OpEd

Si dështoi BE-ja në mbështetje të Pakos së Ahtisaarit

BE-ja tërë kohën mbështeste “përpjekjet e Ahtisaarit”, por asnjëherë nuk mbështeti propozimin e tij. Edhe dialogu që tash e sa vite po zhvillohet mes “Beogradit dhe Prishtinës” për autonominë e veriut të Kosovës shpesh është arsyetuar në Bruksel si i domosdoshëm, sepse “duhet pranuar se Pakoja e Ahtisaarit ka dështuar”. Madje edhe administrata amerikane gjatë mandatit të presidentit Obama kishte pranuar se për serbët në veri “duhet dhënë më shumë sesa Ahtisaari”

Në mesin e shumë përvjetorëve që shënohen në pranverë është edhe dhjetëvjetori prej kur ish-presidenti i Finlandës, më vonë edhe fitues i çmimit Nobel për Paqe, Martti Ahtisaari, kishte paraqitur pakon e tij gjithëpërfshirëse me propozimin për statusin e Kosovës. Propozimi i tij në atë kohë nuk ishte befasi. Opsionet e shumta për një zgjidhje të pranueshme kompromisi për Kosovën ishin shoshitur për vite të tëra, para luftës, gjatë saj dhe pas. Asnjë përpjekje për Kosovën si pjesë të Jugosllavisë, RFJ-së apo Serbisë dhe Malit të Zi nuk ishte reale. Asnjë mundësi që Kosova, pas çlirimit dhe pas vënies nën administrim ndërkombëtarë, t’i jepet Serbisë nuk ekzistonte. Asnjë propozim i Beogradit për “më pak se pavarësi e më shumë se autonomi” po ashtu nuk konsiderohej si reale. Dhe, pas ngjarjeve të marsit të vitit 2004, bashkësia ndërkombëtare kishte humbur aq shumë besimin tek “partnerët shqiptarë”, saqë nuk donin që Kosova të ketë pavarësi të plotë pa siguruar masa për mbrojtjen institucionale të pakicës serbe.

Të gjitha këto opsione dhe joopsione diskutoheshin nëpër forume politike, think tanke, OJQ, institute ndërkombëtare. Dhe të gjitha disi përfundonin shumë afër një propozimi që së pari e kishte dhënë Grupi Ndërkombëtarë i Krizave për një “Pavarësi të kushtëzuar” për Kosovën. Edhe Grupi i Kontaktit, në të cilin sa për t’ua kujtuar atyre që kanë harruar apo kanë qenë të vegjël në atë kohë të dinin, ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusia dhe katër shtetet më të mëdha të BE-së: Gjermania, Franca, Britania e madhe dhe Italia, pati dhënë parametrat me të cilët punonte Ahtisaari me ekipin e tij. Në të gjitha këto përpjekje ishin edhe përfaqësuesi e Bashkimit Evropian dhe ai i NATO-s dhe kjo ishte kyç, sepse Ahtisaari punonte me pritjen se pas zgjidhjes së Kosovës rajoni do të përshpejtonte procesin e integrimeve euroatlantike. Edhe Grupi i Kontaktit kishte miratuar një deklaratë, në të cilën, duke përmendur se çfarë nuk mund të jetë zgjidhja për Kosovën, e bëri të qartë se cila do të jetë ajo zgjidhje. Ata u shprehën pas një takimi në Londër në janar të vitit 2006: “Nuk mund të ketë kthim prapa në gjendjen e para vitit 1999” (që do të thoshte se nuk mund të jetë Kosova pjesë e Serbisë apo e administruar nga Beogradi. Formulimi se “statusi i Kosovës duhet të jetë i pranueshëm për popullin e Kosovës” ishte një sinjal i qartë se do të propozohet një lloj pavarësie, sepse të gjithë e dinin se çfarë është e çfarë jo e pranueshme për popullin e Kosovës. Po ashtu në ato pika të deklaratës së Grupit të Kontaktit ishte thënë qartë se, kur procesi i caktimit të statusit të nisë, asnjë palë nuk mund të ketë mundësinë që ta ndalë. Me fjalë tjera, me apo pa pajtimin e Serbisë, statusi do të caktohet.

Edhe pse e dinim se cili do të jetë propozimi i Ahtisaarit, edhe pse përmes “Kohës Ditore” rregullisht kishim njoftuar për hollësitë që parashihej t’i kishte ai propozim që në fund dolën të sakta, u gëzuam shumë kur në Bruksel një ditë në mëngjes, në një paraqitje para gazetarëve, ish-ndihmëssekretari Amerikan i Shtetit, Nicholas Burns, na paralajmëroi se “Ahtisaari do të propozojë pavarësinë e Kosovës, nën mbikëqyrje ndërkombëtare, dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta mbështesin këtë fuqishëm”. Ishte një lehtësim për ne, por edhe një zhgënjim për mbështetësit e Serbisë, të cilët deri në fund besonin se mund të ndodhte diçka dhe të mos propozohej asnjë variant i pavarësisë. Me apo pa mbikëqyrje ndërkombëtare Kosova si shtet i pavarur ishte opsion i papranueshëm për ta.

Por kur doli propozimi lindi një problem që nuk parashihej. BE-ja nuk pati unitet për të mbështetur atë propozim, edhe pse tërë kohën krijohej përshtypja se BE-ja mbështet fuqishëm Ahtisaarin. Këto ndasi u panë më së miri gjatë një takimi joformal të ministrave të jashtëm të BE-së në Bremen të Gjermanisë. Në atë kohë ky shtet kishte kryesimin e BE-së.

Partneri socialdemokrat në këtë qeveri donte që edhe Rusia të mbështeste propozimin e Ahtisaarit, në mënyrë që ai të kalonte formalisht edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Por në fund Gjermania ishte e gatshme ta mbështeste vetë këtë propozim. Ministri i saj i Jashtëm, që tani është president i shtetit, Frank Wakter Steinmayer, udhëhoqi një takim në të cilin u tentua të sigurohej uniteti i BE-së rreth propozimit të Ahtisaarit për statusin e Kosovës, një çështje e cila ishte me rëndësi historike për BE-në për shumë arsye, përfshirë edhe për të dëshmuar fuqinë e saj në politikën e jashtme, sepse, nëse nuk mund të pajtohen rreth një çështjeje evropiane siç është Kosova, çfarë të pritet nga BE-ja në angazhimet në pjesë tjera të botës.

Më vonë mësuam se ministrat, pasi nuk ishin marrë vesh për të mbështetur propozimin e Ahtisaarit, u morën vesh që para gazetarëve të aktrojnë unitetin. Por një ministër i një vendi anëtar kishte dalë pak më herët nga takimi dhe na tha, me apo pa dashje, se “disa shtete si Sllovakia, Rumania, Spanja, Qiproja dhe Greqia janë më afër qëndrimit të Moskës sesa të shumicës së vendeve tjera anëtare.

Sikurse sillet sot ashtu edhe para dhjetë vitesh, në BE tentuan që duke përdorur lojën e fjalëve të hutojnë opinionin dhe të mos e nxjerrin këtë ndasi jashtë. Kështu ministri i atëhershëm i Jashtëm i Gjermanisë, i shoqëruar nga ish-përfaqësuesi i lartë i BE-së, Javier Solana, dolën para gazetarëve duke na thënë se “BE-ja është tërësisht e bashkuar në mbështetje të përpjekjeve të Ahtisaarit”. Pra qëllimisht përdorën fjalën “përpjekje”. Unë mora mikrofonin në sallë dhe pyeta: “Ahtisaari nuk ka më përpjekje, ai i ka përfunduar ato dhe ka nxjerrë një propozim. A janë të gjitha shtetet anëtare të bashkuara në mbështetje të propozimit të Ahtisaarit apo jo, sepse ne dëgjuam se disa shtete në këtë çështje mbështesin qëndrimin e Rusisë?”. Paksa të befasuar përsëritën “Të gjitha shtetet janë të bashkuara në mbështetje të përpjekjeve të Ahtisaarit”, të nesërmen mediat gjermane shkruan për dështim të takimit dhe kjo e zemëroi ministrin e atëhershëm të Jashtëm, i cili ditën e dytë tha se “i kanë lutur disa kolegë që të kenë kujdes se çfarë u flasin gazetarëve”.

asaj dite e deri sot BE-ja vazhdon të mos e mbështesë propozimin sipas së cilit Kosova ka shpallur pavarësinë, sipas së cilit është hartuar Kushtetuta e Kosovës dhe sipas së cilit edhe është dërguar Misioni i BE-së në fushën e rendit dhe ligjit, EULEX-i.

BE-ja gjithë kohën mbështeste “përpjekjet e Ahtisaarit”, por asnjëherë nuk mbështeti propozimin e tij. Edhe dialogu që tash e sa vite po zhvillohet mes “Beogradit dhe Prishtinës” për autonominë e veriut të Kosovës shpesh është arsyetuar në Bruksel si i domosdoshëm, sepse “duhet pranuar se Pakoja e Ahtisaarit ka dështuar”. Madje edhe administrata amerikane gjatë mandatit të presidentit Obama kishte pranuar se për serbët në veri “duhet dhënë më shumë sesa Ahtisaari”. Një diplomat i lartë amerikan para disa vitesh në Bruksel pati thënë se “duhet të gjejmë për veriun e Kosovës një opsion që nuk fillon me A” sepse, thoshte ai, “shqiptarëve u pengon përmendja e autonomisë, ndërsa serbëve u pengon përmendja e Ahtisaarit”. Këto thuheshin në kohën kur përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës, ish-presidentja Jahjaga dhe kryenegociatorja në dialog Tahiri, na bindnin se “në dialog nuk do të diskutohet për veriun”.

Në përpjekje për të tejkaluar ndasitë në bashkësinë ndërkombëtare rreth propozimit të Ahtisaarit u zhvilluan edhe bisedimet e ndërmjetësuara nga Trojka (BE-SHBA-Rusi), por u kthye në të njëjtën pikë, pasi “nuk lanë gurë pa lëkundur për të arritur zgjidhje të pranueshme për të dyja palët”: Madje përfaqësuesi i BE-së në atë Trojkë, ambasadori Wolfgang Ishlinger, i pati thënë “Kohës Ditore” se ishte propozuar, nga ai, edhe ndarja e Kosovës si opsion, por edhe pala kosovare dhe ajo e Serbisë kishin thënë jo. “Desha që më vonë të mos thonë se ka mbetur ndonjë opsion që nuk e kemi provuar”, pati thënë ai duke pranuar kënaqësinë se kjo ishte refuzuar.

Sot dhjetë vjet pas publikimit të Pakos së Ahtisaarit vetëm pala kosovare është ajo që e ka zbatuar dhe mbështetur. BE-ja vazhdon të jetë në të njëjtën pikë sikur para dhjetë vitesh, e ndarë dhe duke mos qenë në mundësi që ta trajtojë Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur. Madje duke ndërmjetësuar në një dialog që ka për qëllim rregullimin e brendshëm të Kosovës dhe duke tejkaluar atë që Ahtisaari kishte propozuar, pa asnjë zotim se do të mundë të ndryshonte qëndrimi i saj dhe shteteve që nuk njohin Kosovën. Kosovarët, liderët e të cilëve në atë kohë thoshin se “Pakoja e Ahtisaarit është kompromisi i Kosovës” tash janë nën presion që të bëjnë kompromise tjera.