Përgjatë politikës përkrahëse të BE-së ka shënuar tri paradokse themelore. Një: Serbia është sot më afër Rusisë sesa ishte para se të bëhej shtet kandidat për anëtarësim. Dy, duke qenë kandidat për anëtarësim në BE, sot ka arritur gjendjen që të jetë një shtet që sot nuk i përmbush kriteret bazike të Kopenhagës për demokraci zgjedhore, pra do ta kishte të vështirë të bëhej partner për MSA. Dhe tre, me politikën e përkrahjes së pushtetit nga BE-ja, Serbia e ka ruajtur dhe rritur rolin e vet të kërcënuesit më të madh me destabilizim të shteteve fqinje – Kosovës, BeH dhe Malit të Zi
1.
Si do të duket Serbia më 2026?
Një grup i analistëve të respektuar të politikës dhe sigurisë, i mbledhur rreth BCSP-së (Qendrës Beogradase për Siguri dhe Politikë) u përpoq të përgjigjej në këtë pyetje me një analizë që në fund ofroi katër skenarë të mundshëm, që shkojnë kështu:
Një, “zbrazëtira politike” në të cilin regjimi humb aftësinë për të qeverisur, institucionet pushojnë së funksionuari dhe as opozita, as shoqëria civile nuk arrijnë të ofrojnë alternativë. Pason një periudhë e gjatë pasigurie dhe paralize.
Dy: “tranzicion i negociuar”, në të cilin BE-ja ndërmjetëson BE për qeveri teknike dhe zgjedhje të reja në kushte demokratike
Tre: “rënia e regjimit”, kur përshkallëzimi i dhunës dështon të shtypë kundërshtimin dhe nxit shpërbërjen e regjimit. Pason një periudhë anarkie pas-Vuçiq, me rreziqe të larta për paqëndrueshmëri.
Katër, “stabilitet pa liri” ku përmes represionit, kontrollit total dhe propagandës, regjimi mund ta mbijetojë krizën.
2.
Autorët e raportit në një moment mund të duken si meteorologu që në mbrëmje paralajmëron se të nesërmen do të ketë shi ose borë ose mot shumë të nxehtë veror. Autorët në fund të raportit për më tepër, tërheqin vërejtjen se cilido prej këtyre katër skenarëve nuk duhen shikuar veç e veç- mund të ndodhë që të katërt të bashkëjetojnë gjatë vitit 2026.
Por, nuk ekziston ndonjë garancë pse këta katër skenarë të mos bashkëjetojnë edhe më 2027 e në vitet pasuese. Mbase përshkrimin më të mirë për një gjendje që po e përjeton Serbia do ta kishte një autor francez i cili në shekullin XIX shkroi "plus ça change, plus c'est la même chose" , sa më shumë ndryshon, aq më shumë mbetet e njëjtë. Pra, nëse Serbia pas një viti krize më të thellë politike e institucionale që ka përjetuar pas rënies së Millosheviqit është në projeksionin e katër skenarëve (shi, borë, diell pranveror, vapë) atëherë nuk ka ndonjë indikator pse të ketë zgjidhje të krizës as gjatë vitit 2026. Në analogjinë franceze, sa më shumë protesta aq më shumë arsye për të protestuar. Apo, shikuar nga këndi i presidentit Vuçiq, sa më shumë të protestojnë pa krijuar ndonjë ndryshim, aq më shumë le të vazhdojnë protestojnë (e dikur edhe të lodhen). Apo shikuar nga këndi i BE-së, sa më shumë të vazhdojë kjo gjendje në Serbi aq më shumë do të ketë përmbushje të politikës primare të BE-së ,thirrje që pushteti e qytetarët protestues të vetëpërmbahen e të mos e prekin stabilitetin e vendit.
3.
Të tre aktorët bazikë të analizës së BCSP-së për momentin funksionojnë në projeksionin dëshiror. Presidenti Vuçiq ka projektuar fundin e vitit 2026 për zgjedhje të rregullta parlamentare dhe nëse do gjykuar sipas dinamikës së vitit 2025 nuk ka pse të mos i përmbushet. Revolta popullore (nëse mund të flitet për projeksionin dëshiror kolektiv) i sheh një proces zgjedhor në të cilin disi do ta fitojë pushtetin. BE-ja sheh se disi gjërat do të rregullohen në Serbi.
Kjo është recetë për kontinuitet ku asnjëri prej aktorëve nuk ka shtytës për të ndryshuar. Zgjedhjet më 2026 në këto kushte nuk do të ishin të lira, do të kishte kontinuitet të pushtetit jodemokratik, më shumë shkas për protesta dhe më shumë nevojë për shprehje të brengosjes nga BE-ja.
Si do të dukej atëherë alternativa?
Ja tri përshkrime për ndryshimin e përllogaritjes të aritmetikës politike.
Për presidentin Vuçiq: çdo sistem arrin një moment kur logjika e tij e brendshme shteron. Logjika e kontrollit përmes frikës në Serbi po përballet me paradoksin e vet: sa më shumë shtrëngon pushteti grushtin, aq më pak mban në dorë. Arrestimet, testet e besnikërisë, spektaklet e natës në televizione nuk e kanë forcuar pushtetin; e kanë zbuluar lodhjen e tij. Marrëveshja me botën: “Unë do ta mbaj Serbinë stabile; ju më lejoni ta mbaj Serbinë time” ka një afat skadence, dhe tejkalimi i tij nuk është stabilitet, por kalbëzim.
Për revoltën qytetare: E ka kthyer frikën në heshtje dhe heshtjen në ndërgjegje. Por qartësia morale nuk mjafton për të fituar të ardhmen. Përgjatë një viti revolta ka treguar se çka nuk është rregull në vend, cilat janë vlerat që janë nëpërkëmbur dhe cilat vlera do ndërtuar në një Serbi demokratike; revolta e ka fituar rolin e ndërgjegjes së Republikës. Por, ligjërimi moral, sado i rëndësishëm, mbetet kaq, ligjërim moral nëse nuk është pjesë e synimit për institucione që e shndërrojnë moralin në ligje e udhëheqje politike.
Dhe për BE-në: “Stabiliteti” u bë sinonim i kalbjes së menaxhuar, BE-ja ka parë gazetarë të rrahur, gjyqtarë të heshtur, studentë të arrestuar dhe ka lëshuar deklarata për brengosje. Përgjatë politikës përkrahëse të BE-së ka shënuar tri paradokse themelore. Një: Serbia është sot më afër Rusisë se sa ishte para se të bëhej shtet kandidat për anëtarësim. Dy, duke qenë kandidat për anëtarësim në BE sot ka arritur gjendjen që të jetë një shtet që nuk i përmbush kriteret bazike të Kopenhagës për demokraci zgjedhore, pra do ta kishte të vështirë të bëhej kandidat për MSA (Marrëveshje Stabilizim Asociimi) . Dhe tre, me politikën e përkrahjes të pushtetit nga BE, Serbia ka ruajtur dhe rritur rolin e vet të kërcënuesit më të madh me destabilizim të shteteve fqinje – Kosovës, BeH dhe Malit të Zi.
4.
Përllogaritja e të tre aktorëve duhet të ndryshojë nëse do të ketë ndryshim në Serbinë e vitit 2026. Dhe, sado të tingëllojë e çuditshme, është interes i të tre aktorëve që të ketë një ndryshim. Presidenti Vuçiq nuk do të jetë i interesuar për agoninë dërmuese të shkërmoqjes së pushtetit të tij drejt kërcënimit fizik për të, revolta nuk do të jetë e interesuar edhe për një vit dëshmie se vendi është i paralizuar dhe BE-ja nuk do të jetë e interesuar që ta shohë investimin e vet në Serbi e regjion të fundoset në thellimin e autoritarizmit të një shteti që vazhdon të ketë kartën e vet më të madhe gjeopolitike kapacitetin e destabilizimit të fqinjëve.
Serbia më 2026 hyn në një rreth frike, më së shumti prej mungesës së parashikimit, siç dëshmohet edhe me katër skenarët e BCSP-së.
Mbase hap i mirë e fillestar për të tri aktorët është një mësim nga historia jo aq e largët të kohës kur rrëzohej komunizmi në Poloni, për shembull. Ndonëse rrethanat janë krejtësisht të tjera, mësimi vazhdon të jetë i vlefshëm sepse asokohe, sikur edhe sot në Serbi në shoqëri u arrit një konstatim i përbashkët: vendi do të hyjë në tranzicion dhe do një marrëveshje reformimi drejt ndryshimeve demokratike e me votë.
Mjeshtëria e të tre aktorëve (nëse revolta qytetare ndërkohë bëhet me adresë) është që të gjejnë formulën e kapërcimit të frikës.