Mbi artin e qeverisjes, mbi ato që e mbajnë sistemin (kryesisht gratë), të cilat paguhen më së keqi, por për këtë nuk flet asnjë politikan (janë të zënë në kacafytje verbale në studio televizive) - dhe mbi luftimin e koronavirusit në Turkmenistan.
1. Heqja e plehut si detyrë atdhetare
I urrej entet, thotë një figurë në një dramë të dramaturgut zviceran Friedrich Dürrenmatt. Kemi Ent për Financa, Ent për Ujëra, Ent për të Huaj, Ent të Punës, Ent të Ndërtimeve të Ulëta. Por kemi edhe Ent të Plehut. Avulli i ngrohtë i Entit të Plehut që avullon mbi çdo gjë në këtë vend “do të më çmend”, thotë Herkulesi, personazhi i Dürrenmattit. Entet, porosit dramaturgu, nuk duhet demoluar, por duhet të binden. Sepse “kush nuk e heq plehun, i bën dëm atdheut”. Sepse “kush dyshon në heqjen e plehut, ai dyshon në atdhe”. Sepse “të jemi të sinqertë, plehu më i madh edhe te ne nuk prodhohet nëpër stalla”. Sepse “mjelja është një art i fuqishëm, i butë”. Sepse “heqjen e plehut duhet ta paguajnë të pasurit”. Sepse “ata e bëjnë plehun më të madh”. Sepse “detyra është tepër e madhe, saqë duhet të zgjidhet një krye-pleh-heqës, duhet të hiqet plehu në mënyrë radikale. Por me atë rast rrezikohet liria. Plehu hiqet, por pastaj e kemi një krye-pleh-heqës dhe a do të arrijmë ta heqim edhe atë pastaj, kjo nuk dihet. Historia na mëson se sidomos krye-pleh-heqësit mbesin”.
2. T’i gëzohesh shtetit
“Çdo qeverisje”, vazhdon Friedrich Dürrenmatt, “duhet të plotësojë dy kërkesa, nëse dëshiron të jetë qeverisje. Duhet ta ruajë ekzistuesen dhe ta rinojë të ruajturën. Pa ruajtje dhe rinim nuk ka shtet funksional. Nuk mjafton vetëm të administrosh. E ruajtura vetëm mund të administrohet, për të rinuar duhet art i qeverisjes. (...) Politika që vonohet, mbërrin me kohë për të varrosur veten. Liria jonë nënkupton që vullnetarisht ta bëjmë të mundur të renë e domosdoshme para se të jemi të detyruar ta bëjmë. (...) Shteti është shpikje e njeriut. Këtë shpikje ne do të dimë ta përdorim si duhet vetëm nëse na pëlqen, por nëse para saj kemi vetëm respekt nga frika, atëherë s’jemi të lirë, jemi vetëm robër të saj. T’i gëzohesh shtetit, ky është hapi i parë për tejkalimin e nevojshëm të shtetit”.
3. “Mjerimi është hierarkik, smogu është demokratik”
Ndërkohë që në Kosovë mbrëmje pas mbrëmjeje, natë pas nate, ditë pas dite, pasditë pas pasdite ekziston vetëm një temë në disa variacione: kacafytje verbale mes politikanëve, luftë për pushtet, ngritje e kurtheve dhe farkëtim i intrigave, beteja në mediat sociale dhe luftëra në botën digjitale, në vende të tjera, në kohën e pandemisë, kafshimet politike kanë marrë fund dhe në opinion diskutohet për çështje esenciale.
Në numrin më të ri të “Die Zeit”, të përjavshmes gjermane nga Hamburgu, tre gazetarë kanë shkruar një analizë fantastike dhe rrëqethëse mbi atë se si kriza e koronës ka treguar se sistemin relevant të shoqërisë e mbajnë në këmbë ata që paguhen më së keqi. Edhe para se korona të kaplonte Europën, dihej se mjekët dhe virologët janë bartës të profesioneve të rëndësishme. Por, pyet Die Zeit, kush e ka menduar se të tillë janë edhe infermieret, shitëset, postierët, policët, edukatoret, shoferët e kamionëve? “Këqyre ti: domethënë elita qenka poshtë”, shkruan gazeta.
Kjo elitë paguhet keq dhe profesionet që ushtron kjo elitë dëmtojnë shëndetin. Më të rëndësishmit marrin më së paku rrogë? Si është e mundur kjo? Ata heqin bërllokun, kujdesen për të sëmurët, ruajnë fëmijët e mjekëve dhe mjekeve. “Mjerimi është hierarkik, smogu është demokratik”, ka shkruar sociologu Ulrich Beck mbi efektin e katastrofave natyrore. Domethënë: nëse je i pasur, mjerimi nuk të prekë, ndërsa smogu i godet të gjithë, pa dallim klasor. Virusi, ndërkaq, nuk është egalitar, por selektiv: më shumë ka gjasa t’i godas shitësit që punojnë në kasën e dyqanit të artikujve ushqimorë se sa inxhinierët e softuerit.
Kush i mbron të dobëtit? Përgjigjja përgjithësisht është kjo: të dobëtit. Dhe janë kryesisht gratë që punojnë në profesione që sidomos gjatë krizës së koronës janë relevante për sistemin. Në profesionet relevante të sistemit në Gjermani, 75 për qind e punonjësve janë gra. Gra që pastrojnë spitalin, qërojnë molla për fëmijë në çerdhe, ua lajnë këmbët pleqve dhe plakave. Deri më tani elitat që fitojnë shumë kanë menduar se kjo është e vetëkuptueshme: pastro dhe merr një rrogë që është e vogël për të jetuar dhe e tepërt për të vdekur. Tani po këto elita “të larta” dalin nëpër ballkone dhe u duartrokasin atyre që paguhen keq. Sepse ata kujdesen që sistemi të ecën dhe të mos kolapsojë, që në mëngjes jogurti në dyqan të jetë i freskët, qumështi po ashtu, mollët, buka e mishi. Fshij, ziej, laj, pastro, kujdesu, mirëmbaj. Kryesisht punë e grave.
Në Kosovë nuk është ndryshe. Është edhe më keq. Më tmerrshëm. Por politikanët e Kosovës nuk kanë kohë të flasin për këto tema. As mediat. Para koronës në Kosovë ishte një debat mbi punën gjatë fundjavës. Shumica e partive (të vjetra) u deklaruan kundër ndalimit të punës gjatë fundjavës. Shumica e liderëve (të vjetër) që e kanë sjellë Kosovën në këtë situatë, u sollën sikur janë mbrojtës të tregut dhe ekonomisë së lirë. Në fakt janë mbrojtës të plaçkitjes së lirë. Askush nuk foli për të drejtat e grave që punojnë në shitje. Në të gjitha partitë e Kosovës ka tepër politikanë që flasin e llomotisin për tema politike dhe jorelevante, për çështjen sociale, për barazinë, për ndarjen e drejtë të resurseve – për këtë nuk flitet. As në kohën e pandemisë.
4. Kuajt dhe korona në Turkmenistan
Diktaturat janë të plotfuqishme – kundër fjalëve. Qeveria e Turkmenistanit ka vendosur të ndalohet përdorimi i fjalës “koronavirus”, njoftojnë Reporterët pa Kufij (RSF). Mediat shtetërore nuk guxojnë ta përmendin këtë fjalë; ajo është hequr edhe nga broshurat e shpërndara në shkolla, spitale, vende të punës, njofton “Turkmenistan Chronicle” me seli në Vejnë dhe njëra ndër burimet e pakta të lajmeve të pavarura nga Turkmenistani.
Sundimtari i Turkmenistanit, Gurbanguli Berdimuhamedov, me profesion dentist, tha se koronavirusi mund të luftohet duke djegur barishte. “Me shekuj të tërë paraardhësit tanë kanë zhvilluar metoda kombëtare për të luftuar varshmëritë dhe shmangur sëmundjet e ndryshme infektive”. Turkmenistani është një vend ku kulti i personalitetit të sundimtarit kultivohet në përmasa bizare.
Gurbanguli Berdimuhamedov nuk është vetëm kryetar i Turkmenistanit, por edhe kryeministër dhe dashamir i kuajve. Kali është simbol nacional i turkmenëve. Paraardhësit e turkmenëve kalëronin me qindra kilometra në Persi, plaçkitnin dhe ktheheshin me plaçkë në vendin e tyre. Me kuaj turkmenët hidheshin në beteja dhe shpesh fitonin.
Gjatë sundimit sovjetik simbole nacionale ishin çekani dhe drapri – si çdo kund në perandorinë e kuqe. Pas pavarësimit nga Bashkimi Sovjetik turkmenët iu kthyen kalit. Kryetari i parë i Turkmenistanit të pavarur ishte Saparmurat Nijazov. Ai kishte pushtet edhe në komunizëm, ishte sekretar i parë i Partisë Komuniste të Turkmenisanit.
Kur u bë president, natyrisht me 99,5 për qind të votave, ai nga bashkëkombësit e tij quhej “Turkmenbashi”, domethënë: baba i të gjithë turkmenëve. “Turkmenbashi” i ngriti një kult të paparë vetes. Madje shkoi aq larg, saqë filloi t’ua ndryshojë emrat muajve të vitit. Një muaj mori emrin e nënës së tij, muajt tjerë emra të preferuar prej “Turkmenbashit”.
Gurbanguli Berdimuhamedov ishte dentist personal i “Turkmenbashit”. Kur “Turkmenbashi” iku nga kjo botë, Gurbanguli Berdimuhamedov u bë pasardhës i tij.
Ndoshta për shkak të profesionit Berdimuhamedovit i pëlqen shumë ngjyra e bardhë. Rrjedhimisht, në Ashgabat, kështu quhet kryeqyteti Turkmenisanit, ndërtesat duhet të lyhen vetëm me ngjyrë të bardhë dhe veturat duhet të kenë ngjyrë të bardhë.
Me absurditete nuk ia kalon gati askush Turkmenisanit. Në listat e organizatave për të drejtat e njeriut Turkmenistani është në shoqëri të afërt me Korenë e Veriut. Sa i përket lirisë së shtypit: “Reporterët pa Kufij” e kanë renditur Turkmenistanin në vendin e 178 prej 180 vendeve. Banka Botërore thekson se Turkmenistani është ndër vendet më së keqi të qeverisura në botë.
Kush e kritikon presidentin Gurbanguli Berdimuhamedov përfundon në burg – për jo më pak se 25 vjet. Facebooku, Twitteri, Skype dhe Youtube janë të bllokuara, përfshirë edhe portalet informative të botës së jashtme. Opozitë nuk ka. Ose ka, por diktatori kujdeset që të mos vërehet prania e saj. Kush klikon webfaqet e opozitës rrezikon të përfundojë në qeli.
Nëntë për qind e rezervave botërore të gazit gjenden në Turkmenistan. Ky vend nuk është i varfër. Berdimuhamedov ka ndërtuar një aeroport në vlerë prej dy miliardë dollarë. Çdo vit në prill në Turkmenistan organizohet një garë e kuajve turkmenë. Më 2013 ndodhi diçka e papritur: Berdimuhamedov mori pjesë në garë, para cakut kalëruesit e tjerë ia lëshuan rrugën që ai të mbërrijë i pari në cak. Diktatori u gëzua dhe lëshoi frerët. Kali u rrëzua dhe diktatori përfundoi në rërë. Në internet ekziston një video që tregon këtë rrëzim. Kush e shikon në Turkmenistan - shkon në burg.