OpEd

Republika e fajdeve

Vetë udhëheqja e këtij shteti nga kumandantat është fajde sui generis: për luftën që e kanë bërë (e disa që thonë se e kanë bërë) populli ka hyrë në borxh te ta, me shpresën se pas tre a katër vjetësh ky borxh të jetë larë. Por jo, kamata e përcaktuar ka qenë aq e lartë, saqë janë kërkuar edhe katër vjet, e kamata mbi kamatë e ka shkaktuar ardhjen edhe të atij katërvjetëshit tjetër, dhe kështu deri në ditët e sotme.

Siç edhe paramendohej, skandali i javës së shkuar, Brovina me fotografinë fals, zgjati vetëm tri ditë dhe ra në hije të menjëhershme të një arrestimi të kryer në mëngjes të hënën: u prangosën pesë persona, nën dyshimin se kanë kryer, ndër të tjera, veprat penale të mashtrimit dhe të fajdeve. Pas paraqitjes te gjykata, njëri u la të mbrohej në liri, katër të tjerët mbetën në paraburgim 30-ditor.

Për dy të ndjekurit nga Prokuroria ka kohë që flitet se kanë para më shumë seç mund të imagjinohet - dhe kjo jo nëpër banka, por nëpër duar. Për dy të arrestuarit u kuptua se kishin përgatitje të mesme shkollore dhe jo ndonjë profesion të spikatur, porse u kuptua edhe se jetonin në lagjen në modë, "Marigona" -- aty ku shtëpitë kanë vlerë me qindra mijëra euro. Me siguri do të jenë afaristë të fortë, pa paragjykuar, ngase për ta nuk di më shumë seç ka shkruar gazeta.

Por ky skandal nuk zgjati vetëm tri ditë: do të mbahet aktual përderisa do të ketë xhirime që zbulojnë muhabete dhe pamje ku numërohen me dënga bankënotash që futen nëpër zarfe dhe ku kohë pas kohe përmenden emra të politikanëve të rangut të lartë, që ose janë pjesë e aferës, ose duan t'i bëjnë pjesë të saj, apo vetëm kanë shërbyer si paravan për nxjerrjen e parave me mashtrim nga dikush që zgjodhi të japë mitë për ta bërë një biznes.

Vonë

E derisa ende nuk ishte e qartë se çfarë po ndodhte me rastin e fajdexhinjve a çka dyshohet se janë, u mblodh gazi i Kosovës, alias Kuvendi i Kosovës, për të debatuar për propozimin e Veselit për tribunalin ndërkombëtar, për të cilin ky pak a shumë tha: "Mundet që ju dhemb se unë e propozova, ama ky tribunal s'ka çare pa u votu". Më pas e mbajti një fjalim të gjatë e patetik dhe tha edhe këtë: "Tash është koha që ta drejtojmë gishtin kah Serbia e të kërkojmë drejtësi", duke e ofenduar thellësisht krejt një popull me përpjekjet e tij populiste.

Pse iu desh të priste 20 vjet që ta kthente gishtin nga Serbia? Çfarë bëri derisa ishte në krye të SHIK-ut, të cilin zyrtarisht e shoi, por i cili nuk ka vdekur? Çfarë ka bërë derisa është në krye të strukturave udhëheqëse të partisë që e sundon shtetin më shumë se një dekadë? Përse nuk e këshilloi dostin e vet, Thaçin, që të mos inkuadrohej në bisedime me Serbinë pa e kthyer gishtin nga Serbia për të kërkuar drejtësi, por e lejoi që madje ta qiste në pazar edhe sovranitetin e shtetit i cili mezi mbijeton, për shkak të tij dhe të ngjashmëve si ky.

Dhe tash, 20 vjet pas, kur i kanoset rreziku nga Specialja që qarkullon si dron mbi kokat politike, i bie ndërmend se kemi prova, se mund ta kthejmë gishtin, dhe se krejt çka është bërë deri tash (e është bërë pak, pikërisht për faj të partive që e kanë sunduar këtë vend në 20 vjetët e fundit, e në veçanti PDK-së) bie në ujë, ngase tash na u shfaq shpëtimtari që do ta luftojë Serbinë.

Po çka t'i bësh kur luftën e nis me një foto pornografike, për të cilën jo vetëm nuk kërkon përgjegjësi nga deputetja të cilën vetë e ka futur në listë zgjedhore, porse e fut krejt mekanizmin në funksion për ta mbrojtur. Dhe për shkak të këtij veprimi të papërgjegjshëm edhe politik e edhe etik, opozita ia bojkotoi seancën, dhe nisma e tij mbeti pa u votuar. E jo se edhe një në mesin e 700 rezolutave do të kishte ndonjë domethënie. Thjesht, do t'i shërbente si alibi: ja unë isha ai që e shtyva idenë, kurse të tjerët s'më përkrahën.

E edhe më vonë

Por njësoj të vonshëm, por rrezikshëm të vonshëm, janë prokurorët dhe gjyqtarët, që për dallim nga krimet e luftës që nuk parashkruhen, duhen të luftojnë me afate të krimeve të tjera për ta sjellë drejtësinë në vend. Kjo nëse duan.

I këtillë është rasti me fajdexhinjtë a çka dyshohet se janë, nga fillimi i rrëfimit. Provat e xhiruara që po transmetohen në KTV ekzistojnë që nga 2012-a. Pra, shtatë vjet enden prej një zyre në tjetrën, prej një prokurorie në tjetrën, me qëllimin, me gjasë, që të mos dalë asnjë gjë nga kjo punë.

Rrëfimi nis me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, që duke vlerësuar se është rast i rëndë me shumë implikime e transferon atë në Prokurorinë Speciale. Kjo e vlerëson se është punë e vogël për të dhe vendos që lëndën ta bartë në Prokurorinë e Ferizajt, edhe pse vepra e pretenduar penale ka ndodhur në Prishtinë. Rasti heshtet për një kohë, dhe bie në duart e dikujt që e konsideron atë rast për t'u trajtuar seriozisht. I merr tetë muaj për të bërë hetime dhe jep urdhërarrest. Ndërkohë, nuk e informon Kryeprokurorin e Shtetit, apo së paku kjo është çfarë thotë ai vetë.

Pseja pas mosinformimit të Kryeprokurorit mund të nxisë disa interpretime: një, që prokurorët janë aq të pavarur në punë, saqë për punën e tyre i raportojnë Kryeprokurorit vetëm kur të kenë kryer punë; që prokurorët nuk kanë besim në Kryeprokurorin që e ka fuqinë për ta mbyllur një rast kur të dojë dhe me çfarëdo arsyetimi juridik që të dojë, apo edhe se Kryeprokurori del dhe e thotë publikisht se për këtë rast është njoftuar nga mediumet e KOHËS, për t'u arsyetuar para atyre që edhe e kanë emëruar në këtë post, se përse rasti po ndiqet nga Prokuroria.

Mund të ketë edhe ndonjë teori konspiracioni, porse secili lexues mund t'i nxjerrë përfundimet e veta ashtu siç ia merr mendja, duke e pasur parasysh se si funksionon drejtësia në këtë shtet.

Pra, shtatë vjet e kanë parashkruar çështjen e fajdesë, porse nuk e kanë parashkruar atë të mashtrimit e edhe të ndonjë tjetër që do të mundë të dilte rrugës. E tash, edhe po të ngrihej aktakuza, do të duhej gjetur një gjykatës që nuk do të lejojë që lënda të parashkruhet edhe në këtë instancë, siç ndodhi te rasti i KEK-ut për tenderin e sigurimit 6-milionësh, ku shpëtoi pa aktgjykim Sami Lushtaku me ca të tjerë. Aq skandaloz qe ky rast, saqë e meritoi reagimin publik të ambasadorit amerikan: “Gjykata Themelore e Prishtinës së fundmi ka liruar disa persona në rastin korruptiv të KEK-ut, duke përmendur vjetërsimin e lëndës. Gjykatat duhet t’i mbajnë seancat me kohë. Drejtësia mund të arrihet vetëm kur rastet të dëgjohen PARA vjetërsimit të lëndëve”. Dhe shyqyr që reagoi ambasadori amerikan, e ndoshta ia nisin me u marrë me punën e tyre më seriozisht, se fjalët e gjithë të tjerëve për këto punë shkojnë, si gjithmonë, në vesh të shurdhër.

Ndërkohë

Ky mestitull i ka gjasat të bëhet i përhershëm në kolumnet e mia, ngase përherë pas një skandali të madh ndodhin ca gjëra në prapavijë që mund të kenë peshë, e mund edhe ta pësojnë fatin e skandaleve triditëshe.

Një që duhet përmendur është se ministri i Infrastrukturës paska vendosur ta gjobisë “Bechtelin” për vonesën pesëmuajshe të punimeve për ndërtimin e autostradës së frikshme "Arbën Xhaferi". Në "Puls" deklaroi se kompania do të gjobitet me 12 milionë euro. Eh tash, nuk na tregoi se si e bëri këtë kalkulim, ashtu siç nuk na tregoi kurrë se si i pati kalkuluar ata 52-3 milionët që do t'ia falë kësaj kompanie, kinse për vonesat e Qeverisë karshi saj. Të shohim se a do ta mbajë fjalën dhe si do ta arsyetojë këtë matematikë.

E dyta që duhet përmendur është se zgjedhjet u mbajtën për katër komunat veriore pasi që kryetarët dhanë dorëheqje për punë të taksës. Taksa është ende në fuqi, dhe tashmë e ka mbërritur një qëllim impresiv: importi nga Serbia ka rënë në minimum, që mund të jetë një lloj satisfaksioni për qytetarët, të cilët, megjithatë, e kanë pasur mundësinë që të vendosin vetë që të mos i blejnë produktet serbe.

Pas instruksioneve të marra nga Beogradi gjasat janë se do ta japin betimin dhe do të japin dorëheqjen menjëherë, duke e shtyrë Thaçin t'i shpallë zgjedhjet sërish. Dhe zgjedhjet do të mundë të mbahen së shpejti, dhe sërish do të shpenzohen kot paratë e buxhetit, dhe sërish të njëjtët do të vazhdojnë t’i udhëheqin komunat përkatëse, sepse 95% të votave të fituara ua kanë dhënë të drejtën e pakontestueshme. Ndërkohë Thaçi do të vazhdojë të lavdërohet se si, së bashku me Edita Tahirin, e kanë integruar veriun.

Ani. Po e shohim sa e kanë integruar, përderisa nuk guxojnë as të shkojnë në veri pa pesëqind truproja pas.

E treta ngjarje ka të bëjë me mobilizimin e opozitës, tash kinse përnjëmend, për ta rrëzuar këtë qeveri, për të cilën jo pak thonë se është më e keqja që ka pasur Kosova ndonjëherë. Për nga pesha e vendimeve politike të gabuara mbase nuk është më e keqe se të kaluarat, por se është njëra nga më zhvatëset që i ka pasur Kosova, aty nuk ka asnjë dyshim të vetëm. Se a do të dalin t'i gjejnë ato katër-pesë votat që u mungojnë, mbetet të shihet.

Ajo që shihet pa pasur nevojë për syze shtesë është kriza e rëndë ekonomike të cilën e pëson Kosova dita më ditë -- deri në ardhjen e diasporës mbas ramazanit.

* * *

Kosova është republikë e fajdeve që prej kohës kur u çlirua. Di për jo pak njerëz që i kanë humbur të gjitha për shkak se kanë menduar se kanë të bëjnë me bamirës që u japin para të fituara me mund e punë, kur në fakt kanë të bëjnë me kriminelë që mbajnë para të zeza, dhe që për to kërkojnë kamata aq të mëdha, saqë moskthimi i borxhit nënkupton humbjen madje edhe të shtëpisë.

Por kjo nuk është e vetmja fajde të cilën jemi mësuar ta shohim ose të dëgjojmë për të. Vetë udhëheqja e këtij shteti nga kumandantat është fajde sui generis: për luftën që e kanë bërë (e disa që thonë se e kanë bërë) populli ka hyrë në borxh te ta, me shpresën se pas tre a katër vjetësh ky borxh të jetë larë. Por jo, kamata e përcaktuar ka qenë aq e lartë, saqë janë kërkuar edhe katër vjet, e kamata mbi kamatë e ka shkaktuar ardhjen edhe të atij katërvjetshit tjetër, dhe kështu deri në ditët e sotme.

Prandaj edhe nuk befason as krimi i organizuar, as fajdetë, as detyrimet, as kanosjet, as marrja e pronave në emër të luftës, as nepotizmi, as punësimi partiak e as pafytyrësia e të deklaruarit se ortakia me njerëz të dyshuar për vepra penale i bën krenarë, dhe me gjasë do t'i bëjë miliarderë.

Kjo është Kosova, republikë e fajdeve, në pritje të një shtytjeje nga miqtë ndërkombëtarë që tashmë ia kanë nisur të neveriten nga ajo çka po shohin, e të cilën e kanë toleruar për punë të "qetësisë sociale". Punë e cila e ka shndërruar investimin e tyre në fajde të llojit të vet: premtimi për qetësi sociale është kushtëzuar edhe me pak më shumë kohë për t'i qepuar edhe asaj pak pasurie që i ka mbetur Kosovës.

Por, siç e kemi përsëritur aq herë deri tani, vetë i kemi fajet. Se jemi strukur në një qoshe, palcën krejt frikë; se e kemi humbur arsyen e protestës që na ka mbajtur gjallë nga fundi i shekullit të shkuar, jemi bërë oportunistë; se duam të ikim prej këtu, se na treti dashuria për vendin ku jemi lindur.

E për kë e gjithë kjo? Për një grusht mujsharësh, mashtruesish, demagogësh e rrencash që "tmerrohen" kur dëgjojnë që emrat e fytyrave politike mund të përmenden në afera kriminale.

[email protected]