Logjika flet për aranzhime bashkëpunuese, nëpërmjet të cilave qeveritë i përcaktojnë objektivat dhe standardet energjetike, ndërsa kompanitë e sektorit privat konkurrojnë për ta luajtur një hise në përmbushjen e qëllimeve të përgjithshme. Por arritja e një bashkëpunimi dhe ekuilibri të këtillë aktualisht duket të mos jetë gjë tjetër veçse një aspiratë e largët
Ani se pasiguria mbizotëron në tregun e sotëm global të energjisë, një gjë është bërë e qartë: Qeveritë po e rimarrin rolin e tyre qendror. Motivi është më shumë pragmatik sesa që është ideologjik, ndërsa hollësitë ndryshojnë prej një vendi në tjetrin, por trendi është i pagabueshëm. Qeveritë e të gjitha ngjyrimeve politike po e rimarrin kontrollin e një tregu që kryesisht u ishte lënë kompanive private me rregullim të kufizuar. Në shumë ekonomi perëndimore, kjo gjë padyshim se e përfaqëson ndryshimin më të madh në ekuilibrin e fuqisë publike dhe private ekonomike që nga Lufta e Dytë Botërore.
Vendosmëria e re e shtetit buron pjesërisht nga rritjet e mëdha të çmimeve që e kërcënojnë varfërinë energjetike në shkallë të gjerë dhe e nxisin kolapsin e disa bizneseve që merren me energjinë. Pas viteve të tëra me investime të mangëta në sektor, rritja e kërkesës për energji në vazhdën e pandemisë COVID-19, veçmas në Azi, pashmangshëm e shkaktoi ngritjen e çmimeve. Kostoja e gazit natyror për konsumatorët në Bashkimin Evropian u ngrit me 12 për qind në gjysmën e dytë të vitit 2021.
Por ky thjesht ishte një prelud për rritjen aktuale të çmimeve që rezultoi nga pushtimi i Rusisë në Ukrainë. Plani i BE-së për t’i reduktuar importet e gazit natyror rus për dy të tretat deri në vitin 2023, bashkë me reduktimin e furnizimeve nga Rusia për vendet si Gjermania dhe Finlanda, ndikuan që çmimi standard evropian të pesëfishohet përgjatë 12 muajsh, deri në qershorin e sivjetmë. Bazuar në një përllogaritje, faturat mesatare për energjinë të konsumatorit në Britani – i cili importon pak gaz rus por mbështetet në tregun global për 50 përqindëshin e nevojave ditore – ishte parashikuar që të ishin sa katërfishi i nivelit të tyre të vitit 2021 deri në fillim të vitit të ardhshëm.
Një faktor i dytë i fuqishëm që e imponon ndërhyrjen e Qeverisë është ndryshimi klimatik. Rritja e kërkesës për energji gjatë vitit të shkuar është nxitur nga qymyri, i cili mbetet burimi dominues i energjisë në Azi, duke shkaktuar që emetimi i gazeve serrë të kthehet në nivelin e para pandemisë. Me gjithë ngritjen e fuqishme të burimeve të rinovueshme, si era dhe dielli, varshmëria e vazhdueshme e botës nga hidrokarburet nënkupton se, në mungesë të ndërhyrjes së mëtejshme të Qeverisë, emetimet do të vazhdojnë të shtohen për disa vjet në vijim.
Asnjëra prej këtyre sfidave nuk mund të adresohet vetëm nga forcat e tregut. Pa vendosjen e një çmimi për karbonin apo pa masa të tjera rregulluese që vetëm qeveritë mund t’i zbatojnë, njerëzit do të vazhdojnë të përdorin vetura me benzinë. Forcat e tregut mund të ndikojnë pak për t’i ndihmuar familjet që përballen me rritjen e papritur të kostos së një produkti bazë. Tregjet as nuk mund t’i rishpërndajnë përfitimet e papritura të bëra nga kompanitë e atilla, si Saudi Aramco, e cila raportoi për një fitim rekord prej 48.4 miliardë dollarësh në tremujorin e dytë të këtij viti, te shumë biznese më të vogla për të cilat energjia është një input vendimtar.
Ndërhyrja e shtetit në tregun e energjisë po merr forma të shumta dhe të ndryshme. Qeveria gjermane ka shpalosur planet që 2 përqindëshi i sipërfaqes tokësore të vendit të përdoret për prodhimin e energjisë së erës, ndërsa po harton skema emergjente të racionalizimit për menaxhimin e mungesave të parashikuara të energjisë gjatë dimrit, të shkaktuara që pas ndërprerjes së furnizimit me gaz nga Rusia. Të gjitha amvisëritë fillimisht e morën nga një ndihmë prej 400 £ (450 dollarësh), si lehtësim për ballafaqimin me ngritjen e faturave të energjisë. Financimi pjesërisht ishte bërë nga taksa ndaj prodhuesve të naftës dhe të gazit. Por kjo masë u dëshmua e pamjaftueshme dhe, menjëherë pasi që u bë kryeministre e re e Britanisë, Liz Trussi uli tavanin e faturave të energjisë për amvisëritë për dy vjet dhe ofroi mbështetje afatshkurtër për përdoruesit nga rrafshi i bizneseve. Për të rritur furnizimet e brendshme të energjisë, ajo dha licenca të reja të naftës dhe gazit në Detin e Veriut, përderisa e hoqi moratoriumin për shpime. Agjenda e gjelbër e Mbretërisë së Bashkuar nominalisht mbetet në fuqi me moslicencimin e veturave të reja me ndezje benzine apo nafte që nga viti 2030, por ndërhyrja e qeverisë aktualisht është e përqendruar në kontrollimin e çmimeve dhe në rritjen e prodhimit të hidrokarbureve.
Përreth Atlantikut, Akti i Reduktimit të Inflacionit i miratuar rishtazi nga presidenti amerikan, Joe Biden, e ofron një pako prej 27 miliardë dollarësh për t’i ndihmuar amvisëritë amerikane me të ardhura të ulëta dhe të mesme që të kalojnë në burime të pastra energjetike, si dhe në financimin e ruajtjes së sektorit të energjisë bërthamore që ka shënuar humbje në vend. Në Francë, presidenti Emmanuel Macron ndodhet në procesin e shtetëzimit të plotë të ndërmarrjes energjetike EDF, një prej bajraktarëve të dikurshëm të fuqisë industriale franceze që gjatë dy dekadave të fundit ka pësuar nga dështimet menaxheriale dhe teknike. Ka pasur edhe shtrëngim të kontrolleve në çmimet e energjisë, aty dhe në pjesën më të madhe të Evropës kontinentale.
Mjerisht, këto dhe shumë iniciativa të tjera të fundit të ndërmarra nga Qeveria janë përgjigje të fragmentuara për sfidat fondamentale të pasigurisë energjetike dhe ndryshimeve klimatike. Shumë masa nuk janë menduar mjaftueshëm mirë, ofrojnë vlerë të dobët për paranë, dhe nuk arrijnë që t’i adresojnë pengesat ekzistuese për ta bërë ndryshimin.
Për shembull, kapërcimi i madhe te veturat elektrike ka kuptim vetëm po qe se janë të disponueshme si rrjetet karikuese ashtu edhe furnizimet e sigurta me materiale të avancuara prej të cilëve varen EV-të. Dhuratat e vogla universale të keshit janë të kushtueshme dhe nuk e adresojnë varfërinë e përqendruar afatgjatë të energjisë. Politikat për të shtuar prodhimin e energjisë nga era janë irelevante, po qe se nuk vihet në vend edhe infrastruktura për të përballuar furnizimet me energji elektrike.
Qeveritë kthejnë sytë kah zgjidhjet afatshkurtra që demonstrojnë se ata janë duke vepruar. Por politikat rezultuese jo gjithmonë janë më të lirat apo më efektivet, ndërsa shumica e tyre mund të dalin të mos jenë diçka më tepër sesa rregullime të përkohshme. Në asnjërën prej këtyre vendeve të përmendura më sipër nuk ekziston një konsensus i dakorduar rreth formësimit të politikave afatgjate energjetike.
Megjithëkëtë, trendi drejt ndërhyrjes më të madhe të Qeverisë në sektorin energjetik është i krijuar. Derisa janë zbuluar kufizime të veçanta të politikave, politikëbërësit do të përgjigjen me më shumë ndërhyrje, e jo më pak. Roli i shtetit do të duhet të zgjerohet edhe më tutje, jo vetëm për ta adresuar hendekun e investimeve që është shfaqur. Nevojiten fonde shtesë për të përmbushur kërkesat e ardhshme për të gjitha format e energjisë dhe të infrastrukturës përkatëse. Financimi i tranzicionit drejt një ekonomie me më pak karbon do të kërkonte shuma të majme.
Qeveritë pritet që të jenë burimi kryesor i kapitalit të nevojshëm, si dhe i garancive të furnizimit dhe të subvencioneve për sektorin privat. Por nëse qeveritë, shumica me financa tashmë të shtrënguara nga COVID-19, do t’i përgjigjen në mënyrë adekuate kjo është larg të qenët e sigurt. Në Mbretërinë e Bashkuar, Partia Laburiste opozitare, e cila tani avancon dukshëm përpara në sondazhe, ka premtuar që të krijojë një kompani të re në pronësi publike “Great British Energy” për ta jetësuar një sektor energjetik pa karbon deri në vitin 2030.
Asnjëra prej këtyre nuk është receta për një rezultat të përkryer. Detyra për sigurimin e një furnizimi të vazhdueshëm dhe të përballueshëm me energji është tepër e rëndësishme për t'iu lënë në dorë tregut dhe shumë komplekse për t'u marrë përsipër nga ministrat dhe burokratët. Nevojitet përfshirja e të dyjave, porse asnjëra, si e vetme, nuk është e mjaftueshme.
Logjika flet për aranzhime bashkëpunuese, nëpërmjet të cilave Qeveritë i përcaktojnë objektivat dhe standardet energjetike, ndërsa kompanitë e sektorit privat konkurrojnë për ta luajtur një hise në përmbushjen e qëllimeve të përgjithshme. Por arritja e një bashkëpunimi dhe ekuilibri të këtillë aktualisht duket të mos jetë gjë tjetër veçse një aspiratë e largët.
(Nick Butler, profesor i përkohshëm në Kolegjin Mbretëror të Londrës, është kryetari themelues i Institutit të Politikave në King’s dhe kryetar i Promus Associates. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).