Prej kohësh, por në veçanti kohëve të fundit, liderë evropianë kanë folur me fanfarë për nevojën e autonomisë strategjike të BE-së. Tani Draghi dhe buxheti i ardhshëm shtatëvjeçar ua japin mundësinë që këtë vizion të bëjnë realitet
Që nga koha e Jacque Delorsit, askush nuk e ka personifikuar më mirë idenë evropiane sesa figura e ish-guvernatorit të Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi. Në veçanti, roli i tij kyç në shpëtimin e euros gjatë krizës financiare evropiane e ka lartësuar atë në piedestalin e titanëve të kohës moderne evropiane. Për kontributin e tij për projektin evropian, ai është nderuar nga liderët më të mëdhenj evropianë dhe është shpërblyer me çmime prestigjioze evropiane. Gazetat, si “Forbes” dhe “Times”, vazhdojnë ta përfshijnë në listat e figurave më të pushtetshme në botë. Për arritjet e tij të jashtëzakonshme, ai madje e fitoi edhe një nofkë: “Super Mario”.
Pas përfundimit të mandatit në krye të Bankës Qendrore Evropiane dhe tanimë 72 vjeç, Draghi ka shpresuar se tani më në fund do të këtë një pensionim të qetë. Kur u pyet në konferencën e fundit dhe lamtumirëse të tij për media se çfarë planesh ka për të ardhmen, ai u përgjigj: “Nuk e di, duhet të pyesni bashkëshorten time”.
Por fati pati plane të tjera për Draghin. Në mesin e pandemisë COVID-19, Qeveria italiane e udhëhequr nga Giuseppe Conte do të bjerë. Polarizimet e mëdha politike do ta pamundësojnë dakordimin për qeverinë e re dhe për kryeministrin e ri italian. Nga ana tjetër, zgjedhjet e jashtëzakonshme të përgjithshme në mes të një pandemie ishin opsion i padëshirueshëm për popullin italian. Në gjithë këtë mes, presidenti italian, Sergio Mattarella, dhe i gjithë spektri politik italian do të dakordohen se personi i vetëm që mund ta nxjerrë Italinë nga kriza është Mario Draghi. Kësisoj Draghi përsëri do të kthehet në jetën publike.
Ndonëse mandati i tij do të zgjatë një vit e gjysmë, ai do ta nxjerrë Italinë nga kriza e thellë politike dhe ekonomike, si dhe do ta sigurojë pakon më të madhe financiare evropiane për rimëkëmbjen e Italisë, në vlerë prej 191 miliardë eurosh. Por kjo nuk ishte e mjaftueshme për Draghin. Ai dëshironte ta kthente krizën momentale në një mundësi të jashtëzakonshme për zbatimin e reformave të thella ekonomike. Si pasojë e reformave të tij, disa nga partitë populiste politike do ta tërhiqnin mbështetjen për qeverinë Draghi dhe si pasojë ai do ta dorëzojë dorëheqjen e tij. Por qëllimi i tij ishte përmbushur - Italia e evitoi krizën ekonomike dhe rruga ishte tani e hapur për zgjedhjet e reja të përgjithshme.
Pas shërbimit të tij si kryeministër i Italisë, Draghi përsëri shpresoi se tani mund ta shijojë pensionimin e tij. Por, kur së fundi Evropa u sfidua nga pushtimi rus i Ukrainës, kriza energjetike dhe ngadalësimi kronik ekonomik, liderët evropianë u kthyen përsëri te Draghi për këshillë dhe lidership. Ai u mandatua nga BE-ja që ta përgatisë një udhërrëfyes për transformimin e ekonomisë evropiane. Thënë ndryshe, Draghi ishte ftuar përsëri që ta shpëtonte ekonominë evropiane.
Në këtë sfond, Draghi e përgatiti raportin e tij: “E ardhmja e konkurrueshmerisë evropiane”. Pas këtij titulli monoton qëndronte një agjendë e paprecedentë e reformave në fushën e inovacionit, tregut të brendshëm evropian, rregullave të konkurrueshmerisë, dekarbonizimit, zvogëlimit të burokracisë evropiane dhe investimit evropian në mbrojtje. Në terma praktikë, në mes tjerash, kjo nënkuptonte një fond 1 trilion eurosh për inovacion dhe për teknologjitë e reja, ndërtimin e “giga fabrikave” dhe krijimin e Unionit të Tregjeve Kapitale. Thënë ndryshe, çfarë Draghi propozonte është thellim urgjent i procesit integrues ndërmjet 27 vendeve anëtare. Sipas tij, vendet anëtare të BE-së janë në udhëkryq “ndërmjet daljes nga BE-ja, paralizës dhe integrimit. Dalja nga BE-ja është provuar dhe nuk u ka sjellë mbështetësve të saj atë që e kanë shpresuar. Paraliza nuk është opsion, pasi që vetëm do të sjellë ankth dhe pasiguri. Ashtu që, integrimi është shpresa jonë e vetme”.
Ajo prej çfarë Draghi më së shumti frikësohej është se në një mjedis të konkurrentëve dinamikë dhe agresivë, sikur SHBA-ja dhe Kina, BE-ja do të paralizohet. Ai frikësohej që arkitektura komplekse institucionale e BE-së, si dhe interesat e ngushta nacionale, nuk do t’i lejojnë Evropës që ta çlirojë potencialin e saj ekonomik. Pak pas publikimit të raportit të tij, ai iu drejtua liderëve të BE-së duke thënë: “Ju e refuzoni borxhin e përbashkët evropian. Ju e refuzoni tregun e brendshëm evropian. Ju e refuzoni Unionin e Tregjeve Kapitale. Nuk mund të jetojmë kështu. Nuk mund të refuzoni çdo gjë. Në fund fare, dakord, por bëni diçka. Çfarëdo. Vetëm bëni diçka”.
Të zgjuar nga kambana e Draghit, liderë evropianë duket se më në fund janë të vendosur që të bëjnë diçka. Siç kam shkruar javën e kaluar, këtë verë Komisioni Evropian e ka publikuar buxhetin e ardhshëm shtatëvjeçar të BE-së për 2028-2034. Buxheti prej 2 trilionë eurosh i thyen të gjitha rekordet e mëparshme dhe synon t’u përgjigjet drejtpërsëdrejti rekomandimeve të Draghit. Kësisoj, për shembull, buxheti e synon krijimin e një fondi special për konkurrueshmëri, në vlerë prej 400 miliardë eurosh. Ky fond do t’i financojë projektet inovative në fushën e mbrojtjes, dekarbonizimit dhe bioteknologjisë. Përveç kësaj, buxheti do t’i rrisë për gati 100% fondet e programit “Horizon Europe” për qëllime të financimit të hulumtimit dhe inovacionit në fushat sikur kompjuterizmi kuantik, fuzionimi i energjisë dhe teknologjia artificiale.
Prej kohësh, por në veçanti, kohëve të fundit liderët evropianë kanë folur me fanfarë për nevojën e autonomisë strategjike të BE-së.
“Autonomia strategjike evropiane është qenësore për paqen dhe stabilitetin”, tha së fundi presidenti Macron. “Prioriteti im absolut do të jetë fuqizimi i Evropës në mënyrë që hap pas hapi të pavarësohemi nga SHBA-ja”, tha kancelari Merz, pas fitores së tij këtë vit. Tani Draghi dhe buxheti i ardhshëm shtatëvjeçar ua japin mundësinë që këtë vizion të bëjnë realitet.