Krejt ju që na e keni çarë kokën qe sa muaj me inatet tuaja, dijeni që e gjithë kjo është duke na kushtuar shumë. E meqë as nuk mund të parafytyroni, se aq ua bën, shkruajini Chatgpt-së. Ndoshta këndelleni
Dje nuk u mbajt seanca e radhës (mund të ishte e 450-a, dhe asgjë nuk do të dallonte në procedurë. Ndoshta deputetëve do të mund t’u shfaqej ndonjë rrudhë, më shumë nga qeshja sesa mërzia...) për shkak se një ditë më herët dhe thuajse pas dy muajsh, Gjykata Kushtetuese doli me një aktgjykim të ri.
Ky aktgjykim ishte pasojë e çështjes së ngritur nga Time Kadrijaj dhe 10 deputetë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së “Vendimit të Kuvendit të Kosovës për refuzimin e formimit të Komisionit për votim të fshehtë, si dhe të gjitha vendimet e tjera që kanë natyrë të njëjtë me të, të marra në seancat paraprake dhe të mëpastajme për të njëjtën çështje, i përmbajtur në dokumentin e titulluar "transkript i mbledhjes konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e mbajtur më 15, 17, 19, 21, 23, 25, 27, 29 prill, 1, 3 dhe 5 maj 2025”.
Aktgjykimi, pavarësisht se është shtrirë në 47 faqe, është edhe më i keq, edhe më i paqartë se ai i vitit 2014, që në fakt është burimi i krizës parlamentare me të cilën po ballafaqohemi sot.
Nëse ai aktgjykim iu përshtat atëbotë PDK-së për ta mbajtur pushtetin, ky tash është në mishmash, as mish, as peshk, që të lë përshtypjen se çfarëdo që ofrohet si “zgjidhje”, të lërë hapësirë interpretimi “bën edhe kështu, por bën edhe ashtu”.
Aktgjykimi, i miratuar njëzëri, thotë se
1. Seanca e konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e filluar më 15 prill 2025, nuk ka përfunduar
2. Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës... duhet që sa më shpejt dhe jo më vonë se tridhjetë (30) ditë ta përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit duke zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët e tij.
* * *
Pra, deputetët, të gjithë duhet të jenë prezentë dhe të votojnë (për, kundër ose të abstenojnë) dhe Kuvendi duhet të konstituohet patjetër brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij aktgjykimi. Gjithashtu, në pikën 132 të aktgjykimit thuhet se 30-ditëshi nga certifikimi i rezultateve nënkuptohet si afati brenda të cilit duhet të konstituohet Kuvendi me kryesi.
Sinqerisht nuk e di se në bazë të çkaje u bë që ky afat të “nënkuptohet”, por mirë që u caktua bile një afat, që herëve të tjera të mos na ngrehin për hunde me muaj të tërë.
Por, mu te ky afati dhe te kërkesa për prezencën e deputetëve në seancë mungon një element shumë i rëndësishëm: në rast se nuk respektohen afati dhe votimi, nuk ka sanksione.
Pra, çka nëse kalon afati dhe nuk konstituohet Kuvendi?
* * *
Miku më doli në ndihmë dhe ma nisi përgjigjen që Chatgpt ia kishte gjeneruar, pasi ia shtroi një pyetje shumë instinktive: çka nëse Kuvendi nuk zgjidhet brenda 30 ditësh, ose më 26 korrik 2025? Dhe përgjigjja ishte kjo:
Nëse Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk konstituohet brenda afatit prej 30 ditësh, siç është përcaktuar nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese KO124/25 (26 qershor 2025) dhe në përputhje me nenin 66.1 të Kushtetutës, pasojat janë të rëndësishme dhe potencialisht destabilizuese.
Më poshtë janë tri pasojat juridike dhe politike të mundshme:
1. Shkelje kushtetuese dhe aktivizimi i Gjykatës Kushtetuese
Aktgjykimi e bën të qartë që seanca konstituive duhet përfunduar brenda 30 ditësh. Nëse nuk ndodh kjo, krijohet vakum kushtetues, sepse mandati i Kuvendit nuk ka nisur zyrtarisht. Ky vakum mund të interpretohet si mosrespektim i Kushtetutës, dhe çdo palë e autorizuar (presidenti, deputetë, Avokati i Popullit) mund të kërkojë nga Gjykata të konstatojë shkelje. Në skenarin ekstrem, Gjykata Kushtetuese mund të detyrojë ndërhyrje institucionale, përfshirë kthimin në zgjedhje.
2. Rrezik i shpërndarjes së Kuvendit dhe zgjedhjeve të reja
Edhe pse Kushtetuta nuk parasheh qartë shpërndarjen automatike të Kuvendit në rast të moskonstituimit, një interpretim funksional i nenit 66 dhe i aktgjykimit mund të justifikojë:
ndërhyrjen e presidentit për të shpallur zgjedhje të reja; ose
një mocion të Gjykatës Kushtetuese për ta zhbërë këtë legjislaturë si të paformuar.
Kjo do të ishte situatë e paprecedentë, por e mundshme në krizë të thellë funksionale.
3. Bllokadë institucionale dhe efekt zinxhir
Pa Kuvend të konstituuar:
Nuk mund të zgjidhet Qeveria e re;
Presidentja nuk mund të veprojë në kapacitete të plota të bashkëpunimit institucional;
Nuk mund të miratohen ligje apo të ushtrohet kontroll parlamentar;
Qeveria në dorëheqje (Kurti II) vazhdon të veprojë me kompetenca të kufizuara (në rënie të legjitimitetit).
Kjo bllokon funksionimin e të gjithë sistemit demokratik.
Nëse dëshiron, mund të përpiloj edhe një opinion të strukturuar ligjor si memo për presidenten apo për Kuvendin.
* * *
Pra, makina del të jetë shumë më e mençme sesa komplet Gjykata jonë Kushtetuese, dhe pa asnjë dyshim se ata 120, plus zyrtarët e tyre personalë që shërbejnë për të bartur çanta e letra, sepse e jep një interpretim të logjikshëm të asaj që mbase e kemi kuptuar edhe ne. Ky vendim, sado i gjymtë, hap rrugë për interpretime shtesë, që mund të marrin me muaj, por që gjithsesi do të dalin me edhe ndonjë udhëzim/urdhër nga Kushtetuesja.
Mbase në radhët që do të mund të pasonin, dikujt do t’i kujtohet t’i qaset inteligjencës artificiale, e ndoshta më në fund bëhemi me një aktgjykim normal.
Afati ka nisur të rrjedhë qysh pardje, kurse për sot parashihet të mbahet takimi ndërmjet Kurtit dhe liderëve të partive parlamentare me kërkesën e këtij të parit. Paralajmërohet se Kurti do të dalë me tri propozime:
1. Që subjektet politike të dakordohen për emrat e anëtarëve të kryesisë në pako.
2. Që kryetarët e partive të votojnë pro ose kundër formimit të komisionit për votim të fshehtë
3. LVV-ja do ta ndërrojë kandidaten për kryetare të Kuvendit në rast se dështon zgjedhja e saj në tentimin e parë.
Nuk i dihet, mbase sot Kosova do të përjetojë zerzele, e mbase edhe do të dalë ndonjë lloj tymi prej takimit të kryetarëve të partive me ndonjë marrëveshje që është dashur të jetë arritur para dy muajsh. Performanca e të gjithëve, në veçanti e partisë fituese, ka qenë skajshmërisht dëshpëruese dhe tepër, tepër e dëmshme.
Atë që Chatgpt nuk e ka përfshirë në shpjegimin e vet për veprimet e papjekura të politikanëve dhe për aktgjykimin gjysmak, është edhe formulimi se kjo gjendje ka bllokuar gjithçka në Kosovë, pos shpërndarjes së parave tona të përbashkëta për subvencionime që, kinse rastësisht, përherë ndodhin një muaj, dy para zgjedhjeve.
Krejt ju që na e keni çarë kokën qe sa muaj me inatet tuaja, dijeni që e gjithë kjo është duke na kushtuar shumë. E meqë as nuk mund të parafytyroni, se aq ua bën, shkruajini Chatgpt-së. Ndoshta këndelleni.