Duke vënë në program hapjen e një monumenti që përkujton sulmet e 11 shtatorit, ndoshta në NATO kanë dashur ta nxisin presidentin Trump që të përsërisë zotimin për përkushtimin e përhershëm amerikan ndaj kapitullit 5 dhe parimit të mbrojtjes kolektive. Por ai nuk e bëri këtë në fjalim. Kjo i la paksa të dëshpëruar aleatët evropianë
Kaloi edhe kjo ngjarje, e cila kishte shkaktuar aq shumë pritje, frikë se si do të shkojë, ankth dhe punë për shërbimet e sigurisë. Presidenti i ri amerikan, Donald Trump, qëndroi në Bruksel në qytetin të cilin e kishte quajtur si “vrimë në ferr”. U takua me liderët e institucioneve të BE-së, të organizatës së cilës i kishte parashikuar shpërbërjen dhe më pas mori pjesë edhe në takim me liderët e qeverive dhe shteteve të NATO-s, organizatë të cilën po,ashtu e kishte quajtur si “të vjetruar”.
Brukseli ishte nën masa të ashpra sigurie. Por kjo tashmë nuk është ndonjë risi për qytetin në të cilën për më shumë se një vit është bërë normale të shohësh ushtarë me armatim të gjatë, duke patrulluar rrugëve të qytetit. Masat ishin shumë më të shtuara dhe, rastësisht apo jo, vizita e presidentit Trump ndodhi të jetë në ditë kur ishte pushim dhe shumë qytetarë e kishin lëshuar edhe ashtu Brukselin. Nga aspekti i sigurisë gjithçka kaloi mirë dhe kjo në vete në këto rrethana është një fakt për të ndier lehtësim.
Por, sa i përket përmbajtjes së takimeve të presidentit Trump, nëse gjykojmë në bazë të asaj pak çfarë ai foli dhe asaj që ka rrjedhur nga të tjerët, as nikoqirët në BE e as aleatët në NATO nuk mund të jenë edhe aq të lumtur me porositë që i dha në vizitën e tij të parë presidenti Trump. Ai nuk i përsëriti kritikat për NATO-n si një “organizatë e vjetruar” e as ato ndaj BE-së se duhet të shpërbëhet. Në fakt ai nuk foli shumë dhe e tërë vizita ishte bërë që të jetë përplot ceremoni, simbolikë dhe me shumë pak përmbajtje. Ndoshta pikërisht për shkak se askush nuk mund të parashikojë se çfarë do të thotë Trump. Në dy ditë qëndrimi nuk pati as edhe një të vetmen paraqitje para gazetarëve. Të vetmin fjalim që mbajti ishte ai në NATO, duke folur në ceremoninë e hapjes së selisë së re të kësaj Aleance, e cila u hap, edhe pse ende nuk është krejtësisht e gatshme për përdorim.
Në këtë ceremoni të hapjes së një kompleksi prej 40 hektarësh, në afërsi të selisë së vjetër, pos liderëve të 28 vendeve të NATO-s, mori pjesë edhe Mbreti i Belgjikës, Philip. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke thënë se “NATO-ja është aleanca më e suksesshme në histori” e ka quajtur selinë e re si “një seli moderne për NATO-n moderne”.
E gjithë ceremonia, me fluturime të avionëve ushtarakë, hapje të memorialeve, fjalime të shefit të NATO-s, Stoltenberg, kancelares gjemane, Merkel, dhe presidentit amerikan, Trump, ishte menduar të dërgojë mesazhin e unitetit, qëndrueshmërisë dhe vendosmërisë së NATO-a. Për të simbolizuar këtë u vendosen edhe dy monumente, njëri i Murit të Berlinit dhe një tjetër kushtuar 11 shtatorit dhe sulmit terrorist në New York.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, lavdëroi rolin e Aleancës, duke përfshirë edhe meritat për bashkimin e Gjermanisë dhe u shpreh se, kur është e bashkuar dhe e vendosur NATO-ja mund të shembë edhe mure.
Fjalimi i presidentit Trump nuk ishte me tone të njëjta. Ai, sa për sy e faqe, tha se NATO-ja përhap paqen nëpër botë, por pastaj u përqendrua në qortimin e aleatëve për mungesë të gatishmërisë për të shpenzuar më shumë për mbrojtje, duke ritheksuar thirrjen që të gjitha shtetet anëtare të zotohen se në të ardhmen do të shpenzojnë mbi 2 për qind të bruto prodhimit të brendshëm për mbrojtje. “23 nga 28 vende anëtare ende nuk paguajnë shumën që do të duhej ta paguanin për mbrojtjen e tyre. Kjo nuk është e ndershme ndaj taksapaguesve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shumë prej këtyre shteteve kanë borxh nga e kaluara për vitet për të cilat nuk kanë paguar. Gjatë viteve të fundit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shpenzuar për mbrojtje më shumë sesa të gjitha shtetet e tjera të NATO-s së bashku. Nëse të gjitha shtetet e NATO-s do të shpenzonin vetëm 2 për qind të bruto prodhimit të brendshëm për mbrojtje vitin e kaluar, ne do të kishim 119 miliardë dollarë shtesë për mbrojtjen tonë kolektive dhe për financimin shtesë të rezervave të NATO-s“ ka thënë presidenti amerikan, duke e quajtur madje edhe 2 për qind si të pamjaftueshme, duke i krahasuar me nevojat dhe kërcënimet me të cilat përballen aleatët.
Trump tërthorazi kritikoi edhe politikën e mikpritjes për refugjatët, duke thënë se „me dhjetëra e mijëra njerëz hynë në shtetet tona dhe ne nuk e dimë se kush janë ata“.
Për të qenë të sinqertë, nuk është Trumpi presidenti i parë amerikan, i cili insiston që të gjithë aleatët në NATO të shpenzojnë më shumë për mbrojtje sesa që e bëjnë tash. Të njëjtën gjë e kanë kërkuar edhe Obama, edhe paraardhësit e tjerë. Dhe kanë të drejtë sepse mbi 70 për qind e kapaciteteve të NATO-s janë amerikane. Por dallimi është në mënyrën se si ata shprehen. Asnjë president tjetër amerikan deri më tash nuk e ka vënë në dyshim përkushtimin për kapitullin të Traktatit të Atlantikut të veriut, që do të thotë se sulmi mbi një vend anëtar konsiderohet si sulm ndaj të gjithëve. NATO-ja vetëm një herë kishte aktivizuar në histori këtë artikull dhe atë pikërisht pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit për t’u dalë në ndihmë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Jo pse amerikanët kanë pasur aq shumë nevojë për ndihmë nga të tjerët por në këtë mënyrë aleatët kishin shprehur solidaritetin me një shtet, i cili u ka siguruar mbrojtje gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë. Duke vënë në program hapjen e një monumenti që përkujton sulmet e 11 shtatorit, ndoshta në NATO kanë dashur ta nxisin presidentin Trump që të përsërisë zotimin për përkushtimin e përhershëm amerikan ndaj kapitullit 5 dhe parimit të mbrojtjes kolektive. Por ai nuk e bëri këtë në fjalim. Kjo i la paksa të dëshpëruar aleatët evropianë.
Takimi në NATO, ndoshta më i shkurti për nga pjesa zyrtare që është zhvilluar ndonjëherë, nuk kaloi pa disa pamje jo aq edhe të këndshme. Presidenti amerikan shihet qartë duke e larguar me dorë kryeministrin e Malit të Zi për të dalë në radhën e parë. Shumë liderë shtyheshin për të dalë sa më afër presidentit amerikan, qoftë edhe në një foto. Dikujt kjo gjë i pati sukses, si për shembull presidentes kroate Kolinda Grabar-Kitaroviq, me të cilën tash nëpër portale po e tallin se dukej sikur e shikonte presidentin amerikan sikur të jetë e dashuruar në të. Kryeministri i Shqipërisë, Rama, që mori pjesë si shef i qeverisë së një shteti të NATO-s, nuk u duk në ndonjë foto shumë afër Trumpit, por mediat e afërta me të lëshuan lajmin se ai e paska takuar presidentin amerikan dhe, që duket vërtet interesante, këtë takim e paska konfirmuar një kongresist amerikan. Pse ka nevojë që një takim në Bruksel duhet ta konfirmojë një kongresist amerikan, i cili nuk ndodhej në Bruksel në atë kohë. Për shkak se presidenti amerikan, mirë apo jo, kushdo që të jetë, është personi më i fuqishëm i botës. Dhe një foto afër tij çon mesazhin se të fortë janë edhe ata që arrin t’i afrohen.
Nuk ishte vetëm NATO-ja adresë ku Trump më shumë i qortoi aleatët sa që ka shprehur përkushtimin për vazhdimin e solidaritetit. Në BE, sipas asaj që kishte rrjedhur në media, ai ka sulmuar Gjermaninë pse po i shet me miliona vetura në SHBA. Nuk është pajtuar me aleatët evropianë as rreth ndryshimeve klimatike e as të tregtisë. Madje, nga prononcimi i kryetarit të Këshillit Evropian, Donald Tusk, doli që nuk kanë qëndrim të njëjtë as ndaj Rusisë. Dhe pas kësaj vizite, Rusia ka edhe një arsye për të llogaritur se mund ta ndajë dhe përçajë Perëndimin. Episodi me qëndrimet, e ndoshta edhe lidhjet me Rusinë të dikujt nga rrethi i ngushtë i presidentit Trump gjatë fushatës është objekt i interesimit të Shërbimeve Amerikane dhe puna në atë drejtim vazhdon. Për Rusinë është një stimulim i mirë kur SHBA-ja lë edhe dyshimin më të vogël se nuk pajtohet me aleatët evropianë.
Vizita e parë e Trumpit në Bruksel do të komentohet edhe në të ardhmen. BE-ja dhe NATO-ja do të „nxjerrin mësime“ dhe të vazhdojnë të punojnë me njerëz në administratën e tij të cilët i kuptojnë më mirë temat për të cilat ekzistojnë dallimet apo pajtimet. Por ajo që u pa qartë në këtë vizitë, të cilën Brukseli disi e mbijetoi, është se vërtet tash në Shtëpinë e Bardhë është një president si asnjëherë më parë, i cili edhe qëndrimet ndaj Evropës i ka sikur asnjë president para tij.