Ndonëse thotë se “është paksa i lodhur nga nevoja që prapë të përgjigjet në pyete të tilla”, kur pyetet për dyshimet legjitime që mund të kenë kosovarët ndaj tij dhe të dërguarit të tij Lajçak, pasi ishin ministra kur shtetet e tyre refuzuan ta njihnin pavarësinë e Kosovës, Borrel gjithmonë thotë se “nuk i takon BE-së ta njohë apo jo ndonjë shtet”, se “kjo është kompetencë e vendeve anëtare”, por përmend se kjo “u takon shteteve anëtare dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së”. Habit fakti se sa ngjashëm tingëllon pohimi i tillë i përfaqësuesit të lartë të BE-së me ato të ambasadorit të Rusisë në Beograd. Me këtë sjellje është rritur rreziku që BE-ja ta kthejë “çështjen e Kosovës” në situatë para Ahtisaarit
Në Kosovë, por edhe më gjerë, ka pasur shqetësime rreth përgjigjeve që ka dhënë në pyetjet e kësaj gazete përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrel, i cili as pas përsëritjes së pyetjes, me vërejtjen se është pyetje kyç, nuk e kishte hedhur poshtë idenë e ndryshimit të kufijve të Kosovës. Për këto deklarata është folur edhe në disa grupe punuese në BE dhe janë kërkuar e janë dhënë sqarime. Ka pasur diplomatë të cilët kanë thënë se “ai i ka tejkaluar linjat e qëndrimeve parimore të BE-së” e deri tek ata të cilët, megjithatë, mendojnë se ka thënë një të vërtetë, se “askush nuk mund të jetë kundër nëse Prishtina dhe Beogradi pajtohen për një gjë të tillë”.
Në përpjekje për ta qetësuar pak situatën, përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, ka shpërndarë një cicërimë në Twiter duke e quajtur idenë e ndryshimit të kufijve si diçka që “nuk është në tavolinë” dhe se nuk do të shkonte në favor të një zgjidhjeje sipas parimeve evropiane e as që do të ndihmonte në stabilitetin e rajonit.
Disa kanë nxituar që në atë porosi të Lajçakut të shohin shenja se ai kinse nuk pajtohet me qëndrimet e shefit të tij. Por disa diplomatë në BE, të cilët e kanë përcjellë “për së afërmi” sjelljen e ish-ministrit të Sllovakisë, mendojnë se ai e ka bërë këtë për ta ruajtur mbështetjen e fuqishme të Gjermanisë, e cila i duhet për të qenë më i pranueshëm për kosovarët, të cilët, herë pas herë kanë shfaqur mosbesim ndaj tij për shkak se vjen nga një shtet i cili nuk e ka njohur Kosovën. Dhe vërtet Gjermania e ka mbështetur dhe vazhdon ta mbështesë Lajçakun. Madje ambasadori gjerman në Prishtinë i ka porositur kosovarët se Lajçaku është edhe përfaqësues i Gjermanisë. Kemi shkruar edhe më parë se ky nuk është një arsyetim i duhur për ta bërë Lajçakun më të pranueshëm për kosovarët, sepse ai është edhe përfaqësues i Spanjës, edhe i Rumanisë, edhe i Qipros, e jo vetëm i Gjermanisë. Pra, ai do të mund të vazhdojë të ketë, në rastin më të mirë, qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës.
Gjermania ka qenë dhe është kundër ndryshimit të kufijve. Lajçak e di se Gjermania është kundër ndryshimit të kufijve. Edhe Lajçak më parë është shprehur kundër ndryshimit të kufijve. Por ai do të jetë në favor të secilës zgjidhje të cilën do ta mbështesin punëdhënësit e tij, e ata janë shumë. Prandaj ai do të lundrojë mes qëndrimeve duke mos thënë në mënyrë të prerë se çfarë mund e çfarë nuk mund të jetë zgjidhja. E ai ka mjaft përvojë diplomatike për ta luajtur mirë këtë rol. Edhe rezervat që kanë shprehur politikanët kosovarë ndaj Lajçakut duhen marrë me rezerva. Sepse nga përvoja dihet se politikanët kosovarë e thonë një gjë në Prishtinë e një gjë tjetër kur dalin jashtë. Nuk janë kosovarët të vetmit që thonë se Lajçak ua ka premtuar votën e vendit të tij në favor të Kosovës në organizatat ndërkombëtare e pastaj nuk e ka mbajtur atë premtim. Ka pasur edhe diplomatë perëndimorë të cilët thonë se ai u kishte premtuar se Sllovakia nuk do të dërgojë argumente kundër pavarësisë së Kosovës në GJND, por pastaj e ka bërë të kundërtën.
Trupi gjykues i GJND-së voton 10:4 në favor të Kosovës, por gjykatësi nga Sllovakia, krahas atij nga Rusia, Maroku dhe Sierra Leone, voton kundër. Sllovakia nuk ndryshoi qëndrimin kundër pavarësisë së Kosovës as pasi GJND-ja dha mendimin se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur as të drejtën ndërkombëtare e as Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, siç pretendonte Sllovakia në argumentet e saj. Por, për dallim nga shefi i tij i tashëm Borrell, Lajçak dhe Sllovakia nuk kanë qenë agresivë në kundërshtim të Kosovës sa ka qenë Spanja.
Në parim nuk do të duhej paragjykuar njerëzit për nga shteti nga i cili vijnë. Por përvoja e deritashme e bën legjitim dyshimin nga ana e kosovarëve, pa marrë parasysh se a janë të gabuar apo jo. Lajçak e Borrell kanë tash shansin të dëshmojnë të kundërtën, por nuk duket se e kanë ndërmend ta bëjnë një gjë të tillë.
më rrezik se moskundërshtimi i ndryshimit të kufijve të Kosovës është përsëritja e përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell, se “nuk i takon BE-së ta njohë Kosovën”, dhe se “kjo është kompetencë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.
Ndonëse thotë se “është paksa i lodhur nga nevoja që prapë të përgjigjet në pyete të tilla”, kur pyetet për dyshimet legjitime që mund të kenë kosovarët ndaj tij dhe të dërguarit të tij Lajçak, pasi ishin ministra kur shtetet e tyre refuzuan ta njohin pavarësinë e Kosovës, Borrel gjithmonë thotë se “nuk i takon BE-së të njohë apo jo ndonjë shtet”, se “kjo është kompetencë e vendeve anëtare”, por përmend se kjo “u takon shteteve anëtare dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së”. Habit fakti se sa ngjashëm tingëllon pohimi i tillë i përfaqësuesit të lartë të BE-së me ato të ambasadorit të Rusisë në Beograd. Me këtë sjellje është rritur rreziku që BE-ja ta kthejë “çështjen e Kosovës” në situatë para Ahtisaarit.
“ Unë dhe zoti Lajçak sot jemi zyrtarë të Bashkimit Evropian. E Bashkimi Evropian nuk njeh entitete, sepse nuk ka kompetenca për të njohur shtete. Kjo është në fuqitë e shteteve anëtare në mënyrë individuale. Kjo, sipas së drejtës ndërkombëtare u takon shteteve anëtare dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Pra, ne jemi zyrtarë të Bashkimit Evropian dhe do t’i zbatojmë detyrat tona sipas mandatit i cili na është dhënë”, u pati përgjigjur në pyetjen e “Kohës Ditore” Borrell.
Dy probleme janë në këtë përgjigje. E para është relativizimi i mungesës së unitetit në BE kur është fjala për statusin e Kosovës, duke injoruar faktin se shumica e madhe e vendeve anëtare e kanë njohur pavarësinë. E dyta është tendenca për ta kthyer çështjen e Kosovës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, aty ku ishte dhe ku u bllokua nga Rusia, e cila vazhdon veton e saj t’ia japë tërësisht Serbisë. Sa i përket njohjes nga BE-ja në aspektin politik, nuk është e vërtetë se BE-ja nuk njeh shtete. Kur Mali i Zi kishte shpallur pavarësinë, BE-ja u kishte bërë ftesë shteteve të saj anëtare që me Malin e Zi t’i vendosin raportet si me një shtet sovran. Një unitet i tillë politik në rastin e Kosovës në BE kishte munguar dhe mungon. Nëse nuk e di Borrelli këtë shembull, atëherë pa dyshim se Miroslav Lajçak mund t’ia sqarojë.
Rusia është dëshmia më e mirë se shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën janë kundër Kosovës, ndërsa ato që e kanë njohur Kosovën nuk janë kundër Serbisë. Prandaj edhe duket e paqëlluar përgjigjja që shpesh e jep Borrel se sikur ai të ishte nga një shtet që e ka njohur Kosovën nuk do ta pëlqenin në Serbi. Ambasadori i Rusisë nuk thotë se vendi i tij do të pranojë as zgjidhjen për të cilën pajtohen të dy palët, por vetëm zgjidhjen me të cilën pajtohet Serbia.
Nuk duhet harruar historia e gjatë, shumëvjeçare e përpjekjeve ndërkombëtare për ta kaluar në Këshill të Sigurimit të OKB-së propozimin e Ahtisaarit për statusin e Kosovës. Por kjo dështoi, sepse Rusia e bllokoi, ani pse ajo ishte pjesë e Grupit të Kontaktit i cili dha udhëzimet për zgjidhjen e statusit të Kosovës qysh në vjeshtë të vitit 2005. Mes të tjerash, krahas parimit se kufijtë e Kosovës nuk mund të ndryshohen, as ndarje e as bashkim, me pjesë të territoreve të shteteve fqinje, në ato udhëzime ishte edhe kjo fjali:
“Një zgjidhje e negociuar do të duhej të ishte prioritet ndërkombëtar. Pasi procesi të ketë nisur, nuk do të mund të bllokohet dhe duhet të vije deri në përmbyllje”. Dhe pikërisht kështu, të përballur me bllokadë, bashkësia ndërkombëtare i dha fund procesit me propozimin e Ahtisaarit, sipas të cilit u shpall pavarësia e Kosovës. Rusia nuk e pranoi dhe krah saj ishin edhe Sllovakia e Spanja, e vazhdojnë të jenë edhe sot. Në BE nuk ka pasur as përpjekje serioze për të ndryshuar qëndrimin e shteteve anëtare dhe nuk ka as sot.
Kosova ka rënë në grackë pas Mendimit të GJND-së dhe ka hyrë në dialogun i cili ka krijuar pasoja të pariparueshme. Edhe pse në fillim thuhej se “dialogu nuk është për statusin” tash është kthyer rreziku që dialogu të mos jetë për “raportet mes Kosovës dhe Serbisë”, por rreth “çështjes së Kosovës”.
Duhet të jesh naiv të mos e dish se një mbështetje nga Këshilli i Sigurimit do të zgjidhte shpejt problemet në raportet e Serbisë me Kosovën dhe të shteteve të tjera që nuk e kanë njohur Kosovën. Por dhënia e një roli të ri Rusisë në këtë rast paraqet një shans të mirë për Rusinë për të bërë tregti për gjëra të tjera. Dhe në fund askush nuk mund të garantojë se si do të sillet Rusia në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Pikërisht për të mos lejuar bllokimin e përhershëm të procesit të caktimit të statusit të Kosovës edhe ishte përmbyllur procesi me Ahtisaarin dhe propozimin e tij.
E pavend është edhe thirrja në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së e cila është qëmoti e tejkaluar, ani pse nuk është zëvendësuar me ndonjë tjetër. Sepse ajo rezolutë nuk e ka vulosur fatin e statusit të Kosovës, por e ka lënë të hapur që të zgjidhet përmes një procesi ndërkombëtar, siç edhe ka ndodhur. Pavarësia e Kosovës nuk e ka shkelur, por e ka plotësuar Rezolutën 1244, duke i dhënë fund procesit që çoi tek zgjidhja e statusit, ani pse Beogradi në mënyrë unilaterale refuzoi çfarëdo zgjidhjeje e cila nuk do ta vendoste Kosovën si pjesë të Serbisë. E GJND-ja ka konstatuar se me shpalljen e pavarësisë nuk ishte shkelur Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Tash Kosova është para një rreziku të madh që “çështja” të kthehet përsëri në OKB falë dështimeve në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe naivitetit të udhëheqjes kosovare në këta dhjetë vjetët e fundit.