OpEd

Si i rashë një bombe

Rrëfimi për katër stinët budiste në Saigon

1.

Nuk kishin kambanë murgjit e pagodës Buu Lam, ndoshta pse për nja dy shekuj ishin përqendruar të shërojnë trupin dhe shpirtin e njeriut, trupin me bimë mjekësore e mendjen dhe shpirtin me mësime e meditime dhe vitet kaluan aq pa hetuar, sa do të kuptojnë që nuk kanë kambanë vetëm ditën kur në mesin e qindra-mijëra bombave që binin në Vietnam përgjatë luftës së radhës - murgjit më të rinj nuk mbanin mend se kur filloi lufta, sepse nuk kishin jetuar ndonjëherë në paqe - ra një 230-kilogramëshe në afërsi, u ngulit në tokë e nuk shpërtheu për të treguar se ishte e përcaktuar të ketë një rol tjetër në këtë jetë.

Murgjit e pagodës Buu Lam ndien që nga diku u kishte ardhur njohuria deri atëherë e papërjetuar e çmontimit të bombës bashkë me largimin e eksplozivit dhe fitilit që e ndez atë, ndarjes së këtyre veseve të njerëzimit, të nënkuptueshmërisë se shpërthimi i bombës do të marrë shumë jetë njerëzore - madje edhe një ta merrte, do të ishte shumë - për më tepër, të pajtimit se megjithëse është e nënkuptueshme se bomba do të marrë jetë njeriu, ajo megjithatë, hidhet nga lartësitë qiellore, lartësi që do të duhej të ishin më afër Zotit.

2.

Predha e bombës konstatoi se dyqind vjetët e ndërtimit të pagodës prej një kthine lutjeje në një prej faltoreve më të spikatura të kësaj ane të Vietnamit kishin lënë mungesën e kambanës dhe se aty ishte tash një shans që kjo mangësi të korrigjohet, jo pse kambana duhej të shërbente për të ftuar njerëzit për lutje - ata këtë e kishin bërë tashmë dyqind vjet pa ndonjë nevojë nxitjeje zanore - por ngase një faltore nuk ishte e tillë nëse nuk e kishte kambanën, me tërë domethënien e saj të shënimit me tingull të kalimit prej një forme të jetës në tjetrën, në atë kohë lufte, të kalimit prej gjendjes së kufomës në atë të përjetësisë; kufomat e shpërndara gjithandej, një shenjë kuptimplotë e luftës, do të qëndronin të ishin të tilla derisa tingulli i kambanës të shënonte se ato ishin tashmë në rrugë për në jetën tjetër.
Predha u shndërrua në kambanë për aq sa nuk e kujtonte më kush të kishte qenë predhë, aq më shumë kur në të u shënuan shkronjat  kineze të katër stinëve të vitit që gjithkush dinte se nuk ishte punë kalendari por besimi i thellë në një rreth të mbyllur nëpër të cilin kalon njeriu, se në Xuân (pranverë) fillon me lindje e agim e se në Hạ (verë) kalon në plotësi e forcë e së në Thu (vjeshtë) kalon në të korra e rënie e se në Đông (dimër) kalon në ndërprerje e vdekje dhe se këtu nuk mbaron, por menjëherë vazhdon në rreth Xuân (pranvera), sepse dimri nuk është fund, por është përgatitje për pranverë dhe sepse kështu tregohet se as bomba nuk mund të ndërpresë bindjen e thellë të budizmit mbi zinxhirin e pambarim të cikleve të jetës.

3.

Një kambanë bronzi erdhi në pagodë në sajë të kontributeve të besimtarëve të zonës, ishte viti 1994 dhe nuk dihej se çfarë do të ishte fati i mëtejshëm i kambanë predhë po të mos rastiste koleksionisti Nguyễn Ngọc Ẩn që do të njihte dy natyrat e kësaj kambane, asaj të fundësisë së saj si dhe të gjitha gjërave në natyrë dhe të pafundësisë së saj si dhe të gjithë gjërave shpirtërore që janë me ne dhe rreth nesh.

Tingulli i kambanës duhej të dëshmonte njërin prej postulateve thelbësore të budizmit, përkohshmërinë, të simbolizuar me tingullin e kambanës e cila merr forcë dhe shuhet, ashtu siç shuhet jeta e njeriut. Dhe tingulli i kambanës duhet të shënojë se ashtu siç shuhet një tingull, ashtu pas tij vjen tingulli tjetër dhe tjetri e tjetri pas tij, deri në pambarim.

4.

Koleksionisti ia dhuroi predhën që quhet kambanë Muzeut të luftës që quhet Muzeu i Mbetjeve të Luftës në qytetin Saigon që quhet Ho Shi Min, shenjë se çdo gjë ka mundësi të marrë emër tjetër.
Kambana është në hyrje të muzeut e muzeu është hyrje në një rrëfim për kapacitetin e veprimeve të thella dehumanizuese që ka njeriu në luftë. I rashë kambanës para se të hyja në Muze dhe i rashë kambanës në të dalë nga Muzeu, me drithërimë e mornica nga besimi i thellë i murgjve për të treguar një të vërtetë kaq evidente, se në duart tona kemi mundësinë e transformimit të instrumenteve të luftës në thirrje kumbuese për paqe e se mu një shkrim për paqe është shkrimi i parë imi në vitin 2026...