ka propozuar ndarjen e Kosovës.

Ibrahim Rugova: Kjo është e papranueshme. Ata i duan territoret e pasura me minerale, janë të interesuar për minierat më të mëdha të bakrit në Evropë, për 15 miliardë tonelata qymyr, naftë, e cila supozohet këtu. Pasi që nuk ka asnjë pjesë të banuar me shumicë serbe, ky propozim domethënë dëbime dhe spastrime etnike. Kroatët dhe boshnjakët që jetonin këtu tashmë janë larguar.

«Der Spiegel», 11 dhjetor 2000

SPIEGEL: A mund ta merrni me mend se bashkësia ndërkombëtare mund t’i ofrojë Beogradit ndarjen e Kosovës si alternativë – veriu serb, jugu shqiptar?

Rugova: E pamundshme. Kufijtë e Kosovës janë të pandryshueshëm. Serbët e Kosovës duhet të integrohen në institucionet e vendit tonë. Pastaj ata do të jenë të barabartë në të gjitha fushat – në aspektin politik, ekonomik, social. Ata do të jetojnë më mirë se ne në të kaluarën. Kemi pasur përvoja të hidhura me autonomi vetëm kulturore.

«Tageszeitung», Berlin, 22 qershor 1991

«TAZ»: Pala serbe thotë se synon vetëm të vendosë rendin legal, ashtu siç e parasheh Kushtetuta. Ajo ju akuzon juve dhe lëvizjen shqiptare se po përpiqeni ta shkëpusni Kosovën nga Jugosllavia dhe me të gjitha mjetet po provoni për të flakur kulturën serbe dhe serbët nga Kosova.

Ibrahim Rugova: Kjo është një gënjeshtër kolosale, e cila nga pala serbe përsëritet qe 100 vjet. Ne vetëm po kërkojmë barazi për shqiptarët, të cilët me tre milionë njerëz përbëjnë popullin e tretë në Jugosllavi për nga numri. Sa i përket akuzës së ne gjoja këtu në Kosovë po shkatërruakam kulturën serbe, duhet rikujtuar se ne kishat dhe manastiret i shohim si pjesë edhe të kulturës sonë, fundja një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve janë të krishterë. E gjithë kjo është propagandë dhe këtë e tregon edhe fakti se pikërisht tani, në një kohë kur Qeveria serbe kontrollon gjithçka, serbët vazhdojnë të shpërngulen nga Kosova.