OpEd

Rrëfimi i nënës dhe njerkës

Kushedi sa miliona janë derdhur nga donatorët e ndryshëm për ndërtimin e një sistemi funksional gjyqësor, që do t'i jepte siguri popullatës, që bile diku do të mundë ta gjente drejtësinë në vargun e padrejtësisë që e përjeton duke jetuar në një shtet të paperspektivë, ku i forti sundon ja me qejf, ja me zor.

Një ditë para se të hynte në fuqi Kushtetuta e Kosovës, Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, Joachim Ruecker, e kishte nënshkruar një vendim ekzekutiv me të cilin ia mundësonte Sami Lushtakut që të mos e humbte mandatin e kryetarit të Komunës së Skenderajt. Ishte dënuar, nuk mbaj mend më përse, me gjashtë muaj burgim, po aq sa do t'ia humbnin mandatin, sipas rregullores së atëhershme të UNMIK-ut.

Përderisa e kisha të qartë që interesi personal i Rueckerit do të ishte përmbushur me një vendim të këtillë, ngase atij nuk i kushtonte gjë që ta lironte, përkundrazi kurrë nuk më kishte shkuar në mendje që në shtetin e pavarur që aq shumë e ëndërruam, ky do të ishte shembulli në bazë të të cilit do të ndërtohej sistemi gjyqësor i Kosovës.

Pothuajse 11 vjet pas këtij vendimi, gjyqësia e Kosovës ka dëshmuar se është po aq e padrejtë dhe e pabalancuar sa ka qenë edhe vendimi i gjermanit. Përherë nën alibinë e mbikëqyrjes dhe udhëheqjen ndërkombëtare, gjyqësia është bërë vendi kyç për akomodimin e njerëzve operativë dhe të dëgjueshëm, që do të kishin për detyrë parësore t'i vihen nën shërbimin e kastës politike që e ka uzurpuar pushtetin dhe të gjithë jetën në Kosovë.

Ndërkohë, një faj shumë të madh për funksionimin tmerrësisht të keq të sistemeve prokuroriale dhe gjyqësore e bart EULEX-i, misioni më i shtrenjtë në historinë e BE-së, që është dashur të merrej me dhe t'i gjykonte rastet më të rënda të krimeve të të gjitha llojeve në Kosovë. U largua nga gjyqësia kosovare duke e lënë dengun e lëndëve të pazgjidhura nga koha e UNMIK-ut dhe me nja dy-tri raste të dështuara të gjykimeve për krime lufte dhe thuajse asnjë rast më meritor korrupsioni. Për më keq, la pas një mori prokurorësh dhe gjyqtarësh të paaftë për ta kryer punën e tyre dhe edhe një shembull shumë të keq për administrimin e drejtësisë.

* * *

Shuarja e EULEX-it në këtë sferë thuajse mbeti e pavërejtur. Sepse asnjë gjë nuk ka ndryshuar që prej atëherë, pos që na janë ndërtuar nja dy burgje të sigurisë së lartë, të cilat kryesisht mbesin të zbrazëta, ngase në mesin e gjithë këtij korrupsioni, nuk gjenden kandidatë për t'i mbushur qelitë.

Kushedi sa miliona janë derdhur nga donatorët e ndryshëm për ndërtimin e një sistemi funksional gjyqësor, që do t'i jepte siguri popullatës, që bile diku do të mundë ta gjente drejtësinë në vargun e padrejtësisë që e përjeton duke jetuar në një shtet të paperspektivë ku i forti sundon ja me qejf, ja me zor. Porse shumë kohë është dashur të kalonte që të huajve t'u dëgjohej më në fund zëri, e që publikisht ta etiketojnë këtë sistem, si një që i shpërben kastës politike të shpërndarë nëpër të gjitha nivelet e pushtetit.

I fundit qe reagimi i Ambasadës amerikane, që për herë të parë pas shumë kohësh ka vendosur t'i fusë në lista të zeza njerëzit që ose janë dënuar e megjithatë rehabilitohen me shpejtësi të jashtëzakonshme në jetën politike, ose të cilët janë të dyshuar për vepra penale të kalibrit të madh, ato të shumë parave të shpërdorura. Këta nuk do të mundë të udhëtojnë në Amerikë me viza, porse nuk ka kush t'i ndalë nga shijimi i parave që i kanë përvetësuar nëpër vendpushimore të shtrenjta apo vila e banesa të shpërndara gjithandej nëpër Evropë e gjetkë.

* * *

Gjyqësia e Kosovës ka dëshmuar se është e rreptë dhe vepron në pajtim me ligjin vetëm kur bëhet fjalë për hajna të pulave. Ryshfeti prej 30 eurosh mund të kushtojë me gjashtë muaj burg, e shërbimi jashtë orarit i një elektricisti në vlerë prej 500 eurosh me tre vjet e fiu burgim, apo marrja e bakshishit 300 euro një polici mund t'i kushtojë 5 vjet burgim. S'ka fjalë, edhe mita prej 1 euroje duhet dënuar, dhe këto raste duhen shërbyer si ekzemplarë për të tjerët: kjo është çka mund të ndodhë po qe se shkelet ligji. Dhe ky veprim do të ishte për çdo lëvdatë, po të mos ishte ana tjetër e medaljes.

Këto dënime ndodhin në kohën kur për shpërdorimet milionëshe dhe në gjykime të stërzgjatura kryetarët e komunave, kryesisht të PDK-së, marrin vetëm dënime me kusht ose thjesht i ikin drejtësisë. Ndodhin edhe në kohën kur Prokuroria e Shtetit nuk do që të merret me asnjërin rast me peshë të madhe e për të cilin ka nisur procedurat vetëm pasi që gazeta ka raportuar për to.

Çështja e hidrocentraleve të falura me rastin e shitjes së Distribucionit më 2013-n as që e ka ndërmend të hyjë më thellë në procedurë, ndërkohë që të dyshuarit mbajnë poste të larta politike ekzekutive dhe legjislative. Prokuroria nuk ka kohë as të merret me 53 milionët që do t'i falen “Bechtel-Enkas” së raportuar para një viti, ngase ende është në fazën e mbledhjes së informatave, ashtu siç vepron edhe në rastin e Telekomit që kërciti si megaskandal pas raportimit të KTV-së për nepotizmin endemik në të. Dhe nuk duhet shumë mend për ta kuptuar arsyen e vërtetë të kësaj: prapa të gjitha këtyre skemave qëndrojnë politikanët në krye të shtetit. E të mos e përmendim çështjen e veteranëve, kur për herë të parë dëgjuam nga Kryeprokurori i Shtetit se sistemi ynë gjyqësor njeh edhe kategorinë e draft-aktakuzës.

Por po të ishte problemi vetëm te prokuroria, mbase disi edhe do të arrihej njëfarë lloj drejtësie. Me gjykata e gjykatës të mirëfilltë, edhe një person privat apo edhe grup qytetarësh do të mundë të ngrinin padi me prova. Por Kosova, me ca përjashtime, nuk ka gjykata të mirëfillta e as gjykatës të njëmendtë që do ta kryenin punën e tyre profesionalisht. Ka raste që zvarriten me vite, për çështje procedurale, e madje edhe për punë të ligjit që nuk e mundëson gjykimin në mungesë, siç janë rasti i Ukë Rugovës dhe vizave italiane, apo edhe ai "Toka", ku parcela me vlera milionëshe janë tjetërsuar paligjshëm, apo ai "Stenta", që përfundoi së voni me ca dënime. Ka edhe raste kur lënda që ka bazë për gjykim dhe për një dënim eventual hidhet poshtë "në mungesë të provave", siç ka qenë rasti i Emin Beqirit, për të cilin tash Gjykata Supreme thotë se është mbyllur pa të drejtë.

Ka edhe shumë raste të tjera që nuk do të zinin në këtë kolumne, porse të gjitha e kanë një të përbashkët: të gjithë të implikuarit këtu janë "njerëz të profilit të lartë", përkatësisht njerëz ose të pushtetit, të lidhur me pushtetin, ose shërbëtorë të pushtetit, ndaj të cilëve gjyqësia është treguar nënë, përderisa rolin e njerkës e ka ruajtur për kriminelët e kalibrit të vogël.

* * *

Për tre vjet janë hapur 68 raste me akuza të njerëzve të profilit të lartë, dhe prej tyre 9 kanë shpëtuar se është hedhur aktakuza; 16 janë liruar nga akuza; në 5 raste akuzat janë refuzuar, kurse në 11 raste janë shqiptuar dënime. Këto të gjitha në shkallë të parë, aty ku ende vazhdon procesi ndaj 27 zyrtarëve, pra me shansin që aktgjykimet të përfundojnë në dekadën e tretë të këtij shekulli.

68 të akuzuar në shtetin me korrupsionin më të madh në Evropë, me shkallën më të ulët të investimeve të huaja; me keqpërdorime të evidencuara në secilin segment të mundshëm në shoqëri; me shkallën më të lartë të papunësisë dhe tash me paraqitjen më të shpeshtë të krimeve të rënda me armë zjarri, për shkak mbase edhe të varfërisë, por kryesisht për shkak të politikës sunduese të mosndëshkimit dhe mbylljes së hetimeve me "të njofshëm".

Mësuesit e së keqes, si ai nga fillimi i kësaj kolumneje, i kemi pasur, po shihet, të jashtëzakonshëm. Porse ne jemi dëshmuar edhe më të jashtëzakonshëm: ua kemi kaluar duke u bërë më të sofistikuar se ata. Më të zinj, pa asnjë dyshim.

[email protected]