Ne jetojmë në një ambient ku dominojnë kultura dhe standardet perëndimore, që kanë për bazë edhe lirinë e mediave dhe qasje në burime të ndryshme. Prandaj edhe kemi përshtypjen se e tërë bota është në anën e Ukrainës, e cila është në anën e drejtë. Por e vërteta e hidhur është se Rusia me shumë sukses në vendet e ndryshme të botës, sidomos në Lindjen e Mesme, i ka përdorur ndjenjat antiperëndimore për të bërë propagandë se në Ukrainë po lufton kundër “imperializmit amerikan dhe perëndimor”. E vërteta është se shumica e vendeve të botës nuk i kanë shpallur sanksione Rusisë
Lufta në Ukrainë dhe propaganda që Rusia po e vazhdon gjatë kësaj lufte ka dëshmuar edhe një herë se propaganda më e thjeshtë e ka edhe suksesin më të madh. Dikush do të thoshte se janë dëshmuar si të pabaza dhe qesharake të gjitha arsyetimet e Rusisë për agresionin ndaj Ukrainës. Prej atyre se atje është një “qeveri fashiste” dhe duhet “denazifikuar këtë shtet” e deri tek ato se “Rusia nuk ka bërë asnjë krim”. Por realiteti është më i zymtë nëse shikohet në kontekstin global. Ka shumë shtete që ose janë në anën e Rusisë në mënyrë të hapur, ose janë kinse neutrale, e që në praktikë në këtë rast do të thotë se janë në anën e Rusisë.
Realiteti global është se nuk janë të gjitha shtetet dhe shoqëritë në botë demokraci. Dhe nuk ka në të gjitha shtetet media të lira, analistë mirë të informuar, të paanshëm, burime të ndryshme të informacionit që mund edhe të verifikohen. Në shoqëritë e tilla depërton më vështirë e vërteta e ajo është vetëm një: Rusia ka bërë agresion në Ukrainë dhe është duke kryer krime të tmerrshme ndaj popullit të atij shteti. Por sa ka depërtuar kjo e vërtetë në botë është një pyetje në të cilën përgjigjja nuk është ajo që perëndimi do të donte.
Ne jetojmë në një ambient ku dominojnë kultura dhe standardet perëndimore, që ka për bazë edhe lirinë e mediave dhe qasje në burime të ndryshme. Prandaj edhe kemi përshtypjen se e tërë bota është në anën e Ukrainës, e cila është në anën e drejtë. Por e vërteta e hidhur është se Rusia me shumë sukses në vendet e ndryshme të botës, sidomos në lindjen e mesme, me sukses i ka përdorur ndjenjat antiperëndimore për të bërë propagandë se në Ukrainë po lufton kundër “imperializmit amerikan dhe perëndimor”. E vërteta është se shumica e vendeve të botës nuk i kanë shpallur sanksione Rusisë.
Edhe pse shumica e madhe e njerëzve në botën perëndimore e ka të qartë se çfarë po bën Rusia në Ukrainë, dhe me presionin publik ndaj qeverive të tyre kanë bërë që të rriten sanksionet, edhe pse ato godasin edhe vetë qytetarët perëndimorë, ka një përqindje të madhe edhe në Evropën perëndimore e cila ka mirëkuptim për qëndrimet e Rusisë. Në mesin e tyre janë radikalët e djathtë dhe të majtë. Rusia e ka studiuar mirë shoqërinë euro-perëndimore dhe ka ditur se nga ta drejtojë propagandën e saj. Duke e akuzuar Amerikën për gjithçka të keqe që ndodh në botë, përfshirë edhe në Evropë. Pra, sipas narracionit rus, “Amerika ka armatosur ukrainasit dhe me këtë, është duke e vonuar përfundimin e luftës”. Ose “Amerika i ka detyruar ukrainasit që të luftojnë për interesa të tyre”. Nuk ka rëndësi se askush nuk përgjigjet në pyetjen “A mos e detyroi Amerika Rusinë ta sulmojë Ukrainën?”. Sado që është shtrembërim total i realitetit, propaganda ruse po ka sukses në disa pjesë.
Ndonëse lufta në Ukrainë ka ndikuar që ndikimi i Rusisë në Evropë dhe SHBA të zvogëlohet, ai akoma është i madh, që është turp për shoqëritë e zhvilluara dhe politikanët e tyre. Rusia tash bën llogari që përmes rritjes së vuajtjeve të qytetarëve në Perëndim, frikës nga mungesa e energjisë gjatë dimrit, do të rritet presioni ndaj qeverive perëndimore që të pranojnë kushtet e Rusisë për ndërprerjen e luftës në Ukrainë. Rusia llogarit se evropianët do të lodhen duke mbrojtur një kauzë të drejtë, luftën e popullit të Ukrainës për liri dhe pavarësi, dhe do të jenë tash indiferentë, sepse nuk duan më të paguajnë çmimin me standardin e tyre. Nuk duhen të kenë krizë energjetike, çmime të larta dhe inflacion të madh.
Përderisa Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e kanë të vështirë të përfitojnë mbështetjen e vendeve të botës së tretë për sanksione ndaj Rusisë, akoma rrezikon që Rusisë t’i lejojë hapësirë për ndikime në vetë shoqëritë perëndimore. Në këtë aspekt, ndoshta nuk duhet përmendur Turqinë dhe Serbinë, dy shtete që nominalisht do të duhej t’i përkasin botës perëndimore, e të cilat nuk kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe nuk e kanë ndërmend ta bëjnë këtë. Sepse, përkundër kritikave, janë shumë komfor në pozitat që kanë. Por këto dy shtete, sipas shoqatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, kanë probleme serioze me lirinë e shprehjes.
Rusia sot ka ndikim edhe në Itali, edhe në Hungari, nuk është shuar tërësisht as ndikimi në disa shtetet e tjera evropiane. E Gjermania vazhdon të jetë e hutuar dhe e humbur në kohë dhe hapësirë, e përballur me dështimin fatal të politikës së saj të rritjes së varësisë nga gazi rus. Dështimet dhe gabimet e Gjermanisë për vite do t’i paguajë edhe Gjermania, por e tërë Evropa. Sepse nuk kanë qenë gabime të rastit, por gabime strategjike dhe sistematike. Gjermania ka një shoqëri e cila gjithmonë do të jetë me shumicë të madhe krahas atyre që luftojnë për të drejtën. Por skena politike e këtij shteti ka qenë aq shumë e përqendruar në rritjen e bashkëpunimi me Rusinë, duke besuar në mënyrë naive se “energjia nuk do të përdoret si armë politike”, saqë tash e ka sjellë shtetin në një kurth nga e cila nuk mund të dalë shpesh, së paku jo në mënyrë të ndershme.
Edhe pse numri i shteteve të cilat i kanë vendosur sanksione Rusisë është i vogël, krahasuar më numrin e shteteve që sot ka në botë, nuk duhet të ketë dilema se kjo “pakicë” është në anën e drejtë. Dhe sot, përkundër propagandës së Rusisë dhe suksesit që ajo ka në botë, nga Kina, Venezuela, Siria e India, deri te Turqia e Serbia ku nëpër stadium brohorasin emrin e liderit rus, Putin, vazhdon të jetë Ukraina ajo që mbron botën dhe vlerat perëndimore më shumë se kushdo tjetër.