Si u bë që Donald Trumpi të fliste për civilizimin perëndimor?
Ky nuk ishte premtim që e dha në fushatën presidenciale. Kandidati Trumpi na erdhi me “Së pari Amerika”. Propozoi një zgjidhje kreative të problemit me të cilin ishte përballur çdo president prej rënies së Bashkimit Sovjetik, çka nënkuptonte se Amerikës i mungonte një armik kundër të cilit do ta përkufizonte veten dhe do ta orientonte politikën e tij të jashtme. Po të kishte një armik të vetëm, zoti Trump iu vërsul botës. U mor me gjithçka e me gjithkënd, prej “Shtetit Islamik” e deri te Kina e aleatët e NATO-s apo emigrantët, megjithëse në këtë lëmsh nuk e futi edhe Rusinë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoJanë bërë gjashtë muaj në krye të presidencës, po ende nuk është venitur edhe nacionalizmi i sloganit “Së pari Amerika”. Por presidenti Trump e ka organizuar përherë e më shumë politikën e jashtme rreth shtyllës së një parimi tjetër, të kodifikuar në fjalimin e gjashtë korrikut në Varshavë. Më nuk na u shfaq me fjalë të mëdha zemërimi për viktimën që e portretizonte gjatë fushatës, sepse për hesap të tij, Shtetet e Bashkuara tani janë transformuar në lidere krenare të Perëndimit, të mishëruara në “bashkësinë e kombeve” që ndajnë “mënyrën e njëjtë të jetesës”. Linjat e doktrinës së Trumpit kanë nisur të lëshojnë rrënjë: presidenti e ka shprehur zotimin e Amerikës për “mbrojtjen e civilizimit”.
Në vendlindje, komentet e politikës së jashtme flasin për një presidencë të matur. Një politikë e jashtme e orientuar rreth mbrojtjes së civilizimit perëndimor mund të jetë unike për të mbuluar mungesën e lidhjes ndërmjet votuesve militantë dhe atyre që janë boshti i “Kurrë me Trumpin”. Bastionet e kanë hallin e rrënjëve: “Lidhjeve të kulturës, besimit dhe traditës të asaj që na bën kush jemi”, siç theksoi ai vetë në Poloni. Njerëzit e elitës për të cilët po fliste presidenti kanë vlera dhe zotime ndaj aleancave botërore.
Në të vërtetë, politika e jashtme konvencionale e zotit Trump ka nisur të tingëllojë kundërthënie. Presidentët gjatë shekullit njëzet i identifikonin interesat vitale të Amerikës me mbijetesën dhe zgjerimin e “civilizimit perëndimor”, që mendonin se ishin kërcënuar prej komunizmit të mbështetur nga Bashkimi Sovjetik nga Lindja dhe zgjatimet kaotike në Jug. Më së miri e kishte përmbledhur këtë Dwight Eisenhower më 1959, kur tha se qëllimi i vërtetë i NATO-s ishte “mbrojtja e themeleve shpirtërore të civilizimit perëndimor prej çfarëdo lloj agresioni të pamëshirshëm”. Zoti Trump nuk po tregon se përnjëmend e ka hallin e mbrojtjes së Perëndimit – ai po mundohet t’ua bëjë qejfin neokonservatorëve, me të cilët është më fort i lidhur. Nuk është e habitshme pse e ndryshoi politikën e jashtme amerikane më shumë në mënyrë evolutive të revolucionar , nëse mund të thuhet se ka ndryshuar diçka.
A do ta ruajë presidenti Trump besnikërinë globale të Shteteve të Bashkuara që e trashëgoi prej kohës së luftës së ftohtë? Ky ishte testi i madh, dhe ai është përgjigjur në mënyrë afirmative. Në Varshavë, ai mbështeti shprehimisht zotimin e mbrojtjes së përbashkët të NATO-s disa muaj pas sulmeve të pareshtura. Lidhjet e tij personale me kancelaren gjermane, Angela Merkel, duket se është e shkruar të jenë me spec, por ai çimentoi qasjen e tij atlanticiste derisa po e shikonte paradën e madhe ushtarake franceze në Ditën e Bastijës me presidentin Emmanuel Macron. Madje administrata e Trumpit nuk ka hequr dorë as prej zotimeve të deritanishme për mbrojtje ushtarake në Azi. Përkundrazi, zoti Trump është zotuar “ta zgjidhë problemin” e kërcënimit bërthamor të Koresë Veriore me ose pa ndihmën e Kinës. Presidenti mund të nxjerrë dufin kundër globalizmit, por e pranon se Shtetet e Bashkuara nuk duhet ta zvogëlojnë aspak rolin e tyre global, sikur e pranonin edhe paraardhësit e tij.
Nëse për kurrgjë tjetër, korniza civilizuese e zotit Trump tingëllon më fort si luftë e përhershme e Amerikës në Lindje të Mesme se gjuha e Obamas për sulme të përzgjedhura. Përderisa zoti Obama pëlqente të shmangte gjuhën e ashpër dhe të zgjeronte “luftën ndaj terrorit”, faktet tregonin se ai nuk kishte hequr dorë dhe se vetëm ishte shtrirë edhe më shumë në aspektin gjeografik. Zoti Trump i ka vazhduar me të madhe këto politika, por ka sugjeruar se Amerika është në Lindje të Mesme për të shtypur armiqtë e civilizimit. “Egërsirat e pamëshirshme”, siç iu është referuar militantëve të ISIS-it, duke sjellë ndërmend imperialistët evropianë dhe admiruesit e tyre amerikane, si puna e Theodore Roosevelt.
Rezultati më befasues i presidencës së deritanishme të zotit Trump ishte ky: bombardimet ajrore në prill kundër bazës ajrore siriane në shenjë hakmarrjeje për përdorimin e armëve kimike kundër civilëve. Centristët u turrën duke theksuar se më në fund zoti Trump po përdor normat universale të të ashtuquajturit rend ndërkombëtar liberal. Por presidenti foli për diçka tjetër në justifikimin e tij publik: Hakmarrje për “një sulm tepër barbar”.
Në proces, vuri edhe një tjetër atribut për ata që veprojnë në emër të njerëzimit të civilizuar – të drejtën për të vendosur, i vetëm, kush dhe ku është vija e kuqe. Më 2013, presidenti Obama dështoi ta jetësonte kërcënimin e tij të “vijës së kuqe” kundër armëve kimike pas dështimit për të marrë aprovimin e Kongresit ose të Parlamentit të Britanisë. Zoti Trump krejt ndryshe mund ta ketë parë paparashikueshmërinë (dhe legjitimitetin e dyshimtë) të sulmit ajror si mundësi për t’ia përçuar botës mesazhin se mund të veprojë, madje edhe të bombardojë, nëse do ai.
Ndërrimi i anës kur vjen puna te ligji dhe rendi i civilizuar erdhi në pah kur zoti Trump çoi në qiell “punën e pabesueshme” të presidentit filipinas, Rodrigo Duterte, i cili ka orkestruar fushatën e paligjshme të vrasjes së mijëra filipinasve në luftën kundër drogës. Shumë burra të fuqishëm jo të bardhë dhe joperëndimorë mund të sillen në rrethin magjik të civilizimit nëse po bëjnë kërdi kundër së keqes. Zoti Trump bëri udhëtimin e parë të jashtëm në Arabinë Saudite. Në tepihun e kuq në Riad hasi aleaten kundër “kriminelëve barbarë”, e të mos përmendim sasinë e madhe të armëve amerikane shitur sauditëve. Kështu iu bashkua linjës së gjatë të presidentëve që mbështetën autokratët e botës së tretë si bastione të modernitetit dhe stabilitetit. Kësaj here presidenti me gojë s’e bën hesap demokracinë ose të drejtat e njeriut.
Megjithatë, nuk ka marrë fund nacionalizmi i “Së pari Amerika”. Ai është nën tepih. Vendimi i administratës amerikane për t’u tërhequr nga Marrëveshja e Parisit për klimën ishte puro “Së pari Amerika”, plot himne Pittsburghu karshi civilizimit francez. Presidenti mund të shkonte edhe më larg me kufizime të reja tregtare, pavarësisht fundosjes së Partneritetit Transatlantik. Për më tepër, “civilizimi” duket se do të vazhdojë të zërë vend kryesor të politikës së jashtme të administratës së Trumpit. Mund të jetë doktrina e vetme për të pajtuar zotimin material të Trumpit ndaj supremacisë botërore të Amerikës me versionin ideologjik ndaj universalizmit liberal.
E gjithë kjo situatë nuk e bën Trumpin kurrgjë më shumë pos realist shpirtngushtë për të cilin kritikët druajnë se do ta teprojë, gjë që edhe shpresojnë ta shohin. Ju pëlqeu a jo, doktrina e Trumpit i ka rrënjët thellë në traditën amerikane. Kanë kaluar 6 muaj të presidencës së tij, ka ardhur koha që avokatët e lidershipit botëror amerikan duhet ta pohojnë një fakt: Donald Trumpi është njëri prej jush.
Për të qenë edhe më i drejtpërdrejtë, zoti Trump duket se po evoluon në një neokonservator. Para se të lidheshin me “agjendën e lirisë” së presidentit Gorge W. Bush, shumë neokonservatorë e shanin komunizmin sovjetik, por nuk është se kishin kushedi çfarë dashurie për qëllimin e eksportimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Duke shkelur parimet e rendit ndërkombëtar liberal, ata nisën t’ua besonin muskujve të fryrë të fuqisë amerikane, duke i parë si garancinë e vetme të interesave të vendit të tyre dhe të vlerave të ngjashme civilizuese të botës.
Si neokonservatorët e mëparshëm, zoti Trump e sheh botën në sy dhe sheh kërcënime të sikletshme që i theksojnë ekspertët. Në vitet 1970, neokonservatorë të njohur formuan “Ekipin B” për të sfiduar kapacitetet sovjetike të theksuara nga CIA dhe ndryshuan kursin e luftës së ftohtë. Më vonë administrata e George W. Bushit krijoi një njësit inteligjence që hiperbolizoi kërcënimin irakian. Edhe zoti Trump nuk u beson profesionistëve të Departamentit të Shtetit, të cilit dëshiron t’ia shkurtojë fondet, dhe as agjencive të inteligjencës, me të cilët po shkon fytafyt. Si neokonservator, ai lartëson vlerat ushtarake dhe kërkon të fuqizohet ushtria. Dhe nuk është për habi që kjo politikë e jashtme ka nisur së fundi të lartësohet nga neokonservatorë, si Elliott Abrams, kritik i zëshëm, dhe ish-këshilltar i stafit për politikë të jashtme të Bushit dhe Reaganit. Komentuesi Charles Krauthammer, kritik i Trumpit, përmblodhi standardin e praruar të fjalimit të Varshavës: “Reaganian”.
Por edhe me këtë qasje, mos prisni se zoti Trump thjesht do t’i zëvendësojë politikat e tij me ato të neokonservatorëve. Nën flamurin e civilizimit, ai përfiton prej fleksibilitetit për ta konsideruar Rusinë jo vetëm armik lindor, por nganjëherë edhe aleate perëndimore, duke qëndruar fort kundër barbarizmit terrorist dhe dekadencës shekullare. Një imazh të tillë, të promovuar prej presidentit Vladimir Putin, e ka kthyer Rusinë në yllin verior të autoritarëve djathtistë në dy anët e Atlantikut.
Por civilizimi trumpian mund të jetë larg më pak i rehatshëm për Iranin, Korenë Veriore, dhe më e rëndësishmja, për Kinën. Këto fuqi, jo të bardha dhe jo të krishtera – dyshohet se do të nxirren prej orbitës së tij. Do të mbetet në duar të administratës së Trumpit për t’iu përgjigjur se deri ku shkojnë bekimet e civilizimit përtej asaj që Stephen K. Bannon, këshilltar kyç i Trumpit, e ka quajtur “Perëndimi judo-të krishterë”.
Sa për Perëndimin, zoti Trump ka veshur mantelin të cilin Perëndimi është sprapsur ta hidhte krahëve. Nuk adhurohet në Evropën Perëndimore. Vetëm njëmbëdhjetë për qind e gjermanëve besojnë se presidenti amerikan është i zoti të bëjë çfarë duhet në çështje botërore. Rejting të ngjashëm të ulët ka edhe në mesin e britanikëve, spanjollëve dhe francezëve, si Bushi në ditët e fundit të presidencës – megjithëse shumica prej tyre presin se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara nuk do të ndryshojnë. Halli më i madh nuk është çfarë ka bërë Trumpi; por kush është ai. Rrjedhimisht vjen në shprehje ironia e pretendimit të Trumpit: “Çështja qenësore e kohës sonë është nëse Perëndimi do të mbijetojë”. Ai është njëri prej atyre që mund t’i prishin lidhjet e identitetit që formojnë “vullnetin” e Perëndimit.
Zoti Trump pritet të ketë prospekte më të mira për përcaktimin e së ardhmes së të drejtës amerikane. Për të mbajtur nën sundim kërcënimet ndaj civilizimit, ai mbase ka ngecur të krijojë një kornizë të politikës së jashtme që vërtet përkon me kohën e botës së pasluftës së ftohtë, ku Shtetet e Bashkuara më nuk promovojnë modelin e tyre politik kundër ndonjë rivali. Për shkak të gjithë atij dështimi të lidhur me mbrojtjen e civilizimit, presidentët e kaluar amerikanë e lidhnin atë kauzë me marshimin përpara të demokracisë liberale. Në shekullin nëntëmbëdhjetë, Shtetet e Bashkuara e shpallën veten gardiane të botës së re kundër botës së vjetër monarkike. Në shekullin njëzet, SHBA-ja i priu botës së lirë kundër botës totalitare. Dhe në dekadat pas rënies së Bashkimit Sovjetik, presidentët amerikanë nuk hoqën dorë prej formulës me të cilën duket se fituan luftën e ftohtë.
Por kur zoti Bush e shpalli luftën e tmerrshme në Irak, diskreditoi agjendën e tij të lirë para një brezi, dhe ende po përflitet. Gjatë viteve të Obamas, një segment në rritje i së djathtës nisi ta merrte terrorizmin islamik, rënien demografike të të bardhëve dhe pluralizmin kulturor si kërcënim ndaj civilizimit perëndimor – dhe autokratët si mbrojtësit kryesorë të tij. Zoti Trump kapitalizoi këtë politikë civilizimi, dhe po harton një politikë të jashtme me fytyrën e tij. Mund të mos jetë i fundit.
(Autori është historian në Kolegjin e Mbretit në Universitetin e Cambridget. Ka shkruar një libër për lindjen e lidershipit botëror amerikan në Luftën e Dytë Botërore.
Komenti është marrë prej gazetës amerikane, “New York Times”.)