OpEd

Pranga elektronike, paraburgim për dëbim, refuzim lejeqëndrimi: Fushata e Athinës kundër migrantëve

Kush qëndron ilegalisht në Greqi, mund të përfundojë deri në pesë vjet në burg. Edhe paraburgimi për dëbim do të zgjatet. Një ministër me të kaluar ekstremiste të djathtë pritet të zbatojë këto plane

Problemi është i njohur prej kohësh, por zgjidhja është gjithçka tjetër veçse e lehtë. Sipas të dhënave të Komisionit Europian, 80 përqind e azilkërkuesve të refuzuar në hapësirën e Schengenit nuk mund të dëbohen në vendet e tyre të origjinës. Përjashtim bën Zvicra: ajo ka përqindjen më të lartë të dëbimit në Europë (me një kuotë prej rreth 60 për qind).

Arsyeja kryesore për dështimin e dëbimeve qëndron në faktin se shumë vende nuk i pranojnë shtetasit e tyre. BE-ja e ka shpallur këtë çështje ndër prioritetet e saj dhe synon rregulla të njëjta për të gjitha shtetet e zonës së Schengenit.

Aktualisht po zhvillohen diskutime për modele të ndryshme – si qendrat e kthimit në vende të treta ose njohja reciproke e vendimeve për kthim. Kjo do të thotë: nëse një azilkërkues refuzohet në një shtet të Schengenit dhe më pas shkon në një vend tjetër (të Schengenit), autoritetet e atjeshme kanë të drejtë ta dëbojnë.

Deri sa Brukseli të gjejë një zgjidhje për mangësitë në sistemin evropian të azilit, mund të kalojë kohë. Prandaj Greqia nuk do të presë më. Qeveria konservatore në Athinë ka shpallur kohët e fundit një ashpërsim të dukshëm të ligjeve të migracionit. “Kush hyn ilegalisht në vendin tonë ose qëndron këtu edhe pse kërkesa për azil i është refuzuar, duhet të llogarisë me ndëshkime më të ashpra”, deklaroi kryeministri Kiriakos Micotakis gjatë një mbledhjeje të kabinetit.

Një ligj i ri, që pritet të hyjë në fuqi në verë, parashikon masa drastike. Kush qëndron ilegalisht në vend, mund të dënohet deri me pesë vjet burg. Paraburgimi për dëbim do të zgjatet nga 18 në 24 muaj. Ata që deri tani mund të aplikonin për leje qëndrimi pas shtatë vitesh pa status të rregulluar, do ta humbasin këtë të drejtë në të ardhmen.

Edhe një program, i cili u mundësonte deri në 40 mijë migrantëve të merrnin status legal qëndrimi pas më shumë se tre vjetësh pa dokumente, është ndërprerë në mars. Sipas ministrit grek të migracionit Makis Voridis, qeveria dëshiron të shmangë “joshjen e deformuar” të migracionit të parregullt. Projektligji parashikon gjithashtu shkurtimin e afatit nga 25 në 14 ditë për largimin e azilkërkuesve të refuzuar. Gjatë kësaj periudhe, azilkërkuesit do të mbikëqyren nëpërmjet një prange elektronike të vendosur në këmbë.

Kritikat ndaj ligjit të propozuar nuk u vonuan. Mediat e majta greke akuzuan qeverinë se po orienton politikën e saj ndaj migracionit sipas modelit të presidentit amerikan Donald Trump. Gazeta javore “Documento” e cilësoi ligjin si përpjekje të qeverisë për të fituar mbështetjen e elektoratit ekstremist të djathtë në Greqi. Platforma informative “News247” shprehu dyshime për zbatueshmërinë e planeve, pasi në burgjet greke ka vend vetëm për 12 mijë të burgosur. Për më tepër, burgjet janë tashmë të mbipopulluara.

Shqetësim të veçantë midis aktivistëve të të drejtave të njeriut ka ngjallur emërimi i Makis Voridis si ministër migracioni. Ai mori detyrën në mes të marsit, kur kryeministri Micotakis bëri riformatimin e kabinetit të tij për shkak të rënies së mbështetjes në sondazhe dhe rritjes së popullaritetit të partive ekstremiste të djathta.

60-vjeçari Voridis konsiderohet si përfaqësues i linjës së ashpër, me një të kaluar ekstremiste të djathtë. Si student, thuhet se ka ndjekur me sëpatë studentët e majtë në qendër të Athinës, siç sugjeron një fotografi nga ajo kohë. Më vonë ai themeloi partinë ekstremiste të djathtë Fronti Helenik dhe mbajti lidhje me Jean-Marie Le Pen, gjyshin politik të populizmit të djathtë në Francë dhe Evropë.

Në vitin 2011, Voridis – ndërkohë anëtar i një partie tjetër ultranacionaliste – u emërua ministër i infrastrukturës. Menjëherë pas kësaj iu bashkua partisë së djathtë konservatore Nea Dimokratia, e cila sot drejtohet nga kryeministri Kiriakos Micotakis. Brenda saj, Voridis përforcon krahun e djathtë të partisë.

Tani ai dëshiron të profilizohet si ministër i dëbimeve, edhe pse Greqisë i duhen me urgjencë punëtorë të rinj në turizëm, bujqësi, shëndetësi dhe ndërtimtari. Një vit më parë qeveria zyrtarisht vendosi që java e punës në Greqi të ketë gjashtë ditë. Tani gazeta “Kathimerini” raportoi se vetëm në hoteleri dhe gastronomi mungojnë 80 mijë punëtorë.

Qeveria ka nënshkruar marrëveshje të ashtuquajtura “mobiliteti” me Indinë, Egjiptin, Vietnamin, Bangladeshin, Moldavinë dhe Gjeorgjinë. Punëtorët që vijnë nga këto shtete do të marrin leje qëndrimi trevjeçare në Greqi.

Gjatë krizës financiare nga 2009 deri më 2019, rreth 500 mijë njerëz braktisën vendin e tyre dhe gjetën punë kryesisht në shtetet e tjera të BE-së. Në të njëjtën kohë, numri i lindjeve po bie me shpejtësi, ndërsa ekonomia greke po rritet prej vitesh.

Ministri i migracionit Makis Voridis megjithatë i qëndron besnik kursit të tij. Qeveria greke planifikon gjithashtu që, deri vitin e ardhshëm, të përfundojë një mur kufitar më shumë se 100 kilometra të gjatë me Turqinë, për të penguar kalimin e mëtejshëm të refugjatëve.