Deng Xiaopingu e kuptoi se një sistem i bazuar në rregulla ishte thelbësor për ta shmangur përsëritjen e asaj përvoje shkatërruese. Por bindja e tij nuk mund ta kapërcente interesin e tij personal, ndërsa ngrehina institucionale që ai e ndërtoi në vitet 80’ doli të ishte vetëm pak çka më shumë se një shtëpi prej kartash. Konfirmimi i Xi Jinpingut gjatë këtij muaji është thjesht puhia që e nxit rrënimin e pashmangshëm të tij
Në Kongresin e 20-të Kombëtar të Partisë Komuniste të Kinës (PKK), që do të mbahet gjatë këtij muaji, Xi Jinpingu pothuajse sigurt do të konfirmohet për një mandat të tretë si sekretar i përgjithshëm i Partisë dhe si president i Kinës. Me këtë, ai do të bëhet udhëheqësi suprem më jetëgjatë i Kinës që prej Mao Zedongut, ndërsa rregullat dhe normat që supozohet ta qeverisin regjimin e PKK-së do të rrënohen.
Këto rregulla dhe norma janë vendosur kryesisht nga pasardhësi i Maos, Deng Xiaopingu, i cili e mori pushtetin në vitin 1978. Dengu e njihte nga përvoja e tij dëmin që mund të shkaktonte fanatizmi ideologjik i Partisë. Gjatë Revolucionit Kulturor, njëri nga të bijtë e tij ishte paralizuar nga pjesëtarët e papërmbajtshëm të Gardës së Kuqe. Vetë Dengut i ishin marrë pozitat zyrtare dhe ishte dërguar të punonte në një fabrikë të një province të largët për katër vjet – në njërën prej tri herëve që ishte spastruar nga Qeveria gjatë karrierës së tij të gjatë revolucionare.
Për të siguruar që Kina më kurrë nuk do të mbërthehej nga një terror i këtillë, Dengu – me mbështetjen e revolucionarëve të tjerë veteranë që i kishin mbijetuar Revolucionit Kulturor – e rivendosi udhëheqjen kolektive dhe zbatoi kufizime të moshës dhe të mandatit për pjesën më të madhe të pozitave të larta në PKK. Në dekadat pasuese, udhëheqësit kryesorë të Kinës nuk shërbyen më shumë se dy mandate, ndërsa anëtarët e Byrosë Politike e respektuan kufirin e moshës deri në 68 vjeç.
Mirëpo Xi ka shpërfaqur se sa i brishtë ishte në të vërtetë "sistemi i bazuar në rregulla" i Dengut. Ç’është e vërteta, në krejt zhurmën rreth arritjeve të Dengut, të dhënat e tij mbi frenimin e regjimit të PKK-së janë të përziera, në rastin më të mirë, jo vetëm shkaku që përkushtimit i vetë atij për rregulla nuk ishte as përafërsisht aq i fuqishëm saqë do të mund të pritej.
Në praktikë, Dengu i përçmoi udhëheqjen kolektive dhe procedurat formale. Ai rrallëherë mbante takime të Komitetit të Përhershëm të Politbyrosë, ngase donte që ta mohonte rivalin e tij kryesor, një konservator i vendosur që e kundërshtonte reformës ekonomike, një platformë kjo për ta sfiduar politikën e tij. Në vend të kësaj, ai e ushtroi udhëheqjen nëpërmjet takimeve private me mbështetësit.
Për më tepër, në relacionet me liderët që kishin simpati për forcat pro-demokracisë, Dengu shpesh i shkelte procedurat dhe normat që vetë i kishte vendosur. Vendimi i tij për shkarkimin e dy prej shefave liberalë të PKK-së – Hu Yaobang më 1986 dhe Zhao Ziyang (i cili e refuzoi urdhrin e Dengun për ta zbatuar ligjin ushtarak gjatë krizës së Tiananmenit) më 1989 – i shpërfilli aktet nënligjore të Partisë.
Po kështu, Dengu ndonjëherë e shmangte fare zbatimin e ndonjë rregulli, po qe se ai mund t’ia minonte interesat e tij politike. Në rastin më të theksueshëm, ai – bashkë me udhëheqës të tjerë të moshuar të PKK-së – nuk zbatuan kufizime moshe a mandati për anëtarët e Politbyrosë. Edhe në rast se nuk do të mund t’i mbanin pafundësisht postet zyrtare qeveritare, ata nuk do ta humbnin kurrë autoritetin e tyre vendimmarrës. Në po të njëjtën mënyrë, Dengu nuk miratoi kurrfarë rregulla formale qeverisëse për atë se kush do të mund ta kryesonte Komisionin Qendror Ushtarak. Kjo ia mundësoi të vazhdonte ta kryente këtë detyrë edhe pasi të kishte dhënë dorëheqjen nga postet e tjera. Pas këtij presedani Jiang Zemini e bëri të njëjtën më 2002. Sa i përket Xisë, ani se iu desh të kalonte nëpër mocione për heqjen e kufizimit të mandatit presidencial nga Kushtetuta më 2018, ai përfitoi nga fakti se PKK-ja nuk e kishte vendosur një tavan zyrtar të mandatit për sekretarin e saj të përgjithshëm.
Nuk ka asgjë shokuese në përpjekjet e Kinës për t’i mbajtur rregullat dhe normat. Edhe demokracitë e pjekura, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përballen me të këtilla sfida, siç e tregoi qartë Presidenca e Donald Trumpit. Por në rast të dështimit të kontrolleve dhe baraspeshave formale kushtetuese, demokracitë të paktën mund të llogarisin në shtypin e lirë, shoqërinë civile dhe partitë e opozitës për një shtysë, siç bënë në rastin kundër Trumpit.
Në diktatura, rregullat dhe normat janë larg më të brishta, ngase nuk ekzistojnë mekanizma të besueshëm kushtetues apo politikë të zbatimit, ndërsa autokratët mund t’i politizojnë lehtësisht institucionet, siç janë gjykatat kushtetuese, duke i shndërruar organet e tilla në vula prej gome. Dhe nuk ka as mekanizma dytësorë të zbatimit. Kina nuk ka shtyp të lirë apo opozitë të organizuar. Nëse një rregull bëhet i papërshtatshëm – si u bë për Xinë kufiri kushtetues për mandatet presidenciale – ai lehtësisht mund të ndryshohet.
Përderisa shkelja e rregullave dhe normave institucionale mund t’u sjellë përfitime sunduesve autokratë, ajo nuk është domosdoshmërisht e mirë për regjimet e tyre. Përvoja e PKK-së nën Maon është një rast i tillë. I pangarkuar nga ndonjë kufizim institucional, Maoja iu vu pas spastrimeve të pareshtura dhe e udhëhoqi partinë prej një fatkeqësie në tjetrën, duke e lënë pas një regjim që ishte ideologjikisht i rraskapitur dhe ekonomikisht i falimentuar.
Dengu e kuptoi se një sistem i bazuar në rregulla ishte thelbësor për ta shmangur përsëritjen e asaj përvoje shkatërruese. Por bindja e tij nuk mund ta kapërcente interesin e tij personal, ndërsa ngrehina institucionale që ai e ndërtoi në vitet 80’ doli të ishte vetëm pak çka më shumë se një shtëpi prej kartash. Konfirmimi i Xisë gjatë këtij muaji është thjesht puhia që e nxit rrënimin e pashmangshëm të saj.
(Minxin Pei, profesor i qeverisjes në Kolegjin Claremont McKenna, është anëtar i lartë jorezident në Fondin Marshall Gjerman të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).