OpEd

Samiti i Sofjes do t’u ofrojë vendeve të Ballkanit më pak se ai i Selanikut para 15 vjetësh

Përderisa Deklarata e Samitit të Selanikut i referohej në disa raste “zgjerimit”, “anëtarësimit në BE”, “integrimit në BE”, në Deklaratën e Sofjes, nëse nuk ndryshon diçka ndërkohë, asnjë nga këto terme të sakta nuk do të përdoret, por vetëm terme boshe si “perspektiva evropiane” dhe “rruga evropiane”. Kjo e bën këtë samit të jetë shumë larg edhe nga ajo që vendeve të Ballkanit Perëndimor u ishte ofruar në Selanik para 15 vjetësh, edhe pse do të ishte më e logjikshme që tash t’u ofrohet më shumë dhe një perspektivë më e qartë.

A është diçka sukses apo dështim varet nga pritjet. Kështu do të jetë edhe me vlerësimin e Samitit të Sofjes, ku pritet të mblidhen liderët e 28 shteteve të BE-së dhe “partnerët” nga Ballkani Perëndimor. Jo, nuk është gabim, vërtet në letër presidentët apo kryeministrat e BE-së do të jenë nga “shtetet”, ndërsa ata të Ballkanit nga “parterët”. Kjo qëllimisht për shkak të Kosovës, e cila nuk njihet si shtet i pavarur nga të gjitha vendet e BE-së, dhe si pasojë as nga BE-ja.

Kjo ka bërë që, sikur në vitin 2000 në Samitin e Zagrebit, dhe në vitin 2003 atë të Sofjes, pjesëmarrja e Kosovës dhe forma me të cilën do të trajtohet ajo të jetë tema kryesore politike në përgatitjet e këtij samiti. Kjo dëshmon edhe një herë se sa pak serioze BE-ja është në politikën e saj ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor kur nuk ka ende përgjigje as në pyetjen se sa shtete ekzistojnë në rajon, dhe si pasojë sa kandidatë për anëtarësim të ardhshëm në BE.

Debati tash e sa javë më shumë është zhvilluar rreth asaj se për çfarë nuk bën të jetë ky samit, sesa për çfarë do të jetë. Kështu, në përgatitje të samitit, siç i kanë konfirmuar “Kohës Ditore” disa burime diplomatike, duhet adresuar shqetësimet e Spanjës dhe të disa shteteve të tjera që nuk e kanë njohur Kosovën, dhe po ashtu edhe kërkesat e disa shteteve shumë të rëndësishme të BE-së që në asnjë mënyrë nuk duan që ky samit të jetë për zgjerim.

Në draftin e përgatitur për këtë samit, në të cilin janë duke punuar strukturat e BE-së dhe të vendeve anëtare, para se të konsultohen edhe “partnerët” nga Ballkani Perëndimor, nuk përmendet në asnjë vend “zgjerimi i BE-së”, por vetëm programe dhe projekte të konektivitetit, luftës kundër terrorizmit dhe radikalizmit, ripajtimi dhe agjenda digjitale për Ballkanin Perëndimor.

Do të ketë shumë kërkesa për “partnerët” nga Ballkani Perëndimor, që nga lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, bashkëpunimi në çështjet e migracionit, e deri te tejkalimi i problemeve që kanë mbetur nga e kaluara. Më së shumti në samit pritet të përmendet konektiviteti dhe të gjitha dimensionet e tij nga transporti, energjia, konektiviteti socioekonomik, digjital, ekonomik dhe njerëzor.

Pjesëmarrja e Kosovës ka qenë mjaft e diskutueshme edhe në dy samitet historike të BE-së me Ballkanin. Në Samitin e Zagrebit në vitin 2000, Kosovën e kishte përfaqësuar Bernard Kouchner, shefi i atëhershëm i UNMIK-ut, dhe atë jo në të gjitha takimet formale. BE-ja në atë kohë nuk donte ta irritonte Serbinë. Në Samitin e Selanikut, Kosovën e kishin përfaqësuar së bashku shefi i atëhershëm i UNMIK-ut, Michael Steiner, së bashku me presidentin e atëhershëm Ibrahim Rugova dhe me kryeministrin Bajram Rexhepi. Greqia si organizatore nuk kishte pranuar shantazhet e Serbisë që, nëse ftohet Kosova ata nuk do të merrnin pjesë. Por në Deklaratën e Samitit, pjesëmarrja e Kosovës nuk figuron, por vetëm pjesëmarrja e të dërguarit të posaçëm të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së në Kosovë.

Por të dy këto samite ishin zhvilluar në kohën kur Kosova ende nuk kishte status, ndërsa tash pjesëmarrja e Kosovës duket të jetë edhe më problematike sesa më parë, për shkak se në BE nuk ka unitet rreth Kosovës. Kështu, në fund, i tërë debati për mënyrën e pjesëmarrjes do të vërë në hije përmbajtjen e vërtetë të këtij samiti, i cili mund të jetë sukses konkret në temat që do të diskutohet, por dështim në aspektin politik, sepse më shumë sesa unitet BE-ja do të dëshmojë ndasitë që ekzistojnë jo vetëm rreth Kosovës, por në përgjithësi rreth procesit të zgjerimit.

Pa marrë parasysh se si do të zgjidhet dilema për të siguruar pjesëmarrje “inkluzive”, pra edhe të të gjitha vendeve të BE-së e edhe të gjithë “partnerëve” nga Ballkani Perëndimor, ata që kanë pritur shumë nga ky samit në aspektin e procesit të zgjerimit të BE-së do të jenë të zhgënjyer. Nga ky samit nuk do të dalë asgjë konkrete, as e re. Madje sa i përket perspektivës së avancimit drejt anëtarësimit në BE do të jetë shumë më pak ambicioz sesa që ishte para 15 vjetësh, në kohën kur u zhvillua samiti në Neo Marmaras afër Selanikut. Kjo shihet qartë nëse bëhet një krahasim i Deklaratës së Samitit të Selanikut me atë që pritet të miratohet në Sofje.

Deklarata e Samitit të Selanikut thoshte mes të tjerash:

“BE-ja rithekson mbështetjen e parezervë për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. E ardhmja e Ballkanit është në Bashkimin Evropian. Zgjerimi që po vazhdon dhe nënshkrimi i Traktatit të Athinës (traktati i anëtarësimit në BE për 10 shtete) në prill 2003 frymëzojnë dhe inkurajojnë shtetet e Ballkanit Perëndimor që të ndjekin të njëjtën rrugë të suksesshme. Përgatitjet për integrim në strukturat evropiane dhe anëtarësimi final në Bashkimin Evropian, përmes adoptimit të standardeve evropiane, janë tash një sfidë e madhe përpara”.

Ndërsa sa janë zvogëluar ambiciet 15 vjet më vonë shihet nga ajo se çfarë përmban tash drafti i Deklaratës së Sofjes, ku nuk përmend as zgjerimin e as mbështetjen për anëtarësim në BE, por vetëm në mënyrë abstrakte dhe filozofike flet për “perspektivën evropiane” apo edhe më abstrakte për “rrugën evropiane”.

“BE rithekson mbështetjen e parezervë për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Rruga evropiane mbetet e bazuar në kriteret e vendosura dhe në meritat individuale. Partnerët nga Ballkani Perëndimor rikonfirmojnë përkushtimin për perspektivën evropiane si zgjidhje e tyre e vendosur strategjike, dhe riforcojnë përpjekjet e tyre për të arritur këtë qëllim”.

Përderisa Deklarata e Samitit të Selanikut u referohej në disa raste “zgjerimit”, “anëtarësimit në BE”, “integrimit në BE”, në Deklaratën e Sofjes, nëse nuk ndryshon diçka ndërkohë, asnjë nga këto terme të sakta nuk do të përdoret, por vetëm terme boshe si “perspektiva evropiane” dhe “rruga evropiane”. Kjo e bën këtë samit të jetë shumë larg edhe nga ajo që vendeve të Ballkanit Perëndimor u ishte ofruar në Selanik para 15 vjetësh, edhe pse do të ishte më e logjikshme që tash t’u ofrohet më shumë dhe një perspektivë më e qartë se para 15 vjetësh. Edhe pse kanë shumë probleme vendet e rajonit, me gjithë procesin e ngadalshëm, kanë bërë, megjithatë, një rrugë të konsiderueshme drejt integrimit. Në kohën e Samitit të Selanikut asnjë nga vendet e Ballkanit nuk kishte as status kandidati, ndërsa vetëm Kroacia, dhe atë vetëm dy muaj para këtij samiti, kishte aplikuar për anëtarësim. Kosova nuk e kishte të zgjidhur statusit dhe Deklarata e samitit mbështeti qasjen “standardet para statusit”. Tash katër shtete kanë status kandidati (Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia), një është në procedurën e marrjes së statusit të kandidatit (Bosnjë-Hercegovina). Mali i Zi dhe Serbia kanë avancuar në negociatat e anëtarësimit, ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia presin t’i nisin këto negociata. Kosova ka një Marrëveshje të Stabilizim-Asociimit dhe po mendon të aplikojë për anëtarësim në BE. Shumë pak nëse merret parasysh se kanë kaluar 15 vjet, por megjithatë është një rrugë e kaluar. Kroacia është e vetmja që bëri tërë rrugën dhe tash e 5 vjet është anëtare e BE-së. Por tash mungesa e entuziazmit për zgjerim në BE është shumë e qartë

Arsyet pse është kështu janë të qarta. Së pari, është mungesa e liderëve guximtarë dhe vizionarë në BE sot krahasuar me 15 vjet më herët. Së dyti, është ndryshimi i disponimit në vendet e BE-së dhe tek qytetarët evropianë rreth zgjerimit. Ish-presidenti i Komisionit Evropian, Romano Prodi, këtë e pati definuar para 5 vjetësh kështu: “Në kohën tonë kishim Evropën e shpresës e sot kemi Evropën e frikës”. Dhe Prodi, si mbështetës i fuqishëm i zgjerimit, e i tillë ka mbetur edhe sot, kishte të drejtë. Vërtet zgjerimi i BE-së atëherë shihej si projekt paqeje, si shpresë, si ideal i një gjenerate e cila po e bashkonte Evropën. Zgjerimi sot shihet më shumë si frikë se mos në BE po hyjnë vendet e pazhvilluara të Ballkanit, ku lulëzojnë krimi i organizuar dhe korrupsioni. Liderët e sotëm të BE-së nuk kanë guxim të kërkojnë përshpejtimin e anëtarësimit të Ballkanit në BE, me çka do të përmbyllej përfundimisht edhe projekti i bashkimit të Evropës, e as të premtojnë se një gjë e tillë është e mundur në të ardhmen. Ata nuk kanë guxim as të thonë se zgjerimi nuk është në plan në një të ardhme. E dinë se perspektiva e anëtarësimit në BE ndihmon në qetësimin e rajonit, por problemi qëndron në faktin se edhe politikanët e rajonit e kanë mësuar lojën, flasin për integrime në BE dhe për “standarde evropiane”, por në anën tjetër punojnë për të shkuar në drejtim të kundërt nga këto standarde.