OpEd

S’ka më asnjë arsyetim që të mos u hiqen vizat kosovarëve këtë vit

Edhe problemi serioz i keqpërdorimit të liberalizimit të vizave nga shtetasit e Shqipërisë, që është përmendur si pengesë për heqjen e vizave kosovarëve, është zgjidhur. Shqiptarët më nuk janë ndër grupet më të mëdha të azilkërkuesve në vendet e BE-së. Të përdoret “shembulli i keq” nga e kaluara pas liberalizimit të vizave për Shqipërinë dhe Gjeorgjinë, si arsyetim për hezitimin në liberalizimin e vizave për Kosovën, pos që është e padrejtë, tashmë është edhe e panevojshme. Kosova edhe pa liberalizim vizash ka dëshmuar se është e gatshme t’i riatdhesojë azilkërkuesit e rrejshëm. Ndërsa ata që keqpërdorin liberalizimin mund të sanksionohen nga vetë vendet e BE-së, duke ua ndaluar hyrjen për disa vjet

Është bërë tashmë e vetëkuptueshme që për kosovarët një prej urimeve më të rëndësishme për vitin e ri të jetë ai që të liberalizohen vizat. Secili vit i cili kaloi pa liberalizim vizash ishte një më tepër për jetën e kosovarëve. Fundi i vitit të shkuar kaloi për disa duke tentuar që të caktojnë ndonjë termin në ndonjë ambasadë të BE-së për diku në pranverë, që të kërkojnë vizë, me mundësi jo të vogël që të refuzohen, e të shpenzojnë një shumë të madhe të parave. Ndërkohë, të gjithë qytetarët e vendeve të tjera të rajonit pa viza mund të udhëtojnë në vendet e BE-së dhe në ato që nuk janë në BE, por janë pjesë e zonës së lëvizjes së lirë pa kontrolle kufitare të Schengenit, si Zvicra, Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni. Këtë mundësi qytetarët e rajonit e gëzojnë për më shumë se 10 vjet.

Për gjithë këtë kohë, kosovarët kanë dëgjuar nga politikanët e tyre jo vetëm premtime, por edhe “garanci” se “këtë vit vizat do të liberalizohen”. Dhe i kanë kritikuar ashpër ata që kanë tërhequr vërejtjen se një gjë e tillë nuk duket reale të ndodhë. Kosovarët janë kënaqur edhe duke dëgjuar përsëritjen e mbështetjes nga Parlamenti Evropian, shpesh duke mos e kuptuar se një mbështetje e tillë nuk është gjë e re e as që ka më ndikim te shtetet anëtare, të cilat duhet ta miratojnë këtë vendim.

Kosovës pa dyshim në rrugëtimin drejt liberalizimit të vizave i janë vendosur kushte më të mëdha sesa të tjerëve, dhe kushte që nuk kanë ekzistuar për të tjerët. Përderisa BE-ja ka liberalizuar vizat për Ukrainën dhe Gjeorgjinë, shtete me territor të okupuar që nuk i kontrollojnë fare kufijtë e vet, Kosovës i ishte vendosur kushti për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Dhe kur ky kusht u përmbush nuk pasoi liberalizimi i vizave.

Fillimi i këtij viti jep pak më shumë shpresë se këtë vit mund edhe të ndodhë liberalizimi i vizave. Sepse më nuk ka as arsye teorike e as praktike që kjo të mos ndodhë, pos refuzimit nga shtetet anëtare për arsye krejtësisht politike.

Gjithçka vazhdon të sillet rreth Francës, e cila ka qenë shteti kryesor në BE që ka penguar liberalizimin e vizave. Pa marrë parasysh frazat diplomatike të përfaqësuesve të këtij shteti, të gjithë diplomatët nga shtetet e tjera tash e sa vite thonë se “Franca nuk ka dashur as të dëgjojë për këtë temë”. Ka pasur edhe shtete të tjera skeptike pos Francës, por nëse Franca nuk do të ishte kundër, liberalizimi do të kishte ndodhur. Aq më tepër pasi vendimet në Këshill për këtë miratohen me shumicë të kualifikuar e jo me konsensus. Por kur Franca është kundër, atëherë kjo nuk trajtohet si çështje e numrave, e matematikës, por si çështje politike. Me fjalë të tjera, mbahet e mbyllur në sirtarë. Siç u mbajt tash e sa vite në Këshill, edhe pse të dy institucionet e tjera të BE-së e kanë kryer punën e vet, edhe Komisioni, edhe Parlamenti Evropian, duke konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet dhe duke rekomanduar liberalizimin e vizave.

E tash Franca e ka kryesimin e radhës së BE-së. Ky mund të jetë një rast i mirë për një kthesë në këtë drejtim, sidomos nga fundi i kryesimit të BE-së diku në muajin qershor, kur do të kenë përfunduar edhe zgjedhjet në Francë.

Në pyetjen se a mund të ndodhin që në fillim të vitit lëvizje drejt liberalizimit të vizave për Kosovën në BE, diplomatët e shteteve anëtare janë shprehur optimistë, por duke thënë se “liberalizimi do të ndodhë në një moment, por ai moment nuk ka ardhur akoma”.

Një diplomat i BE-së ka thënë se një prej arsyeve kryesore pse ka hezitim për liberalizimin e vizave për Kosovën është ajo që ai e ka quajtur si “përvojë e keqe në rastin e Shqipërisë dhe Gjeorgjisë”.

“Kur janë liberalizuar vizat për Shqipërinë dhe Gjeorgjinë, Komisioni po ashtu pati thënë se janë përmbushur të gjitha kushtet. Por pas heqjes së vizave patëm shumë njerëz që erdhën në vendet tona, përfshirë edhe kriminelë dhe ekstremistë. U keqpërdor ky liberalizim dhe u rrit numri i azilkërkuesve të rrejshëm. U desh të kalonte një kohë që ta zgjidhnim këtë problem”, tha ky burim, për të shtuar se “në rastin e Kosovës duam së pari të bindemi se ka besim të plotë me autoritetet se nuk do të kemi problem e atëherë të liberalizohen vizat”.

Vërtet, shumë vende të BE-së kanë qenë të frustruara për shkak të numrit të madh të azilkërkuesve nga Shqipëria. Nuk e kuptonin se si aq shumë njerëz nga një shtet kandidat për anëtarësim në BE, një shtet anëtar i NATO-s, i cili ka liberalizim vizash, të kërkojnë azil në vendet e BE-së. Një shtet jo edhe i madh me numrin e banorëve, me më pak se 3 milionë banorë, vendosej në listë bashkë me shtetet ku kishte luftë, si Siria dhe Afganistani, për nga numri i azilkërkuesve.

Me propozimin e Holandës ka pasur tentim që BE-ja t’ia kthejë regjimin e vizave Shqipërisë, por ky tentim ka dështuar. Sepse për t’i kthyer vizat duhet pasur shumicën, ndërkohë që as Komisioni Evropian nuk e ka pranuar si të vlefshëm arsyetimin se liberalizimi i vizave për shtetasit e Shqipërisë paraqet një rrezik të madh për sigurinë e BE-së. Kosova është akoma më e vogël se Shqipëria. Ka një periudhë të gjatë të informimit të opinionit se çka janë e çka nuk janë mundësitë pas liberalizimit të vizave. Qytetarët e Kosovës e dinë se nuk do të mund të shkojnë për të jetuar dhe punuar pasi të hiqen vizat, sepse edhe pas kësaj do të ketë nevojë për vizë pune. Po ashtu, Kosova me shumë shtete të BE-së ka një përvojë të mirë të suksesit në riatdhesimin e atyre që kanë kërkuar azil dhe kanë dështuar ta fitojnë. Ndërsa ata që keqpërdorin liberalizimin mund të sanksionohen nga vetë vendet e BE-së duke ua ndaluar hyrjen për disa vjet.

Edhe problemi serioz i keqpërdorimit të liberalizimit të vizave nga shtetasit e Shqipërisë, që është përmendur si pengesë për heqjen e vizave kosovarëve, është zgjidhur. Shqiptarët më nuk janë ndër grupet më të mëdha të azilkërkuesve në vendet e BE-së. Dhe Shqipëria jep kontribut dhe bën përpjekje të përbashkëta me BE-në për të menaxhuar migrimin ilegal. Kjo është pranuar edhe në konkluzionet e fundit të Këshillit të çështjeve të përgjithshme të BE-së.

“Sa i përket migracionit, Shqipëria është vendi i parë në Ballkanin Perëndimor ku Marrëveshja për statusin e gardës kufitare dhe bregdetare evropiane ka hyrë në fuqi. Operacioni i parë i përbashkët i BE-së me Frontexin është dëshmitar si i suksesshëm. Numri total i kërkesave të pabazuara për azil është zvogëluar dukshëm, por kjo duhet të monitorohet për së afërmi nga autoritetet e Shqipërisë edhe në vazhdim”, është thënë nga ministrat e BE-së.

Të përdoret “shembulli i keq” nga e kaluara pas liberalizimit të vizave për Shqipërinë dhe Gjeorgjinë, si arsyetim për hezitimin në liberalizimin e vizave për Kosovën, pos që është e padrejtë, tashmë është edhe e panevojshme dhe e pabazuar.

Kosova gjithsesi duhet të punojë sidomos me Francën, t’ia dëshmojë se nuk do të hezitojë në asnjë moment që të pranojë riatdhesimin e atyre që keqpërdorin liberalizimin e vizave dhe në këtë mënyrë të binden ato që t’ia liberalizojnë vizat.