OpEd

Supermenat në kafaz

Më në fund u ndal edhe shiu disamujor, më i mërzitshëm se fushata parazgjedhore. Edhe ndonjë ditë e patëm me zënë myk si popull, megjithëse era ka kohë që po na vjen, si ujë i ndenjur.

Tekefundit, nuk ka dert. Si popull i lashtë pellazgo-iliro-shqiptar edhe na ka hije të na kaplojë pluhuri, myku e merimangat, si dëshmi të antikitetit tonë. E si trashëgimi historike e ruajmë, po ashtu, me xhelozi mentalitetin tonë primitiv, të dhunshëm dhe parahistorik.

Natyrisht, keqdashësit na urrejnë sepse jemi dashamirës. Kokrra e sherrbudallës, që thonë pa të keq.

Peshkimi

E ku tjetër i shohim gjithë këto veti tona aq origjinale sa për t’i patentuar, pos në zgjedhjet popullore. Sapo i kaluam ato parlamentare dhe çka nuk na panë sytë e nuk na dëgjuan veshët qysh ditët e para të “vetlavdërimeve” dhe “kacafytjeve” të “patriotëve” e “patrioteve” që rrahin gjoks për ardhmërinë tonë të ndritshme, thua ti e kanë hazër në tabak, bashkë me ca gota çaj rusi.

Pos shitblerjes pa teklif të anëtarëve të partive, kandidatëve, votave e kismet tash edhe peshkimit të deputetëve, pamë si reklamë dyqanxhinj për deputetë, biznesmenë hajdutë, shtëpiake të ”dëshpëruara”, grifsha me kthetra e “princesha dekor”, turli “shkencëtari analfabet”, turli magjistari e një kiamet kreaturash pa kurriz e pa dinjitet, që e kanë keqkuptuar nocionin e bagazhit politik ose arsimor. Thjesht tipi e mbush “gepekun” me libra në Panair dhe mendon se ka bagazh diturie.

Po ashtu, si me një lloj magjie, zbritën bustat e ngurtë të politikës pushtetare, për t’i vizituar njerëzit e thjeshtë dhe të vdekshëm, ashtu siç ndodh rëndom njëherë në katër vjet. Shih ironinë, kandidatë e kandidate me setra xixëlluese e fresh-frizura, vizitojnë pensionistë, shkolla, shoqata të verbërish, organizata personash me aftësi të kufizuara, invalidë të luftës, familje të varfra, varre dëshmorësh e lapidarë bronzi. Për të cilat kujtohen gjatë katër vjetëve sa për borën e parvjetme. Përsëri fytyra të ngërdheshura, nofulla të shtrënguara dhe përqafime “liderësh” që deri dje e “komplimentonin” njëri-tjetrin sahat e dakik me emra kafshësh e të shara nënash.

Të tjerët premtojnë vende pune pa fabrika, ngritje rrogash pa ngritje të zhvillimit ekonomik, zbatim ligji pa gjyqësi normale dhe polici të hairit. Njerëzit kanë qëlluar Supermena ore! Ose kanë pirë farë ilaçi çudibërës që ua ka “bymehur” IQ-në, dhe ata më në fund e kanë parë dhe kuptuar se e mira e Kosovës fitohet me punë dhe është e mirë e përgjithshme. Se paguhen për të punuar. Dikush e ka zbuluar definitivisht, krejt normale , duke pasur parasysh gjithë këto koka të ndritshme.

Dhe gjithë këto fushata- fjalëthata paguhen me paratë e popullit, përderisa shkollat vajtojnë për një kompjuter, laborator, banjo, bibliotekë, kabinet ose një projektor. Hajt se nuk ka ç’u duhet. Edhe ashtu po kanë më shumë ditë festash se ditë mësimi.

Ndryshe

Në këto kohëra interesante para e pas zgjedhjesh, çdo subjekt politik, individ apo iks e ypsilon kandidati, po premton diçka ndryshe. Nuk e dimë çka është, por e dimë që diçka ndryshe po se po. Ndoshta ndryshe për të keq, por nuk ka dert. Më zi nuk ka ku shkon.

Sidomos lezetshëm duken pushtetarët e deridjeshëm, kur kërkojnë përsëri votën duke premtuar ndryshe.

Allahile njerëz a mund të jeni pak më të qartë, meqë ne njerëzit e vdekshëm nuk kemi qëlluar aq të mençur si ju. A do të jetë “ndryshe” nga gjithë këto idiotizma e pisllëqe katërvjeçare, apo ndryshe në kuptimin e vjedhjes së votave? Ndryshe në kuptimin se këtë herë do t’ia vini veshin ndonjë fëmije të sëmurë, peticioni me dhjetëra e mijëra nënshkrime qytetarësh tuaj, apo ndryshe se nuk do t’i merrni më parasysh urdhrat nga Serbia?

Se nuk do t’i degradoni qytetet, trashëgiminë kulturore, intelektualët, pensionistët, apo se nuk do të shtyheni më kush sa shtatore bronzi me kallash i vendosi dhe ku? Ndryshe, si? Për kënd? Në çfarë kuptimi? A mund të jetë ndryshe të mos jeni ju fare kandidatë?

Thjesht dëshirë e kotë e imja, po ua them.

E tash, për të mos qenë krejt zi, në një nga emisionet paçavure “alla debate zgjedhore” me moderatorë që nuk bëjnë dallimin mes arrogancës dhe guximit dhe ku shtyhen e kacafyten kandidatët sikur po ndajnë maxhët e axhallarëve, shoh një krijesë dykëmbëshe që deri dje i përkiste “elitës” qeveritare.

Mes të tjerash thotë se do ta bëjnë vendin akoma më të mirë e më të bukur. Ne jetojmë, tha në një vend të mrekullueshëm, i cili na ofron shumë mundësi të reja, forma moderne arsimimi, stabilitet ligji, politikë të ndershme e zhvillimore, gjithmonë në të mirën e popullit. Ky vend, tha është ardhmëria jonë, një oazë për fëmijët tanë dhe parajsë për investitorët botërorë.

Bre, që më shkriu deri në asht. Më shkuan të rrëqethurat e mu bë lëkura si e pulës. Aman ore jaran, them, se mjaltë po të qitka goja, po nuk na tregove ku i bie ky far vendi ku po jetoni ju? A më tregon në cilin shtet a cilin planet është, që të vijmë edhe ne mos të ardhtë mërzi? Për ku e ke fjalën? A duhen viza për aty? Se ky vend ku jetojmë ne, pasha analfabetin, nuk më duket se ngjan fare me këtë që po na e kripë trurin ti. Dhe meqë veç po flisni për diçka ndryshe, a bën thjesht të zhdukeni e t’i bëni mirë këtij vendi? Hajde bre mëshirohuni e shpëtojeni nga ju. Do të ishte goxha përparim, sinqerisht.

Por dëshirë e kotë, e di. Hajde se u mësova më.

E mos të më ankohet askush më, se bile zgjedhjet nuk i patëm ndryshe e interesante. Amani ju qoftë, hapni sytë mirë dhe mos prisni se tash e pas, në vend të ajvarit do të hani kavjar për mëngjes. Duhet punë, e ty milet i dashur punën nuk ta do fort. Nuk ke faj allahile, kush ia ka parë hairin tekefundit? Se mos u bënë milionerë duke punuar këta pashallarët tanë modernë? Duhet t’i falënderojmë përjetësisht për shembullin e mirë që ua kanë transmetuar fëmijëve tanë. Bravo!

Ndryshimi

Eh tash, derisa jemi në pritje të pazareve të tjera zgjedhore, telenovelës “Kush ia trusi kujt” dhe sezonit të ri të “ Kush do të bëhet milioner“, nuk na mbetet tjetër, pos të provojmë që ta ndryshojmë edhe veten rrënjësisht. Sepse popull i dashur, ne definitivisht kemi probleme shpirtërore dhe mendore, që zor se gjejnë shërim edhe për një gjysmëshekulli.

Ja po them, pos sindromës së Stokholmit, të cilën vazhdojmë ta dëshmojmë me secilin lloj okupuesi e uzurpatori, ne sigurisht që jemi populli më narcisoid në botë! Edhe tekefundit nuk kemi aq faj. E kush tjetër ka lavdinë të jetë pasardhës i pellazgo-iliro-skenderbego-teuto-e ku ta di tjetër?

Kush e ka mundësinë ta ketë atë mykun që thamë, atë mykun e lashtësisë, që thellë-thellë të futet deri në tru dhe ti nuk arrin as t’i konceptosh gjërat më të thjeshta? Hajde pra, kush?

Plus, nuk e di a është keq apo mirë, por ne jemi edhe populli më joklaustrofob në planet. Të mbyllur në një kafaz në formë rombi, durojmë me dyer të mbyllura pa dashur e pa luftuar fare që të na hapen dyert e botës. Po ku po na ndien allahile se jemi pak të çmendur. Në këtë kohë është “in” me qenë pakëz crazy. Që i bie se ne gjithçka dimë, por s’po duam. Plasni.

Dhe shih ti ironinë, të tjerët mendojnë se na kanë zaptuar e na kanë kapur.

O njerëz ne shpirtin e kemi në burg.

Nuk dalim, edhe po që se dyert e kafazit rrinë hapur.