Kosova do të jetë nën presion për t’u bashkuar në nismën “Ballkani i Hapur”, ani pse është një nismë e panevojshme. BE-ja, si zakonisht, do të lëshojë pe dhe mund ta pranojë edhe këtë nismë, sikur shumë të tjera, sepse nga ajo nuk ka pasoja. Për Kosovën më e rrezikshme sesa qëllimet ekonomike dhe tregtare nga kjo nismë është forma e pjesëmarrjes. Sepse Serbia nuk do të pranojë që Kosova të trajtohet si shtet. E Shqipëria nuk do, apo nuk ka fuqi, të insistojë që Republika e Kosovës të jetë si shtet pjesëmarrës i kësaj nisme. Për dallim nga kjo, në Procesin e Berlinit Kosova merr pjesë me të gjitha simbolet shtetërore. Dhe Vuçiqi nuk ka pasur problem të jetë në foto me liderët e tjerë pranë flamurit të Republikës së Kosovës. Nëse kjo nuk do t’i pengojë Serbisë në takime në Tiranë, Novi-Sad apo Ohër, atëherë edhe arsyet e Prishtinës për ta injoruar këtë nismë do të zvogëloheshin
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me shumë sukses po vazhdon të luajë lojëra jo vetëm të dyfishta, por të shumëfishta. Një ditë pasi me telefon bisedon me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, për “rritjen e partneritetit strategjik mes Rusisë dhe Serbisë”, duke irrituar pamasë BE-në, në Beograd pret komisionarin e BE-së nga Hungaria, Oliver Verhelyi, i cili nuk ia përmend fare sanksionet ndaj Rusisë, por e lavdëron dhe promovon projekte të cilat i financon BE-ja.
Vuçiqi në këtë mënyrë u jep një goditje të fortë atyre në BE që thonë se “Serbia nuk mund të jetë e ulur në dy karrige”. Dëshmon se ai me sukses po vazhdon ta dëshmojë të kundërtën. Edhe paratë e BE-së, edhe gazin e lirë nga Rusia, edhe partneritet strategjik me Rusinë, edhe rrugë të privilegjuar drejt BE-së. Me asnjë veprim, pos me deklarata publike, BE-ja nuk ka dëshmuar se Serbia mund të ketë pasoja nga refuzimi i saj për t’i mbështetur sanksionet ndaj Rusisë. Lojë të suksesshme, Vuçiqi dhe Serbia po vazhdojnë të luajnë edhe në rajon. Në kohën kur i ka acaruar tej mase raportet me Kroacinë dhe kur ka shtuar edhe retorikën, edhe veprimet kundër Kosovës, Vuçiqi dhe Serbia nënvizojnë se me Republikën e Shqipërisë “asnjëherë nuk i kanë pasur raportet më të mira”.
Pra, Vuçiqi veten dhe Serbinë e portretizon si një “element paqe, stabiliteti dhe bashkëpunimi në rajon”, në kohën kur Kroacinë dhe Kosovën i qorton si “vende që rrezikojnë paqen dhe bashkëpunimin, sepse flasin për të kaluarën”.
Ndoshta në Shqipëri dhe Maqedoni më pak e kuptojnë këtë lojë të Vuçiqit dhe Serbisë, sesa në Kosovë e Kroaci. Sepse, ndonëse e kanë ndier agresionin e Serbisë përmes luftës në Kosovë dhe strehimin e qindra e mijëra refugjatëve, për dallim nga Kroacia e Kosova, as Shqipëria e as Maqedonia e Veriut nuk kanë qenë viktima direkte të agresionit të Milosheviqit, pjesë e regjimit të të cilit ishin edhe udhëheqësit kryesorë të sotëm të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Ivica Daçiq dhe ministri i Brendshëm, Aleksandar Vulin, i cili vazhdon t’i fyejë shqiptarët e Kosovës pa asnjë pasojë.
Kroacia dhe Kosova kanë akoma më shumë se 1.500 të pagjetur nga koha e luftës. Nuk mund të jenë naivë dhe të besojnë se vërtet Beogradi dëshiron “të shikojë nga e ardhmja e jo nga e kaluara”, përderisa në Serbi glorifikohen kriminelët e luftës, relativizohen krimet dhe mohohet gjenocidi. Kjo në Serbi nuk bëhet nga individët, por është politikë zyrtare e shtetit.
rrethana politike duhet pasur parasysh edhe kur bëhet fjalë për bashkëpunimin rajonal ekonomik dhe tregtar, për lirinë e lëvizjes së mallrave, njerëzve, kapitalit dhe shërbimeve, që nismëtarët thonë se e ka për qëllim “Ballkani i Hapur”.
Liderët nga Shqipëria dhe Serbia ishin bërë bashkë për të bërë në rajon atë që e ka bërë brenda saj BE-ja. Së paku kështu kanë thënë vazhdimisht Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiqi.
Bashkimi Evropian nuk ka pasur një qëndrim krejtësisht të qartë rreth nismës së “Ballkanit të Hapur”. Nuk ka qenë lehtë të kuptohet nëse BE-ja është në favor të kësaj nisme apo kundër, sepse deklaratat e zyrtarëve më të lartë të BE-së janë me shumë ambiguitet. Në njërën anë parimisht mbështesin çdo nismë, e cila ndikon në rritjen e bashkëpunimit rajonal, por në anën tjetër e shohin këtë nismë si duplifikim të disa proceseve, të cilët tashmë janë në vazhdim e sipër.
Problemi me nismën “Ballkani i Hapur” ka qenë deri më tash, sipas disa diplomatëve, se ai nuk ka siguruar një gjithëpërfshirje rajonale. Prandaj në prononcimet e BE-së se “mbështesin nismat që janë inkluzive”, duhet vërejtur edhe këtë element, sepse në këtë nismë, në këtë moment, janë vetëm tri nga gjashtë shtetet e rajonit. Por, BE-ja gjithashtu ka rikujtuar se tashmë ekzistojnë korniza përmes së cilave të gjitha qëllimet nga “Ballkani i Hapur” mund të përmbushen. Është këtu nisma për bashkëpunim në Evropën Juglindore, Procesi i Berlinit, Nisma e Bashkëpunimit Rajonal me seli në Sarajevë, CEFTA , Nisma Brdo-Brijoni, Procesi i Brdos e shumë të tjera. BE-ja, po ashtu, kërkon zbatimin e marrëveshjes për krijimin e tregut të përbashkët rajonal, sipas shembullit të BE-së, me zbatimin e të cilit, vendet jo vetëm se do t’i rrisnin investimet, por edhe do të bëheshin gati për integrim në BE më mirë. Mbështetja në parim “secilës nismë që rrit bashkëpunimin rajonal” nga ana e BE-së, por edhe disa shteteve anëtare, është kuptuar dhe përdorur nga mbështetësit e nismës “Ballkani i Hapur” si mbështetje direkte për këtë nismë.
Disa diplomatë evropianë e pranojnë se Kosova posaçërisht ka arsye të ketë rezerva ndaj kësaj nisme, edhe në aspektin përmbajtjesor edhe në atë simbolik dhe të trajtimit të barabartë. Në Procesin e Berlinit, të gjitha shtetet e rajonit trajtohen në mënyrë të njëjtë, përfshirë edhe Kosovën.
Por, në BE ka politikanë që merren me rajonin me të cilët presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është i afërt dhe në të cilët ka shumë ndikim. Dhe mund të ndodhë që ata, edhe pse në të kaluarën nuk e kanë mbështetur “Ballkanin e Hapur”, duke e quajtur “duplifikim të panevojshëm”, në të ardhmen mund ta mbështesin. Sot në BE me Ballkanin merren ata që deri para dy vjetësh mbështesnin dhe punonin për idenë e shkëmbimit të territoreve, e tash zbatojnë politikën sipas së cilës kjo ide shihet si e rrezikshme. BE-ja ka dëshmuar se qëndrimet e saj nuk duhet marrë gjithmonë si të prera, sepse ato ndryshojnë.
Prandaj, Kosova mund të presë që në të ardhmen të rritet edhe presioni për përfshirjen e saj në të gjitha nismat rajonale, përfshirë edhe në atë të “Ballkanit të Hapur”. Sidomos pasi këtë e mbështesin edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
BE-ja, si zakonisht, do të lëshojë pe dhe mund ta pranojë edhe këtë nismë, sikur shumë të tjera, sepse nga ajo nuk ka pasoja. Për Kosovën më e rrezikshme sesa qëllimet ekonomike dhe tregtare nga kjo nismë është forma e pjesëmarrjes. Sepse Serbia nuk do të pranojë që Kosova të trajtohet si shtet. E Shqipëria nuk do, apo nuk ka fuqi, të insistojë që Republika e Kosovës të jetë si shtet pjesëmarrës i kësaj nisme. Për dallim nga kjo, në Procesin e Berlinit Kosova merr pjesë me të gjitha simbolet shtetërore. Dhe Vuçiqi nuk ka pasur problem të jetë në foto me liderët e tjerë pranë flamurit të Republikës së Kosovës. Nëse kjo nuk do t’i pengojë Serbisë në takime në Tiranë, Novi-Sad apo Ohër, atëherë edhe arsyet e Prishtinës për ta injoruar këtë nismë do të zvogëloheshin.
Serbia, po të dojë, mund të ketë raporte me Kosovën po aq të mira sa edhe me Shqipërinë. Por kjo nuk mund të ndodhë në rrethana në mohimit të ekzistimit të Kosovës dhe kur ka pretendime territoriale ndaj saj. E Kosova asnjëherë nuk duhet të ketë mirëkuptim për kërkesat që të pranojë mohimin e shtetësisë së vetvetes. Ndoshta dikujt i duket e logjikshme të kritikohet Kosova, sepse “është mësuar të thotë ‘jo’ për gjithçka në rajon”. Por, edhe kjo duhet të shihet në prizmin e trajtimit të Kosovës si shtet.