Projektligji për financimin e partive politike ka kaluar në një “sagë”, fundi i së cilës nuk po shihet. Kjo situatë e krijuar më së shumti shpërfaq hezitimin e partive politike për transparencë dhe llogaridhënie, e që janë themelet për një demokraci funksionale dhe të qëndrueshme. Tashmë ka kaluar në normë që partitë politike të neglizhojnë respektimin e kornizës ligjore duke shfrytëzuar shumë shpesh fuqinë politike që të krijojnë pozita fitimprurëse për mbështetësit e tyre. Ky funksionim klientelist cenon demokracinë në masë të madhe, pasi që korporatat, bizneset, grupet e interesit apo edhe sindikatat në këmbim të përkrahjes për partitë politike marrin favore në kthim si në tenderë publikë, kontrata, monopole e të tjera. Privilegje të tilla në prokurim publik dhe parregullsi të tjera janë cekur në secilin raport të Komisionit Evropian. Si pasojë e këtyre praktikave, ka pësuar shumë edhe imazhi i shtetit tonë në arenën ndërkombëtare.
Edhe pse korniza ligjore për financimin e partive politike ekziston që nga viti 2010 dhe është amendamentuar më 2012 dhe 2013, e njëjta është treguar joefektive dhe e pamjaftueshme, sepse problemet me auditimin e partive politike kanë vazhduar tutje.
Për më tepër, Kosova ka vuajtur nga mungesa e rregullt e auditimit që e ka cenuar seriozisht funksionimin e demokracisë dhe qeverisjen transparente. Pra, që nga viti 2017 deri më 2021 ka munguar auditimi i raporteve financiare të partive politike, e që përgjatë kësaj periudhe tri palë zgjedhje të jashtëzakonshme janë mbajtur dhe një palë zgjedhje lokale. Rrjedhimisht, llogaridhënia dhe transparenca kanë qenë të cunguara. Megjithatë, një zhvillim pozitiv në këtë aspekt ndodhi në qershor të vitit 2021 nga Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike. Ky komision arriti që pas tre vjetësh të zgjedhë auditorin e jashtëm për auditimin e raporteve financiare të partive politike për tre vjet radhazi, si dhe të fushatave zgjedhore të zhvilluara gjatë kësaj periudhe. Dhe përsëri, gjetjet e auditorit ekspozuan shkelje të të gjitha partive, pa dallim. Shkelje dhe parregullsi janë evidentuar siç janë: mungesa e transparencës në publikimin e burimeve të financimit, mosmbajtja e raporteve të kontabilitetit dhe transaksioneve që janë kryer, po ashtu një e gjetur shtesë nga raporti është mungesa e procedurave të rregullta të tenderimit nga partitë politike që do të dëshmonin një transparencë më të madhe.
Këto shkelje thuajse janë përsëritur gjithmonë nga viti në vit, gjë që flet edhe për përkushtimin e partive politike për të përmirësuar transparencën financiare dhe llogaridhënien. Prandaj, për të parandaluar parregullsi të tilla mbetet urgjente nevoja për miratimin e projektligjit për financimin e partive politike. Ky do të ishte hapi i parë drejt një reforme të thellë zgjedhore.
Një iniciativë ligjore për të ndryshuar dhe plotësuar kornizën aktuale në kuptim të rritjes së transparencës së financimit dhe llogaridhënies së subjekteve është ndërmarrë qysh në vitin 2018 kur një projektligj për plotësimin dhe ndryshimin e kornizës aktuale ligjore është hartuar dhe ka marrë aprovimin edhe nga Komisioni i Venecias. Për herë të fundit ky projektligj ishte miratuar në parim në vitin 2020, por i njëjti ka mbetur i paproceduar si pasojë e kërkesave për ndryshime nga partitë politike. Organizatat e shoqërisë civile kanë qenë të zëshme në avokimin për miratim të këtij projektligji dhe për ta çuar tutje reformën zgjedhore.
Por, çfarë do të rregullonte ky projektligj dhe pse partitë politike nuk duhet të hezitojnë ta miratojnë? Së pari, ky projektligj shmang mundësinë që subjektet politike t’i fshehin kontribuuesit, si dhe adresimin e llogaridhënies përmes personit përgjegjës. Në këtë pikë, secili donator, si person fizik apo juridik detyrohet të ofrojë dëshmi për financimin e një subjekti politik, dhe çdo financim me para të gatshme ndalohet kur kalon shumën mbi 50 euro. Po ashtu, donacionet anonime janë të ndaluara. Njëkohësisht, rregullohet edhe financimi për koalicionet që ka munguar deri me tani. Ndër të tjera, ky projektligj obligon subjektet politike t'i deklarojnë edhe detyrimet (kredinë) përfshirë edhe kolateralin dhe kthimin e kredisë si dhe hipotekat e ndryshme. Rregullime të tjera dhe obligime derivojnë nga ky projektligj, që ka për qellim transparencën, llogaridhënien dhe kontrollin e burimeve të financimit. Më një fjalë, projektligji e zgjidh problemin e financimit jo të rregullt të partive politike.
Në muajin prill të këtij viti projektligji është votuar në Kuvendin e Kosovës në lexim të parë dhe rrjedhimisht është kaluar tek Komisioni për Buxhet dhe Financa, ku pas shumë debateve mes deputetëve anëtarë se projektligji nuk është shumë i “përshtatshëm” për Kosovën, kaloi në lexim të parë. Tutje, komisioni formoi edhe grupin punues me anëtarë nga ky komision, grup i cili realizoi vetëm një mbledhje të vetme në muajin prill dhe asnjë hap tutje. Ky pasivitet mund të ndërlidhet me një tendencë të kamotshme, por edhe aktuale të të gjitha partive politike në Kosovë për një hezitim të pranimit të të gjitha rekomandimeve të Komisionit të Venecias. Se ky hezitim buron nga frika e partive politike për një transparencë të detyrueshme nga legjislacioni nuk vihet në dyshim.
Çdo hezitim i partive politikë për ta çuar përpara këtë proces, bie ndesh me vlerat e demokracisë, llogaridhënies dhe standardeve ndërkombëtare të vëna në këtë fushë. Andaj, miratimi i këtij projektligji mbetet i domosdoshëm për vendosjen e rregullave strikte që do të garantonin transparencë dhe do të parandalonin afera korruptuese ndërmjet partive politike dhe donatorëve të tyre, sidomos pas marrjes së pushtetit. Shkeljet që bëhen në procesin e financimit të partive politike përkthehen edhe në procese të tjera politike në vend dhe përfshijnë qytetarët gjerësisht. Thënë këtë, ky projektligj duhet të trajtohet me seriozitetin më të lartë nga partitë politike dhe është paradoksale çdo vonesë në miratimin e tij, pasi që partitë politike duhet të jenë shtytës të reformave demokratike, e jo bllokuesit e tyre.
(Autori është pjesë e Grupit për Studime Juridike dhe Politike. Ky editorial është shkruar në kuadër të projektit: “Rritja e transparencës dhe integritetit të partive politike në Kosovë: Theks i veçantë në zbatimin e Ligjit për Financimin e Partive Politike dhe Reformës Zgjedhore”, implementuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe financuar nga National Endowment for Democracy – NED).