OpEd

Revolucioni i katërfishtë

Sikur në zgjedhjet e kaluara në Amerikë, edhe në Kosovë qytetarët shembën falsitetin e elitës tradicionale politike. Vota e tyre ishte verdikt për sjelljen e gabuar politike të frontit opozitar. Dhe me votën e tyre këtë të diel qytetarët vënë në lëvizje një revolucion të katërfishtë

Parashikimet janë hobi i rrezikshëm. Pak a shumë si bixhoz. Është profesion i rrezikshëm edhe për ata të cilët këtë punë e bëjnë profesionalisht. Psikologu amerikan Philip E. Tetlock ka shkruar libër të tërë për të shpjeguar përse parashikimet e ekspertëve në politikë dalin zakonisht të gabuara. Por këtë fundjavë një parashikim i Albin Kurtit doli i saktë. Ishte mbrëmja e së hënës 16 shtator 2019 kur Kurti në një intervistë kishte parashikuar se “pas fitores sonë do të këtë shkundje nëpër të gjitha partitë politike. Ndërrojnë koordinatat e situatës”. 

Dhe me të vërtetë që nga shtatori i vitit 2019 koordinatat e situatës politike kanë ndryshuar. Ky ndryshim arriti kreshendon e vet këtë fundjavë. Këtë të diel Albin Kurti arriti atë që edhe mbështetësit e tij më pasionantë e konsideronin të pamundur: përsëritjen e 50%-shit. 

Shumëkush e sheh këtë çfarë ka ndodhur të dielën si meritë e Kurtit, pra votë afirmative për lidershipin dhe arritjet e qeverisjes së z. Kurti. Por unë e gjej veten tek ai kampi i mendimit që konsideron se vota e 28 dhjetorit 2025, sikur ajo e 14 shkurtit 2021, ishte votë ndëshkuese ndaj një modeli të gabuar politik. Thënë ndryshe qytetarët ende besojnë se asgjë nuk ka ndryshuar në thelb te karakteri dhe oferta opozitare. Rrjedhimisht vota e tyre ishte verdikt për sjelljen e gabuar politike të frontit opozitar. Dhe me votën e tyre këtë të diel qytetarët vënë në lëvizje një revolucion të katërfishtë. 

E para, këtë të diel qytetarët konfirmuan 50% mbështetje për Kurtin ndonëse çdokush në këta katër vjetët e fundit iu ka thënë që ta bëjnë të kundërtën. Opozita ka thënë se Kurti duhet ngre “zvarrë nëpër rrugët e Prishtinës” dhe se është “spiun i Serbisë”; mediat kanë shpallur Kurtin armikun numër një të Kosovës; ndërsa ambasadat kanë ndëshkuar atë me masa politike dhe financiare. Asgjë nga kjo nuk arriti t’i bindë qytetarët e Kosovës. Si asnjëherë më parë ata vendosën të injorojnë zhurmën e zallahisë dhe me qetësi u besuan vetëm syve dhe veshëve të tyre. Kësisoj ata shembën kolonat e modelit tradicional politik të Kosovës ku akterët ortodoksë politikë humbën fuqinë që historikisht kishin pasur për të ndikuar në zhvillimet politike në vendin tonë. Duke vepruar kështu qytetarët revolucionarizuan historinë politike të Kosovës duke treguar një sens të arsyeshëm dhe të pavarur të vendimmarrjes, në dikotomi të plotë nga kolonat tradicionale të pushtetit. Dhe ata këtë nuk e bënë një herë, por dy herë brenda këtij viti. Më herët në zgjedhje lokale dhe tani në këto qendrore, duke votuar kështu radikalisht ndryshe dhe duke konfirmuar kështu aleancën e tyre vetëm me sensin dhe arsyen e tyre personale – jo partizanllakun politik. Kësisoj jemi në vigjiljeje të lindjes së një kulture të re politike të Kosovës. 

Së dyti, Kurti bëri revolucion duke arritur atë që askush nuk mendonte se është e arritshme – përsëritja e 50%-shit. Kësisoj Kurti bindi skeptikët e vet se 50%-shi nuk ishte një rastësi, por dukuri që ka potencialin të shndërrojë veten në standard të ri politik. Si çdo arritje e jashtëzakonshme kjo është tani për Kurtin bekim dhe mallkim njëkohësisht. Bekim për karakterin dhe vizionin e tij politik, mallkim për pritjet e jashtëzakonshme që qytetarët tani kanë nga ai. 

Së treti, vota e së dielës ishte një revolucion për frontin opozitar po ashtu. Pas katër vjetësh opozitarizmi vota e së dielës ishte verdikt mbi karakterin dhe sjelljen e opozitës. Përgjigja është një bankrotim moral dhe politik opozitar. Arsyeja kryesore mbrapa këtij bankrotimi opozitar qëndron te falsiteti i modelit opozitar. Këta katër vjet opozita, dhe mediat e afërta me të, kanë tentuar të krijojnë një narracion fallso i cili ishte në kundërshtim me realitetin dhe sensin e qytetarëve. Në vend që të flasin për çmimin e jetesës dhe dështimet konkrete të qeverisë, ata flisnin për një botë imagjinare ku Kurti është spiun i Serbisë, kryehajn i Evropës dhe armik i Perëndimit. Në vend që të jenë prezentë në fshatrat e Kosovës ata zgjodhën tribunat e San Siros dhe alpet e Zvicrës. Në vend që të punojnë nga poshtë për të fituar besimin e qytetarëve, ata menduan se komandimi nga lart do të bëjë punë. Thënë ndryshe sikur në zgjedhjet e kaluara në Amerikë, edhe në Kosovë qytetarët shembën falsitetin e elitës tradicionale politike të Kosovës. Dhe sikur pas çdo revolucioni nga kjo gjendje opozita nuk mund të shërohet me cic-mica politikë, këtu duhet shembje totale e kësaj fasadës fallso dhe ndërtim nga e para. 

Dhe në fund, ironikisht qytetarët të dielën i ofruan një leksion revolucionar edhe vetë VV-së. Si është e mundur që këtë të diel VV-ja fitoi 50% të votave, ndërsa para dy muajve humbi pothuajse të gjitha qytetet e mëdha të Kosovës? Ky vit na konfirmoi atë që kemi dyshuar. VV ngelet “one man show”. Për të arritur të transformohet në parti tradicionale politike ajo duhet të revolucionarizojë kulturën dhe strukturat partiake me qëllim të krijimit të një fryme dhe brezi të ri politik. Kurti ka ndërtuar VV-në në imazhin e tij dhe duhet të jetë krenar me atë çfarë ka arritur. Nga një OJQ idilike ka revolucionarizuar historinë politike të Kosovës. Tani është detyrë e tij që të shtrojë rrugë për brezin e ri i cili me vete do të sjellë vlerat dhe kulturë të re politike, e cila do të hapë kapitull të ri për të ardhmen e VV-së.