OpEd

Sherr i vetes

Shitja e biletave të futbollit janë përshkruesi më i mirë i shtetit tonë. Prerogativa ligjore e një institucioni bartet te një operator privat pa fije nevoje. Tollovia që krijohet ndodh, sepse logjika thotë se asnjë send nuk mund ta kryesh në këtë vend nëse nuk e ke dike të njohshëm apo nëse nuk ofron diçka për diçka. Krejt ajo që duhet të jetë e bardhë patjetër duhet të shkojë në të zezën, sepse përfitimi është më i madh. Dhe për gjithçka që ndodh, bëjmë zhurmë tri ditë rresht dhe më pas e harrojmë, thuajse asgjë, dhe e presim rastin e ardhshëm për të kaluar nëpër të njëjtën përvojë

Stadiumi qe, megjithatë, jo i mbushur plot, edhe pse biletat zyrtarisht u shitën krejt. Shumë shtyrje, ca rrahje e ca arrestime ndodhën gjatë javës që nga çasti kur biletat për ndeshjen e Kosovës kundër Maltës dolën në shitje. Në një situatë kaotike e krijuar pa asnjë nevojë, sërish dëshmuam se nuk kemi as disiplinë, e as rend, e as kulturë, madje edhe kur rreshtohemi për të blerë diçka.

Pamjet e xhiruara më kthyen në të '90-at e shekullit të shkuar, kur prisnim për të blerë bukë e qumësht në kohën e sanksioneve ekonomike. Thuajse më kot dilnim nga ora 3:00 e mëngjesit për ta zënë rendin për bukën që do të mbërrinte nga ora 6:00. Patjetër do të gjendeshin jo pak mujsharë, do të futeshin pa rend, me dhunë dhe pa pyetur, për shkak se shitësin e kishin "të njofshëm" dhe do të mundë t'i merrnin më shumë se dy bukë e dy qese qumështi të Fushë-Kosovës. Më kot do të ankoheshim -- të vetmen gjë që e arrinte fesati ishte të na linte pa bukë.

Kështu, njësoj, mungesa e kohës për të pritur në rend dhe, çka është më me rëndësi, edhe nerva pak për t'u shtyrë e ballafaquar me mujsharët që i blejnë nga 100 bileta, shumëkënd e la pa to sërish. Pa kënaqësinë për të shkuar në stadium e për ta shikuar e shijuar fitoren e Kosovës.

Zgjidhja për këtë problem është e thjeshtë, vetëm po të kishte pak vullnet: shitja online dhe e kufizuar e biletave do t'ua jepte mundësinë të gjithëve që të bëheshin me nga një a dy bileta, e jo që ato të detyroheshin t'i blinin në tregun e zi.

Nuk e di a ekziston një vullnet i këtillë, dhe fare nuk jam e sigurt po qe se ne madje e kuptojmë se çfarë do të thotë zgjidhje e thjeshtë. Me gjasë jo.

PDK-ja në fushatë

Një nga zgjidhjet më të thjeshta që do t'i jepnin frymë Kosovës do të ishte rënia e PDK-së nga pushteti.

Nuk e di nëse mu frika nga kjo ndodhi e mundshme është ajo që e bëri shefin nominal të PDK-së t'i niste zgjedhjet e brendshme partiake -- pa dyshim, një shenjë paralajmëruese që zgjedhjet mund të ndodhin në çastin që PDK-ja do ta dinte se tashmë makinerinë e zgjedhjeve e ka të gatshme për vjedhjen tradicionale industriale.

Deklarata e Veselit që dëgjohet për herë të dytë në një kohë shumë të shkurtër, se "Po qe se ndalet PDK-ja, ndalet Kosova", nuk ka se si ndryshe të interpretohet si frikë nga humbja, apo siç do të thoshin jo pak, edhe kërcënim për Kosovën.

E në fakt, zgjidhja më e thjeshtë për Kosovën do të ishte që PDK-ja të ndalej, ngase kështu përfundimisht do të niste kthjellimi i Kosovës. Ngase kështu Kosova do të ndalej së qeni ky shtet i pakryer, i varfër, i paperspektivë -- pra shtet në gjendjen në të cilën e ka katandisur mu PDK-ja me kequdhëheqjen e saj mbi njëdekadëshe.

Pos atyre që ia kanë parë hairin PDK-së dhe krejt dallavereve që kjo parti i ka krijuar e zbatuar në praktikë, e besoj se shumë njerëz në Kosovë do t'i gëzoheshin rënies së PDK-së nga pushteti. Kjo do të shënonte fillimin e fundit të sundimit të kumandantave që këtij vendi ia morën gati edhe shpirtin. Do ta shënonte edhe çastin e fundit kur PDK-ja do të duhej të niste të reformohej për t'u shndërruar në parti politike përnjëmend. Natyrisht, nëse do të mbijetonte.

LDK-ja dhe lufta me FB

E partia më e vjetër, e cila ende beson se është e vetmja parti përnjëmend në Kosovë, LDK-ja, e vazhdon luftën e vet politike me statusat e Isa Mustafës në FB. Shumë e arsyeshme mungesa e tij publike, sidoqoftë, aktivitet i pamjaftueshëm dhe shumë i vakët me kërkesa për të cilat nuk ka fuqi që vetë t'i shtyjë përpara.

Nuk ka javë që qoftë Mustafa, qoftë Hoti nuk e përsërisin nevojën për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme, për shkak se shteti është në bllokadë, dhe asnjë send nuk po ecën si duhet, pos që kohë pas kohe kontrabandohen ca ligje nëpër komisione.

Se sa të paefektshme janë institucionet e dëshmon fakti se Haradinaj e ka emëruar edhe një zëvendësministër, natyrisht për kot, kurse Kuvendi ka caktuar seancë për të hënën me madje 44 pika të rendit të ditës..., të cilat po të ishin 44 bonbone do të merrnin goxha kohë për t'u përtypur, e lëre më të debatohen...

Gjasat janë që sërish nuk do të ketë kuorum për t'i kaluar pikat e caktuara e për të mbërritur deri te pika 10 që flet për Ministrinë e Mbrojtjes..., hiç nuk po jam e sigurt se kjo nuk do të jetë edhe një shëtitje e organizuar e deputetëve nëpër korridoret dhe kafiterinë e Kuvendit dhe hiç nuk do ta kuptoja se përse e maltretojnë krejt një popull në këtë formë, po të mos ishin mëditjet që i marrin për "gjithë këtë punë që po e bëjnë"...

Nëse LDK-ja e ka përnjëmend për punën e zgjedhjeve, atëherë do të duhej të orientohej t'i gjente votat e munguara për mocionin te minoritetet joserbe, të cilat në cilindo variant dhe me cilindo koalicion janë përherë pjesë e ekzekutivit. Një plan i menduar mirë dhe ofertë e logjikshme për ta do të ishte çelësi drejt arritjes së qëllimit. E nëse përsëritja e fjalës "zgjedhje", sikur të ishte një gogol, vazhdon, kjo do ta devalvojë edhe më këtë mundësi për të dalë nga kriza politike.

Hasi sharra në dialog

E krizën më të re politike, natyrisht, e krijoi Thaçi. Nuk ka ditë që nuk na e përsërit punën e Luginës, dhe nuk po lë rast pa deklaruar se si në dialogun me Serbinë duhet mençuri e shkathtësi -- duke u përpjekur kështu ta degradojë Haradinajn, i cili po i thotë se puna e kufijve ka mbaruar.

Dhe kur e thotë këtë, pavetëdijshëm, në fakt zbulon se në dialog me Serbinë këtij pikërisht i kanë munguar dhe vazhdojnë t'i mungojnë mençuria dhe shkathtësia -- sepse po t'i kishte pasur që të dyja, kurrë nuk e kishte nënshkruar marrëveshjen për Zajednicën. Rrafshin e tretë të pushtetit e inauguroi ai, në atë copë letre pa logo e pa asnjë send, me nënshkrimin krahas nënshkrimeve të dostave të tij Daçiq e Ashton.

Po të kishte mençuri e shkathtësi, do t'i bënte bashkë partitë politike të Kosovës për t’i ndërtuar një platformë e një ekip gjithëpërfshirës për ta mbrojtur interesin e Kosovës, e nuk do të luante lojëra të rrezikshme për ta vonuar veprimin e Gjykatës Speciale.

Në vend të kësaj, e krijoi një kaos të përgjithshëm politik -- ku vetëm ai mbetet i paprekur, sepse nuk ka kush ta marrë në përgjegjësi për krejt gjërat që i ndërmerr kokë më vete. Kështu tash, LDK-ja thotë s'do që të jetë pjesë e ekipit; VV-ja njësoj; PDK-ja thotë s'ka ndryshim kufijsh, porse disonanca brenda thotë: le të formohet ekipi, por atë le ta kryesojë Thaçi; AAK-ja thotë ne nuk duam të merremi me dialogun, ekipin le ta udhëheqë Limaj; NISMA thotë, Limaj njeriu i duhur për negociata; PSD-ja thotë se propozimet për platformë nuk kanë kuptim se përmbajtja nuk ka edhe proces në Kuvend, ku debatohet, ndërtohet konsensusi e më pas edhe votohet, bashkë me ekipin; Alternativa thotë shkojmë në zgjedhje, kurse partitë minoritare heshtin.

E kujt i konvenon krejt ky kaos, pra? Atij që e ka krijuar -- që të vazhdojë të faktorizohet dhe të futet edhe në ndonjë tjetër "marrëveshje historike" që do të na lërë edhe pa një copë territori. E këtij i konvenon edhe rënia e Qeverisë, para se Kuvendi t'ia dalë të votojë çfarëdo qoftë në lidhje me dialogun. Nga ana tjetër, edhe po të votonte Kuvendi, zor se Thaçi do të ishte mërzitur ta respektonte ndonjë rezolutë eventuale. Kjo ngase Parlamenti ynë ka thyer rekord sa u përket rezolutave që nuk zbatohen kurrë, as nga Qeveria e as nga kryetari. Porse me rrëzimin e Qeverisë do ta eliminonte një copë letër që do të mundë ta çonte dikur në Kushtetuese dhe njëkohësisht do të dëshmonte se kush e mban pushtetin në këtë vend.

* * *

Rrëfimi me biletat për futboll mbase është përshkruesi më i mirë i shtetit tonë. Një prerogativë ligjore e një institucioni bartet te një operator privat pa fije nevoje. Tollovia që krijohet është për shkak se logjika e veprimit te ne është se asnjë send nuk mund ta kryesh në këtë vend nëse nuk e ke dike të njohshëm apo nëse nuk ofron diçka për diçka. Krejt ajo që mund të kryhet në formë ligjore, patjetër duhet të shkojë në të zezën, sepse përfitimi është më i madh. Kur ne vetë nuk mundemi me dalë prej telasheve, duhet të vijë dikush nga jashtë për të na shpëtuar, qoftë edhe me gaz lotsjellës e me sprej piperi. Dhe për gjithçka që ndodh në një çast bëjmë zhurmë tri ditë me radhë, dhe më pas e harrojmë këtë punë, thuajse asgjë nuk ndodhi, dhe e presim rastin e ardhshëm për të kaluar nëpër të njëjtën përvojë.

E keqja e gjithë këtij rrëfimi është përsëritja e historisë dhe fakti se nuk po mësojmë asgjë nga të këqijat që i përjetojmë.

Sa herë që ramë në krizë shkuam në zgjedhje, për t'u futur në krizë edhe më të thellë. Dhe tash e gjejmë veten në krizën më të keqe që nga koha e luftës, e cila sërish do të përfundojë me zgjedhje - dhe me gjasë do të jenë të parakohshme sërish.

Herën e shkuar inatet dhe ambiciet personale nuk e mundësuan krijimin e një qeverie që do ta linte PDK-në në opozitë. Opozita jo vetëm që ia bëri sherrin vetes, por na mori në qafë të gjithëve -- sepse pavarësisht të gjithave, me siguri nuk do të na kishte sjellë në pikën kur i humbim kohën dhe nervat duke debatuar me muaj për ëndrrat e çoroditura të njeriut që beson se është mbret i Kosovës.

Nëse opozita e ka përnjëmend për zgjedhje, atëherë le ta mendojë mirë se si ta ndalë PDK-në që ta ndalë Kosovën nga rënia e mëtejme në fund të pusit.

[email protected]