OpEd

Premtimet e qeverisura

Një pjesë e kryetarëve të komunave më shumë janë në shërbim të plotësimit të nevojave të tyre për prezencë të dosidoshme në opinionin publik, sesa për realizim të projekteve konkrete që e rregullojnë sadopak jetën e qytetarëve. S`e mos e pyet kush një kryetar komune për statusin e një qyteti, fati i të cilit diskutohet në kancelari evropiane të politikës! Margaritarë premtues të kryetarëve të komunave ka gjithandej, por natyrisht të rëndësishme janë ato më atipike, të cilat e sforcojnë idenë që të premtosh në kontekstin politik kosovar është njësoj sikurse të fantazosh

Në fund të shkurtit, Agim Bahtiri ka grumbulluar afro 17 mijë nënshkrime të banorëve të kësaj komune, me kërkesë që dy Mitrovicat të shkrihen në një.

Duke prekur sentimentin patriotik, Bahtiri riktheu veten në qendër të mediave së paku për disa ditë, duke mos gjetur levë tjetër për t`u protagonizuar në këtë kohë ku akëcili e kërkon një gjë të tillë.

Kjo, një tendencë me paramendim për zhvendosje nga problemet reale.

Sikur Bahtiri ta kishte përmbushur çerekun e premtimit të dhënë më 2017, për 3 800 vende pune, sigurisht që këta të punësuar potencialë s`do të kishin pasur kohë ta qanin kokën me turrin patriotik të tij.

Por, qasja e tillë tregon në fakt se një pjesë e kryetarëve të komunave më shumë janë në shërbim të plotësimit të nevojave të tyre për prezencë të dosidoshme në opinionin publik, sesa për realizim të projekteve konkrete që e rregullojnë sadopak jetën e qytetarëve.

S`e mos e pyet kush një kryetar komune për statusin e një qyteti, fati i të cilit diskutohet në kancelari evropiane të politikës!

Ky nonsens politik e përcjell prej dy mandatesh qytetin tashmë të ndarë.

Ndaj kreut aktual të Mitrovicës s`i mbetet tjetër përpos që cirkun e tij politik ta begatojë me një premtim tjetër të parealizuar.

Që të 17 mijë nënshkruesve, në mos t`ua bashkojë veriun me jugun, t`ua bëjë një xhiro me një lokomotivë të premtuar e cila, sipas projeksionit, do të duhej të lëvizte përreth lumit problematik të Ibrit.

Një raport i Institutit GAP tregon se nga 12 premtimet të dhëna për të qëndruar edhe një mandat në krye të kësaj komune, Bahtiri deri tashti ka realizuar vetëm 3 sosh. Gjashtë të tjera as që i ka nisur, teksa njërin e ka përmbushur në gjysmë, e 2 të tjerë i ka në proces.

Ky pra është prototipi i një pjese jo të vogël të kryetarëve të komunave kosovare.

Qeverisje lokale me preokupime qendrore. Si mund të paramendohet prezenca e tij apo sishokëve në mediat qendrore, por të mos hedhin kohë pas kohe floskula të tilla patriotike.

Por, ky është vetëm njëri nga ta. Jo se të tjerët në komuna të tjera kanë bërë namin në këtë drejtim.

* * *

Duke bërë bilance të qeverisjeve paraprake, pothuajse gjysma e mandatit të kryetarëve aktualë po ecën me ankesa ndaj pararendësve për fundosje në borxhe.

Të mësuar me praktikën qeverisëse të partisë në pushtet, komunat sytë i mbajnë nga qeveria qendrore, duke shpresuar në grantet qeveritare, të cilat të shumtën shkojnë nëpër komunat që qeverisen nga partia që e drejton qeverinë qendrore.

Me platformën elektronike “Letërnjoftimi i komunave”, GAP-i nxjerr në pah se numri më i madh i premtimeve të realizuara janë shënuar në fushën e infrastrukturës, arsimit, administratës dhe shërbimeve publike. Por, ngecje serioze janë shënuar në sferën e ekonomisë, shëndetësisë, bujqësisë dhe atë të urbanizmit.

Ka pothuajse dy dekada që në komuna ndërrohen drejtuesit, por ama problemet mbeten kryesisht të njëjta.

Margaritarë premtues të kryetarëve të komunave ka gjithandej, por natyrisht të rëndësishme janë ato më atipike, të cilat e sforcojnë idenë që të premtosh në kontekstin politik kosovar është njësoj sikurse të fantazosh.

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, sipas matjeve të GAP-it, nga 25 premtimet, aktualisht ka plotësuar vetëm 5 sosh. Sikur nuk i kanë mjaftuar që të merret me pjesën e mbetur, ditë më parë ia ka shtuar vetes edhe një “gajle”.

Pa një, pa dy, doli me idenë e një tramvaji nga Drenasi e deri te Stadiumi Nacional, te Kroi i Mbretit. Sa me lehtësi bëhen propozime pa pasur idenë më të vogël për koston financiare, konfiguracionin e terrenit apo çështje të tjera që lidhen me një projekt të tillë. Por ama, i rëndësishëm është protagonizmi. Kur krejt vëmendja e opinionit publik është përqendruar te taksa apo finalja e bisedimeve me Serbinë, krerët e komunave me gjasë po ndihen inferiorë, ndaj disa sish po dalin me ide “kreative”, kjo më shumë për ta argëtuar publikun sesa për ta realizuar idenë.

* * *

Në këtë triptik kryetarësh, e pashmangshme është të përmendet Prishtina. Me kryetarin me dy kapela, kryeqyteti aktualisht ndodhet në “stand by” gjendje.

Në vend se t`u printe komunave për vlug të realizimit të projekteve, Prishtina kurrë më e heshtur nuk ka qenë.

Një raport i organizatës joqeveritare INPO, e cila monitoron punën e Komunës së Prishtinës, tregon se në Prishtinë ka rënë investimi i buxhetit në shpenzime kapitale, teksa i ka rritur ato që njihen si “shpenzime të luksit”. Gjatë vitit 20118, megjithëse kishte të dedikuara 25 mijë euro për dreka e darka, ka harxhuar 30 mijë. Njëjtë ka ndodhur edhe me shpenzimet për telefona. Sipas kësaj organizate, shpenzimet e celularëve të Komunës kapin vlerën e 83 mijë euro, apo 8 mijë euro më shumë sesa planifikimi. Krejt kjo për t`ia vërë kapakun me afro 25 milionë euro suficit nga viti paraprak.

Në një situatë të tillë, angazhimi i kryetarit të Prishtinës edhe në postin e bashkëdrejtuesit të Ekipit Negociator me Serbinë duket anakronik. Ai edhe mandatin e dytë e ka fituar me premtimin se do të jetë në shërbim të qytetarëve të Prishtinës. Aktualisht, ai zakonisht shihet në aktivitete të nivelit qendror, të cilat kanë të bëjnë me politika të nivelit nacional, por në asnjë mënyrë me ato të nivelit lokal. Sërish pra, rikthimi te vëmendja apo te protagonizmi. Nuk ka se si të shihet ndryshe një dublim i tillë postesh. Prishtina ka nevojë për një kryetar dinamik, por jo për një me honorar. Ndaj secila ditë e kryetarit Ahmeti në angazhimet e nivelit qendror do të thotë minus angazhim për Prishtinën.

“Prishtina po bëhet”, mbante titullin platforma zgjedhore e mandatit të dytë të Ahmetit. Realiteti aktual tregon se Prishtina po rri. Edhe më keq, nga përplasja partiake ndërmjet VV-së e PSD-së, tashmë kryeqyteti është shndërruar në pre të rivalitetit ndërmjet ish-bashkëpartiakëve. Duke e pasur simbolin me Hyjneshën në Fron, beteja po bëhet për fronin, por jo për një Prishtinë ndryshe.

Ajo as nuk po bëhet e as nuk po zhbëhet. Po pret. Një kohë tjetër, kur dikush përpos që do t`i japë dashuri, do ta bëjë të jetueshme!

[email protected]