OpEd

Pse u lejua të bjerë në harresë mendimi i GJND-së për Pavarësinë e Kosovës

Mund të kuptojmë pse politikanët e Kosovës nuk e përdorën si duhet mendimin e GJND-së për të siguruar subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. Ata ishin të zënë me interesa personale dhe me gara se kush ka më shumë merita. Por sot, shtatë vjet pas këtij mendimi që konfirmoi se Pavarësia e Kosovës nuk shkel të drejtën ndërkombëtare, e as Rezolutën 1244 të Këshillit të sigurimit të OKB-së, është e pakuptueshme se si BE-ja dhe NATO-ja tolerojnë vendet anëtare që të thirren në të drejtën ndërkombëtare kur kundërshtojnë njohjen e Pavarësisë së Kosovës. Dy proceset kryesore që ndikuan më së shumti që mendimi i GJND-së të harrohet dhe të mos përdoret ishin nisja e dialogut në Bruksel dhe nisja e krijimit të Gjykatës Speciale që do të merrej me akuzat për krime, që dyshohet t’i kenë bërë disa nga ish-udhëheqës të UÇK-së. Kosova lejoi që të kthehet në defanzivë dhe t’i lërë hapësirë Serbisë që ajo ta dirigjojë agjendën

Kur Kosova kishte shpallur pavarësinë e saj me 17 shkurt të vitit 2008, sipas një skenari tërësisht të dakorduar me bashkësinë ndërkombëtare, Serbia pati reaguar në dy mënyra. E para ishte ajo agresive që u pa përmes djegies së ambasadave të huaja në Beograd, kërcënimeve ndaj fqinjëve që do ta njohin Kosovën dhe thirrjeve nacionaliste e luftënxitëse, të shoqëruara me mallkime folklorike nga nacionalistët dhe pjesëtarët e Kishës Ortodokse.

Mënyra tjetër e reagimit ishte ajo më politike, duke pohuar se “kurrë nuk do ta njohin këtë pavarësi”, por edhe duke u zotuar se “betejën për Kosovën si pjesë të Serbisë do ta bartin në fushën juridike përmes së drejtës ndërkombëtare”, për të cilën Beogradi ishte i bindur se u shkel rëndë me deklarimin e pavarësisë. Serbia kërkoi nga Organizata e Kombeve të Bashkuara që çështja e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës të shqyrtohet nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë. Pasi Kosova nuk ishte anëtare e OKB-së, ajo nuk mund të ishte pjesë e procesit, as të paditej nga Serbia e as të kërkonte njohjen e së drejtës së saj si subjektivitet ndërkombëtar.

Shumë shtete që donin të ishin mike edhe me Serbinë edhe me Kosovën iu lutën dhe ia tërhoqën vërejtjen Serbisë që të mos e dorëzojë këtë çështje në këtë Gjykatë në Hagë. Mendonin se kjo do të krijonte më shumë probleme sesa që do t’i zgjidhte. Mendonin se ky është një veprim i drejtuar kundër shteteve sponzorizuese të Pavarësisë së Kosovës. Dhe drejtonin porosinë se Gjykata sipas të gjitha gjasave do ta japë një vendim neutral, do të pohojë se shpallja e pavarësisë së një etniteti nuk është çështje e rregulluar me të drejtën ndërkombëtare, por është një veprim politik, sikur është edhe veprim politik njohja e një shteti të ri nga shtetet e tjera. Por Serbia nuk hoqi dorë dhe dorëzoi në Hagë kërkesën që GJND-ja të japë mendimin për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.

Para pikërisht shtatë vjetësh, më saktësisht më 22 korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dha një mendim aq pozitiv për Kosovën saqë tash edhe Kosova dhe shtetet që e kanë njohur pavarësinë do të duhej t’i falënderoheshin Serbisë. GJND-ja u shpreh se shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk shkel të drejtën ndërkombëtare e as Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila e kishte vënë Kosovën jashtë juridiksionit të Serbisë, nën administrimin ndërkombëtar, me hapjen e rrugës që ndërkohë të caktohet statusi final i Kosovës.

Ndonëse një mendim i tillë i GJND-së ishte rezultat i argumenteve jashtëzakonisht profesionale dhe bindëse të shumë shteteve, jo vetëm fuqitë si SHBA-ja, Britania e Gjermania, por edhe Holanda, Finlanda., Luxemburgu e deri tek Sllovenia e Kroacia, liderët politikë kosovarë edhe atëherë nxituan të tentojnë që të marrin për vete meritat për një mendim të tillë të kësaj Gjykate.

Njësoj sikur mundoheshin të merrnin merita për shumë njohje edhe pse është e qartë se njohjet, në të shumtën e rasteve, erdhën si rezultat i ndikimit të fuqive të mëdha si SHBA-ja, Britania e madhe dhe Franca, deri diku edhe Gjermania dhe Turqia. Mjafton të shihet harta e botës dhe bien në sy se kryesisht vendet ku ka ndikim Amerika, ato të cilat ishin koloni britanike, dhe ato ku ka ndikim Franca e kanë njohur Kosovën. Kosovën e kanë njohur edhe disa vende, për të cilat për herë të parë shumë kosovarë kanë dëgjuar kur është publikuar lajmi për njohjen nga to.

Kështu është mbledhur një numër i madh i shteteve që e kanë njohur Kosovën dhe është tejkaluar numri i më shumë se gjysmës së shteteve të botës. Duket interesante që ka dhjetëra shtete që e kanë njohur Kosovën, por nuk e kanë njohur Kroacinë si shtet, edhe pse Kroacia e kishte shpallur pavarësinë 17 vjet para Kosovës. E në Kroaci pak kush e dinte se ekzistonin këto shtete dhe se nuk e kanë njohur Kosovën si shtet. Tentimi për të marrë merita për vete për njohjet e Kosovës ka qenë një shenjë e mosmirënjohjes ndaj miqve që kanë ndihmuar, dhe që kanë bërë punë më shumë sesa vetë kosovarët, por në disa raste ka krijuar edhe pengesa për njohje.

Pas mendimit të GJND-së pritej të kishte një bum në rritjen e numrit të njohjeve, dhe që njohjet të vinin sidomos nga shtete që kundërshtimin e pavarësisë e arsyetonin me “respektimin e të drejtës ndërkombëtare”. Tash ky argument ishte zhdukur, sepse nuk ka ndonjë autoritet më të lartë në botë për interpretimin e së drejtës ndërkombëtare sesa që është Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Dhe kur kjo Gjykatë thotë se shpallja e pavarësisë nuk ka qenë në kundërshtim me këtë të drejtë atëherë s’ka çfarë të thonë shtetet si Spanja apo Qiproja, Rusia apo Irani, Palestina apo Greqia.

Mund të kuptojmë pse politikanët e Kosovës nuk e përdorën si duhet mendimin e GJND-së për të siguruar subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. Ata ishin të zënë me interesa personale dhe me gara se kush ka më shumë merita. Por sot, shtatë vjet pas këtij mendimi që konfirmoi se Pavarësia e Kosovës nuk shkel të drejtën ndërkombëtare, e as Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, është e pakuptueshme se si BE-ja dhe NATO-ja tolerojnë vendet anëtare që të thirren në të drejtën ndërkombëtare kur kundërshtojnë njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Dy proceset kryesore që ndikuan më së shumti që mendimi i GJND-së të harrohet dhe të mos përdoret ishin nisja e dialogut në Bruksel dhe nisja e krijimit të Gjykatës Speciale që do të merrej me akuzat për krime që dyshohet t’i kenë bërë disa nga ish-udhëheqësit e UÇK-së. Kosova lejoi që të kthehet në defanzivë dhe t’i lërë hapësirë Serbisë që ajo ta dirigjojë agjendën. Ka të tillë që thonë se dialogu ndihmoi në njohje, ndihmoi në anëtarësimin e Kosovës në disa organizata ndërkombëtare.

Kjo do të ishte e vërtetë sikur aty ku është anëtarësuar Kosova të mos ketë pasur kundërshtim të Serbisë, si për shembull në Federatata e Futbollit në FIFA dhe në UEFA. E Serbia aty kundërshtoi fuqishëm. Si rezultat i dialogut nuk ndodhi asnjë tërheqje e Serbisë, e as e kundërshtarëve kryesorë të tjerë të pavarësisë, nga kundërshtimi i anëtarësimit të Kosovës në nismat ndërkombëtare. Shembull më i mirë apo më i keq ishte dështimi i Kosovës që të anëtarësohet në UNESCO.

Ky ishte një dështim i madh i Kosovës, sepse humbi edhe për shkak se nuk i kishte siguruar votat as nga disa shtete që e kanë njohur Kosovën. Ndërsa kundërshtimi i Serbisë ishte aq i ashpër, apo më mirë të thuhet armiqësor, saqë ka mundur të shkaktojë edhe më shumë tensione. Kjo Serbi, me të cilën thuhet se është arritur përparim në normalizimin e raporteve, e kishte krahasuar Kosovën me shtetin Islamik duke e përdorur këtë krahasim edhe në komunikim diplomatik me shtetet e tjera.

Sikur në shumë raste të tjera edhe ky mendim i GJND-së në masë të madhe mbeti si një rast i pashfrytëzuar. Por vlen ta kujtojmë dhe ta shfrytëzojmë që së paku t’u mbyllet goja atyre që e kanë harruar dhe vazhdojnë të pohojnë se me shpalljen e Pavarësisë së saj Kosova ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.