Sensacionin Newsom nuk duhet parë si rast të izoluar. Ai është pasojë e lëvizjeve dinamike të demokracisë amerikane të cilat po mundohen t’i përgjigjen shokut politik të cilin ia ka shkaktuar fenomeni Trump gjithë shoqërisë amerikane. Nga Zohran Mamdani dhe rrugët e Brooklynit në New York, e deri te Gavin Newsom dhe rrjetet sociale demokracia amerikane është duke rilindur përsëri
Këto ditë Gavin Newsom është personi më i përfolur në rrjetet sociale. Atë do ta shihni duke fluturuar si Supermen apo duke kalëruar një dinozaur, ndërsa fytyrën e tij do ta shihni në faqen e parë të magazinës TIME dhe të gdhendur në malin Rushmore. Ai është shpallur “GUVERNATORI MË I ADHURUAR DHE MË I BUKUR I AMERIKËS” dhe “shumëkush” ka bërë thirrje që atij t’i dhurohet çmimi i Nobelit për Paqe.
Natyrisht asgjë nga kjo nuk është e vërtetë, përveç se Gavin Newsom me të vërtetë është personi më i përfolur në rrjetet sociale. Guvernatori demokrat i Kalifornisë është kundërshtar kryesor politik i presidentit Trump dhe këto ditë ai ka vendosur ta luftojë presidentin Trump në terren të tij dhe me mjetet e tij. Sikur Trumpi ai tani përdor rrjetet sociale për të tërhequr vëmendjen e publikut jashtë rregullave tradicionale të komunikimit të zyrtarëve të lartë publikë. Kështu ai poston rregullisht gjëra atraktive dhe komike, por shpesh të pavërteta, me qëllim të ekspozimit të gjithë çmendurisë që e karakterizon komunikimin publik të Trumpit. Kështu ai shpesh poston në stilin narcisit të Trumpit duke lavdëruar veten apo duke fyer të tjerë dhe çdo herë me SHKRONJA TË MËDHA dhe me përdorim të pavend të thonjëzave dhe pikëçuditjeve. Ja një shembull i postimit të tij. Kur Trumpi mbajti takimin me Putinin në Alaskë, Newsom shkroi në rrjete sociale: “TRUMP SAPO IKU NGA KONFERENCA ME PUTININ – NUK PRANOI ASNJË PYETJE NGA GAZETARËT! DËSHTIM TOTAL! ZERO ENERGJI! U DUK SIKUR KA NGRËNË 3 KOVA KFC ME VLLADEN. A ËSHTË I FRIKËSUAR SE SHTYPI DO TË PYESË PËR MUA??? (GUVERNATORIN MË TË MIRË TË AMERIKËS)”. Dhe po ashtu sikur Trumpi, Newsom ka filluar të shesë gjëra sikur kapelat, fanella, flamuj dhe madje edhe biblat me mbishkrime patriotike që kanë për qëllim të ekspozojnë banalitetin e lëvizjes MAGA.
Dhe e gjithë qasja e re e guvernatorit të shtetit më të madh amerikan është duke funksionuar. Personalisht Trump dhe figurat më të rëndësishme republikane dhe konservatore po mundohen të ndalojnë ngritjen dhe suksesin e jashtëzakonshëm të guvernatorit Newsom. Që nga fillimi i ironizimit të Trumpit audienca që përcjell guvernatorin është trefishuar në rrjetet sociale. Që nga 1 gushti ai ka shtuar 300 mijë ndjekës në Twitter dhe shkalla e angazhimit me postimet e tij është dyfishuar. Postimet e tij për Trumpin pëlqehen mesatarisht 150 mijë herë. Në muajin mars në TikTok ai ka pasur 500 mijë ndjekjes, tani ka 2 milionë. Dhe popullariteti i tij i ri po shkon përtej rrjeteve sociale drejt shtrirjes edhe në jetën reale. Në sondazhin e fundit 56% e qytetarëve të Kalifornisë kanë pasur një mendim pozitiv për guvernatorin Newsom – gjë që përbën gati dyfishim të mbështetjes krahasuar me vetëm një muaj më parë. Së bashku me Pete Buttigieg ai tani është kandidati më serioz për të fituar zgjedhjet presidenciale 2028.
Guvernatori Newsom nuk ka zgjedhur këtë lloj beteje. Ajo i është imponuar. Në fillim të këtij viti ai e kuptoi se komunikimi tradicional publik nuk do t’i ndihmojë në përballje me Trumpin. Në fillim të këtij viti ai u ballafaqua me tragjedinë dhe urgjencën e zjarreve të jashtëzakonshme që goditën Kaliforninë. Përderisa ai ishte i zënë me menaxhimin e shuarjes së zjarreve dhe shpëtimit të jetës dhe pronës, Trumpi ishte duke e “masakruar” atë publikisht me të pavërteta rreth menaxhimit të të gjithë situatës. Kësisoj për shembull në mes të gjithë asaj situate Trumpi kishte shkruar se guvernatori është duke refuzuar ta “nënshkruajë urdhrin për lëshimin e ujit” për ta lehtësuar shuarjen e zjarreve. Një dokument i tillë nuk ekzistonte dhe ishte shpikje në mendjen e Trumpit, por kjo nuk e ndaloi që të shndërrohet në të vërtetë publike. Kësisoj në gjithë episodin e menaxhimit të zjarreve guvernatori Newsom kuptoi që shuarja e zjarrit të të pavërtetave që dilnin nga llogaritë sociale të Trumpit ishte po aq e rëndësishme sa edhe shuarja e vetë zjarreve reale nëpër rrugët e Kalifornisë.
Prej kohësh demokratët kanë vendosur një standard të komunikimit të respektueshëm në jetën publike. Në fakt ai ishte standard bipartizan, deri në kohën e ardhjes së Trumpit. Një standard i denjë për nderin dhe fisnikërinë e posteve të larta publike. Këtë parim më së bukuri e ka kapur Michelle Obama kur iu kishte përgjigjur sulmeve të ulëta republikane me moton e famshme “Kur ata na godasin shumë ulët, ne do të ngrihemi shumë lart”. Por shumë kohë ka kaluar që nga atëherë. Sot jetojmë në një botë krejtësisht tjetër, kryesisht falë rrjeteve sociale dhe Donald Trumpit. Vetë guvernatori Newsom e pranon këtë. “Unë kam ndryshuar. Faktet kanë ndryshuar, dhe ne demokratët duhet të ndryshojmë”, u ishte përgjigjur së fundmi mediave Newsom. Kësisoj, sot, guvernatori Newsom është duke shkruar moton e re të demokratëve: Kur ata na godasin shumë ulët, ne do ta kthejmë goditjen.
Sensacionin Newsom nuk duhet parë si rast të izoluar. Ai është pjesë e një vale të re të ndryshimeve në skenën politike amerikane e cila është pasojë e lëvizjeve dinamike të demokracisë amerikane të cilat po mundohen t’i përgjigjen shokut politik të cilin ia ka shkaktuar fenomeni Trump gjithë shoqërisë amerikane. Atë që Zohran Mamdani bën nëpër rrugët e Brooklynit në New York është duke e bërë edhe Gavin Newsom në rrjetet sociale. Ndonëse përdorin metodat e ndryshme ata janë të bashkuar në një qëllim të vetëm: ta ekspozojnë banalitetin e Trumpit dhe ta ndihmojnë demokracinë amerikane të rilindë përsëri.