OpEd

Sezoni i shëtitjeve po nis

Ftesa për unitet pasi që është bërë dëm i madh me negociatat e nisura më 2011, pas nënshkrimit të Zajednicës, e posaçërisht pas hapjes së temës së këmbimit të territoreve krye më vete është shumë e pasinqertë. Për më tepër, është kërkesë për amnistimin e gabimeve trashanike të Thaçit, përherë në përkrahje të partisë së tij, për futjen e Kosovës në një proces negociatash pa koncept e pa ide

Kaloi edhe kjo kremte. Për dikë shpejt (ata që janë kthyer në punë) dhe për shumëkënd ende vazhdon se janë lidhur ditët si për pushim dimëror. Çka janë dy-tri ditë që institucionet nuk i kanë punëtorët aty, se nuk është që mund të lavdërohen se po punojnë shumë edhe ditëve kur nuk janë në pushim. E mandej po pyetemi pse i kemi punët si i kemi.

Nejse, kësaj radhe fishekzjarrët e petardët ishin më pak të zhurmshëm. Në qendër, qejfi i krismave zgjati nja gjysmë ore, ku u dalluan, jo pak, edhe revolet edhe kallashat. Gjithë këta vjet kanë kaluar që nga fundi i luftës, dhe ende nuk e kam të qartë çfarë kënaqësie gjejnë njerëzit kur krisin me armë në ajër. Me qenë që po i qëllojnë sorrat hajde-de, por kështu, me pasë frikë me dalë në rrugë se mos po të qëllon një plumb qorr, ama hiç nuk kapërdihet. Shumë trima kishim qenë.

Viti u mbyll pa ndonjë lëvizje dramatike, dhe nisi i riu po ashtu pa ndonjë gjë që do të na e tërhiqte vëmendjen. Me gjasë ngjarjet kryesore janë rezervuar për dy javët e ardhshme -- e para vizita shëtitore e delegacionit shtetëror, në të cilën do të mungojë Thaçi, për shkak se BE-ja e cilëson atë si konsultative; kurse e dyta do të jetë nisja e punës së Gjykatës Speciale me paraqitjen e të të ftuarve të parë atje.

Delegacion pro-forma

Për Brukselin nuk ka temë tjetër prioritare pos taksës ndaj produkteve që importohen nga Serbia (për Bosnjën nuk është që mërzitet shumë). Aq është me prioritet saqë është paralajmëruar se me 8 janar do të insistohet që Kosova ta heqë atë, ashtu që të arrihet marrëveshja me Serbinë sa më shpejt. Kjo ngase Serbia e paraqet atë si kusht për vazhdimin e negociatave. Dhe kjo po ndodh pikërisht në kohën kur mërgimtarët tanë, që e kaluan fundvitin këtu (dhe me siguri sollën edhe një infuzion monetar për familjarët), janë të detyruar të presin deri në shtatë orë për ta kaluar kufirin në Merdar. Nuk dëgjova që dikush nga BE-ja do të jetë brengosur për këtë fakt, duke e marrë parasysh se IBM-ja ka qenë njëra nga marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel. Nuk e dëgjova për shkak se nuk ka të bëjë me taksën për importe -- fundja kush mërzitet pse familje me fëmijë duhen mërdhirë në kufi për shkak se kufitarëve serbë ashtu u teket.

Për Brukselin, fakti pse Kuvendi i Kosovës e ka kaluar një rezolutë dhe e ka emëruar në delegacion që nuk është gjithëpërfshirës dhe që tregon mungesën e konsensusit shoqëror në Kosovë, nuk është çështje për t'u brengosur. Brukseli ka identifikuar dhe insiston se palë për bisedime e ka Thaçin. E pse Thaçi i merr me vete 50 veta në Bruksel, nuk është punë me të cilën duhet marrë, sepse fundja Kosova i ka ndarë paratë e dedikuara nergut për këto shëtitje.

E duket se as për koalicionin qeverisës e as për PSD-në nuk është kontestues fakti se udhëheqës i negociatave do të jetë Thaçi, ngase tashmë Qeveria e ka miratuar një projektligj (për delegacionin), ku thuhet se Thaçi do të mundë të shkojë në Bruksel për negociata sa herë që Mogherini ta thërrasë. Për dallim nga praktika e deritanishme, atij do t'i bashkohen bashkëkryesuesit e delegacionit (ani që praktika e dëshmon se asnjë strukturë me dy krerë nuk funksionon) Limaj e Ahmeti.

Pra ajo që ishte kontestuese që nga fillimi -- që Thaçi po i udhëhiqte negociatat pa autorizimin e askujt, tash po legjitimohet nëpërmjet këtij ligji, i cili me gjasë mund të kalojë shpejt në Kuvend.

Ai që thoshte se e ka autorizimin kushtetues për të negociuar, edhe pse nuk e ka, sepse po të ishte kështu negociatat e 2011-s do t'i udhëhiqte Jahjaga si kryetare e jo ky si kryeministër, tash e merr mbështetjen me një rezolutë të përkrahur nga një tekst ligjor dhe më nuk lë hapësirë për dilema.

Nga ana tjetër, ky fakt ia legjitimon të drejtën për të mbërritur çfarëdo marrëveshje, e që për këtë të thotë se e ka pasur përkrahjen dhe pëlqimin e delegacionit shtetëror të burrave, të cilit i mungojnë përfaqësuesit kryesorë të opozitës dhe ku mungon përfaqësimi i gjysmës së popullsisë së Kosovës.

E kjo punë nuk është lajm i mirë për Kosovën. Me gjithë kundërshtimet e Haradinajt për ndryshimin e kufijve, ai me vetë faktin që këtë autorizim ia ka transferuar Thaçit me të dyja duart, nuk ka se si ta ndalë. E aq më pak me propozimin që ua ka paraqitur ambasadorëve të Quintit -- e cila propozim- marrëveshje qysh në start është cilësuar si jo e mirë për Kosovën.

Ky delegacion, pa fuqi kohezioni dhe pa mundësi që ta paraqesë konsensusin e përgjithshëm, mbetet ai që ka qenë nga fillimi: një delegacion pro-forma që e legjitimon negociimin deri tash katastrofal të Thaçit.

Veseli në fushatë

Intervista e parë që u dëgjua në fillim të vitit qe ftesa që erdhi nga Veseli drejtuar LDK-së dhe VV-së që t'i bashkohen delegacionit shtetëror.

Argumentimi se Kosova nuk është punë e kolltukëve të individëve, nuk ka mundur të ishte më hipokrite se kaq. Kosova në fakt është pengu i kolltukëve të individëve që për ta shpëtuar veten dhe për ta mbajtur pushtetin e kanë bërë atë objekt të negociatave. Për më tepër, e kanë rihapur çështjen e statusit të Kosovës.

Se sa ka qenë punë e kolltukëve të individëve e dëshmon pikërisht krijimi i qeverisë së fundit dhe të fizkulturave matematikore të një partie me dy deputetë që i mban nja katër-pesë ministri. Krijimi i Qeverisë së varur nga votat e serbëve vetëm sa e bëri këtë problem edhe më drastik. Në të gjitha variantet, mbajtja e pushtetit nga PDK-ja me satelitët e vet nuk e kishte për qëllim interesin e Kosovës, por interesin e kolltukëve.

Ftesa për unitet, pasi që është bërë dëm i madh me negociatat e nisura më 2011, pas nënshkrimit të Zajednicës, e posaçërisht pas hapjes së temës së këmbimit të territoreve krye më vete, është shumë e pasinqertë. Për më tepër, është kërkesë për amnistimin e gabimeve trashanike të Thaçit, përherë në përkrahje të partisë së tij, për futjen e Kosovës në një proces negociatash pa koncept e pa ide.

E ta thërrasësh dikë për unitet në kohën kur njëkohësisht i kritikon dhe i quan fajtorë për të gjitha të këqijat që na ndodhin, përderisa vetë i lanë duart nga rezultatet katastrofale të qeverisjes mbi dhjetëvjeçare, nuk mund të kuptohet si serioze.

Nëse vërtet duhet krijuar unitetin, të gjithë ata që, në një formë ose tjetrën, kanë qenë aktorët kryesorë të dështimeve negociuese ndërkombëtare të Kosovës, duhen larguar. Porse ky konstatim do t'iu dukej i pamundur, ngase krejt këta që kanë qenë pjesë e këtyre dështimeve nuk mund të funksionojnë ndryshe -- sepse dështimin politik dhe shpëtimin e lëkurave të veta duket ta kenë qëllimin e tyre të vërtetë.

Ahmeti rrugës së dështimit

E ai i cili i është futur një rruge jo fort të sigurt politike, tash me të dyja këmbët, është Shpend Ahmeti.

Prej njërit nga politikanët me më së shumti përkrahje që nga çasti kur u zgjodh kryetar i Prishtinës për herë të parë, ka rënë në nivelet e një njeriu tepër të kritikuar për shkak të lëvizjeve të tij të fundit politike.

Përherë janë më të zëshme kritikat që i bëhen për udhëheqjen e Prishtinës. Sado që me elokuencë përpiqet t'i kundërshtojë ato, megjithatë shumë më të fuqishme janë vërejtjet që i vijnë nga ata që kanë pasur shpresën se gjërat do të ndryshonin për të mirë në mandatin e tij të dytë. Mandat, i cili u kontestua ligjërisht nga oponenti i tij, Abrashi. Por edhe mandat i cili tash kontestohet moralisht, për shkak të ndërrimit të petkut partiak.

Fitorja e cila u arrit falë votave të VV-së u shndërrua në mandat të një partie të vjetër por të re, PSD, e cila më duket se as nuk ka garuar në zgjedhjet komunale. Por pavarësisht garës zgjedhore, mbajtja e postit të të parit të Prishtinës vazhdon të jetë joetike. Po qe se nuk ekziston frika se nuk do të mundë t'i fitonte zgjedhjet, Ahmeti është dashur të dorëhiqej dhe t'i hynte garës sërish.

Edhe më problematike bëhet çështja e qëndrimit të tij në krye të Prishtinës me faktin se tash është zgjedhur bashkëkryesues i delegacionit shtetëror. Po qe se përnjëmend e besojnë anëtarët e këtij delegacioni se mund ta bëjnë ndryshimin dhe se mund t'i kanalizojnë negociatat andej nga do të shqyrtohen çështjet tejet të rëndësishme, siç janë të pagjeturit, nuk e besoj se një njeri, pavarësisht aftësive të shtuara psiko-fizike, do të mundë t'i kryente këto dy punë kaq të rëndësishme me kapacitet të plotë.

Nëse ideja është që punët në Komunë t'i kryejë nënkryetari, atëherë do të ishte shumë më etike që Ahmeti të dorëhiqej, dhe të hapte rrugë për zgjedhjen e dikujt që do t'ia kushtonte gjithë kohën dhe qenien kryeqytetit.

Kështu, as nuk do të kemi kryetar qyteti të hairit, e as kryesues të delegacionit shëtitës, i cili do të kalojë një kohë shumë të gjatë nëpër aeroplanë.

* * *

Punët nuk i kemi mirë, dhe nuk do t'i kemi mirë përderisa nuk e kemi të qartë se nga jemi nisur dhe ku duam të mbërrijmë.

Mbase zgjidhjen e vetme dhe të përkohshme në këtë çast do të na e ofrojë çështja e taksës. Duket se është një tajmaut të cilin do të duhej të dinim ta shfrytëzonim – ngase, nëse është për t'u besuar serbëve, negociatat nuk do të rinisin përderisa taksa të mbetet në fuqi.

Po qe se Qeveria do ta mbajë atë edhe për një kohë, do të kemi kohë mbase të mjaftueshme për t'u organizuar pak më mirë seç e kemi bërë deri tash në formë stihie. Dhe do të jetë mundësi, qoftë edhe teknike, për ta ndalur atë që do të shkojë në skijim më 8 janar.

Veç çështja është se a do t'i gjejmë edhe mendtë dhe guximin për një punë të këtillë.

[email protected]