Përplasja e Polonisë me BE-në vjen në kohë të njëjtë me një numër zhvillimesh të brendshme që kanë ndikuar në shembjen e përkrahjes publike ndaj PiS-it
Gjysmë miliardi njerëz nëpër Bashkimin Evropian janë mbajtur peng nga Polonia e Bashkuar, një parti e vogël politike që është pak e njohur edhe nga votuesit polakë. Në këtë çështje ishte një parim që 66 për qind e polakëve e mbështesnin: financimi i BE-së duhet të kushtëzohet me respektimin e sundimit të ligjit – dispozitë vendimtare për fondet e BE-së për vitet 2021-27 dhe për rimëkëmbjen ndaj COVID-19.
Polonia dhe Hungaria kanë pranuar propozimin e buxhetit të BE-së në Samitin e liderëve të BE-së, që është mbajtur të enjten. Propozimi duhet të miratohet edhe nga Holanda dhe shtetet anëtare, ashtu edhe nga kritikët brenda qeverisë polake.
Partia në pushtet, Ligj dhe Drejtësi (PiS), për vite të tëra ka zhvilluar betejën për pavarësinë e gjyqësisë së Polonisë, andaj nuk është i befasishëm kundërshtimi i kushtit për sundim të ligjit. Por, është e rëndësishme të kuptohet politika e komplikuar para pozitës së tanishme të Polonisë karshi pjesës tjetër të BE-së. Vetëm atëherë mund të thyhet situata e tanishme, që potencialisht të krijohet një domino efekt për ta rrëzuar liderin në hije të Polonisë, Jarosław Kaczyński, dhe t’i jepet fund epokës së pushtetit populist në këtë shtet. Kërcënimi me veto ndaj buxhetit për aq kohë sa përfshin mekanizmin kushtëzues është funksionim i rivalitetit mes dy politikanëve: kryeministrit Mateusz Morawiecki të PiS dhe ministrit të Drejtësisë Zbigniew Ziobro nga partia Polonia e Bashkuar. Të dy ia kanë mësyrë të jenë pasardhës të Kaczyńskit dhe janë përgatitur që të sakrifikojnë të mirën e Polonisë dhe Evropës – për ambiciet personale. As Morawiecki, as Ziobro nuk janë politikanë të pavarur që kanë arritur vetë aty ku janë. Morawiecki dikur i priu bankës më të madhe polake dhe ishte këshilltar i ish-kryeministrit Donald Tusk (rivali i përbetuar i Kaczynskit), por as nuk lidhet fort me PiS-in. Pas tre vjetësh në zyrë, partia ende e trajton si të huaj. Mirëpo, Kaczyński e sheh Morawieckin si pasardhës të vetin, ndoshta duke vënë bast se do të jetë menaxher i butë ekonomik.
Ziobro, për rolin e tij, i prin grupimit të djathtë ekstrem në koalicionin e pushtetit. Në praktikë, deputetët e Polonisë së Bashkuar i prijnë listës në zgjedhjet parlamentare, por i janë besnikë Ziobros, qëndrimet dhe stili politik të cilit i shkojnë për shtati që të jetë pasardhës i Kaczyńskit. Ama, tash për tash, nuk e ka përkrahjen e liderit.
Përplasja e Polonisë me BE-në vjen në kohë të njëjtë me një numër zhvillimesh të brendshme që kanë ndikuar në shembjen e përkrahjes publike ndaj PiS-it në 27 për qind. Që prej mesit të vitit 2017, kjo përqindje nuk kishte rënë asnjëherë nën 40; por tani partia e Kaczyńskit mezi i afrohet partisë së dytë Koalicioni Civil, që ka 25 për qind të përkrahjes.
Përkrahja e kombinuar publike për opozitën polake tani është dyfish më shumë se PiS-i. Kur dihet se zgjedhjet e përgjithshme nuk do të mbahen deri në vitin 2023, partitë në pushtet do të humbin shumicën në parlament nëse Besëlidhja e Jarosław Gowinit, grupim më liberal, apo Polonia e Bashkuar, tërhiqen nga koalicioni. PiS-it do t’i duhen 20 vota nga secila parti në Sejmin me 460 ulëse. me qëllim që ta mbajë pushtetin.
Partia e Kaczyńskit humbi përkrahjen nga disa faktorë, duke nisur nga vendimi i Tribunalit Kushtetues, që gati sa nuk e ndaloi krejtësisht abortin në muajin tetor. Vendimi ngjalli protestat më të mëdha në Poloni që prej vitit 1989.
Faktori i dytë prapa rënies së përkrahjes së PiS-it është pandemia e COVID-19, që e ka goditur rëndë Poloninë. Qeveria është akuzuar se ka dështuar të menaxhojë ngritjen e rasteve gjatë vjeshtës dhe krizës së krijuar nga vendimi i mëparshëm i PiS-it për t’i braktisur reformat e nevojshme shëndetësore në favor të transferimeve të përshtatshme sociale të motivuara politikisht.
Edhe konflikti me BE-në ka ndikuar rëndë në problemet e PiS-it. Përkrahja për integrimin evropian mbetet e lartë në Poloni, ani pse kjo nuk përkthehet në përkrahje për partitë pro-evropiane, është e sigurt se ndalja e mundshme e fondeve të BE-së ka mundur t’i mobilizonte votuesit kundër PiS-it.
Ka një arsye se përse PiS i shmanget retorikës anti-BE. Shpesh bën thirrje për “dialog” dhe për mosmarrëveshjet e fajëson ndonjë zyrtar, siç është zëvendësshefi i Komisionit Evropian, Franc Timmerans, sesa BE-në si tërësi. Në fakt, ngritja e Morawieckit në pushtet gjatë vitit 2017 ishte parashikuar se do të ndihmonte në këndelljen e marrëdhënieve me BE-në, pas periudhës së tensionuar me paraardhësen Beata Szydło.
Në çfarëdo rasti, Ziobro ka llogaritur se kriza e sundimit të ligjit është një mundësi e mirë për të që të ketë avantazh ndaj Morawieckit. Së fundmi ia ka dërguar një letër të hapur kryeministrit, duke argumentuar se: “Një propozim për t’i lidhur pagesat nga buxheti i Bashkimi Evropian për të ashtuquajturin sundim të ligjit, në rast se hyn në fuqi, do të përkeqësonte statusin dhe pozitën e Polonisë në BE për dekada të tëra”, ka shkruar ai. “Të dy e dimë se nuk ka të bëjë asgjë me sundimin e ligjit. ‘Sundimi i ligjit’ është pretekst për të prezantuar një formë skllavërimi të shtetit polak”. Mekanizmi kushtëzues është votuar si ligj dhe çdo deklaratë për ta bërë të qartë se mekanizmi vendoset vetëm për problemet buxhetore nuk do të kishte ligjshmëri.
Në këtë pjesë, Ziobro ka të drejtë. Ai publikisht ka njoftuar se çdo kompromis është kapitullim. Ziobro dëshiron ta zërë ngushtë Morawieckin. Nëse bën kompromis me BE-në, ai do ta humbë përkrahjen e Kaczyńskit dhe PiS-it; nëse i vë veto buxhetit të BE-së, ai do të humbë fonde që janë të nevojshme për ta qeverisur Poloninë. Mundësia e tij e fundit dhe më e mira është që ta heqë mekanizmin kushtëzues dhe të sigurojnë fondet e BE-së, që do të ishte diçka e afërt me status quo ante.
Zbutja e pozicionit të qeverisë do të thoshte se Kaczyński po bënte blof me përkrahjen e tij për Zioborn, ose fare e thjeshtë për t’u përballur me realitetin. Në cilëndo anë, humbja politike e Ziobros do të çonte në thyerjen e të drejtës së bashkuar.
Në pesë vjetët e fundit, BE-ja vazhdimisht ka dështuar ta parandalojë ndërhyrjen e PiS-it në institucionet e pavarura, përfshirë gjyqësorin dhe median, duke i shtruar rrugë krijimit të një demokracie joliberale autoritare. Në përgjigjen e fundit për mekanizmin kushtëzues, BE-ja ka testuar jo vetëm Poloninë, por edhe veten. Si Polonia, ajo mund të vendosë për përfitimet ekonomike mbi sundimin e ligjit dhe të pendohet në periudhën afatgjate.
(Sławomir Sierakowski, themelues i lëvizjes Krytyka Polityczna, është drejtor i Institutit për Studime të Avancuara në Varshavë. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)