OpEd

Republika e festave

Kosova nuk ka fuqi motorike që nxjerr në rrugë pakënaqësinë. Kemi një papërgjegjësi totale të deputetëve, një amulli te partitë politike kalkulante dhe një shoqëri civile në agoni, që e ka një koalicion të vetin që nuk qet asgjë në dritë. Po të ishin mbledhur vetëm drejtorët e OJQ-ve që i ka Kosova, do t'i kishim 7 mijë njerëz në rrugë..., e krejt halli është se OJQ të vërteta ka shumë pak dhe pa fuqi të vërtetë për të sjellë ndryshim në këtë shtet që jeton vetëm për festa

Në ditën kur u botua kolumna e kaluar, u shua një njeri i madh.

Fadil Vokrri, heroi dhe idhulli i gjithë rinisë, pjesë e së cilës isha unë në të '80-at, shkoi herët, papritmas dhe la prapa një palë këpucë vigane -- të cilave zor do t'u gjenden këmbët për t'i mbathur tamam.

Do të ketë qenë hera e parë pas shumë kohësh që shprehja e pikëllimit për ikjen e hershme të një njeriu qe e sinqertë dhe përnjëmend gjithëpopullore. E kishim adhuruar Vokrrin kur si tank depërtonte nëpër fushë dhe tundte rrjetat e kundërshtarëve me Prishtinën; kur na bëri krenarë me t'u bërë shqiptari i parë që i theu barrierat dhe u ftua në reprezentacionin shtetëror të ish-Jugosllavisë; kur shkoi për të luajtur në Francë e Turqi; kur pas lufte u kthye në Kosovë, sepse e kishte në mendje një mision që duhej realizuar.

Zor kush do ta besonte se ky mision do të ishte i fundit i tiji në karrierë e jetë.

Porse afërsia e tij dhe shkathtësitë diplomatike që mund t'ia kenë lakmi edhe profesionistët aktualë, e futën Kosovën në UEFA, e më pas edhe në FIFA. Na bënë të ëndërrojmë se sporti ynë do të ndalet së “zhvilluari” nëpër fusha e kodra, dhe që në fakt do të ketë cilësi të mjaftueshme për t'ia bërë vetes vendin meritor në familjen e sportit ndërkombëtar.

Fadili shkoi -- por jo pa e marrë nderimin e merituar. Minuta e heshtjes në Kongresin e FIFA-s, në kujtim të figurës së tij, flet më shumë sesa një milion fjalë.

Qytetari që nuk ekziston

E fjalët janë ato që vështirë po mundem t'i gjej për ta përshkruar gjendjen emocionale, të cilën po ma shkakton jeta e përditshme në Kosovë, në këta 19 vjetët e pasluftës. U mundova t'i përshkruaj ato në një status në FB, në ditën kur u mbushën 19 vjet qëkur isha kthyer nga Maqedonia. Dhe, po më duket se kësaj nuk kam më as çka i shtoj e as çka i heq:

“Në këtë kohë, sot para 19 vjetësh, po takohesha me familjen time pas dy muajsh e gjysmë. U ktheva prej Shkupit, ku kisha qëndruar syrgjyn, falë “mirësisë” së policisë serbe.

Nuk di t'jua shpjegoj gëzimin që e përjetova atë ditë.

Po ta dija atë ditë se Kosova do të shndërrohej në këtë vend të mjerë, të udhëhequr nga krimi dhe ku rinia perspektivën e vetme e sheh në ikjen prej këtu, me siguri nuk do të isha kthyer kurrë.

Kemi merituar më mirë se kaq.

Vetë i kemi fajet që po heshtim.

Dhe kjo fjalia e fundit është besoj çelësi që do të mundte ta zhbënte lëmshin e quajtur Kosovë. Pra, mosdëgjueshmëria qytetare e cila në Kosovë duket se nuk ekziston prej kohësh.

Javën e shkuar, boshnjakët, serbët, kroatët e malazezët i bllokuan rrugët e tyre magjistrale për shkak të shtrenjtimit të derivateve të naftës. Iu kanë thënë politikanëve të tyre se do të vazhdojnë me protesta deri në zbritjen e çmimit, që do të ishte i pranueshëm për qytetarët.

Ndërkohë në Kosovë... edhe në Kosovë janë shtrenjtuar benzina e dizelli, por nuk e pashë askënd që bile e foli mundësinë që t'i binte borisë në shenjë proteste, e lëre më t'i bllokojë rrugët. Halli ka qenë qysh me mbërrit nëpër iftare, e qysh me ia bâ me ikë për Bajram që të enjten nga mesdita -- kur gjysma e administratës shtetërore garant ka ikë prej pune. Halli është si të iket prej këtu, sepse na merr mendja se me ikje do të na zgjidhen problemet dhe padrejtësitë me të cilat po e shtyjmë jetën.

Kosova nuk ka fuqi motorike që nxjerr në rrugë pakënaqësinë. Opozitarizmi politik është kryekëput oportunist -- sepse kalkulon me vota, njësoj ashtu siç kalkulojnë edhe partitë në pushtet. Nuk ka kurrë asnjë ftesë nga partitë opozitare që të dilet në protesta të padhunshme e të kundërshtohet zbrazja e pakandar e buxhetit të shtetit.

Nuk ka opozitë që thërret masë për protestë, ani që krenohen me mijëra anëtarët dhe simpatizantët që i kanë. E jam e sigurt, se nëse kërkesa do të ishte e argumentuar mirë, do të kishte edhe shumë qytetarë që do të dilnin në rrugë për ta shprehur pakënaqësinë.

Në vend të kësaj, atë që e shohim është një papërgjegjësi totale e deputetëve, një amulli te partitë politike kalkulante dhe një shoqëri civile në agoni, që e ka një koalicion të vetin që nuk qet asgjë në dritë. Po të ishin mbledhur vetëm drejtorët e OJQ-ve që ka Kosova, do t'i kishim 7 mijë njerëz në rrugë..., e krejt halli është se OJQ të vërteta ka shumë pak, dhe pa fuqi të vërtetë për të sjellë ndryshim në këtë shtet që jeton vetëm për festa.

Festuesit

E arsye për të festuar ka kryetari Thaçi. Prej pardje, pos që është pa KQZ, Kosova është edhe pa Gjykatë Kushtetuese -- që të dyja në duart e tij për t'u formuar.

Përderisa te institucioni i parë që nga viti i shkuar nuk i emëron anëtarët, për shkak të mosmarrëveshjeve brenda PAN-it, në këtë të dytin, do të ketë kohë ta zvarrisë dekretimin e gjyqtarëve të rinj për aq kohë sa do të vonohet Kuvendi me intervistimin e tyre.

E kjo situatë i konvenon më së shumti atij -- ngase veç Kushtetuesja do të mundë të përcaktonte po qe se Thaçi e ka shkelur Kushtetutën me mosemërimin e anëtarëve të KQZ-së, dhe vetëm ky organizëm do të mundë t'i thoshte “nuk mund t'i udhëheqësh negociatat pa të autorizuar Kuvendi, sepse kështu e kemi vendosur ne”.

Me mosfunksionimin e GJK-së, Thaçi u shpëton edhe kësaj ndalese dhe kufizimi, dhe mund t'i hidhet rundit të ri të negociatave ashtu si ka qejf ai -- pa i dhënë përgjegjësi kurrkujt për krejt gabimet që do t'i bëjë, që do të sjellin cungim të mëtejmë të sovranitetit dhe të integritetit territorial të Kosovës. Dhe çka është me rëndësi, e këtë u këputëm duke e përsëritur, do të amnistohet në njëfarë forme nga ndjekja prej Speciales.

Pos kësaj, arsye për festë ka edhe që do t'i rritet rroga e do t'i bëhet nja 3700 euro. Kjo për shkak se kërkesa e Haradinajt për të blerë tesha e kravata me rrogë të re nuk u mor në shqyrtim fare nga Gjykata Kushtetuese, që konsideroi se kjo çështje del jashtë kornizës së punëve që ia caktojnë Kushtetuta e ligji për t'i bërë.

Sinqerisht, nuk e kuptoj se si një vendim i Qeverisë, që prek në substancën e Ligjit për buxhetin dhe prek edhe Ligjin e shërbimit civil, e që në vete nuk është ligj-- e që të gjitha derivojnë nga Kushtetuta nuk merret në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese për vlerësim të ligjshmërisë. Pyetja bazike është: a bën të rriten rrogat veç me vendim? A është vendimi më i fuqishëm se ligji? Dhe nëse ka zbrazëti ligjore, a nuk do të duhej miratuar ligj me të cilën rregullohet kjo çështje?

Konflikti i interesit

Porse duket se as Kushtetueses nuk i interesoi të gjente shkelje, për shkak se në fakt pati konflikt interesi. Rritja e rrogave të Ekzekutivit, ua rrit rrogën 600 gjyqtarëve e prokurorëve me automatizëm, e në mesin e tyre, ua rrit rrogat edhe gjykatësve të Kushtetueses.

E tash, VV-ja ka ngritur kallëzim penal ndaj të gjithë atyre që e kanë votuar vendimin për rritjen e rrogave të harmonikës qeveritare dhe vetë GJK-në. Por problem është se me këtë kallëzim penal do të merren prokurorët që kanë konflikt interesi për shkak të këtij vendimi. Po edhe të supozojmë se ja, ky kallëzim shndërrohet në aktakuzë, gjykimin duhet ta mbajë një gjyqtar që ka konflikt interesi, sepse përfshihet me këtë vendim. E tash, në mungesë të gjyqtarëve të EULEX-it, që përndryshe e kanë kënaqë në këta 10 vjetët e fundit, porse të cilët megjithatë nuk do të kishin konflikt interesi në këtë rast, mbërrijmë në qarkun vicioz nga i cili nuk e di sesi do të mundë të dalim.

Mbase e vetmja zgjidhje do të gjendet te Kuvendi, i cili më shumë nuk është sesa që është: e besoj se si kontrollues i Ekzekutivit do të mundë t'ia anulojë këtë vendim Qeverisë për shkak se e dëmton buxhetin e shtetit edhe për 7 milionë euro në vit.

* * *

Gjasat që korrigjimi nga Kuvendi të ndodhë është minimal. Arsyeja është e thjeshtë: zgjedhjet po afrohen dhe askush nuk do që t'i humbë votat eventuale që u vijnë nga arsimtarët, nga personeli shëndetësor, nga gjyqësia, nga veteranët, nga kushdo që ua sheh hairin vendimeve të çoroditura të kësaj Qeverie.

Sepse në fund, askush nuk po mërzitet për Kosovën. Krejt po e shikojnë interesin e vet. Pse jo, kur ne po heshtim për gjithçka, dhe mezi po presim me i lidhë nja tri-katër ditë e me ikë në Shqipëri, a kudo, teksa vazhdojmë të ankohemi se jemi populli ma i varfër në Evropë.

E pasi jemi te festat e pushimet -- e kam një propozim: meqë tash ia nisi Kampionati Botëror në futboll dhe ky e kishte njëfarë orari palidhje me ndeshje që po nisnin nga mesdita, a kishte bërë që administrata shtetërore të punojë deri në orën 11, e që t'i legalizohet qëndrimi nëpër kafehane për pauzë të zgjatur?

Është mëkat që një ngjarje e këtillë botërore, e një rëndësie kyç për Kosovën, të na ikë pa e përcjellë. Si festë botërore e futbollit që është, nuk bën pa u festuar në Kosovë. Dhe tamam u jep kohë qeveritarëve për të na e përgatitur edhe ndonjë vendim, tash për tesha e për këpuca, dhe për ta lidhur edhe ndonjë aneks-kontratë për t'i falur edhe nja 60 milionë, sepse çdo ditë e më tepër po bindem, neve na teprojnë milionat, ani që nuk e kemi centin në xhep.

[email protected]