Situata në Kosovë, siç e përshkruajnë në raportet e tyre Komisioni Evropian edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, nuk është e tillë për shkak se kosovarët nuk dinë më mirë të qeverisin, por për shkak se nuk duan. Për disa përmirësime dhe për më shumë progres në disa raste duhen më shumë njohuri profesionale dhe punë. Por për shumë gjëra problemet do të mundë të zgjidheshin vetëm me vullnet të sinqertë politik. Por liderët politikë këtë nuk e duan, sepse për ta është më mirë të ketë ndikim politik në gjyqësor, të ketë ndikime në prokurimin publik, të ushtrojnë presion ndaj mediave dhe ta mbajnë të politizuar administratën publike. Këtë madje e konsiderojnë si privilegj që u takon
Ndryshimi më i madh i BE-së në raportet e progresit është se në vend të vjeshtës, tash ato i aprovon dhe i bën publike në pranverë. Kjo ishte arsyeja pse në vitin 2017 nuk pati raport progresi, dhe pse ky që u miratua dhe u publikua më 17 prill ishte i pari që nga vjeshta e vitit 2016. Pak ndryshime në stil, por në përmbajtje jo edhe aq, kishin këto raporte të progresit krahasuar me ato të mëparshmet. Dhe edhe pse kishte kaluar një vit e gjysmë, pak ndryshime kishte në Kosovë, pak më shumë në Shqipëri dhe Maqedoni.
Pra, nuk kishte ndonjë progres që vlen të përmendej dhe në të shumtën e rasteve ose përsëritej se gjendja nuk është ndryshuar, se nuk ka pasur progres, ose se ka pasur progres të limituar. Sikur edhe më herët, edhe aty ku përmendej “njëfarë progresi” shtohej fjalia tjetër e cila fillonte me “megjithatë”: dhe aty përmendeshin dështimet dhe dukuritë negative, për të cilat në rastin e Kosovës edhe kësaj here Komisioni Evropian shprehte shqetësime.
Si përmbledhje e këtij raporti të fundit për Kosovën doli që Komisioni Evropian është i shqetësuar për vazhdimin e politizimit të administratës publike, mungesës së progresit në çështje të ruajtjes së mjedisit, gjendjen e papërmirësueshme të sistemit të arsimit, rritjen e papunësisë, korrupsionin e përhapur. Kërkohet më shumë luftë kundër krimit të organizuar, kundër pastrimit të parave. Tërhiqej vërejtje edhe për vazhdimin e kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve. Tërhiqej vërejtje edhe për sfidën që paraqesin për financat publike beneficionet për veteranët e luftës. Kishte shprehje të shqetësimit edhe për kërcënimet ndaj kandidatëve serbë, që nuk janë nga Lista Serbe dhe për tentimet për zhbërjen e Gjykatës Speciale. Zbatimi i drejtësisë mbetet i ngadalshëm dhe joefikas, gjyqësori është i ndjeshëm ndaj ndërhyrjeve të panevojshme politike. Nëse kësaj i shtohet edhe numërimi i disa zhvillimeve jo të mira që u përmendën në Raport të Progresit, atëherë shqetësimet bëhen edhe më të mëdha. Parlamenti nuk e kryen si duhet punën e vet të mbikëqyrjes së ekzekutivit. Deputetët nuk vijnë rregullisht në mbledhje dhe ato shpesh shtyhen për mungesë kuorumi. Mungojnë dhe anëtarët e Kryesisë së Kuvendit. Qeveria është e stërmadhuar. Nuk dihet çfarë detyrash ka armata prej 70 zëvendësministrave. Nuk ka qenë shumë më mirë as në kohën e Isa Mustafës. Edhe pse është Qeveri “e stërmadhuar”, anëtarët e saj nuk vijnë për të raportuar në Kuvend dhe për t’iu përgjigjur shqetësimeve të të zgjedhurve të popullit.
E si të lexohet dhe kuptohet e gjithë kjo që shkruhet në Progres për qytetarin e thjeshtë. Si zakonisht ata që janë në pushtet mundohen të kapen për përmendjen e sadopak progresi. E progresi më i madh duket të jetë ratifikimi i një Marrëveshjeje për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. E ky është rezultat i shprehjes politike e jo i ndonjë pune më të madhe, ku do të mundë të dëshmoheshin aftësitë e pushtetit.
Ndërsa opozita, si zakonisht, do të përdorë Raportin e Progresit si dëshmi se Qeveria nuk po e kryen punën si duhet dhe se e ka fajin për tërë gjendjen në vend siç përshkruhet në Raport Progresi.
Kriteret në bazë të të cilave vlerësohet Raporti i Progresit nuk janë pikat që i përmban ai raport, por pozita në të cilën gjenden ata që e lexojnë. Mjafton të krahasoni për shembull reagimet e aktivistëve të AAK-së ndaj Raportit të Progresit në vjeshtën e vitit 2017, dhe se si ata e lexojnë Raportin e fundit. Atëherë ishin shumë kritikë, ndërsa sot u duket ky raport pozitiv, vetëm pse ata janë në pushtet dhe duan të marrin merita, edhe pse ka pak gjëra pozitive në raport, e në rastet më të mira Raporti thotë se gjendja nuk ka ndryshuar. Madje ka pasur edhe këshilltarë qeveritarë që kanë thënë se Raporti do të jetë pozitiv, e sidomos do të jetë pozitiv në pjesën për lirinë e shprehjes dhe mediave. Por pikërisht në këtë çështje Raporti ishte tejet negativ, nuk pati progres fare, dhe tha se kanë vazhduar kërcënimet dhe sulmet ndaj gazetarëve dhe përmendi disa probleme të tjera.
Situata në Kosovë, siç e përshkruajnë në raportet e tyre Komisioni Evropian dhe Departamenti Amerikan i Shtetit, nuk është e tillë për shkak se kosovarët nuk dinë më mirë të qeverisin, por për shkak se nuk duan. Për disa përmirësime dhe për më shumë progres në disa raste duhen më shumë njohuri profesionale dhe punë. Por për shumë gjëra problemet do të mundë të zgjidheshin vetëm me vullnet të sinqertë politik. Por liderët politikë këtë nuk e duan, sepse për ta është më mirë të ketë ndikim politik në gjyqësor, të ketë ndikime në prokurimin publik, të ushtrojnë presion ndaj mediave dhe ta mbajnë të politizuar administratën publike. Këtë madje e konsiderojnë si privilegj që u takon. Derisa të jetë kështu nuk do të kemi edhe për shumë vite raporte pozitive të progresit.
Raporti i fundit i progresit do të duhej të merrej seriozisht nga Qeveria dhe nga spektri i gjerë politik dhe shoqëror në Kosovë. Raport pozitiv të progresit, për nga natyra e tij, nuk mund të ketë. Kur të vijë koha që për një shtet kandidat raporti te jetë krejtësisht pozitiv, atëherë ai shtet do të jetë në prag të anëtarësimit në BE. Shtetet për të cilat bëhen raportet janë shumë larg nga anëtarësimi në BE e Kosova është edhe më larg se të tjerët.
Pra, Kosova duhet ta kuptojë këtë raport progresi si shikim në pasqyrë. Është realitet. Por edhe BE-ja duhet t’i kuptojë më seriozisht raportet e veta të Progresit. Jo vetëm në rastin e Kosovës, por edhe në rastet e shteteve të tjera Komisioni Evropian mendon se mjafton që problemet dhe shqetësimet t’i përmendin në raportin e Progresit, por gjatë tërë vitit pa problem të punojnë pikërisht me ata të cilët janë përgjegjësit kryesorë për gjendjen e tillë, për shkak të oportunizmit momental politik. Me mënyrën se si BE-ja është sjellë deri më tash, pas raporteve të Progresit u ka dhënë mundësi strukturave politike në Ballkan që të përgatiten se si ta përballojnë një javë para dhe pas publikimit të Raportit të Progresit dhe pastaj të vazhdojnë si zakonisht me të vjetrën deri tek raporti i radhës. BE-ja duhet të jetë më serioze edhe në dhënien e perspektivës së qartë të avancimit drejt integrimit për ato vende që e kanë merituar, në këtë rast Shqipërisë dhe Maqedonisë, sepse duke mos e bërë këtë e ul edhe më shumë peshën e raporteve të progresit. Për strukturat politike në Ballkan pranimi që të bëhet ajo që kërkohet në Raport Progresi, do të ishte edhe pranim i heqjes dorë nga privilegjet. Këtë nuk e kanë të lehtë ta bëjnë, sidomos jo nëse si kundërshpërblim nuk dinë se çfarë mund të përfitojnë. E sa për përfitimet e qytetarëve nga përmirësimi i kushteve të tyre të jetës, duke i zbatuar reformat Evropiane, kjo për strukturat politike nuk është prioritet kryesor.