Roberto Saviano, autori i njohur i veprave kundër mafisë, përleshet në mënyrë verbale me ministrin italian Matteo Salvini. Ky i fundit ka parashikuar fundin e Evropës. Së shpejti.
Roberto Saviano ka shkruar disa libra kundër mafies italiane. Pas hulumtimeve shumëvjeçare ai ka zbuluar shumë vepra të paligjshme të grupeve mafioze të Italisë jugore dhe lidhjeve të tyre me politikën lokale dhe kombëtare, si dhe me bandat ndërkombëtare, mes tyre edhe me mafien shqiptare. Që nga publikimi i librit të tij “Gomorrha. Një udhëtim në perandorinë e Commorras” Saviano është nën mbrojtje të shtetit, sepse kërcënimet nga mafia kanë qenë serioze. Comorra, mafia e Italisë jugore, është aktive në tregtinë ndërkombëtare të drogës, ajo merret me biznesin e bërllokut me substanca helmi, ka monopol në prodhimin e çimentos, prodhon dhe shet tekstil. Lidhjet e Commorras shtrihen deri në Gjermani, Skoci, Kinë, Zvicër, Shqipëri. Libri i Roberto Savianos pati shpërthyer si bombë në opinionin italian kur u botua. Çmimi që pagoi autori ishte i lartë: ai duhet të jetojë në anonimitet dhe të mbrohet nga shteti. Saviano ka vazhduar luftën e tij kundër mafies, me shkrime, projekte sociale, referate, intervista etj.
Që nga ardhja në pushtet e Qeverisë së re të përbërë nga demagogët e Cinque Stelle dhe partisë së djathtë radikale Lega në Itali po fryn një stuhi e re dhe e ashpër politike. Shefi i Legas, Matteo Salvini, është një politikan tepër agresiv, adhurues i Vladimir Putinit, kundërshtar i pranimit të refugjatëve, urrejtës i Bashkimi Evropian dhe sidomos i kancelares gjermane, Angela Merkel. Në Qeverinë italiane Salvini është ministër i Brendshëm. Si i tillë ai ka ndaluar ankorimin e një anijeje me refugjatë në portet italiane. Kur u kritikua për këtë nga Emmanuel Macroni, Salvini u kundërpërgjigj në stilin e Donald Trumpit dhe e quajti presidentin francez: “pallavraxhi”. Tani Salvini ka paralajmëruar se do t’ia heqë mbrojtjen e afërt Roberto Savianos me arsyetimin se po kalon tepër kohë në botën e jashtme. Saviano u përgjigj menjëherë – me një intervistë në “Corriere della Sera”. Ai u ankua për atmosferën e neveritshme në Itali nën Qeverinë e re. “Dje qenë emigrantët, sot unë dhe nesër e ke radhën ti”. Në një video në Facebook Saviano e quajti Salvinin “ministër të nëntokës” dhe “idiot”. Saviano nuk e la me kaq: tha se ishte i lumtur që është njëri nga armiqtë e tij.
Përveç betejës verbale kundër shkrimtarit Saviano, radikali i djathtë Matteo Salvini i ka shpallur luftë edhe Evropës. Në një intervistë me revistën gjermane “Der Spiegel” Salvini bëri disa paralajmërime dramatike. Ai tha se brenda një viti “do të vendoset nëse do të ekzistojë Evropa e bashkuar apo jo”. Sipas tij, do të shihet nëse e gjithë kjo është bërë e pakuptimtë kur të zhvillohen negociatat për buxhetin e ri të Bashkimit Evropian dhe në prag të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian më 2019.
Sa i përket kërkesës së kancelares gjermane, Angela Merkel, që Italia të pranojë ata refugjatë që i ka regjistruar me rastin e arritjes në këtë vend dhe të cilët kanë shkuar në Gjermani, Salvini ishte këmbëngulës: “Nuk mund të pranojmë asnjë. Përkundrazi: duam t’i dorëzojmë disa”. “Der Spiegel” e pyeti Salvinin nëse është i vetëdijshëm se me politikën e tij mund të ndikojë në rrëzimin e kancelares gjermane, Angela Merkel. Ministri i Brendshëm italian tha se e dinte këtë, por edhe ashtu politikisht qëndrimet e tij me ato të kancelares gjermane janë të largëta sa u përket politikave ekonomike, reformës së bankave dhe suficitin tregtar gjerman.
Një gjë nuk mund të mohohet: në krizën e refugjatëve Italia është lënë pothuaj vetëm. Sidomos vendet e Evropës Lindore si Hungaria, Çekia, Sllovakia dhe Polonia nuk janë treguar solidare. Por me gjithë mungesën e solidaritetit, asgjë nuk e arsyeton gjuhën e Matteo Salvinit ndaj refugjatëve, të cilët i quan “një ngarkesë mish njeriu”.
Kjo gjuhë fashiste po bëhet gjithnjë e më e popullarizuar në Evropë. Në Evropën Perëndimore, e cila ishte mbrojtëse e vlerave dhe strehë e sigurt për njerëz të përndjekur nga regjimet diktatoriale. Nëse një ministër italian mund të thotë se refugjatët janë “një ngarkesë mish njeriu” dhe kjo nuk ka asnjë konsekuencë për të, atëherë situata është dramatike. Por ky përshkallëzim jo vetëm gjuhësor nuk vjen papritur. Para disa vitesh një politikan gjerman i partisë së djathtë radikale AfD tha se Jérôme Boateng është futbollist i mirë, por askush nuk do të donte ta kishte fqinj. Boateng është, mund ta merrni me mend, lojtar me ngjyrë, siç thuhet politikisht korrekt. Por, jo aq shumë me ngjyrë, sepse nënën e ka gjermane, babanë ganez. Boateng është lindur në Berlin, jo në Ganë. Para disa ditësh një deputete austriake me origjinë boshnjake po fliste në Parlamentin e Austrisë për një skandal në administratë. Befas një koleg i saj tha: “Nuk jemi në Bosnjë këtu”. Reduktimi i çdokujt në prejardhje, në etni – një metodë perfide e së djathtës evropiane, e cila sapo e ka filluar marshin e madh. Nga ky marsh shumë vlera do të varrosen. Matteo Salvini është njëri nga këta varrmihës të Evropës.