Falë sistemit zgjedhor të kontestuar vetëm me fjalë dhe aty-këtu ndonjë ankesë, deputetët nuk zgjidhen për t'i përfaqësuar qytetarët e as komunat prej nga vijnë. Zgjidhen për shkak se thjesht i takojnë një subjekti politik, dhe falë rrethanës lehtësuese se i kanë punët mirë me përpiluesit e listave nëpër parti. Në vend se të punojnë për popullin, përfaqësues të të cilëve janë, punojnë për vete dhe për shefat e tyre, cilët do qofshin ata
Pse askush s'e bën hesap Kuvendin e Kosovës? Prej një mori përgjigjesh që do të mundë të listoheshin, më e logjikshmja tingëllon kjo: sepse kështu më së lehti realizohen krejt agjendat e të gjithë atyre që duan t'ia nxjerrin edhe yndyrën e fundit kësaj Kosove.
Se Kuvendi i Kosovës prej kohësh e ka humbur krejt autoritetin duke u shndërruar në një cirk, i cili nuk ka herë që nuk përfundon në ooopsin e Xhemës, këtë e kemi kuptuar moti. Prej institucionit që dikur u jepte imunitet të akuzuarve edhe për krime lufte, që u jepte pagë dhe fuqi politike njerëzve të paartikuluar dhe që shërbente për strofull të militantëve partiakë që duhej rehatuar, Kuvendi sot është shndërruar thjesht në një servis për realizimin e dëshirave dhe synimeve të partive.
Falë sistemit zgjedhor të kontestuar vetëm me fjalë dhe aty-këtu ndonjë ankesë, deputetët nuk zgjidhen për t'i përfaqësuar qytetarët e as komunat prej nga vijnë. Zgjidhen për shkak se thjesht i takojnë një subjekti politik, dhe falë rrethanës lehtësuese se i kanë punët mirë me përpiluesit e listave nëpër parti. Dhe përderisa do të mundë të thuhej se disa nga deputetët në të gjitha legjislaturat e kanë merituar madje edhe të quhen të tillë, në të shumtën do të konkludojmë se në fakt ata janë një dëshpërim i madh. Në vend se të punojnë për popullin, përfaqësues të të cilëve janë, punojnë për vete dhe për shefat e tyre, cilët do qofshin ata.
* * *
Kosova e pasluftës ka Kuvend që nga 2001-a dhe ka funksionuar me një rregullore që ka pësuar ndryshime, porse që nuk ka zgjidhur një pjesë të madhe të problemeve që praktika parlamentare i ka qitur në sipërfaqe, kryesisht për të keq. E se rregullorja e re nuk miratohet nga legjislatura e tanishme, tregon se as vetë deputetët nuk janë të interesuar për ta futur veten në rend.
Mungesat kronike të deputetëve, që vijnë e nënshkruhen për të marrë mëditje, por nuk marrin pjesë në seanca, tashmë janë modë që replikohet prej legjislature në legjislaturë. Kurse moda e re është qëndrimi në sallë, por mospërdorimi i kartelës për votim duke e gjymtuar votimin qëllimisht. Por kjo assesi nuk i ndalon deputetët që të marrin rreth 1700 euro në muaj për rroga dhe për pjesëmarrje në seanca plenare e komisione (sic!), plus të marrin para në emër të shujtës dhe shpenzimeve të rrugës. Të mos flasim për udhëtime zyrtare jashtë vendit, për telefoninë mobile dhe reprezentacionin.
Nuk ka pasur Raport të Progresit në të cilin Kuvendi të ketë kaluar me notë pozitive. As ky i fundit pra nuk ka qenë përjashtim. Kuvendi është kritikuar për mosefikasitet; për përpjekjen që ta zhbëjë Ligjin për Gjykatën Speciale; për përzierjen në gjyqësor kur debaton për vendime të plotfuqishme gjyqësore; për mosrealizimin e planit legjislativ (që nga 2015-a, kurrë më shumë se 36% s'ka mundur të realizohet); për mbikëqyrjen e dobët të ekzekutivit (interpelanca të vonuara dhe pyetje që mbesin pa përgjigje); për kaosin e krijuar nga agjencitë e pavarura që i ka themeluar vetë (nja 30 a më shumë) dhe që i ka themeluar Qeveria (nja 45 a më shumë), etj., etj.
* * *
Sikur mospërfillja që ia bëjnë deputetët të mos mjaftonte, valles i bashkohet edhe Qeveria. Ndërhyrja e drejtpërdrejtë e ekzekutivit në kompetencat e Kuvendit është trend i cili vazhdon. Qeveria e tanishme ndërhyri madje katër herë për një kohë të shkurtër: vendosi t'i falte borxhet e ambalazhuesve të ujit, për të cilën është dashur leja e Kuvendit; i shkarkoi tre anëtarët e Bordit të KOSTT-it, ani që aksionar i këtij të fundit është Republika nëpërmjet Kuvendit; ia ndaloi AKP-së shitjen e tokave, edhe pse agjencia e privatizimit është nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të Kuvendit, dhe, pa dijeninë e Kuvendit u shkarkua Bordi i Agjencisë së Akreditimit dhe na qitën prej EQAR-it.
Po çfarë bëri Kuvendi?
Kryesisht asgjë, pos thirrjes së interpelancave të vonuara që mbetën pa përgjigje, ose që mbetën pezull për ndonjë çast më të përshtatshëm kur nuk do të ketë për çfarë të diskutohet. E në fund, kur afatet e caktuara nga palët e treta na e qitën lakun në fyt, i votoi anëtarët e rinj të po këtyre bordeve -- gjithsesi jo sipas meritës, por sipas simpatisë partiake.
Por kjo shpërfillje bëhet edhe më serioze kur bëhet fjalë për "temat e mëdha". Kuvendi pothuajse kurrë nuk u bë arenë e konsultimit, e lëre më të konsensusit nacional kur bëhet fjalë për çështjet si demarkacioni me Malin e Zi apo edhe më keq, dialogu "teknik" në Bruksel. Te të dyja rastet Kuvendi u soll para aktit të kryer: demarkacionin tashmë të nënshkruar duhej ratifikuar ose jo; kurse te Brukseli u detyrua ta votonte një rezolutë pasi që kishin nisur negociatat pa autorizimin e Kuvendit. Pavarësisht rezolutës, Kuvendi vazhdon të shpërfillet për çështjen e dialogut, për shkak se askush nuk raporton te asnjë komision e lëre më në seancë plenare. Dhe për më keq, askush nuk e di nëse ka marrëveshje të tjera, në formë aneksi, që përfliten se ekzistojnë, por që askush nuk i ka parë.
* * *
Kushtetuta dhe ligjet, përkatësisht zbatimi i tyre, është punë që duhet të mbikëqyret nga Kuvendi. Nga ajo që e jetojmë sot, po e shohim se edhe ligjshmëria te ne është punë që bëhet sipas tekave të shefave politikë.
Deputetët, të cilët sipas përkufizimit kushtetues janë të pavarur dhe do të duhej të vepronin në bazë të ndërgjegjes së tyre, me shumë pak përjashtime, në fakt janë robotë votues. Pavarësisht parimeve dhe etikës, vota e tyre është e interesit të ngushtë partiak -- aq sa më së miri e dëshmojnë të gjitha koalicionet e panatyrshme që janë fuqizuar falë votave në po këtë Kuvend.
Dhe përderisa nuk kuptohet fuqia e parlamentarizmit ku duhet të ketë opozitë të fortë e të bashkuar për ta luftuar të keqen dhe joparimoren nga shumica udhëheqëse, institucioni i Kuvendit do të vazhdojë të jetë ky që është: shtëpia e popullit ku populli është i pazë dhe ku shërben thjesht si ornament qaty diku në një qoshe.
Sepse rolin e popullit e kanë rrëmbyer bosët e partive të ndihmuar nga militantët e uritur për para e pushtet që u vrapojnë pas. E që kjo të duket legale, nuk ka më mirë se një Kuvend që nuk do që ta shfrytëzojë fuqinë që e ka.