OpEd

Rikandidimi i pafund: Simptomë e një absurdi politik

Është koha e fundit që strategjia e lodhjes kolektive të marrë fund dhe që partitë të sillen si përfaqësuese të vullnetit qytetar, jo si aktore në një teatër absurd, ku çdo akt e largon edhe më shumë zgjidhjen

Sfida më e madhe kur shkruan kolumne të rregullta për një medium është gjetja e temës së përshtatshme për të cilën autori ka material dhe argumente të mjaftueshme për ta trajtuar në mënyrë kredibile, logjike, analitike dhe argumentuese. Jo pse nuk ka tema, si vendore ashtu edhe ndërkombëtare, por ngase një sërë syresh trajtohen nga autorë të tjerë apo edhe pse një numër të tyre edhe janë trajtuar aq shumë saqë ritrajtimi i tyre rrezikon ta verë autorin në radhën e shkruesve që trajtojnë tema të njëjta disa herë dhe që kolumnet e tyre të mos lexohen.

Për shembull, njëra prej temave aktuale që meriton të trajtohet është ajo e (mos)konstituimit të Kuvendit. Mendoj se autorët nuk bën t’i ikin kësaj teme, nëse për asgjë tjetër, atëherë për ta mbajtur presionin publik mbi partitë politike që ta përfundojnë këtë obligim sa më parë. Trajtimi i vazhdueshëm i kësaj teme do të kishte për qëllim largimin e partive nga zona e komforit në të cilën kanë hyrë dhe t’i detyrojë që nëpërmjet dialogut ta zgjidhin ngërçin politik të paprecedent në historinë politike të Kosovës, e edhe më gjerë.

Temën e konstituimit të Kuvendit e kam trajtuar në tre kolumne prejse ka filluar kriza institucionale. Në kolumnen e parë kam folur për betimin e deputetëve nga prizmi i teorisë së institucionalizimit parlamentar, e cila thotë se duhet të ekzistojë një numër rregullash të shkruara apo të pashkruara, të cilat pranohen, respektohen dhe zbatohen nga të gjithë akterët politikë. Për shembull, në rastin e Kosovës kishte paqartësi në lidhje me mbajtjen e mandatit të deputetit dhe atij të kryeministrit e ministrave, që e

shndërruan çështjen e betimit të deputetëve në problematikë, sepse rregullat lidhur me mandatet e dyfishta ekzekutive dhe legjislative nuk ishin të kuptuara njëlloj nga të gjithë akterët politikë.

Në kolumnen e dytë, të shkruar pasi u bë betimi i deputetëve e që pasoi me një dorëheqje formale të qeverisë në detyrë, e trajtova temën e konstituimit nga prizmi i kulturës politike.

Në këtë kolumne, argumentova se kultura politike e përgjithshme dhe nënkulturat politike të veçanta të akterëve të ndryshëm politikë kanë ndikim në rrjedhat politike, më konkretisht, në mënyrën se si i janë qasur këta akterë konstituimit të Kuvendit. Kultura politike e definon mënyrën se si dikush fiton diçka dhe kur e fiton atë. Në këtë trajtim, argumentova se rezultati zgjedhor i 9 shkurtit nuk ia mundëson LVV-së që ta fitojë atë që e dëshiron sipas kushteve të saj, por që dalja nga kriza dhe ruajtja e legjitimiteti të institucionit më të lartë përfaqësues duhet të bëhet përmes marrëveshjes së të gjitha forcave politike, e cila do t’u mundësonte forcave politike që të vazhdojnë me procedurat e formimit të qeverisë, pas konstituimit të Kuvendit.

Kolumna e tretë kushtuar krizës institucionale e vështroi moskonstituimin e Kuvendit përmes koncepteve të dominimit, rezistencës dhe dialogut. Me këtë rast argumentova se partia që e pati pushtetin absolut në mandatin e shkuar legjislativ - LVV-ja - nga dominimi politik i katërvjeçarit të kaluar ka kaluar në fazën e rezistencës ndaj realitetit të ri politik, kur e ka humbur pozicionin e saj dominues në skenën politike. Ani se rezistenca, si strategji politike, ishte nënshkrimi i LVV-së që prej themelimit të saj dhe mund t’i duket strategji joshëse për ta rikthyer pozicionin dominues, ajo i shërben bllokimit dhe, prandaj, dialogu gjithëpërfshirës, pa asnjë palë dominuese, është rruga e vetme me të cilën mund të dilet nga qorrsokaku aktual politik.

Por çka nëse kjo marrëzi politike, në të cilën po e njëjta kandidate, e cila dështon ta marrë shumicën e nevojshme të votave për të 19-tën herë, vazhdon të jetë e vetmja edhe për herën e 20-të dhe mbase edhe për të 30-tën, a në mënyrë të pakufishme?

Në gjuhën angleze ekziston shprehja vulgare, e cila më së miri e përshkruan këtë situatë: Brainf...k. Në pamundësi për ta përkthyer në shqipe në një gjuhë më të përshtatshme për kolumne, e pyeta ChatGPT-në për ndihmë dhe ajo, në mesin e shumë përshkrimeve, më sugjeroi këtë: Absurd që sfidon çdo logjikë, gjë që shkakton lodhje dhe bllokim mendor kolektiv.

Mu kjo lodhje kolektive është ajo në të cilën llogarit partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit. Edhe unë, si kolumnist, isha gati të vija në këtë grackën e bllokimit e lodhjes dhe t’i largohem temës së konstituimit të Kuvendit, duke menduar për të tjera. Por konsideroj se ka ardhur koha e rritjes së presionit publik, para së gjithash mbi LVV-në, si partia më e madhe, e cila e mban përgjegjësinë më të madhe që ta ndryshojë lojën e saj, duke qenë se nuk i ka votat për të zgjedhur kryetaren e kuvendit pa një marrëveshje politike me partitë e tjera.

Rikandidimi i të njëjtës kandidate për të njëzetën herë, kur e di se ajo nuk e ka mbështetjen e shumicës parlamentare, është një rast sui generis i mungesës së logjikës politike dhe të vullnetit për ta zhbllokuar situatën. Zgjedhja e një titullari të lartë të shtetit bëhet me shumicë votash. Kur ai apo ajo kandidat/e nuk e ka shumicën, duhet propozuar të dytin apo edhe të tretin, me një kufizim në numrin e kandidatëve të propozuar. Ky parim i ndërrimit të kandidatëve, po qe se ata janë të pasuksesshëm, funksionon edhe në

zgjedhjen e qeverisë e edhe të presidentit të shtetit. Pa çka se në rastin e konstituimit të Kuvendit nuk është e shkruar askund se si të veprohet nëse një kandidat nuk e ka shumicën për kryetar të parlamentit. Logjikisht, nëse një kandidat nuk e ka shumicën, propozohet kandidati tjetër e jo të shkohet me të njëjtën kandidaturë 20 herë, kur e di se ajo kandidaturë do të jetë e dështuar.

Së fundmi, lideri i LVV-së, në një intervistë në RTK, e përsëriti atë që para tij e kishin thënë eksponentë të ndryshëm të kësaj partie pas dështimeve të njëpasnjëshme për ta shpënë përpara kandidaturën e dështuar të Haxhiut. Kur pritej që në një intervistë speciale, ku ai i drejtohej popullit, të ofronte zgjidhje për ngërçin dhe për daljen nga kriza institucionale, ai u shërbye me refrene që kanë për synim fajësimin e partive të tjera politike për dështimin e kandidaturës së LVV-së për kryetare të parlamentit. U mor më shumë me partitë e tjera sesa me vetveten.

Ky stil i politikëbërjes është shkatërrimtar dhe pasojat e tij do t’i ndiejmë edhe për një kohë të gjatë, ngase askush nuk do ta konsiderojë Kosovën partner serioz, as për integrime euroatlantike, as për dialog me Serbinë e as për investime të drejtpërdrejta. Kjo zaten po shihet edhe në vizitën e shefes së diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, në Kosovë. Ajo nuk ka adresë se ku të shkojë për takim. Qeveria legjitime nuk ekziston - në vend të saj kemi një qeveri kujdestare, e cila nga askush nuk konsiderohet partnere. Thënia e Kurtit në intervistën speciale në RTK se Kosova paska qeveri po nuk paska Kuvend, thënë së buti është komike. Kjo thënie po demantohet nga Kallasi, e cila gjatë vizitës së saj në Kosovë po i takon vetëm partitë politike dhe shoqërinë civile, por jo qeverinë, sepse një të tillë

Kosova nuk e ka, sado që Kurti do të dëshironte që ende të konsiderohet me mandat legjitim.

Përfundimisht, vazhdimi i këtij absurdi institucional jo vetëm që e minon kredibilitetin e partive politike përballë qytetarëve, por rrezikon edhe ta degradojë më tej besimin në vetë sistemin demokratik të vendit. Kur një parti e madhe politike, e vetëdijshme për mungesën e shumicës, këmbëngul në një kandidaturë të pasuksesshme për të njëzetën herë, ajo jo vetëm që e ngulfat dialogun por edhe e shndërron Kuvendin në arenë të absurdit e jo të përfaqësimit politik. Në vend të lëvizjes përpara, jemi përballë një vendnumërimi të pafund. Është koha e fundit që kjo strategji e lodhjes kolektive të marrë fund dhe që partitë të sillen si përfaqësuese të vullnetit qytetar, jo si aktore në një teatër absurd, ku çdo akt e largon edhe më shumë zgjidhjen.